KULTURË

Kur Ismail Qemali e Noli u akuzuan si agjentë austriakë

11:24 - 31.01.18 Paskal Milo
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

IV. Profile pro dhe kundër Austro-Hungarisë
Me të drejtë është konstatuar jo vetëm në atë kohë por edhe më vonë, veçanërisht nga studiuesit se shumica e shqiptarëve hyrjen e ushtrisë austro-hungareze në Shqipëri e përjetuan me një ndjenjë lehtësimi, si çlirim e jo si pushtim.




Argumentet në favor të këtij vlerësimi janë disa.

Perandoria e Habsburgëve ishte kujdesur për të drejtat e popullsisë katolike në Shqipërinë e Veriut për disa dhjetëra vjet gjatë sundimit osman.

Ajo ishte shfaqur si mbështetëse e vendosur për pavarësinë e Shqipërisë dhe kishte lënë mbresa pozitive te shqiptarët me politikën e saj të frenimit të ekspansionit sllav në territoret shqiptare.

Veçanërisht me ndërhyrjen e saj në Shqipëri, ajo kishte larguar ushtritë serbe dhe malazeze, që kishin pushtuar territore të gjëra shqiptare nga Shkodra në Durrës, Elbasan, etj.

Ky ishte opinioni i përgjithshëm si një rezultante e perceptimit historik të rolit të Austro- Hungarisë në Shqipëri, por edhe si një përputhje interesash shqiptaro-austro-hungareze gjatë luftës.

Në përpunimin dhe ushqimin e këtij opinioni ndikojnë shumë zërat e fuqishëm, potencialet politike, intelektuale, lend lordët lokalë, bajraktarët dhe ata që njiheshin si “zotët e luftës” e që u dëgjohej fjala në kuvend e në popull. Të tillë njerëz nuk i mungonin Shqipërisë brenda dhe jashtë saj.

Vjena ishte kujdesur ndër vite që ta inventarizonte në skedarët e Ballplatz-it këtë pasuri të larmishme njerëzore shqiptare dhe ta vinte sipas rasteve në shërbim të saj. Diplomatë të rangut të lartë si Alfred Rappaporti apo dhe njohës të thellë të gjuhës, traditave, njerëzve, të mjedisit shqiptar si Lejhanec, August Kral, Buçberger e të tjerë ishin arkiva të gjalla të çështjeve shqiptare.

Pastaj kishte një numër jo të vogël shqiptarësh që të shkolluar e të edukuar në Austri, për nostalgji e respekt, por të tjerë edhe për interesa personale, ishin burim informacioni dhe përfaqësues jo zyrtarë të Vjenës e të objektivave të saj në Shqipëri. Modeli më tipik i tyre ishin at e bir, Syrja dhe Eqrem bej Vlora.

Në galerinë shqiptare të personaliteteve klasifikimi dhe renditja nuk ishte njëherë e mirë e bërë. Në kohë e për konjuktura e interesa të veçanta ato ndryshoheshin për shkak të sjelljes së personazheve, të devijimit të qëndrimeve e të aleancave, mosmarrëveshjeve e pakënaqësive, madje edhe të xhelozive dhe intrigave. Mbështetur në dokumentacionin arkivor austro-hungarez, shqiptar por edhe të disa vendeve të tjera, kjo kategori njerëzish të rëndësishëm të botës shqiptare mund të ndahet në disa grupe sipas kontributeve kombëtare, qëndrueshmërisë në orientim dhe shkallës së angazhimit politik, krahinor e personal e në grupin e kundërshtarëve të vendosur. Ky lloj grupimi është një lloj përpjekje modeste e relative e nuk pretendon saktësi absolute.

