KULTURË

Romani i Zija Çelës Zoopark, kur në kafaze futen njerëzit

09:56 - 27.12.17 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Namik DOKLE




Më telefonoi një miku im i mirë, koleg i publicistikës dhe letërsisë.”Zija Çela u nderua me çmimin ‘Rexhai Surroi’ në Kosovë”, më tha i ngazëllyer.”Edhe çmimi u nderua nga Zija Çela”, i thashë unë, që ende nuk kam mundur të shkëputëm nga replikat. Dhe vërtetë, çmimi “Rexhai Surroi” për letërsi dhe publicistikë, që këtë vit pati edicionin e tij të dhjetë, është një nga më seriozët në Kosovë dhe mban emrin e një intelektuali, publicisti e diplomati të shquar. Grupi Koha që e ndan këtë çmim ka nderuar gjithnjë emra të shquar të letërsisë dhe të publicistikës shqiptare, si Ismail Kadare, për të mos u fut në emra të tjerë. Dhe tashmë, në kurorën e këtij çmimi është shkruar edhe emri i Zija Çelës, që vërtetë e nderon prestigjin e këtij çmimi të hapësirës sonë mbarëkombëtare. Prandaj unë dhe kolegu që ma përcolli lajmin, e shumuam ngazëllimin edhe me kolegë të tjerë të letrave.
Është një ngazëllim i veçantë ky, kur një shkrimtar, e ke apo nuk e ke mik, nderohet për veprën e tij. Ashtu e ndjeva këtë edhe në fjalën e kryetarit të jurisë, shkrimtarit të shquar Kim Mehmeti, i cili tha: “Romani ‘Ora e zooparkut’ i Zija Çelës, do t’i rezistojë kohës dhe do të mbetet në arkën e pasurisë kulturore”. (Ndoshta është edhe një rastësi e bukur që kryetari i jurisë, në dhjetëvjetorin e këtij çmimi, është fituesi i tij i parë.)
Romani “Ora e zooparkut” shënon një kulm në krijimtarinë romanore të Zija Çelës. Me këtë libër, si edhe me më të mirët e letërsisë sonë të viteve të fundit, proza jonë arrin të bëhet prozë e gjithëpërfshirjes artistike, e transformimeve të mëdha narrative, e qëndrueshmerisë artistike dhe e depërtimeve të reja në botën një rezore, në atë botë paralele, që vetëm një letërsi serioze mund ta krijojë.
Ka shume arsye që e bëjnë librin “Ora e Zooparkut” një roman të madh. Është “një vepër tjetër e shkëlqyer, madje duke ardhur me zhvillime të reja autoriale…”, është shprehur kritiku Mehmet Kraja, një nga njohësit më të mirë të veprave të Zija Çelës. Sigurisht, Kraja e mbështet dhe e argumenton në një analizë tepër serioze këtë përfundim dhe ka plotësisht të drejtë, por unë do të veçoja një ndër të gjitha: fuqia përgjithësuese e metaforës. Realiteti nuk është asnjëherë i mjaftueshëm, thotë Antonio Tabuçhi. Dhe Zija Çela, çdo realiteti që përshkruan, i mvesh artistikisht metaforën, që rrallëkush si ai e krijon. Të tillë janë të gjithë romanet e tij, në dhjetëvjetëshin e fundit, sidomos. Por, shijen dhe drithërimën e metaforës më të fuqishme, mua ma ka ofruar pikërisht kjo vepër e nderuar në Prishtinë.
Është interesante të kuptosh se si ngjizet një vepër në vetëdijen dhe nënvetëdijen e autorit. E pata pyetur një herë Zijain, duke pirë nga një Metaksa të Ylli, si të erdhi kjo temë, çfarë të ngacmoi. “Ishim diku, në breg të Erzenit, një grup shkrimtarësh e të tjerë intelektualë, të ftuar nga një grup natyrëmbrojtësish. Ku banoni? – pyeta një kolege. Afër kopshtit zoologjik, më tha. Pse nuk shkruan një roman, ora e zooparkut, për shembull…”. Kaq ishte. Asaj i dha idenë, por farën e romanit e mbolli në vetëdijen e tij. U deshën 7-8 vjet që kjo fare të mbinte, kohe gjatë së cilës ai i dha letërsisë romanet “Sos, një buzëqeshje”, “Goja e botës”, “Apokalipsi sipas Shën Tiranës” dhe “Arqipelagu Spiritus”. Njëri më i mirë se tjetri, madje kur e mendon dhe pyet, çfarë tjetër mund të shkruaj, ai të befason me romanin pasardhës. Dhe është për t’u thënë; kur ai jep autografe për librin e sapobotuar, dijeni, mendon ose ka filluar romanin e ri. Pak ditë para se të nisej për në Prishtinë që të merrte çmimin, sapo i kishte dhënë dorën e parë romanit të ri. Me siguri do të na befasoje përsëri, si gjithmonë.
Por, unë dua të ndalem edhe një herë të metafora e fuqishme e Zooparkut. Tashmë me fjalët e vetë autorit: “Në kopshtin zoologjik të kryeqytetit shtohen kafazet, po pakësohen kafshët. Atëherë lind ideja që në to të hyjnë një rez, që fillojnë të kafshërojnë… ulërijnë, …hungërijnë, …Pyetja thelbësore është: Pse ndodh kjo? Ka një dallim mes njeriut dhe kafshës. Njeriu, thuhet, ka ndërgjegje, ndërsa kafshët nuk e njohin pyetjen pse. Pse ndodhi kështu, apo pse e bëra unë këtë, pse rashë në korrupsion, përse kreva krim. Këta tipa njerëzish që shkojnë në kafaze u përkasin të gjitha shtresave, nga më të ulëtat deri të intelektualet dhe politikanët. Shkojnë pikërisht për të fshehur fajet e tyre, për të mos pyetur vetën pse e bëra, kur e bëra, për t’iu fshehur ndërgjegjes së tyre”. Natyrisht, duke zbritur në humnerën e mosndërgjegjes!
Por për Zija Çelën ekziston një “trini e shenjtë”, të cilës askush nuk mund t’i ikë dot: E vërteta, vetja dhe vdekja. (3V) Prandaj, siç ka shkruar akademiku Ali Aliu, “Nga e tërë kjo, Zija Çela krijon një metaforë të përsosur, përmes së cilës, realitetin e sotëm e vendos si dëshmi dhe kurorëzim të krejt asaj që rrëfehet në roman dhe në kopshtin zoologjik të njeriut tonë e të botës sonë…”.
Për ta mbyllur me një njeri të thjeshtë, që e uron shkrimtarin me këto fjalë: “Ti shkruan jetën. Dhe askush si ti”.
Urime, Zija Çela! Presim befasi të reja…


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.