MILOSAO

Në kujtim të njeriut të mirë, Gëzim Qendro

07:00 - 05.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ben Andoni – Pak ditë më parë, Gëzim Qendro, studiuesi, historiani i artit dhe përkthyesi ndërroi jetë. Një luftë e papërballueshme me kancerin, një nga sëmundjet më të egra historike të njerëzimit. E kishte mposhtur tre herë deri më tani. Por i duhej dhe njëherë e katërt. Mjekime, konsulta, terapi, por të pamundura për t’ia dalë kundër të keqes së madhe.




I ndjeri kishte shumë dëshirë në të gjallë, që me miqtë e tij të ndante një episod, që e konsideronte mbresëlënës. I kishte lënë mbresë një episod dokumentari, ku një qenie e butë luftonte përballë shtazëve të egra. E identifikonte veten me këtë luftë dhe ishte plot shpresë se do t’ia dilte. Dhe gjente kurajë për dhe nga gjithçka. Madje, gati të ofronte edhe vetë siguri dhe besim për këdo nga miqtë nëse do ia kërkonin. Nuk mundi. Mesazhet që merrte nga trupi ditë pas dite nuk ishin aq inkurajuese edhe pse nga shpirti ato që përcilleshin ishin plot shpresë. Vazhdo lufto!, mbeti thjesht në kokën e tij dhe njerëzit më të afërt që e rrethonin.
Gëzimi u mundua ta bëjë këtë për të gjithë këto muaj të gjatë, duke luftuar shumë me të pamundurën. Deri para pak javësh, në intermexot e qetësisë, ngrihesh dhe vazhdonte punën, duke e lënë pastaj, për t’u prehur dhe rikthyer sërish. Një ritual ritmik që u bë gjithnjë e më pak asimetrik, kur realisht sëmundja e rëndë vendosi ligjësitë e saj arbitrare.

Për njerëzit që e kanë ditur sëmundjen e tij, kuraja e Gëzimit ishte një motiv, sesi mund të mposhtet sëmundja, kurse për mjekët një shembull vetmohimi sesi qenia përballon sëmundjen.

Në fakt kur kujton interesat e tij, dëshirën e jetës, kërkesat e larta për të prodhuar e gjen dhe justifikimin. Gëzimi nuk do të bënte dot kurrë ndryshe në të gjallë. Kurse me shembullin e tij do të mbetet një shembull i mirë për studentët dhe njerëzit që e kanë rrethuar për kërkesat e larta akademike që mbante të rreshtuar para vetes.

Ashtu si ndodh me njerëzit e mirë dhe shumë të pagojë, Gëzimi do të lerë një hapësirë dhimbje të madhe tek më të afërmit e tij, por edhe një trishtim për miqtë e tij, që e respektonin për të gjithë kontributin, mirësinë dhe profesionalizmin.
Kjo e fundit u ndje kryesisht gjatë mandatit të tij si kreu i Galerisë Kombëtare nga viti 1998-2002 dhe duke vazhduar pastaj periodikisht me të gjithë veprimtarinë e tij studimore dhe didaktike. Tejet interesant do mbetet mënyra si e konceptoi funksionin e Galerisë Kombëtare, duke i lënë vend shqyrtimit të kujdesshëm të Artit të Socializmit, por edhe rikonceptimit të funksioneve të saj. Nga një pjesë e madhe e njerëzve të artit, ai konsiderohej si analist mirëfilli semiotik dhe ka përcjellë në publik brenda gjuhës së artit shumë nga shenjat e periudhave kulturore, që kanë zotëruar në vendin tonë dhe qasjet e tyre me artin ndërkombëtar.

I jashtëzakonshëm mund të konsiderohet edhe kontributi i tij sa i përket përkthimit, duke sjellë botime mjaft të rëndësishme, që lidhen me metodikat dhe historinë e artit. Një nga veprat e tij të fundit e botuar është “Kinostudioja “Shqipëria e vjetër”, ku ai bëri një përqasje të arkitekturës dhe formave të ndërtesës që projektuan sovjetikët dhe ku mori udhë propaganda e të ashtuquajturit “Hollivud” shqiptar, Kinostudios, që ka një peshë të madhe jo vetëm ndaj propagandës por edhe mbushjes së jetës së shqiptarëve.
Ai mbante PhD në Estetikë, Universiteti Paris VIII; BA, MS, Academie van Beeldende Vorming, Amsterdam; ishte kurator ekspozitash të artit pamor; drejtues i Departamentit të Art&Dizajnit, Universiteti Polis; ishte pedagog i lëndëve gjuhë pamore, filozofi arti dhe histori arti; por edhe përkthyes i shquar, që na solli libra të vështirësisë së lartë.

Interesant mund të konsiderohet edhe “ Arkeologjia e mëngjesit”, një studim i gjetur i periudhës së artit modernist të Kosovës, kushtuar veprës së Rexhep Ferrit, njërit prej artistëve më të shquar modernistë shqiptarë. Gjithsesi, vetë artisti i njohur nuk mundi ta zbulojë dot mëngjesin e 27 shkurtit, sepse deri këtu vazhdonte lufta e tij. E la për të ikur drejt paqes së amëshimit…

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.