DOSSIER

Dy anët e politikës austro-hungareze ndaj Shqipërisë në Luftën I Botërore

11:30 - 29.01.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga prof. Paskal Milo* – Viti që sapo ka hyrë ka sjellë si obligim përkujtimin e një numri ngjarjesh të historisë kombëtare e ndërkombëtare. Për ne shqiptarët ai tashmë është emërtuar si viti i Heroit Kombëtar, Skënderbeut jo thjeshtë e vetëm se është përvjetori i 550 i kalimit të tij në amshim.




Por edhe për një arsye tjetër madhore në koherencë të plotë me të parën. Është përvjetori i 140-të i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, është 110-vjetori i Kongresit të Manastirit por është edhe 100-vjetori i përfundimit të Luftës së Parë Botërore.

Këto ngjarje janë stacione të rëndësishme historike në rrugëtimin e gjatë e të ndërlikuar të ideimit, krijimit e të përballimit të sfidave dramatike në mbrojtje të shtetit kombëtar shqiptar, të identitetit e të qytetërimit evropian të shqiptarëve.

Gjergj Kastriot Skënderbeu për çerek shekulli ishte balli i rezistencës evropiane kundër Perandorisë Osmane. Evropa ra në borxh të madh te Skënderbeu dhe arbërorët e shekullit të XV-të.

 Shqiptarët ranë nën sundimin e osmanëve ndërsa europianët shpëtuan se ushtritë e Sulltanit u thyen përfundimisht para dyerve të Vjenës. Evropa gati i harroi shqiptarët, të cilët në zgjimin e vonuar kombëtar edhe për faj të tyre nuk u ndihmuan nga Fuqitë e shekullit të XIX. Përkundrazi Kongresi i Berlinit i injoroi dhe inauguroi prerjen e gjymtyrëve të trupit kombëtar shqiptar.

Austro-Hungaria ishte një nga Fuqitë e Mëdha të këtij shekulli që dëshmoi një interes të pjesshëm, por edhe në rritje për shqiptarët jo vetëm përmes “Kultprotektoratit” mbi popullsinë katolike në Shqipërinë e veriut, por edhe përmes prezencës së tetë konsullatave të saj në territore të banuara nga shqiptarë. Austriakët së bashku me gjermanët vendosën themelet e albanologjisë.

Perandoria si fuqi e madhe në fillimin e shekullit XX-të shpalosi objektiva të përcaktuara strategjike për Adriatikun e Ballkanin.

Pas zotërimit të Bosnjës, çështja shqiptare morri përparësi në këto objektiva. Ajo në marrëveshje me Italinë por edhe në një sfond rivaliteti me të, pas shpërthimit të Luftës së Parë Ballkanike në tetor 1912 u bë avokati dhe mamia e pavarësisë shqiptare.

Frenimi i shteteve sllave të Ballkanit për të dalë në Adriatik e që prapa tyre qëndronte Rusia u bë kryefjala e politikës dhe diplomacisë habsburge në vitet 1912- 1913 në Konferencën e Ambasadorëve të Londrës të gjashtë Fuqive të Mëdha evropiane të kohës.

Interesat gjeopolitike të Perandorisë u përputhën me interesin madhor të shqiptarëve për krijimin e shtetit të pavarur. Themeluesi i këtij shteti, Ismail Qemali kumtin e madh për shpalljen e pavarësisë ua dha shqiptarëve së pari nga Vjena që në 9 nëntor 1912.

Qeveria austro-hungareze u investua fuqishëm në Konferencën e Ambasadorëve për statusin e Shqipërisë, për kufijtë e organizimin shtetëror të saj. Këmbëngulja e saj u shpërblye me një vendim të plotë e përfundimtar të Konferencës së Ambasadorëve në 29 korrik 1913 për statusin e shtetit të ri e të pavarur shqiptar. Por diplomacia perandorake nuk arriti me gjithë angazhimin e saj maksimal t’i siguronte shtetit shqiptar kufijtë e tij të natyrshëm etnikë. Ajo ndeshi në obstruksionizmin prosllav të Rusisë, në sponsorizimin proserb e progrek të Francës, në diplomacinë e ftohtë dhe ekuilibriste britanike të Eduard Grei-t si dhe në pozitën thuajse indiferente të Gjermanisë.

Austro-Hungaria do të ishte nismëtarja dhe mbështetësja kryesore e princit gjerman Vilhelm Vid për fronin e Shqipërisë. Tradita gjermanike për krijimin e dinastive ballkanike nuk funksionoi në Shqipëri për një numër arsyesh e rrethanash të brendshme e të jashtme.

Por nëse diplomacia e të gjitha Fuqive të Mëdha e kompromiset italo-austro-hungareze bënë të mundur fillimin e eksperimentit mbretëror në Shqipëri, ato do të ishin në gjendje që të zgjidhnin çdo rebus tjetër që do të mund të krijohej brenda vendit. Por ata dështuan të mbyllnin të çarat që krijuan plumbat vrastare të nacionalistit ekstremist serb Gavrilo Princip mbi trupin e Dukës Ferdinand e për rrjedhojë edhe në ekuilibrat e brishta të Fuqive.

