KULTURË

Iljaz Bej Mirahori/ Prijësi shqiptar që u bë dhëndër i Sulltan Bajazitit të II

14:00 - 08.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Prof.Dr. Valter Shtylla – Për arsye të ndryshme, “Historia e Shqipërisë” është pasqyruar me shumë boshllëqe, të cilat do të plotësohen me kohë për t’i dhënë asaj atributet e vërteta shkencore. Deri më sot, në të, nuk janë pasqyruar ngjarje dhe figura dhe, nga ana tjetër, mjaft aktorë të saj janë përmendur shkarazi ngaqë veprimtaria e tyre njihej më tepër jashtë vendit.




Njëri nga këta ka qenë Iljaz bej Mirahori i Korçës, i cili për nga vlerat ushtarake, politike dhe historike e tejkalon statusin e një prijësi lokal. Ai padyshim paraqet një personazh historik me përmasa kombëtare. Në vijim të historisë së shkruar për shumë pashallarë, vezirë, kryearkitektë të Perandorisë Osmane, Iljaz Bej Mirahori na paraqitet më i prekshëm, pasi akoma deri në ditët tona ruhen veprat e bëra nga ai, si në Shqipëri ashtu edhe në Stamboll.

Për dy arsye e ndjej detyrim të hedh në letër disa rreshta për këtë figurë, që tashmë do ta quaja me plot gojë të një niveli kombëtar. Së pari, sepse origjina ime rrjedh nga zona e vakëfeve të Korçës, vendlindja e Mirahorit, dhe së dyti, pasi jam nga ata shqiptarë që kam vëzhguar veprat e tij, madje deri në Stamboll.
Historia e djalit shqiptar nga Panariti i Korçës shtjellohet gjatë shekullit të XV-të me stabilizimin e administratës së Perandorisë Osmane në trojet tona. Në këtë kohë formohet shtresa e pronarëve të mëdhenj lokalë të tokave, e cila në mjaft raste qe një shans i veçantë i disa personave, të cilën për merita të shërbimeve që ata bënë ndaj sulltanëve u ngarkuan me ofiqe të larta në territoret e tyre duke mundësuar edhe investime në to. Gjithashtu, ata poseduan dhe hapësira të mëdha tokash. Këto prona të mëdha të dhuruara nga Porta e Lartë u njohën si të trashëgueshme, fakt që legjitimonte figurën e familjeve të mëdha.

Studiuesi i madh shqiptar, Sami Frashëri në veprën e tij “Kamus’al Alam II, 1208″ shprehet se Iljaz Bej Mirahori ka qenë stërgjyshi i tij nga ana e nënës.
Ai ka qenë biri i një prifti me influencë në këto anë. Në moshë të vogël quhej Ilo dhe kur ishte vetëm 10 vjeç ai u mor peng gjatë ekspeditave turke të Sulltan Muratit II ( 1421- 1451) kur ky kaloi nga këto anë.
Me kalimin e viteve panaritasi arriti të bëhej një nga ushtarakët e lartë të perandorisë. Në vitin 1453 kur Sulltan Mehmeti II sulmoi Kostandinopojën Iljazi u shqua gjatë luftrave në lagjen Samatia në hyrje të qytetit, pranë fortesës Jedikule (Shtatë Kullat).
Për merita të veçanta, në këtë zonë, u ngritën disa vepra me emrin e këtij prijësi ushtarak.

Në kuartierin Jedikule të Stambollit u hap një xhami me emrin e Iljaz Beut, i cili pranë saj ndërtoi një Teqe të Rufaive, të cilit sekt ai i përkiste si dhe një imaret. Xhamia e Iljazit në Jedikule ka një histori interesante, që e lartëson mjaft figurën e këtij prijësi me kombësi shqiptare. Në lagjen Jedikule, ngjitur Samatias, ka qenë një nga monumentet më të njohura bizantine. Në kohën e sundimit të perandorit Leon I ( v. 457-474) patriarku Studios u emërua Konsull i lindjes. Në vitet 456-463 ai ndërtoi një kishë nën drejtimin e Johan Prodhromit.

