Kryesore

“Shtëpia me gjethe” si kulla qendrore e Panoptikut

09:48 - 21.01.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Etleva Demollari – Fjala panoptik rrjedh nga greqishtja e vjetër panoptes, e formuar nga pan (gjithçka) dhe optes (shikoj) dhe ka kuptimin: shoh gjithçka.




Panoptes, sipas mitologjisë greke, ishte nofka e Argosit, gjigandit me njëqind sy të shpërndara në kokë dhe nëpër trup. Ai kishte vazhdimisht pesëdhjetë sy që flinin dhe pesëdhjetë të tjerë që rrinin vigjilentë.

Filozofi utilitarist Jeremy Bentham (1748 – 1832) dhe i vëllai, inxhinieri dhe arkitekti Samuel Bentham (1757–1831), në fund të shekullit XVIII u frymëzuan nga rojtari vigjilent mitologjik për ta quajtur Panopticon (nga lat.) projektin e tyre arkitekturor të burgut.

Qëllimi i vërtetë i Bentham-it ishte të projektonte një burg që do të ndikonte sjelljen e të burgosurve. Struktura panoptike i lejonte një gardiani, të vendosur në një kullë qendrore, të vëzhgonte gjithë të burgosurit e mbyllur në qeli individuale përreth kullës, pa u vënë re prej tyre.

Megjithëse shumica e projekteve të burgjeve i kanë të përfshira elementët e mbikëqyrjes, elementet thelbësore të dizajnit të Benthamit ishin jo vetëm që kujdestarët duhet të jenë në gjendje të shohin të burgosurit në çdo kohë (duke përfshirë kohën kur ata ishin në qelitë e tyre), por, gjithashtu, që të burgosurit duhet të mos kenë mundësi për të parë kujdestarët, dhe kështu nuk mund të ishin kurrë të sigurt nëse ishin nën vëzhgim apo jo.

Ky objektiv ishte jashtëzakonisht i vështirë për t’u arritur brenda kufizimeve të teknologjisë që kishte në dispozicion Benthami, gjë që shpjegon pse ai kaloi shumë vite duke ripërpunuar planet e tij.

Diçka e afërt me realizimin e vizionit të Benthamit u bë e mundur vetëm përmes zhvillimeve teknologjike të shekullit të 20-të – kryesisht televizionit me qark të mbyllur ose sistemit të videokamerave – por këto eliminuan nevojën për një kornizë specifike arkitekturore.

Për rrjedhojë, debati që rrethon sot projektin e burgut të Benthamit ka të bëjë më shumë me çështje filozofike – vëzhgimi, kontrolli, përgjimi, etj, – sesa me çështje thjesht praktike arkitekturore. Ishte filozofi francez Michel Foucault, me veprën e tij: Surveiller et punir (“Mbikqyr dhe dëno”), më 1975, që arriti të nxjerrë nga një model burgu, një koncept të përgjithshëm dhe e përdori si metaforë për shoqëritë moderne “disiplinuese” dhe për prirjen e tyre për të vëzhguar dhe normalizuar.

Panoptiku – forma ideale e strukturës të pushtetit totalitar
Panoptiku shpjegon Foucault është një figurë arkitektonike ideale e pushtetit modern disiplinues. Panoptiku krijon një ndërgjegje të vizibilitetit të përhershëm si një formë pushteti, ku nuk ka më nevojë për shkopinj, zinxhirë dhe dryna të rëndë për dominim. Sipas Foucault-së, Panoptiku i Benthamit propozon një robëri mendore. Në të vërtetë, dimensioni i tij inovativ është kryesisht psikologjik. Ky lloj burgu është së pari një “ndërmarrje fajësimi” që punon me ndërgjegjet individuale përmes një vështrimi të plotfuqishëm.

Funksioni i burgut kalon kështu nga ndëshkues në një qëllim “normalizues”, duke synuar tërthorazi përmes trupave, “shpirtin” e të burgosurve që duhet formësuar.

Kuptimi abstrakt i Panoptizmit nuk është më “të shohësh pa u parë” por “t’i imponosh një sjellje të çfarëdoshme një komuniteti njerëzish të çfarëdoshëm”. Mekanizmi i vëzhgimit të Jeremy Bentham shihet si mjet shtypjeje dhe kontrolli i shoqërisë. Prandaj Foucault thotë:

“Panoptiku nuk duhet kuptuar si një ndërtesë e ëndërruar: ai është diagrama e mekanizmit të pushtetit e reduktuar në formën e vet ideale”.

