KULTURË

“Different trains” dhe kohezioni social

14:00 - 08.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

U bënë vite që instrumentistë të shquar shqiptarë, që interpretojnë në orkestrat më dinjitoze evropiane, por dhe instrumentistë të tjerë të kombësive nga më të ndryshmet, vijnë në vendin tonë për të na sjellë nivelin më të lartë bashkëkohor muzikor, duke i përcjellë dëgjuesit, përveç emocioneve të muzikës edhe mesazhe të thella sociale. Ardhja e tyre tashmë është kthyer nëtraditë, gjë që ka sjellë edhe ndërrimin e emërtimit të kësaj tradite në “Different festival”.
Ishte dhe ka mbetur e larmishme përzgjedhja e instrumentistëve që kanë interpretuar në skenat shqiptare gjatë viteve.
Sezoni i ri i “Different festival 2018” u çel në orën 18 të datës 27 shkurt 2018 në sallën e Muzeut Kombëtar Tiranë me koncertin “Kaiserquartet” op. 76 n.3 të Joseph Haydn dhe “Rosamunde”kuartet D. 804 të Franc Schubert interpretuar me ndjeshmëri të lartë nga kuarteti i përbërë nga Arben Spahiu e Dorian Xhoxhi në violinë, Vlorent Xhafa në violonçel dhe Ivan Vukcevic në violë.




Në këtë shkrim të shkurtër nuk marrim përsipër të bëjmë analizën profesionale të nivelit artistik të këtij koncerti se sa të përcjellim mbresat dhe mendimet që na lindin gjatë dëgjimit të tij. E para gjë që të binte në sy ishte komunikimi i pandërprerë midis artistëve gjatë gjithë kohës së interpretimit dhe sinkronizimi tyre deri në perfeksion. Dhe një angazhim i tillë nuk ka se si tëmos i transmetohet shpirtit të dëgjuesit përmes tingujve, duke krijuar një atmosferë magjike, e cila të shoqëron edhe më pas. Të gëzon shpirtin mendimi se sallat kanë filluar të mbushen gjithmonë e më shumë gjatë koncerteve të tilla, gjë që linte për të dëshiruar disa vjet më parë, kur interpretuesit shpesh interpretonin për një numër tepër të vogël dëgjuesish.

Por, me të dalë nga salla e koncertit, ndeshesh me një realitet tjetër që të kujton me se ushqehet shpirtërisht pjesa më e madhe e shoqërisë shqiptare. Për pjesën dërmuese të saj ushqim shpirtëror është kthyer rubrika e lajmeve dhe debatet e ditës së enjte në sallën e parlamentit dhe kjo, jo se shoqëria jonë është e pakulturuar, por, sepse ajo ka ndjeshmëri të lartë dhe intuititvisht e kupton se është politika ajo që duhet t’u japë zgjidhje problemeve të saj. Por ndër prioritetet e politikës sigurisht që nuk është muzika. Të tjera kumri u këndojnë politikanëve në kokë, prandaj mediaorientohet drejt problematikave të çastit. E zakonisht rubrikat televizive të lajmeve hapen me krimin e radhës ose me drogën e radhës, i cila zakonisht kapet përtej kufirit shqiptar. Më tej na mbushin kokën me mbledhjet pa fund, ku të shkretët telendisen për fatet tona dhe në fund, vetëm në fund fare, ndodh të ketë edhe një rubrikë kulturore.
Sa do të më pëlqente që gjithë emisionet televizive të fillonin e të vazhdonin me rubrika kulturore, por e di që kjo është e pamundur…

E kaloj kanalin e televizorit te ndonjë televizion i huaj, për të parë si i ndërtojnë programet, por askund nuk gjej ndonjë që të fillojë lajmet me krime.
Vetvetiu lind pyetja: Është e kriminalizuar shoqëria shqiptare apo duan ta kriminalizojnë?… E pas kësaj, të shkon ndërmend se asnjëra prej këtyre dy alternativave nuk do të ekzistonte nëse politikanët shqiptarë, që kanë marrë përsipër vullnetarisht fatet e këtij vendi, do të komunikonin po aq me përkushtim sa instrumentistët e koncertit të sotëm, sigurisht që rezultati do të ishte krejt i ndryshëm nga ai që shohim përditë. Ja pra, nuk është ky një mesazh tepër i lexueshëm për çdo njeri që e do të mirën e vendit të vet? Le të bëjmë të gjithë, pra, me po kaq përkushtim detyrat tona në fushat ku veprojmë dhe atëherë do të kemi edhe si bashkësi një fat më të mirë.

Kur dëgjon një koncert kaq mbresëlënës, të shkon mendja te speciet e rralla, si Okapi, njëbrirëshi i lashtë afrikan, të cilët po shkojnë drejt zhdukjes dhe njerëzimi mundohet t’i ruajë. Jemi me fat që kemi kaq shumë talente të shpërndara nëpër botë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.