KULTURË

Shqipëria nën Vjenën perandorake Nga interesi religjioz në aneksim apo pushtim(?)

10:02 - 27.01.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – I nisur si një interes religjioz, kryesisht mbi katolikët e Veriut të Shqipërisë, i njohur me emrin Kultusprotektorat, Perandoria e Shenjtë Romake me qendër në Vjenë me kalimin e viteve do ta zgjeronte interesin e vet për shqiptarët, saqë në mesin e shekullit XIX, do të themelohej një shkollë austriake mendimi mbi origjinën, kulturën, dhe antropologjinë e shqiptarëve”.




Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, përmblodhi marrjen e dhënien mes Shqipnisë që mezi rrinte në këmbë dhe Vjenës perandorake të shekullit të kaluar a dy shekujve më parë.

Foto nga ekspozita

Duke qëndruar në laminë e kulturës, si ajo vuri në dukje se “dominanca e kësaj shkolle mendimi do të vinte edhe bazat e albanologjisë me emra të tillë referues edhe sot për kontributet e tyre si konsulli austriak në Janinë, Johann Georg von Hahn, gjuhëtari Jokl, arkeologët Karl Paç, Camillo Prashniker e Arnold Shober, Teodor Ipen a konsulli Lippich”.

VITI I (LUFTËS?) KULTURËS

Por, pas interesit religjioz e atij studimor, 100 vite më parë, nga 1916 deri më 1918 dy të tretat e Shqipërisë gjendej nën kontrollin austro-hungarez. Për sa më lart, historianët ende diskutojnë nëse ky kontroll ishte aneksim, pushtim, protektorat, a mbrojtje; apo ishte vallë një ndërthurje e të gjithë termave të marrëdhënieve ndërkombëtare ku elementët shkriheshin e i bashkëngjiteshin tymnajës së kohës?

Megjithatë, ai dyvjeçar, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën e kohës, jo vetëm se sipas historianëve shënoi një lidhje të përhershme mes Shqipërisë dhe Austrisë, jo vetëm se Austria do të bëhej një zë për Shqipërinë në kancelaritë europiane të kohës, por edhe prej nismave kulturore që morën jetë atë kohë, si Komisia Letrare. Një ekspozitë me 60 imazhe të qyteteve shqiptare të para 1 shekulli u çel dje në Muzeun Kombëtar; imazhe që dalin për herë të parë për publikun e gjerë. U shfaqën në të, foto të Shkodrës, Peqinit, Rrogozhinës, Kavajës, Tiranës, Beratit, etj. Ajo shënoi siparin e një programi aktivitetesh të larmishme njëvjeçare, për çka do jetë Viti Kulturor Shqipëri- Austri. Itinenari kulturor e historik i nisur me një ekspozitë fotografike të Shqipërisë gjatë Luftës së Parë Botërore dhe një Konferencë Shkencore, bënë që imazhi dhe dokumenti historik të ndërthurur të na japin gjithë panoramën e atij moti.

Gjatë 2018-ës, krahas vitit të Skënderbeut, ngjarjet kulturore do të rreken të nxjerrin në dritë, të përbashkëtat shqiptaro-austriake.

“Nëse do të krijohej edhe një herë Bashkimi Europian do ta fillonte me kulturën, sepse kultura nuk është luks, por është baza për një bashkëjetesë të frytshme. Nuk është e rastësishme që për këtë vit është zgjedhur Shqipëria, sepse midis 2 vendeve tona ekziston tashmë një lidhje e ngushtë politike dhe një histori e admirueshme bashkëpunimi në shumë fusha”. Johann Sattler, ambasador i Republikës së Austrisë në Shqipëri e nisi me këto fraza konferencën çelëse të viti kulturor.