Edhe njëherë pa vënë në dyshim në përgjithësi motivin e interesit kombëtar në marrëdhëniet me Austro-Hungarinë në vitet e luftës të shumicës së personaliteteve shqiptare, klasifikimi mund të ishte ky: Në grupin e njerëzve të përkushtuar do të hynin Luigj Gurakuqi, Vlorajt at e bir, Aqif Pashë Elbasani, Fejzi Alizoti, etj. Disa prej tyre ishin edhe nënshkrues të proklamatës drejtuar shqiptarëve në 28 janar 1916 në të cilën bëhej thirrje që ushtarakët austro – hungarezë të priteshin “si shpëtimtarë, jo vetëm me iu bind, por edhe me iu shërbye”.

Në mesin e tyre pati edhe diferenca për statusin e Shqipërisë nën Austro-Hungarinë. Fejzi Alizoti ishte i bindur se “një Shqipëri e pavarur, nuk do të ishte e aftë të rronte dhe do të ishte mirë që vendi t’i aneksohej Austro- Hungarisë”. Syrja dhe Eqrem bej Vlora nuk shkonin kaq larg, por ishin që Shqipëria “të bëhet një shtet i pavarur nën dashamirësinë e lartë të Austro- Hungarisë”.

Një grup personalitetesh si Ismail Qemali, Fan S. Noli etj., në vitet e Luftës së Parë Botërore i kanë ndryshuar qëndrimet ndaj palëve ndërluftuese sipas konjukturave të krijuara, por gjithnjë duke gjykuar në të mirë të interesit kombëtar. Ismail Qemali dhe Fan S.Noli ishin tepër të pavarur me gjithë varfërinë e tyre për të shërbyer kundrejt shpërblimeve apo favoreve.

Nëse në vitet 1912- 1913 Ismail Qemali kishte marrë mbështetje nga Vjena dhe kishte bashkëpunuar me ministrin e jashtëm të saj, Berhtold, hijet e dyshimit të vetë Ballplatz-it e ndoqën atë nga pas në të dy kahjet: austro-hungarezët dyshonin se ai bënte lojën e italianëve e të Antantës, ndërkohë që kundërshtarët e tij të brendshëm dhe qarqet politike italiane e franceze (San Xhuliano, Sonino, Salandra, Puankare, etj.) e akuzonin se ishte në shërbim të austro-hungarezëve.

Ismail Qemali si shtetar e diplomat me përvojë bënte takime e bisedime me qarqe politike e diplomatike të palëve ndërluftuese evropiane dhe nxirrte përfundime për fatin e Luftës e fundin e saj, gjithnjë me shqetësimin për mbijetesën e Shqipërisë së pavarur. Në Vjenë nuk ia pëlqyen këtë qëndrim sepse mesa dukej u ngatërronte letrat në negociatat e fshehta që Berhtoldi po zhvillonte me San Xhulianon për të tërhequr Italinë në Luftë në anën e Boshtit Qendror.

Në qendër të këtyre negociatave ishte fati i Shqipërisë, copëtimi i saj si mall këmbimi për të krijuar aleancat. Pikërisht në kulmin e këtyre negociatave, në janar 1915, Ismail Qemali nuk gjeti më mikpritjen e njohur por iu sugjerua se “në situatën politike të sotme nuk shihet oportun… një qëndrim më i gjatë i tij në Vjenë”. Në vijim autoritetet austriake e trajtuan me mospërfillje me justifikimin se “ka shkuar në shtete armiq”. Deri në fund të luftës ato nuk e ndihmuan themeluesin e shtetit shqiptar të pavarur. Ministri i fundit i Jashtëm i Perandorisë, Buriani e cilësoi atë në verën e 1918 si “një element sa të mërzitshëm aq edhe të padobishëm”.
Një personalitet tjetër që mori ngarkesa negative për qëndrimin pozitiv që mbajti ndaj Austro-Hungarisë ishte Fan S. Noli. Në janar 1916, ai edhe në cilësinë e kryetarit të organizatës atdhetare shqiptare “Vatra” në Shtetet e Bashkuara mirëpriti hyrjen e forcave austro-hungareze në Shkodër, por kërkoi edhe ngritjen e flamurit shqiptar.

