Kronikë

Vrasja e Azem Hajdarit/ Gjykata e Lartë rrëzon rekursin për Izet Haxhinë, lë në fuqi vendimin me 21 vite burg

14:36 - 26.05.24 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e Izetë Haxhisë, duke lënë në fuqi vendimin e Apelit të vitit 2022, e cila po ashtu la në fuqi dënimin me 21 vite burg të Haxhisë, për vrasjen e deputetit Azem Hajdari në vitin 1998.




Izet Haxhia kërkonte prishjen e vendimit dhe kthimin e çështjes për rigjykim me një tjetër trup gjykues për shkelje të rënda të rregullave proceduriale të gjykimit ose në alternativë deklarimin e pafajshëm.

Izet Haxhia u arrestua në Turqi dhe ndonëse fitoi statusin e azilantit, vendosi të kthehej në Shqipëri, ku u rihap nga e para procesi.

Pas rigjykimit të çështjes, ai u gjet fajtor dhe u dënua për vrasjen e Hajdarit.

NGA ARRATIA, TE RIKTHIMI NË BURG

Një nga emrat më të përfolur dhe të kërkuar nga drejtësia shqiptare, Izet Haxhia, përreth 17 vite ka qëndruar jashtë Shqipërisë. Në vitin 2006, ai u arrestua në Turqi, pasi u shpall në kërkim ndërkombëtar por më pas u lirua.

Ekstradimi i tij zgjati për vite të tëra dhe Haxhia mbërriti në Shqipëri pas 12 vitesh. Haxhia u ekstradua në maj 2018, pasi Gjykata e Krimeve të Rënda pranoi kërkesën për rigjykimin e tij, duke rrëzuar dënimin e mëparshëm nga gjykata. Ai deklaronte në atë kohë se ishte vetëdorëzuar në policinë turke.

ÇFARË THOTË HAXHIA PËR VRASJEN E HAJDARIT

Izet Haxhia e ka mohuar që ai të ketë rol në vrasjen e ish-deputetit të Partisë Demokratike Azem Hajdari në 12 shtator 1998.

“Nuk e nxora unë Azem Hajdarin në pritë. Para se të vritej, Hajdari ishte në takim me Sali Berishën. Azemi u njoftua se jashtë PD-së ishte një mjet me tritol. Kur e informoi këshilltari, ishte në zyrën e Berishës. Kur doli te makina, Azemi trokiti te xhami.

Jaho Mulosmani ishte shofer i makinës, nuk qëlloi. Ai që qëlloi ishte Fatmir Haklaj. Kur ndodhi ngjarja, unë isha me Halil Haklajn. Unë e Azemi kemi qenë bashkëthemelues të PD-së.

Jam ndjerë shumë i përdorur. Vrasja u bë për të rrëzuar Fatos Nanon. Fatmir Haklaj më tha se nuk kishte shkuar për të vrarë Azemin”, mësohet të jetë shprehur në gjyq Haxhia. Sipas Izet Haxhisë, vrasjes së bujshme i parapriu një takim i datës 1 shtator të vitit 1998, midis vetë Azem Hajdarit dhe Muharrem Haklajt.

Haxhia shprehet se Azem Hajdari e kishte informuar Muharrem Haklajn se urdhri për vrasjen e djalit të tij kishte ardhur nga zyra e katit të dytë, duke nënkuptuar Sali Berishën. Madje, ish-truproja i Sali Berishës ka pretenduar se dispononte edhe një kasetë të regjistruar në mitingun e 21 qershorit.

Për të siguruar këtë kasetë, Fatmir Haklaj i kishte kërkuar Izet Haxhisë që ta ndihmonte për të takuar Myftar Lumneshin dhe Dem Dollapin, takim i zhvilluar në një lokal në zonën e Linzës, i cili shërbente edhe si bazë e Shërbimit Informativ Shtetëror.

Izet Haxhia ka deklaruar se takimi nuk u arrit të realizohej pasi Lumneshi kishte udhëtuar me Azem Hajdarin drejt Fierit. Sa i përket ditës së ngjarjes, Haxhia është shprehur se ndodhej në një bilardo pranë shtëpisë, kur mbërriti një makinë që drejtohej nga Jaho Mulosmani dhe në të ishte edhe Halil Haklaj.

Ai pretendon gjithashtu se nuk është përfshirë në vrasjen e Hajdarit dhe se duhet të dënohet vetëm për përfshirjen në ngjarjet e 14 shtatorit, pasi ka sulmuar me armë institucionet.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.