Intervista

Ambasadori finlandez: “Finland 100” të shërbejë si bazë për t’u afruar me ju

10:08 - 25.12.17 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Rudina HOXHA – Mendoj se kremtimi i “Finland 100”, që është njëqindvjeçari i pavarësisë së Republikës së Finlandës gjatë gjithë vitit 2017, ishte një moment historik në jetët e të gjithë finlandezëve. Ajo u festua si zyrtarisht ashtu edhe privatisht, një fakt që tregoi se pavarësia është një gjë shumë e çmuar për ne, finlandezët.”
Kështu e nis intervistën e tij ekskluzive për “Gazeta Shqiptare” ambasadori i Finlandës në Greqi dhe Shqipëri, Juha Pyykkö, i cili u emërua në këtë post që nga prilli i kaluar. Më 12 dhjetor, 2017, Ambasadori Pyykkö dha një pritje në Tiranë për të festuar 100-vjetorin e pavarësisë së Finlandës me pjesëmarrjen e Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, diplomatë dhe shumë përfaqësuesve të tjerë të rëndësishëm të jetës politike dhe ekonomike të dy vendeve.
Ai e ka marrë këtë post me një objektiv të qartë. “Do të doja të shikoja njohuri dhe ekspertizë finlandeze në sektorë të ndryshëm që do të gjenin rrugën në Shqipëri për t’u bërë pjesë e një zhvillimi të fortë dhe procesi reformues, të cilat shoqëria dhe ekonomia shqiptare po i kalon aktualisht. Në përgjithësi, mendoj se kompanitë finlandeze kanë shumë për të ofruar brenda sferës së zhvillimit të qëndrueshëm, inovacionit dhe teknologjive të klasit botëror,”-thotë ndër të tjera Pyykkö për “Gazeta Shqiptare”.
Për të realizuar këto bashkëpunime, ambasadori propozon analizimin me kujdes të situatës dhe fillimin e këtij bashkëpunimi bazuar mbi kërkesën.
Z. Ambasador, cila është rëndësia ose domethënia e “Finland 100” për ju dhe çfarë ndikimi apo ndryshimi do të sjellë ajo në punën tuaj?
Mendoj se kremtimi i “Finland 100”, që është njëqindvjeçari i pavarësisë së Republikës së Finlandës gjatë gjithë vitit 2017, ishte një moment historik në jetët e të gjithë finlandezëve. Ajo u festua si zyrtarisht ashtu edhe privatisht, një fakt që tregoi se pavarësia është një gjë shumë e çmuar për ne, finlandezët.
Për mua, ka qenë një kënaqësi dhe nder absolut që pata mundësinë të festoj “Finland100” si ambasador i Finlandës në Shqipëri. Shpresoj që me rënien gjithnjë e më shumë në sy të Finlandës gjatë kremtimit të “Finland100”, të mund të kemi një bazë edhe më të fortë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis Finlandës dhe Shqipërisë.
Cilat janë planet tuaja për të realizuar në tri vitet në vazhdim sa i takon Shqipërisë dhe Ballkanit?
Siç e përmenda, shpresoj të jem në gjendje të lehtësoj zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe midis dy vendeve tona. Me shpeshtimin e vizitave dhe takimeve në nivele të ndryshme midis dy vendeve tona, shpresoj të shikoj më tepër bashkëpunim në nivel politikash si dhe lidhje biznesi. Në total, mendoj se është e rëndësishme për vendet nga Ballkani, aspirante për në BE, të vazhdojnë proceset e tyre reformuese dhe së bashku me të, përmbushjen e procesit të integrimit.
A keni një mesazh sa i takon komunitetit të biznesit në Shqipëri dhe në rajon?
Sa i takon biznesit, do të doja të nënvizoja rëndësinë e përmirësimit dhe thjeshtëzimit të mjedisit të biznesit dhe investimeve në rajon me qëllim tërheqjen e investimeve të huaja. Me këtë në mendje, shpresoj të jem në gjendje të lehtësoj më tepër lidhjet e biznesit midis kompanive finlandeze dhe shqiptare dhe të tjerave në Ballkan.
Ju lutem, a mund të na thoni se cilat mundësi biznesi do të kërkonin kompanitë finlandeze në Shqipëri dhe anasjelltas?
Do të doja të shikoja njohuri dhe ekspertizë finlandeze në sektorë të ndryshëm që do të gjenin rrugën në Shqipëri për t’u bërë pjesë e një zhvillimi të fortë dhe procesi reformues, të cilat shoqëria dhe ekonomia shqiptare po i kalon aktualisht. Në përgjithësi, mendoj se kompanitë finlandeze kanë shumë për të ofruar brenda sferës së zhvillimit të qëndrueshëm, inovacionit dhe teknologjive të klasit botëror.
Finlanda është një ‘lojtar’ ndërkombëtar në këto fusha që ju sapo përmendët si inovacioni/teknologjia apo arsimi. Si mund të koordinojmë përpjekjet dypalëshe për të kontribuar në këto aspekte?
Me qëllim krijimin së bashku të politikave konkrete dhe lidhjeve të biznesit midis dy vendeve tona, mendoj se është e rëndësishme të analizohet situata me kujdes dhe mbi atë bazë, të përqendrohemi në disa fusha të kufizuara bashkëpunimi bazuar mbi kërkesën.
Cilat janë përshtypjet tuaja për shqiptarët në krahasim me finlandezët? Çfarë ngjashmërish dhe ndryshimesh vëreni?
Takimet e mia me shqiptarët kanë qenë të kufizuara deri më tani. Përshtypjet e mia të para janë shumë pozitive: ju jeni të hapur dhe të ngrohtë, të interesuar për vendin tuaj dhe kulturën, por edhe për botën e jashtme në të njëjtën kohë. Në përgjithësi, mendoj se ka shumë ngjashmëri midis finlandezëve dhe shqiptarëve – të dy duke qenë vende të vogla. Në çdo rast, finlandezët vlerësojnë aftësinë e shijimit të jetës që ju në Europën Jugore e ushqeni dhe e shprehni më lirshëm se sa ne, finlandezët.
Për ta mbyllur, si i festojnë finlandezët Krishtlindjet? Është interesante përderisa e dimë që origjina e Santa Klaus është nga Finlanda. Cila është kartolina juaj personale për Krishtlindje?
Krishtlindjet janë një kremtim i veçantë për Finlandezët – si mesi i verës që kremtohet nga fundi i qershorit. Kështu ne festojmë periudhën më të errët dhe atë më të lehtë në vitin tonë kalendarik. Për Krishtlindje, ne mblidhemi së bashku me familjet tona dhe të dashurit tanë të tjerë, gatuajmë ushqim karakteristik finlandez për Krishtlindje, këndojmë këngët e krishtlindjeve dhe presim Santa Klaus të vizitojë secilën nga shtëpitë me dhurata! Për mua personalisht, Krishtlindjet përfaqësojnë kohën që ja kushtoj familjes dhe pushimit – për të rikarikuar bateritë për vitin tjetër! Ju uroj të gjithëve “Gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri!”





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.