Qëndrimi i Nolit dhe i “Vatrës”, i bërë i njohur përmes gazetës “Dielli” u vu re nga diplomatët austriakë në Uashington e përmes tyre edhe në Vjenë. Këtij qëndrimi në mars 1916 iu përgjigj ambasada austriake në Uashington, por edhe ministri i Jashtëm Buriani. Zyrtarisht ata i shkruan gazetës “Dielli” se flamuri i Shqipërisë valon bashkë me flamurin e Austro-Hungarisë në të gjitha zyrat e administratës vendore në Shkodër. Ky veprim u përshëndet nga Noli, i cili shkroi në “Dielli” se Austria “e njeh shtetin shqiptar dhe flamurin tonë si përpara luftës evropiane”.

Me hyrjen e SHBA në Luftë në prill 1917 Noli ndryshon qëndrim. Por kjo nuk e shpëtoi Nolin nga akuzat e kundërshtarëve të tij shqiptarë, sidomos ato të Trinisë (Kristo Dako, Sevasti e Parashqevi Qirjazi), të cilët u futën në lidhje të fshehta me departamentin e drejtësisë dhe shërbimet inteligjente amerikane duke e cilësuar atë si proaustriak. Akuza ishte se Noli mbështetej nga qeveria austriake, se ai ishte dërguar prej saj me mision në Amerikë që të punonte me shqiptarët aty në interes të Fuqive qendrore. Dako i raportonte zyrës së shërbimeve sekrete në Boston në qershor 1918 se “Fan Noli dhe klika e tij janë me Austrinë kundër Italisë dhe indirekt kundër Shteteve të Bashkuara për çështjen shqiptare”.

Pas këtyre raportimeve nuk vonuan të vijnë edhe rrjedhojat për Nolin. Ai ndiqej nga shërbimet sekrete amerikane në të gjitha lëvizjet e tij, madje edhe kur u ftua me rastin e festës kombëtare në 4 korrik 1918 ku u takua edhe me Presidentin Uillson. Akuzat e Trinisë Dako-Qiriazi për Nolin krijuan një dosje dyshimi për të në administratën amerikane që do t’i rëndojë për shumë vite atij dhe që rrjedhojë të parë pati pengimin e tij për të shkuar në Konferencën e Paqes në Paris (1919-1920) në përfundim të Luftës së Parë Botërore.

Grupi tjetër i njohur që bashkëpunoi më Austro-Hungarinë ishte ai i shqiptarëve të Kosovës me në krye Hasan Prishtinën. Për vetë origjinën e tyre ata ishin kundërshtarët më të vendosur të Serbisë. Kur Austro-Hungaria i shpalli luftë Serbisë në 28 korrik 1914, Hasan Prishtina si anëtar i qeverisë së Princ Vidit propozoi organizimin e forcave shqiptare nga Shqipëria e Kosova për të hapur front lufte kundër Serbisë. Vjena, e cila ishte ende në bashkëpunim me Romën për çështjen shqiptare nuk e mbështeti në parim këtë propozim me arsyetimin se “shkelja e asnjanësisë së Shqipërisë ishte në kundërshtim me vendimet e Londrës” dhe vinte “në rrezik situatën që qëndronte në themel të marrëveshjes së dy fuqive të Adriatikut”. Kur Princ Vidi refuzoi, Hasan Prishtina veproi në klandestinitet e në bashkëpunim me përfaqësuesit e Vjenës në Shqipëri. Në nëntor 1914 ai u paraqiti përsëri autoriteteve austro-hungareze projektin e tij për organizimin e veprimeve luftarake në Kosovë kundër forcave serbe.

