KULTURË

TRINIA E ATJONIT/ “Ne do ta sundojmë botën me buzëqeshje e punë të pareshtur”

09:48 - 21.12.17 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

U bënë 3 vjet që Atjon Zhiti, student i filozofisë, iku për në Qiell, fare i ri, kur kishte mbushur 19 vjeç, por prania e tij është ndjerë e gjallë mes miqve të shumtë të tij, shoqeve dhe shokëve studentë kudo, jo vetëm në Tiranë, por dhe në universitete të tjera në Itali, në Milanon ku ai studionte, në universitete të Europës dhe të Amerikës, etj, etj, se ndërkaq ai ishte dhe anëtar i Parlamentit Rinor Europian dhe punonte që “Europa të gjente Europë dhe në Shqipëri”, siç i pëlqente të thoshte.
3 vjet. Që si në një asosacion idesh, na bëjnë të mendojmë për një si trini të tij të pandashme, ndjesish dhe bëmash. Ka 3 botime befasuese, me jehonë, një libër me ese, të vlerësuara së tepërmi nga lexuesit dhe kritikët, një album të shkëlqyer me piktura, vegime fëminie dhe të adoleshencës, për të cilin mori dhe një çmim së fundmi në Paris, dhe e treta: mos është kalendari i tij me piktura dhe citate të tij, në tri gjuhë, shqip, italisht e anglisht? Apo koncerti, kushtuar atij, me piano dhe violinë në një kishë të famshme të Romës, ku u recituan pjesë nga shkrimet e tij? Atjoni i kishte rënë dhe flautit, ishte dhe notar i shkëlqyer, angazhohej me filmin… Ç’të themi për veprën e tretë të Atjonit, apo botimet që kanë me ilustrime të tij? Kë të zgjedhim? Më mirë të veçojmë buzëqeshjen e tij, një kryevepër madje, engjëllore, që dinte ta jepte aq çiltërsisht aq sa besonte në atë që thoshte se “ne do ta sundojmë botën me buzëqeshje e punë të pareshrur”. Dhe kjo e bënte dhe serioz, dhe guximtar, dhe të trishtuar, por gjithmonë të bukur. Atë e dashuronin dhe ai dinte të dashuronte.
Që kur ishte 3 vjeç iu botua një vizatim dhe shkroi dhe një gazetë e huaj.





Student arriti të botojë 3 esetë e para. Gjithashtu, përktheu tre autorë, një poete italiane, me vajzën e së cilës u miqësua shumë, përktheu poezi inedite nga një emër i çuditshëm, ideator shqiptar që rrinte me ideatorë të Europës së Bashkuar në kampin e internimit në Ventotenne në Itali, Zai Fundo, që e masakruan në luftë. Duheshin poezitë e tij e për një antologji që po përgatiste i ati me autorë të pushkatuar, lajmëtarë të Europës e ato u gjetën vetëm në italisht. Së fundmi Atjoni u mor me përkthimin e një prej poetëve më të mëdhenj sot në botë, Adonis, përsëri ndihmonte të atin për një përmbledhje të tij.
Në emër të Atit, të Birit dhe Shpirtit të Shenjtë, amen! .
3 ishin dashuritë e Atjonit, dëshmon një shok i tij nga Kosova: vajzat, atdheu, udhëtimet e s’dihej kush ishte e para, të tria të para..
Atjoni humbi jetën në një aksident rrugor, pas një feste, 3 vjet më parë dhe motorin nuk e ngiste ai, por djalli i shfaqur si një shok i shokëve të tij, që s’dihet ku është tani…
Tragjedi e rëndë për prindërit e tij dhe për të gjithë ata që e duan dhe ai vazhdon t’i dojë hyjnisht. Atjoni përsëri sjell dritë agimesh nga lart, të atij agimi që nuk e arriti dot, për të cilin po nxitonin për ta parë se si vërshonte mbi det. Deti i madh i dhembjes…
Me këtë rast po botojmë si homazh disa si tercina të vogla, nga ato që ka thënë Atjoni dhe kanë thënë për të

Pjesëz nga traktatet e Atjonit

A JEMI GATI PER ATE QE DUAM?

Kur isha fëmijë
Një ditë vere do të më ndodhte diçka, e cila do ngelej gjithmonë e gërvishtur në kujtesën time. Isha “mysafir” në shtëpinë e një miku të tim eti dhe, papritshmërisht, na ndodhi që një harabel a diçka e ngjashme të përplasej në dritaren, nga e cila po vështronim mendimet tona. Zogut të vogël i ishte thyer krahu dhe, po prapë papritshmërisht, zbulova se një nga pasionet e tashmë mikut tim e jo vetëm të tim eti, ishte ornitologjia dhe detyrimisht dinte gjithçka mbi zogjtë e se si të kuronte krahun e atij. Si çilimi më dukej pabesi e madhe ndaj natyrës që një krijesë kaq e brishte të mos lihej e lirë mbas kurave dhe me insistimin e kokëfortit ngulmoja në çrobërimin e tij, aty në çast dhe pa e ditur mora mësimin e parë mbi vendin tim.
Me një çiltërsi e thjeshtësi të hatashme mu shpjegua se do të ishte mizori t’i jepej liria në atë gjendje atij zogu të pambrojtur dhe i pamundur për t’i përmbushur nevojat vetes. Më përpara se liria, duhej ndihma, kurimi dhe kujdesi, mbështetja e plotë si paralirí ose si pjesë e lirisë utilitare. Këtë po e ndjeja si fëmijë, por si më i rritur, e kam të qartë se liria e vendit tim është e para dhe më e çmuara.
Po a jemi gati për atë që duam?
Plani i madh: sundimi i botës me buzëqeshje dhe punë të pashtershme për të mirën e njeriut.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.