KULTURË

Shpëtim Pollozhani, rrëfim nga burgjet titiste

10:30 - 30.01.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Miho Gjini –  Më rastisi të takoja në Strugë një shqiptar shtatlartë, elegant dhe me një pamje plot fisnikëri, për t’u njohur më pas me anën tjetër të këtij burri trim, që provoi ndëshkimin më të egër nën regjimin serb, vetëm e vetëm për shqiptarizmën që kishte në shpirt.




Ky njeri me karakter të fortë është i përndjekuri politik, Shpëtim Pollozhani, i cili më dhuroi dy librat e tij: “Në strofullën e djallit” dhe “Kalërimi drejt dritës”, që rrëfejnë një të vërtetë të lemerishme për burgjet e atjeshme, që ai i quan “qivurë për së gjalli”!

Ai rrëfen për gjithçka që ka vuajtur e hequr nëpër burgjet titiste (në Strugë, Ohër, Idrizovë, Manastir e Kotorr) brenda mureve të akullta e telave me gjemba. Kemi të bëjmë me një memorialistikë të dhimbshme, ku ana biografike është e tretur në një gazetari e letërsi rreqëthëse, aq sa të dyja këto vepra afrohen nga gjinia e romanit, ku autori është një personazh kryesor real.

Krijohen emocione të forta, kontraste e tmerre të padëgjuara.

Dhe Pollozhani mbetet këtu si një rreze drite e shprese për bashkëvuajtësit e tjerë. Po gjithmonë me tipare njerëzore, shëmbëlltyre qëndrese, një hero që shkrin në shpirtin e vet anën intime të veprimtarisë, të dashurisë reale për jetën, për nënën që e lindi, për bashkëshorten besnike, për fëmijët që i la të vegjël e i gjeti të rritur, me një ndjenjë të përflakur të shqiptarizmës e të figurës së paepur të shqiptarëve të këtyre anëve, të cilët e kanë të rrënjosur dashurinë sublime për atdheun mëmë.

Ai është produkt i gjallë i një eposi, i një legjende trimërie, i patriotizmës së trashëguar ndër breza, si edhe i një luftëtari me tipare prej kreshniku.

Në të njëjtën kohë ai portretizon këtu intelektualin shqiptar të prangosur, leximtarin e rrallë, njeriun e kulturës së gjerë, gazetarin e shkrimtarin e torturuar barbarisht, i cili e ka mundur frikën dhe që ka arritur të mbijetojë mbi të keqen, mbi të ligjtë, mbi injorancën e shtypësve, mbi obskurantistët mesjetarë të ditëve të sotme. Po “nuk mjafton vetëm të mbijetosh”, – shkruan ai.

Shpëtim Pollozhani përshkruan me vërtetësi fakte e ngjarje të pazakonta, që nga akuzat me të rëndomta e me qesharake, deri në akuzat e përjetimet me të egra që i janë bërë për ta mposhtur si njëri e si atdhetar, për ta fyer e përulur si njëri. “Unë nuk do të pajtohem kurrë me padrejtësitë që u bëhen shqiptarëve në trojet e tyre amtare”, – shprehet ai me guxim përpara hetuesve maqedonas, që mundohen ta fajësojnë pareshtur!

Gjithçka thuhet me thjeshtësi e kurajë, hera-herës me shpirt ndër dhëmbë, po edhe me vendosmërinë e një martiri, me psikologjinë e një intelektuali të mençur e të kulturuar. Si autor shkon më tej nga vetja, tek i cili nuk mungon ndjenja e revoltës, e përplasjeve ballore, aq sa jo pak herë do të kthehet nga i akuzuar në akuzues.

Në natyrën e këtij shqiptari të prangosur është martiri i së djeshmes dhe triumfatori i së ardhmes. Kështu që ai nuk do ta ndjeje vetën asnjëherë brenda mureve të burgut, po si njëri të lirë. Prangat i kanë lidhur duart, por mendja, truri i tij, imagjinata e fantazia e përtejme, bëhen elementë të lirisë së tij.

Për burgun e Idrizovës ai sjell në faqet e librit skëterrën titiste, ndërsa për burgun e tmerrshëm të Kotorrit rikrijon atmosferën e ngjashme me burgun mesjetar, ku ishte ngujuar Konti i Montekristos, sipas A.Dymas, të futur në shkëmb e pjesërisht në det.

Mandej ëndrra e lirisë do ta shpjerë në po atë aventurë të arratisjes, gati të njëllojtë me atë të kontit hakmarrës ndaj dhunuesve e vrasësve të tij. “Vendosa të jem një Monte Kristo shqiptar – thotë ai – i ishullit tim në det”. Pollozhani përshkruan ngjarje të vërteta e të pabesueshme, përjetime të kobshme që i janë bërë për ta mposhtur si politikan e si njeri të ndershëm. Nga gjithë ky “udhëtim” përbrenda ferrit komunist bie në sy edhe njeriu praktik, që është mësuar të jetojë edhe kur jeta bëhet e padurueshme.

Pollozhani bëhet në burg mjeshtër i zellshëm i përvetësimit të disa gjuhëve të huaja, përpunues i drurit, kalitës i hekurit, shëronjës i plagëve e kirurg pa narkozë i të plagosurve, i të sëmurëve dhe i fatkeqëve. Modest, kërkues, i hapët e i ëmbël për të gjithë të burgosurit. I çiltër e fisnik ai është kudo e kurdoherë, nëpër të gjitha këto burgje të ndyra, ku njeriu ndjehet i zhvlerësuar.

Të tjera janë këtu sakrificat, mendësitë, hovet e shpirtit, sidomos në librin e tij të dytë, duke hyrë guximshëm edhe në sferën e politikes, ku do të gjendet në ballë, kundër përçarjeve, intrigave e tradhtive në dëm të shqiptarëve. I duhet kësilloji të përdorë përjetimet e zgjuarsinë e vet, aftësinë për debat politik, për të shkundur si vëllezërit e vet, ashtu edhe bashkëkombësit e tjerë nga padituria, plogështia e mashtrimet që u bëhen. Po edhe të luftojë për gjuhën amtare, si një ligjërim i mohuar, po kaq i domosdoshëm në trevën ku ata jetojnë. Ai është gjithmonë në mesin e tyre për t’u “hapur sytë”, si një pishtar e veprimtar i zellshëm.

E ka urrejtje kundër sahanlëpirësve e politikanëve të rremë të kombit të vet, shoqëruar me një krenari e dinjitet kombëtar të pashoq!
I lexon këta dy libra dhe krenohesh për njerëz të tillë, që janë dëshmojnë të kaluarën. E shikoja me admirim atë dhe m’u kujtua fraza e Teodor Drajzer se, “Fati nuk troket më kot të dera e një njeriu të zot”!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.