Lufta nuk priste veçse një shkak, qoftë ky edhe i rëndomtë e jo më vrasja e trashëgimtarit të dinastisë së Habsburgëve. Ushtritë e blloqeve ndërluftuese të përvijuara ndër vite marshuan dhe Lufta e Madhe, e para e këtyre përmasave në Evropë filloi.

Ballkani edhe për shkak të atentatit të Sarajevës u bë fronti i parë i luftës. Të gjitha vendet e tjera ballkanike kishin qeveri por edhe lidhje me Fuqitë e Mëdha që përveç Italisë u futën në luftë me njëra tjetrën. Shqipëria ishte vendi i vetëm që nga fillimi i shtatorit 1914 me largimin e Princ Vidit mbeti pa kryetar shteti e pa qeveri. Vendi u zhyt edhe më keq në anarki. Askush nuk e kishte mendjen tek qeverisja e Shqipërisë. Fuqitë ndërluftuese e shihnin në optikën e terrenit operacional ushtarak. Shqipëria ridoli në tregun e diplomacisë së fshehtë për copëtim.

Austro-Hungaria dhe Italia, dy nga Fuqitë kryesore garante të pavarësisë e të neutralitetit të Shqipërisë përsëritën angazhimet e tyre ndaj vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve, por gjithçka ishte hipokrizi. Të dy ish-aleatët iu kthyen pazareve të ndarjes territoriale të Shqipërisë mes tyre, me fqinjët e saj por Italia edhe me Fuqitë e Antantës. Kur nuk u gjet gjuha e përbashkët, Italia e joshur nga Traktati i fshehtë i Londrës i 26 prillit 1915 pas një muaji i shpalli luftë ish aleates së saj, Perandorisë së dyfishtë.

Pavarësia dhe neutraliteti i Shqipërisë u bë nul. Italia dhe Greqia ende jo në luftë, në vjeshtë të 1914 futën forcat e tyre ushtarake në Vlorë e në Shqipërinë e Jugut. Serbia dhe Mali i Zi në qershor 1915 pushtuan Shqipërinë Veriore deri në Durrës, Bullgaria pasi hyri në luftë përkrah Fuqive të Boshtit pushtoi territore shqiptare nga Ohri deri në Elbasan, ndërkohë që ushtria franceze pasi u hap fronti i Selanikut në vjeshtë të 1915 dërgoi forca dhe morri nën kontroll rajonin e Shqipërisë juglindore me qendër Korçën.

Deklarimi nga ana e Italisë i luftës kundër Austro-Hungarisë në 23 maj 1915 i dha fund edhe bashkërendimit rudimentar që ekzistonte formalisht ende për çështjen shqiptare. Në Vjenë filluan të hartohen projekte të reja strategjike për Ballkanin tashmë kur Italia, fuqi e lidhur ngushtë me rajonin dhe Serbia një nga vendet kryesore të tij ishin rreshtuar në kampin kundërshtar. Pasi ka shpartalluar ushtrinë serbe duke e detyruar të bëj një tërheqje dramatike përmes Shqipërisë për në portet shqiptare të Adriatikut, Perandoria tërhoqi në anën e bllokut saj edhe Bullgarinë, por dështoi me Greqinë, ndonëse i premtoi dorë të lirë “në Shqipëri deri atje ku shtrihet sfera e interesave të saj në qoftë se ajo në këtë luftë qëndron neutrale”. Ndërkohë që Greqia po përpëlitej në dilemat e saj të orientimit, Këshilli i përbashkët i Ministrave të Perandorisë, niveli më i lartë ekzekutiv vendimmarrës u mblodh në 7 janar 1916 dhe ravijëzoi përfundimisht objektivat strategjike në Ballkan në rrethanat e reja të krijuara.

Shqipëria ishte një nga temat qendrore të kësaj mbledhjeje. Ushtria austro-hungareze përgatitej të hynte në Shqipëri dhe Vjena duhej të përcaktonte platformën e politikës së saj në vend. Përmbajtja e saj kishte të bënte me këto çështje: statusi i Shqipërisë dhe e ardhmja e saj, qëndrimi ndaj viseve shqiptare të shkëputura nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër në 1913 e të aneksuara nga Serbia e Mali i Zi, administrimi i territoreve shqiptare që do të ndodheshin nën kontrollin e ushtrisë austro-hungareze dhe marrëdhëniet me individë e faktorë të rëndësishëm shqiptarë brenda dhe jashtë Shqipërisë.
(Titujt janë të redaksisë,
titulli në origjinal:
POLITIKA E AUSTRO-HUNGARISË NDAJ SHQIPËRISË NË LUFTËN
E PARË BOTËRORE)

(Vijon nesër)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.