Fol me Psikologen

“Vazhdoj ta dua shumë dhe qaj për të, por…”

12:58 - 30.01.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Jam A. dhe jetoj në një qytet ne veri të Shqipërisë. Përpara 4 vitesh më ka ndodhur një ngjarje shumë e rëndë. I fejuari im bëri aksident me makinë. Gjendja e tij ishte e rëndë dhe më thanë që nuk do të çohej më në këmbë. E prita për një kohë të gjatë, por ai më tha se ishte e kotë të prisja, gjendja e tij nuk kishte shpresa ndaj duhej të vazhdoja jetën e të shihja përpara. Prej disa muajsh familja më ka fejuar me dikë tjetër. Në këtë kohë unë kam marrë vesh se ish i fejuari është shëruar dhe është shumë mirë. Vazhdoj ta dua shumë dhe qaj për të. Më ka marrë edhe në telefon dhe kur mori vesh për këtë tjetrin u bë shumë keq. Ne duhemi, por unë duhet të vazhdoj jetën me këtë tjetrin pasi familja i ka dhënë fjalën. Të lutem më ndihmo me një këshillë.




 

-E dashur A. jeta të ka përballur me një sfidë të vështirë vite më parë kur i fejuari u aksidentua. Ngjarje të tilla na bëjmë të humbasim ekuilibrin dhe të dorëzohemi përpara dhimbjes dhe mungesës së shpresës. I ke dhënë fund një historie dashurie e detyruar nga rrethanat, por ky nuk ka qenë kurrë një vendim bazuar në dëshirën tënde. Edhe pse ishe koshiente se vazhdoje të ndjeje për dikë u lidhe me një tjetër, por këtë herë vendimi nuk ishte i yti, por i familjes tënde. Përpara së gjithash më lejo të të them se martesa është një institucion i cili në themelin e vet duhet të ketë dashurinë reciproke.

Pavarësisht konservatorizmit të familjes tënde, kjo lloj mendësie është tepër e vjetër dhe shkatërruese për jetën tënde. Mos e lejo që kjo të ndodhë! Si mund të jetosh me dikë që nuk e do? Si mund të jetosh duke fjetur me dikë dhe nga ana tjetër qan dhe mendon dikë tjetër? Cili është qëllimi i një martese? A është lumturia? Jeta është shumë e gjatë dhe ky vendim është nga më të rëndësishmit që duhet të marrësh. Shikoje martesën si një alternativë për të siguruar lumturinë tënde vetjake dhe jo si dikur kur njerëzit e shihnin martesën si një detyrim social si pjesëtarë të shoqërisë për të sjellë në jetë fëmijë pavarësisht nëse ishin të lumtur apo jo.

Nëse zgjedh të kamuflosh apo mohosh ndjenjat e tua, e ke pyetur ndonjëherë veten se për sa kohë do jesh në gjendje ta bësh këtë? Vendimi është vetëm i yti dhe duhet të guxosh. Fol me familjarët e tu dhe bëja të ditur vendimin që ke marrë. Jepu atyre të gjitha argumentet dhe jam e bindur që do ta kenë të thjeshtë për të të kuptuar, por nëse ata nuk arrijnë të kuptojnë dot, jepu kohë!

Fol me psikologen Ervisa Lula për historinë tuaj në adresën [email protected]


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.