Pamela Aliaj – Premiera e “Dua të të bëj të lumtur” nis më në fund sot në “Top Chanel”, nën drejtimin e Arbana Osmanit. Katër histori rrënqethëse do të jenë protagoniste, që do të hapin siparin e puntatës së parë të emisionit këtë mbrëmje.
Historia e parë do të jetë ajo e Gersit, siç e ka përmendur edhe më parë Arbana, djaloshit i cili pas një aksidenti fatkeq kur ishte duke luajtur me shokët, pëson një transformim në fytyrë. Në studio do të vijnë shokët e tij për t’i treguar se pas gjithë asaj fatkeqësie që ka kaluar, e mbështesin dhe janë aty për të.
Por surpriza e kësaj historie do të jetë prania e ish-kapitenit të Kombëtares, Lorik Cana, i cili është edhe idhulli i Gersit. Të papritura dhe lot priten të shohim në këtë puntatë. Historia e dytë flet për një nënë që ka 7 vite pa e takuar djalin e saj dhe kërkon që ta takojë pikërisht në këtë emision.
Një tjetër histori që do të sillet në emisionin e “Dua të të bëj të lumtur” është një histori dashurie shumë e veçantë. Dy të moshuar, ajo 75 vjeç, ai 90 janë njohur që në kohën e azilit dhe prej 15 vitesh flenë bashkë në një dhomë. Histori të pabesueshme, të cilat sjellin shumë emocion dhe buzëqeshje në fytyrat e shqiptarëve. Nuk lëmë pa përmendur edhe të ftuarit e tjerë VIP, të cilët do të jenë pjesë e kësaj nate drithëruese.
Ndër ta janë aktorët e mirënjohur dhe shumë të dashur për publikun, Robert Ndrenika dhe Rikard Ljarja, të cilët do t’i japin akoma më tepër ngjyra emisionit me praninë e tyre. Por, ajo që nuk është përmendur më parë është historia e katërt e kësaj puntate, e cila është edhe qershia mbi tortë e emisionit “Dua të të bëj të lumtur”. Të shumta janë të papriturat dhe emocionet që do të sjellë premiera e këtij emisioni.
Të ftuar VIP, familjarë të përlotur, dashuri shumëvjeçare dhe mbi të gjitha: emocione të vërteta. Të gjitha do të jenë pjesë e emisionit të sotëm, vetëm në “Dua të të bëj të lumtur”.