Intervista

“Ëndrra ime, të përfaqësoj denjësisht fanellën kuqezi”

10:13 - 30.12.17 Voltiza DURO
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ajo është vetëm 17 vjeç, por talenti i saj në futboll ka spikatur që në fëmijëri, e sot është pjesë e një prej ekipeve më të mëdha për të rinjtë.




Vajza shkodrane quhet Sara Gila e pavarësisht se luan në skuadrën e Interit, ëndrra e saj më e madhe është të përfaqësojë denjësisht fanellën kuqezi.

“Shqiponjat fluturojnë lart dhe kthehen gjithmonë në folenë e tyre”; është pikërisht kjo shprehje që ka zgjuar te 17- vjeçarja dëshirën e pasionin për t’u bërë pjesë e kombëtares shqiptare. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Sara tregon se si me këmbëngulje e me mbështetjen e Federatës Shqiptare të Futbollit, arriti të veshë plot emocione bluzën kuqezi në ndeshjen e zhvilluar në Bullgari.

E reja shkodrane më tej bën me dije se në 2018-ën do ketë ndeshje të tjera të kombëtares së futbollit për femra ku do të përpiqet të japë maksimumin për ekipin e zemrës.

Ku jetoni aktualisht dhe për çfarë studioni?
Kam lindur në qershor të vitit 2000 në Itali e aktualisht jetoj me prindërit dhe motrën po në këtë shtet, por jam krenare që origjina ime është nga qyteti i Shkodrës. Studioj në një lice shkencor, por futbolli është pasioni im që prej fëmijërisë.

Si lindi pasioni juaj për futbollin?
Unë kam mbi 6 vite që stërvitem me ekipet e të rinjve në Itali për futbollin e femrave. Që në moshë të vogël, e kam pasur ëndërr futbollin dhe luaja gjithmonë. Pasi u spikata fillova të luaja në ekipe.

Në cilat ekipe italiane keni luajtur?
Kam luajtur me ekipin e Medës, dhe pasi panë ecurinë time, vëzhguesit e Interit për të rejat, vendosën që të më tërhiqnin në skuadër ku më kanë vlerësuar pozitivisht. Në këtë ekip vazhdoj të luaj aktualisht. Por para disa kohësh, kam dërguar një kërkesë ku kam shprehur dëshirën se dua të luaj me ngjyrat e kombëtares shqiptare.

Ju jeni pjesë e një prej ekipeve më në emër në Itali. Përse dëshironi të luani në Shqipëri?
“Shqiponjat fluturojnë lart dhe kthehen gjithmonë në folenë e tyre”. Kjo shprehje e Papa Françeskos më bëri që të mendoja se unë pavarësisht se jetoj larg Shqipërisë, duhet të kthehem sërish në atdhe dhe të luaj e veshur me fanellën kuqezi, pasi nuk ka nder më të madh për mua.

Pas kërkesës, si iu priti Federata Shqiptare e Futbollit?
Falë sekretarit të përgjithshëm, Ilir Shulku dhe përgjegjësit për grumbullimin e ekipeve, Dritan Babamusta në Federatën Shqiptare të Futbollit, unë arrita të luaj me kombëtaren shqiptare. Edhe trajnerit të kombëtares Armir Grima, i jam mirënjohëse pafund, pasi pa mënyrën sesi unë luaja e aftësitë e mia, e më dha mundësinë e shkëlqyer, më hapi dyert që vitin e ardhshëm të luaj edhe për ekipin e futbollit për femra për 19-vjeçaret.

A keni luajtur me Kombëtaren Shqiptare të futbollit për femra?
Këtë vit isha e pranishme në ndeshjet eliminatore që ishin nga data 20-28 nëntor, por nuk u futa në lojë. Ndërkaq, nga 6-13 dhjetor, Kombëtarja Shqiptare u rigrumbullua në Bullgari ku u zhvilluan dy takime e në të dytin, luajta si mbrojtëse krahu. Jam shumë e kënaqur që më në fund arrita të luaj për Shqipërinë, ndihem e vlerësuar dhe tepër krenare.

Si u ndjetë kur veshët fanellën kuqezi?
Herët e para që na kanë grumbulluar me ekipin e kombëtares, kam ndjerë emocione shumë të forta që nuk mund t’i përshkruaj, ndërsa kur arrita të dilja në fushë e të luaja për Shqipërinë, ishte mrekullia më e madhe, realizimi i ëndrrës sime. Më në fund arrita që bluzën me ngjyrat e flamurit shqiptar, me të cilën bëja stërvitje, ta vishja jo vetëm për të bërë stërvitje, por dhe për të përfaqësuar kombin shqiptar.

A keni krijuar miqësi me vajzat e ekipit të kombëtares së futbollit për femra?
Jam shumë e lumtur, sepse jo vetëm që kam luajtur për Kombëtaren Shqiptare, duke realizuar kështu ëndrrën time, por kam krijuar miqësi edhe me shumë vajza shqiptare. Markela Bejleri, është tashmë një prej shoqeve të mia që e kam takuar gjatë ndeshjeve, dhe ajo ashtu si unë vjen nga Kanadaja me dëshirën e madhe për të veshur fanellën kuqezi. Të gjitha vajzat e ekipit janë treguar shumë të mira e të dashura me mua, madje komunikojmë shpesh me njëra-tjetrën edhe kur unë jam në Itali.

A do të luani për Shqipërinë në 2018-ën?
Në 2018-ën do ketë ndeshje të tjera të kombëtares së futbollit për femra ku unë do të jap maksimumin tim në fushë e shpresoj shumë që do të eci shumë para e do të ndihmoj që ekipi të arrijë sa më lart. Shpresoj që të vazhdoj të luaj për kombëtaren shqiptare pasi unë preferoj vendin tim të origjinës, mbi të gjitha të tjerat.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.