Më vonë pranë kishës ngriti manastirin. Kisha dhe manastiri mbajnë emrin e Studios. Për mjaft kohë ky manastir shërbeu si një qendër fetare. Perandorët që hynin në qytet, nëpërmjet Portës së Artë të Via Egnatias në kalanë Jedilule pranë, vizitonin këtë manastir. Gjatë fushatave të kryqëzatave (v. 1204-1261) kisha dhe manastiri pësuan dëmtime.

Në vitin 1293 ky objekt u restaurua nga Konstantin Paleologu dhe më pas u rrethua me mure nga Androniku i II (v. 1282-1295).
Pas pushtimit të Stambollit në vitin 1453 nga Mehmeti i II Pushtuesi, kisha e Studios u transformua në xhami. Më pas gjatë perandorisë së Sulltan Bajazitit II (v. 1481-1512) kjo xhami mori emrin e Iljaz Bej Mirahorit, i dalluar në betejën e Samatias. Në periudhën osmane xhamia e Mirahorit në Stamboll konsiderohej si një nga xhamitë më të mëdha të qytetit.
Në vitin 1782 objekti pësoi një djegie, nga e cila u dëmtua çatia, kolonat dhe galeria e sipërme. Më pas u restaurua në vitet 1820-1821. Në tërmetin e vitit 1894 kisha u dëmtua përsëri, ndërsa në vitin 1908 çatia e saj u rrëzua nga ngarkesa e dëborës. Kisha e tipit bazilikal përbëhet nga naosi qendror dhe nga dy nefe anësore. Kolonat që ndërpresin hapësirat janë dëmtuar nga djegiet dhe tërmeti duke mbetur vetëm gjashtë prej tyre. Në një qoshe të manastirit të kishës ruhen mbetjet e minares se xhamisë.
Gjatë shekujve XVIII-XIX në objekt janë kryer punime të rëndësishme për t’i dhënë asaj sa më tepër tiparet e një xhamie tashmë. Kjo kishë, më e vjetra e Stambollit, më pas xhami, është monument kulture dhe mbahet si qendër e vizitueshme turistike, duke qenë një nga pesë objektet më të rëndësishme muzeale nën administrimin e Shën Sofisë së famshme.

Përshtatja në xhami e kishës së Johan Prodhromit të manastirit Studios u krye në vitin 1486 nga sulltan Bajaziti II (1481-1512), biri i Mehmetit të II.
Ekzistenca e një xhamie në Stamboll pikërisht mbi themelet e kishës më të vjetër paleokristiane, me emrin e Iljaz Bej Mirahorit, dëshmon për vlerat e shqiptarit nga Panariti dhe për konsideratën që ai gëzonte në administratën e lartë të Stambollit. Mirahori arriti të bëhej dhe dhëndër i Sulltan Bajazitit të II.
Sot nga “Mirahor Mahalla” e asaj kohe, pranë xhamisë, ka mbetur një rrugë kryesore në Jedikule, e cila njihet me emrin Iljaz Bej Mirahor Xhadesi.
Kështu sot në Stambollin 12 milionësh, ruhet xhamia muze e Mirahorit në lagjen Jedikule, një rrugë kryesore e lagjes mban emrin e tij dhe pranë xhamisë kanë qenë ndërtuar një Teqe e Rufajve dhe një Imaret për të varfrit prej tij. Të gjithë këto nuk janë pak për të vlerësuar një personalitet historik shqiptar në qendrën e Perandorisë së fuqishme Osmane të asaj kohe. Por vepra e Iljaz Beut nuk qe e njohur vetëm në qendrën e Perandorisë. Ai nuk e harroi vendlindjen e tij, Korçën.
Për meritat e mëdha në ekspeditat luftarake të perandorisë, Sulltan Bajaziti II i dha Iljaz Beut titullin “Mirahor Bej -Stalljer i parë, njeri i ngarkuar në krye të mbikëqyrjes dhe mbarështimit te kuajve dhe stallave në sarajet e hershme të Sulltanit.

Në moshë të thyer Iljazi i kërkoi Sulltanit të kthehej në Atdhe për të mbyllur atje ditët e tij. Bajaziti i II dha lejen dhe si shpërblim dhe me anën e një mylknameje i njohu atij pronësinë mbi fshatrat Leshnjë dhe Vithkuq në vitin 1484.
Dy vjet më vonë, në 1486, mylknameja (dokument për pronë vetjake) u shtua edhe me fshatin Boboshticë në kazanë e Korçës. Në vazhdim këtyre ju shtuan fshatrat Trebickë, Treskë, Vodicë, Stratobërdhë dhe Ponarit. Në vitin 1495 mylku i tij në fshatrat Treskë e Panarit u shkëmbye me fshatin Peskopi, pasi ishte e vështirë vjelja e rentës së tyre.

