KULTURË

Rama i kërcënon me shkrirje, Akademia merr masa drastike për “rithemelimin”

09:24 - 23.12.17 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira NIKOLLI – Pas kërcënimit disamujor të kryeministrit Edi Rama, Akademia e Shkencave do ndryshojë rrënjësisht! Me një statut të ri, me një ligj të ri, me një VKM për një organikë ndryshe, si edhe me ndryshimin e kritereve për anëtarësim në të të akademikëve të rinj, nga Akademia që njohim, duket se do mbeten vetëm emrat e akademikëve. Ende nuk janë të qarta ndryshimet konkrete që do bëhen, por kuptohet qartë që asgjë s’ka për të funksionuar si deri më tani.
Ka qenë akademiku Vasil S. Tole, që në emër të Këshillit Ekzekutiv ka bërë me dije vendimet e mbledhjes së Asamblesë së Akademisë së Shkencave. Mbledhja është bërë ditën e djeshme dhe fryt i saj ka qenë miratimi i kalendarit të reformës institucionale.
MBLEDHJA
Vasil Tole tha dje se pas përcaktimit të natyrës dhe funksioneve të reja që mendohet të kryejë Akademia e Shkencave në të ardhmen, të parashikuara në dokumentin e Komisionit Ad Hoc, konkluduar pas një procesi të gjatë reflektimi dhe gjithëpërfshirës aktorësh dhe faktorësh, akademikët mendojnë se ka ardhur momenti që të kalohet në fazën e konkretizimit të parimeve e propozimeve të përfshira në atë dokument dhe jo vetëm, kjo përmes aprovimit të hapave të reformës.
Tole tha se konkluzionet tona të shprehura në dokumentin e reformimit përputhen tërësisht me atë ?ka tha edhe kryeministri Rama në takimin me akademikët më datë 22 nëntor 2017.





“Akademia vetë si e tillë nuk mund të jetë ajo vetë që bën shkencën, por është kuvendi i atyre që e bëjnë shkencën në sektorët përkatës dhe që garantojnë autoritetin e një gjykate, llogarie mund të themi, të të gjithë jetës akademike dhe shkencore të vendit, ku ndikimi mbi autoritetet, mbi opinionin është, vjen si rezultat i cilësisë përfaqësimit në këtë kuvend të shkencës… Ne mund të bëjmë një kuvend të shkencës dhe të dijes që t’u japë mundësinë gjithë atyre që kanë dëshirë, pasion dhe ndjenjë detyrimi për të dhënë për shkencën dhe për dijen në këtë vend, që të jenë të përfaqësuar dhe të jenë në shoqërinë e tyre”, qe shprehur kryeministri në një takim mes tij dhe akademikëve.
Në fund të mbledhjes së djeshme, Tole, si sekretar shkencor i Akademisë, tha se po konkretizojnë hapat e domosdoshëm për përcaktimin dhe hartimin e dokumenteve ligjorë dhe nënligjorë, të cilat do të formalizojnë dhe sjellin si rrjedhojë ristrukturimin e Akademisë së Shkencave, si një Akademi që më së pari do t’u përgjigjet nevojave të zhvillimit të vendit. “Ritheksoj se në këtë fazë që jemi, procesi është i dyanshëm: mes institucionit që reformohet dhe politikës që e mundëson përmes mekanizmave vendimmarrëse”, vërejti Tole.
Teksa kujtoi se kryeministri Rama u la si afat fundor muaji mars 2017 për përfundimin e kësaj reforme, ai bëri me dije në emër të Këshillit Ekzekutiv të Akademisë hapat dhe veprimet që mendojmë të ndërmarrim për të konkretizuar platformën reformuese të Akademisë, në mënyrë që ta realizojmë atë në afat.
KALENDARI I REFORMËS
Kalendari i reformës, për t’u përmbushur deri në muajin mars 2018:
– Ngritja e “Komisionit të përbashkët të mirëbesimit, për ndjekjen dhe monitorimin e procesit të reformimit”, midis Akademisë së Shkencave dhe Ministrisë së Arsimit, Sportit e Rinisë.
– Hartimi i draft-ligjit “Për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë”.
– Hartimin e draftit të VKM-së “Për organikën e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë”
– Hartimi i draftit të “Statutit” të ASH-së dhe i dokumenteve:
– Kritere dhe standardet e pranimeve të reja si “Akademik” dhe “Akademik i asociuar” dhe
– “Kriteret dhe standardet e konkurrimit në pozicionet drejtuese të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë”.
– Hartimi i draftit të “KODIT AKADEMIK TË SJELLJES PËR INTEGRITET NË KËRKIMIN SHKENCOR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.