Këtë herë Vjena në parim e mbështeti projektin dhe udhëzoi konsullin e saj në Shkodër Halla që të bashkonte elementët më me influencë në Shqipërinë e Veriut e në Kosovë kundër Serbisë. Konsulli arriti që të bënte bashkë në Shkodër Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Ahmet bej Matin e në perspektivë edhe Isa Boletinin e Riza bej Gjakovën por sugjeronte se organizimi i një kryengritjeje në Kosovë kundër Serbisë kërkonte financimin tyre “për të blerë municione e për të shpërblyer njerëzit që u shkonin nga pas”. Në çështjen e financimeve Vjena u tregua e shtrënguar, por as edhe inkurajoi veprime të shpejta organizative në terren me pretendimin se nuk kishte ardhur ende momenti i duhur që shqiptarët të hidheshin në aksion kundër serbëve.

Kur ushtria austro-hungareze i theu keq forcat serbe në frontin e luftimeve në nëntor 1915 dhe ushtria serbe u tërhoq në panik e me humbje shumë të rënda përmes Shqipërisë, nevoja për organizimin e një kryengritjeje në Kosovë ra. Për rrjedhojë edhe roli i eksponentëve shqiptarë në sytë e Vjenës, u minimizua por ata u mbajtën afër me gjithë pakënaqësitë e dyshimet e ndërsjella. Gjithashtu, autoritetet ushtarake austro-hungareze ndaluan edhe përpjekje të qarqeve nacionaliste për të mbledhur një kongres kombëtar në Elbasan në mars 1916 për organizimin e vetëqeverisjes së vendit deri në kohën e rikthimit të Princ Vidit. Po kështu kundërshtuan dhe eliminuan lëvizje separatiste dhe aventureske të tipit të Basri bej Dukagjinit.

Një grupim tjetër prijësash krahinorë dhe me ambicie të mëdha për të qeverisur gjithë Shqipërinë ishin Preng Bibë Doda, Ahmet bej Mati, myslimani bullgar Hasan (alias Basri) bej Dukagjini, etj. Këta i luanin të gjitha kartat për të nxjerrë përfitimet e momentit, sa me austro-hungarezët aq edhe me serbët e bullgarët. Vjena i joshi me para dhe me grada për t’i përdorur e për të mos i pasur kundër. Kur e tepruan në pabesinë e tyre, i mori dhe i internoi deri në përfundim të luftës si Basri bej Dukagjinin dhe Preng Bibë Dodën në territoret dalmatine të perandorisë.

Më të riun Ahmet bej Mati u soll disi më ndryshe për ta pasur nën kontroll e për ta përdorur. Beu i Burgajetit kishte disa cilësi prijësi, ishte i shkathët e i mprehtë, ishte pazarxhi i madh dhe kishte një ndjeshmëri të lartë për paranë. Austro-hungarezët e kishin studiuar, ia njihnin vlerat por edhe dobësitë. Ai, sikurse e përshkruante August Krali që e njihte nga afër “e kupton shumë mirë punën e tij si udhëheqës mercenarësh mesjetarë”.
Komanda e korpusit XIX në Shkodër bëri një marrëveshje me Ahmet Zogun. Kundrejt pagesës personale (1000 korona në muaj), dhënies së gradës kolonel dhe caktimit të tij si kryekomandant, Zogu u angazhua të grumbullonte disa mijëra mercenarë për të luftuar në frontin në jug të lumit Shkumbin. Por mercenarët, njerëz të varfër, të mobilizuar në luftë për bukën e gojës iknin e braktisnin fushën e betejës me zbrazjen e pushkës së parë siç raportonin ushtarakët austro-hungarezë eprorëve të tyre. Kur në maj-qershor 1916 italianët shpërthyen një mësymje në frontin e Vjosës, forcat e Ahmet Zogut e të Leon Gjilardit pësuan humbje shumë të rënda. Zogu u tërhoq në Burgajet dhe u kërcënua të shkarkohej si kryekomandant.
Por punët nuk arritën deri aty dhe as nuk ishte në interesin e Austro-Hungarisë që ta bënte Ahmet Zogun kundërshtar të hapur. U gjend një zgjidhje tjetër, më e rafinuar për ta neutralizuar. Në prill 1917 ai u përfshi në një delegacion të gjerë të parisë shqiptare, që u ftua në Vjenë për të marrë pjesë në ceremoninë e kurorëzimit të Karlit I si perandor i ri. Zogut i kushtuan një vëmendje të veçantë. E dekoruan me Kryqin e Komandantit të Urdhrit të Franc Jozefit I. Por kur anëtarët e tjerë të delegacionit u nisën për t’u kthyer në Shqipëri atë nuk e lejuan, por e mbajtën në Vjenë. Nuk ishte internim sepse ata që konsideroheshin të rrezikshëm nuk i dërgonin në kryeqytetin e perandorisë. Aty u mbajt deri në përfundim të luftës duke vepruar siç pohonte një burim zyrtar “me zell në interesin tonë”.