Regjimi komunist shqiptar – në pushtet të pandërprerë prej vitit 1945 deri në vitin 1991 punoi përmes një mekanizmi të ngjashëm për ndërtimin e “njeriut të ri”. Përmes një shumëllojshmërie mjetesh kontrolli e “presioni moral”, ai u përpoq të ngulitë modelin komunist në çdo aspekt të jetës individuale, shoqërore e deri onirike.

Sigurimi dhe bashkëpunëtorët e tij, kontrolli i “biografive”, partia dhe udhëzimet e saj, eliminimi i fesë dhe i ndikimit të saj; propaganda e revolucionit kulturor; kolektivizimi i të mirave dhe robotizimi i punës në fabrikat e reja të revolucionit tekniko-shkencor; “realizmi socialist” me vulë sovjetike; kontrolli i hapësirës arkitektonike, urbane dhe shtëpiake, organizmi i kohës së lirë; frika, ndëshkimet, internimi, izolimi, vetëizolimi, kufiri me gjemba dhe mijëra bunkerë me anë të së cilëve u blindua për disa dhjetëravjeçarë hapësira shqiptare e bëjnë atë të ngjashme me burgun ideal të Jeremy Benthamit.

Këtë ngjashmëri përpiqet ta shpjegojë Muzeu Kombëtar “Gjethi” në Tiranë, ku Sektori VIII mban emrin Panoptikon. Ky sektor përbëhet nga dhoma 29 dhe 30 që përkojnë me laboratorin në të cilin kryhej hapja ilegale e letërkëmbimit dhe me dhomën e errët ku laheshin e zhvilloheshin fotot. Muzeu paralelizon veprimtarinë e Sigurimit të Shtetit të udhëhequr nga partia që qëndronte mbi gjithçka, me rolin e gardianëve në kullën qendrore të vrojtimit.

Me anë të kontrolleve, përgjimeve, spiunimeve ai shërbente për të ushqyer strategjinë dhe taktikën e regjimit komunist, për të neutralizuar që në burim çdo opinion ndryshe, çdo kundërshti që zhvillohej, për të tretur dhe manipuluar që në lindje çdo opozitë, duke identifikuar menjëherë disidentët e mundshëm në mesin e kundërshtarëve të padëmshëm. Pavarësisht numrit të madh të pajisjeve të përgjimit e të kontrollit, numrit të bashkëpunëtorëve e agjentëve, tashmë jemi të ndërgjegjshëm që regjimi komunist nuk kishte mundësi reale t’i mbante nën mbikëqyrje të vazhdueshme të gjithë.

Por kjo është forca e një shoqërie panoptike: ajo rrënjos ndjenjën e të qenit i vëzhguar thellë në mendjet e të gjithëve, dhe kjo ndjenjë bëhet më e efektshme sesa monitorimi formal. Sepse, me zhvillimin e mjeteve të monitorimit dhe mbikëqyrjes dhe nga frika e ndëshkimit, njerëzit aktivizuan si masë mbrojtjeje vetëcensurimin dhe vetëkontrollin për t’iu përshtatur “njeriut të ri” komunist.

Por duke u bazuar te Foucault, i cili mbetet dhe sot aktual në analizat e tij, kritikët socialë bashkëkohorë shpesh pohojnë se teknologjia ka lejuar vendosjen e strukturave panoptike në mënyrë të padukshme në të gjithë shoqërinë moderne. Mbikqyrja nga kamerat në hapësira publike është shembulli që tregon se si teknologjia sjell vështrimin e një eprori në jetën e përditshme të popullsisë. Në mënyrë të ngjashme, analizat kritike të praktikës në internet sugjerojnë që interneti dhe rrjetet sociale lejojnë një formë panoptike të vëzhgimit.

Interneti, celularët, rrjetet sociale, nxisin një formë të re kontrolli, më horizontale. Nuk është më një pushtet vertikal që vëzhgon popullsinë: gjithsecili mund ta vëzhgojë fqinjin e vet. Pushteti modern sot nxit të prodhohet, të veprohet, të konsumohet.

Risitë teknologjike ushqejnë, secila në mënyrën e vet, kompanitë e kontrollit. Format e kontrollit, të pranishme që në mitologji, janë ndoshta më pak të dukshme, më pak “klasike” se sa procedurat disiplinuese, por megjithatë, ato janë të pranishme në shoqëritë tona. Duke qenë më pak të dukshme, ato janë më të fshehta.
Kjo është arsyeja pse vigjilenca qytetare është thelbësore për të zhvilluar strategjitë e rezistencës, të cilat janë po aq moderne, të lëvizshme dhe të efektshme, në mënyrë që të mos lejohet që e kaluara të përsëritet.

*Drejtore e Muzeut Kombëtar “Gjethi”


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.