Nga Muzeu Historik Kombëtar, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, tha se të zbulosh të përbashkëtat në historinë dhe kulturën e dy popujve është si të udhëtosh në një monopat drite e errësire, ku i vetmi fill drejtues mund të jetë e vërteta dhe historia e dokumentuar. Për fat të mirë vitin përkujtimor të marrëdhënieve shqiptare austriake po e hapim përmes një ekspozite e konference

Sipas saj, nuk mund të jenë fakte të rastësishme që në vigjilje të zgjimit të tyre kombëtar, shqiptarët gjetën mbështetje dhe përkrahje te Austro-Hungaria, monarkia dualiste që me diversitetin e vet kulturor afronte një model të qendrueshëm për Europën e asaj kohe. Madje, ajo vuri në dyshim nëse ka qenë koincidencë, fakti që armët e Skënderbeut u ruajtën në një muze të Vjenës, por për të, duket një ogur i mirë, që dhe ringjallja shpirtërore e kulturore e shqiptarëve të kishte një mbështetje të fortë në Vjenën perandorake të shekullit XIX-XX.

EMRAT NË ZË

Mes emrave në zë, që janë përbashkues, u përmendën ata që u formuan në

universitetin e Vjenës, Gratzit apo Salsburgut; si Eqerem Çabej, Aleks Buda, Skënder Luarasi, a Lasgush Poradeci.

Pas kohëve kur në skenat vjeneze luante Aleksandër Moisiu, janë emrat e sotëm që ecin në gjurmë të sigurta, Eno Peçi apo Shkëlzen Doli; janë rezidencat letrare të shkrimtarëve.

Viti kulturor, premton ekspozita pikture e fotografie, shfaqeje filmash, koncerte, promovime librash e klube leximi, tryeza diskutimesh e konferenca, të cilat do të nxjerrin në dritë të tjera veçanti dhe të përbashkëta që pasurojnë miqësinë tonë. Pas një javë nis në Bibliotekën Kombëtare dhe klubi i leximit të letërsisë austriake ku do të përkujtohen emra të rëndësishëm të letërsisë austraike si Musil, Kafka, Zvajg, Jelinek, Rilke etj. që kanë formuar breza të tërë lexuesish në Shqipëri.

KALENDARI ARTISTIK

Në hapjen e vitit kulturor Austri-Shqipëri 2018 në një panel morën pjesë Mirela Kumbaro, ambasadori i Republikës së Austrisë në Shqipëri Johann Sattler, Drejtori i Muzeut Kombëtar Dorian Koçi, Drejtoresha e Teatrit të Operës dhe Baletit Zana Çela, sopranoja Inva Mula, autorja, studiuesja dhe përkthyesja Lindita Komani.

Drejtoresha e TKOB, Zana Çela, tha se më 29 mars është premiera “Die Fledermaus” (Lakuriqi i natës) nga Shtraus. Do të përfshihet e gjithë trupa e artistëve të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Më pas, Inva Mula tha se “në muajin nëntor kemi organizuar koncertin e parë, i cili hapi edhe festimet e vitit kulturor ndërmjet Shqipërisë e Austrisë: ‘Tirana saluton Vjenën’ dhe do bëhet përsëri në Pallatin e Kongreseve më datë 15 shkurt, ku Vjena saluton Tiranën, ku përveç artistëve shqiptarë do të kemi artistë austriakë”.

Në kuadër të vitit kulturor Austri-Shqipëri që u çel dje, sot ambasada austriake në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar mban pjesën e dytë të konferencës “Monarkia Austro-Hungareze dhe Shqipëria 1916-1918”. Konferenca sjell në kujtesë periudhën e viteve 1916-1918 (periudhë në të cilën Austro-Hungaria administroi më tepër se gjysmën e territorit të Shqipërisë). Akademikë nga Austria dhe Shqipëria kujtojnë ngjarjet e asaj kohe, që formuan dhe influencuan marrëdhënien midis dy vendeve deri në ditët e sotme. Konferenca trajton tema të tilla si: “aneksim ose protektorat” dhe ndikimin austriak në infrastrukturë, politikë, administratë, ekonomi, kulturë dhe arsim.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.