KULTURË

“Armëpushimi” i Primo Levit, koha mes dy luftrave

10:05 - 19.01.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“Malli është një vuajtje e brishtë dhe e ëmbël, ndryshe qysh në thelb, më intime, më njerëzore se vuajtjet e tjera që kishim përballuar deri në atë kohë: rrahje, të ftohtë, uri, terror, skamje, sëmundje.




Është një dhembje e kthjellët dhe e pastër, por ngulmuese: pushton gjithë minutat e ditës, s’të lejon të mendosh për asgjë tjetër, e të shtyn drejt nevojës për arrati”.

Romani i përkthyer nga Aida Baro, me siglën e Botimeve Pegi është cilësuar nga kritika si një vepër që shërben për të dekonstruktuar forcat e së keqes. Triumfi i identitetit njerëzor dhe vlerave të tij mbi patologjinë e shkatërrimit të njeriut shkëlqen kudo në shkrimësinë e Levit. Për shumë arsye, veprat e tij zënë një vend të veçantë ndërmjet pasurisë së Letërsisë së Holokaustit.

“Armëpushimi”, libri i kthimit, odiseja e Europës mes luftës dhe paqes, është vijimi i “A është vallë, njeri…?,” një ndër librat më të bukur të letërsisë europiane lindur nga kampet e shfarosjes.

Nëse libri i parë ishte shkruar menjëherë pas kthimit, thuajse me qëllimin për t’u çliruar së brendshmi nga barra e rëndë shpirtërore, si nevojë dëshmie, duke qenë se ai ishte një ndër të paktët hebrenj që mbijetuan në kampin e përqendrimit dhe duke iu bindur nevojës së menjëhershme për “t’u treguar të tjerëve, për t’i bërë të tjerët pjesëmarrës” të asaj tragjedie, libri i dytë është shkruar me njëfarë largësie nga ngjarjet, në një klimë më të shtruar e më të qetë.

Aventura europiano-qendrore e Levit nuk mbyllet me çlirimin e Aushvicit nga ana e Ushtrisë së Kuqe, përkundrazi, si në një shtegtim fantazmagorik, Levi bashkë me një mijë e katërqind italianë të tjerë vërtiten nëpër hapësirën e paskajshme ruse për muaj me radhë, nga janari deri në fund të vitit 1945. Nuk dihen as sot e kësaj dite arsyet e kësaj sorollatjeje të panevojshme, ndoshta edhe thjesht për shkak të neglizhencës ose rrëmujës burokratike që mbizotëronte në Bashkimin Sovjetik të asokohshëm. Gjatë gjithë kësaj periudhe, të mbijetuarit e Aushvicit përshkojnë gjithë Europën Qendrore dhe Lindore, përmes Polonisë, Rusisë së Bardhë, Ukrainës, Rumanisë, Hungarisë dhe vetë Gjermanisë.

Lufta ende s’ka mbaruar ose, siç thotë greku i Levit, një ndër personazhet më të spikatura të romanit, “Luftë është përherë”, Europa po shijon njëfarë “armëpushimi” para se të mbërrijë lufta tjetër, “Lufta e ftohtë” që do ta copëtonte sërish Europën.

Me vërtetësi, ironi therëse deri në sarkazëm, Levi përshkruan tipa dhe karaktere nga më të ndryshmet, tregjet klandestine të Krakovës dhe Katovicës, çmobilizimin e shthurjen e radhëve të Ushtrisë së Kuqe, tokën ruse të pafund, të pushtuar nga lavdia, mjerimi, harresa dhe forca jetësore; këneta e pyje të paprekura, trena të shkatërruar, gostitë e shfrenuara të rusëve të dehur nga fitorja; fjetoret plot ëndrra të italianëve në udhën e pasigurt të kthimit.

Primo Levi është shkrimtar italian me origjinë hebreje, një prej të mbijetuarve të kampeve të përqendrimit hitleriane. U diplomua si kimist në vitet e para të vendosjes së regjimit fashist, i cili, më 1938 shpalli ligjet racore, që sollën diskriminimet e rënda ndaj qytetarëve italianë “të racës hebreje”. Të gjitha këto e shtynë Levin të hynte në radhët e antifashistëve dhe të merrte pjesë në disa çeta partizane.

U arrestua në dhjetor 1943 dhe, prej shkurtit 1944 deri më 27 janar 1945, përjetoi tmerrin e pafund të kampit të shfarosjes në Aushvic. Përvoja në kampin e përqendrimit e tronditi si fizikisht, edhe psikologjikisht dhe e shtyu të hidhte në letër makthin e jetuar prej tij e miliona njerëz të tjerë, përmes shkrimesh të paharrueshme si “A është, vallë, njeri…?”, “Armëpushimi” dhe “Të mbyturit e të mbijetuarit”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.