Në të njëjtën kohë me Ahmet Zogun në Vjenë qëndronte edhe Faik Konica. Të dy, siç edhe ka shkruar beu erudit i Konicës me beun e ri të Matit kanë shijuar koncertet dhe operat në Operën e famshme të Vjenës. Veç qasjet ndaj Perandorisë i kishin të ndryshme. Faiku ishte kritik ndaj politikës austro-hungareze në Shqipëri. Vetë ai në fund të Luftës i pohonte Obri Herbertit (Aubry Herbert) se “për tre vjet kam qenë një i burgosur shoqëror (“konfiniert”) në Austri, sepse kam kritikuar hapur qeverisjen e keqe austriake në Shqipëri”.

Konica në Austri bënte një veprimtari intensive për zgjedhjen pas lufte në Shqipëri të një princi turk. Ishte nga ato kthesa e trille që vetëm ai mund t’i bënte e pa të cilat ai nuk kuptohet. Mirëpo për shkak të kësaj propagande autoritetet austro-hungareze e mbanin nën vëzhgim, madje i kishin kontrolluar edhe shtëpinë. Ndaj edhe Faiku shfryn se “…në Shqipëri austriakëve nuk u ka mbetur më ndonjë mik…” dhe se “edhe vetë katolikët janë tani kundër Austrisë”.
Mllefi i Konicës është më tepër reaktiv, emocional se sa racional. Megjithatë, nuk ka dyshim se ka pasur edhe pakënaqësi, sepse jo gjithçka që austro-hungarezët premtuan u bë në Shqipëri. Lufta kishte rrjedhoja negative për popullsinë e varfër, kishte privime, uri, sëmundje të rënda epidemike që autoritetet ushtarake austro-hungareze nuk arritën t’i përballojnë e ti zgjidhin. Jo gjithçka edhe për faj të tyre. Në disa raste u krijuan edhe armiqësi me shqiptarët për shkak të disa veprimeve ekstreme të segmenteve të veçanta ushtarake, siç ishte vrasja e 44 shqiptarëve të pafajshëm në Lurë për hakmarrje apo e tre nënoficerëve shqiptarë në Fier.

Kjo retrospektivë e shkurtër e marrëdhënieve shqiptaro-austro-hungareze në Luftën e Parë Botërore përcjell sot një mesazh: historia duhet shkruar në kompleksitetin e në vërtetësinë e saj, jo në dimensionin bardhë e zi, atdhetarë e tradhtarë, heronj të pakontestuar e armiq historikë e të përjetshëm. Duhet pastruar jo vetëm historia nga të pavërtetat, por edhe mendjet e infektuara të njerëzve prej tyre, sidomos e të rinjve që bien viktima të shtrembërimeve të qëllimshme të ngjarjeve e të fakteve historike nga arrivistët politikë e pseudonacionalistët. Të mbjellim e të kultivojmë respekt jo vetëm për vlerat tona, por edhe për ato të të tjerëve. Nuk duhet të mbetemi pengje të së kaluarës ndryshe nuk shohim rrugën e të ardhmes.
(Titujt janë të redaksisë)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.