Intervista

Konsulli, Edon Cana: Ka qarqe që s’pajtohen me faktin që Kosova është sovrane

11:59 - 27.02.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Elsa Doda – Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Francë u sulmua gjatë mbrëmjes së të dielës nga persona ende të paidentifikuar, të cilët kanë vjedhur flamurin dhe kanë dëmtuar stemën e republikës më të re në Ballkan. Sulmi ndaj Konsullatës së Kosovës në Francë nuk është i pari i këtij lloji.




Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” Konsulli i Kosovës në Strasburg, Edon Cana thotë se; disa segmente nuk mund të pajtohen me faktin që Kosova është shtet sovran. Cana ka pohuar se përveç vjedhjes së flamurit dhe dëmtimit të stemës shtetërore nuk ka dëme të tjera.

Z.Edon, mund të na thoni më konkretisht se kur ndodhi sulmi në Konsullatën e Kosovës në Strasburg?
Sulmi ka ndodhur gjatë wikendit të kaluar, të dielën konkretisht.

Ka ndonjë të dyshuar deri në këto momente si autorë të sulmit, apo persona të shoqëruar nga autoritetet franceze?
Momentalisht jo, sepse sulmi ka ndodhur natën dhe personat që shkaktuan sulmin ishin shumë të kujdesshëm që të mos bëjnë zhurmë.

Autorët kanë vjedhur flamurin dhe kanë dëmtuar stemën e Republikës së Kosovës. Cili është mesazhi i tyre në këtë rast sipas jush?
Sigurisht që mesazhi i tyre ishte politik, sepse flamuri dhe stema janë simbolet e shtetit të Kosovës dhe se këto simbole të shtetësisë sonë pengojnë shumë qarqe, të cilat nuk mund të pranojnë një realitet të pakthyeshëm gjeopolitik.

A ka ndodhur më parë të sulmohet direkt apo indirekt Konsullata e Kosovës?
Konsullata është sulmuar edhe para disa viteve dhe përveç shkatërrimit të simboleve shtetërore kishte mbishkrime nacionaliste serbe në gjuhen frënge ‘Vive la grande Serbie’ që do të thotë ‘Rroftë Serbia e madhe’

Mendoni se në këtë ngjarje janë përfshirë segmente të caktuara në Serbi?
Nuk mund të dimë me siguri, por vetëm mund të konkludojmë se atyre të cilëve i pengon fakti që Kosova është shtet sovran nuk mund ende të pajtohen me këtë fakt.

Cili është reagimi juaj në lidhje me këtë sulm?
Ne menjëherë kemi adresuar çështjen me autoritetet relevante dhe po ashtu kemi dërguar Noten Verbale te Ministria e Punëve të Jashtme e Francës për t’i njoftuar për këtë sulm dhe kemi kërkuar që të ndërmarrin masat e duhura në të ardhmen për të parandaluar këto lloj sulmesh.

Në dijeninë tuaj, çfarë masash janë marrë nga policia franceze në lidhje me identifikimin dhe kapjen e autorë ve?
Franca është një mik i Kosovës dhe ata jam i bindur që këtë rast do ta trajtojnë me seriozitetin më të madh dhe urgjencë të duhur. Ne jemi të kënaqur me përkrahjen e shtetit të Francës në këtë drejtim.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.