Iljazi kishte statusin e “Princit” dhe me të drejtën e trashëgimit të pasurisë.
Në “Kodikun e Korçës” të vitit 1879 shënohet se “Korça, ky çiflig i vogël quhej atëherë Episkopi, që me zi përbëhej nga rreth 15 shtëpi çifçinjsh, të cilët më vonë me testamentin e tij Iljaz Beu i ngrit në rangun e vakëfeve.
Në fakt, Korça dhe Peskëpia kanë qenë që para sundimit Osman dy vendbanime të afërta që u bashkuan në një, siç duket aty nga fillimi ose mezi i shekullit XVIII.
Në Vakëfnamenë e Iljaz Beut, e vitit 1505 theksohet fshati Peskopje, në vartësi të Gorrixhes (Korçës). Sipas Nuçi Naçit para vitit 1487, Korça ka qenë një fshat i vogël me 5-10 shtëpi dhe quhej “Peskëpi”. Kujtohet dhe një kishë me emrin Shën Parasqevie(Shën e Premtja).

Puna e parë që Iliaz Beu bëri në Korçë ishte ngritja e tempullit të tij, Xhamisë së Mirahorit. Ky objekt i njohur, vepër i tij, sipas mbishkrimit në gurin e portës i takon viteve 1495-96.

Xhamia e Mirahorit në Korçë përfaqëson një nga ndërtimet më interesante të gjinisë së tij në vendin tonë. Ajo ka sallën qendrore të lutjeve, e pasur me piktura muzeale dhe me mafilin mbi portën e hyrjes. Mbulesa e sallës kryesore është një kupël sferike veshur me plumb. Në hyrje ka hajatin, edhe ai i mbuluar me kupël e veshur me plumb.
Minareja e xhamisë është rrëzuar nga tërmeti i pas luftës së dytë botërore dhe pret të ringrihet gjatë vitit 2006. Prapa xhamisë ndodhet tyrbja e Goxha Mirahorit.
Iljaz Bej Mirahori, gjithë pronat e tij i ktheu në “Vakëfe” që ishin “Pasuri e tundshme ose e patundshme dhe toka në prona të institucioneve fetare myslimane, të dhuruara nga sulltanët, feudalët e mëdhenj ose besimtarët. Kthimi në vakëf i çdo pasurie bëhej me anën e një akti gjyqësor të hartuar nga kadiu, që quhej “Vakufname”.
Është e njohur vakufnameja e Iljaz Bej Mirahorit e datës 5 shkurt 1505.
Këtu përmenden gjithë pronat e tij si në Kostandinopojë ashtu dhe në katundin Peskopie dhe në malësinë e Korçës rreth fshatit Panarit, të cilët edhe sot njihen me emërtimin krahina e Vakëfeve.
Në këtë dokument shënohen qartë të gjithë veprat e ngritura prej tij si xhami, hamame, minaret, depo, furra, hane, etj. Për administrimin e pronave të tij vakëfe, ai caktoi “Myteveli”-administrator, kujdestari i vakëfit që zbatonte në shpërndarjen e të ardhurave të vakëfit të gjitha kushtet e caktuara në vakëfname. Detyra e myteveliut ishte e trashëgueshme. Akoma sot në Korçë e Tiranë jetojnë pjesëtarë të familjes Myteveli, administratorë të vakëfeve të Iljaz Bej Mirahorit. Kur u kthye në Shqipëri Iljaz Beu kreu dhe funksione politiko –administrative.
Për një pjesë kohe ai qe emëruar nga Sulltan Bajaziti II Sanxhakbej i Janinës, një nga njësitë administrative të njohura të Perandorisë Osmane në atë kohë. Sipas Sami Frashërit, Iljaz Bej Mirahori ka vdekur në vitin 1501. Nuk dihet nëse ky dokument është shkruar pas vdekjes së tij, bazuar në testament.
Ai është varrosur në Tyrben me emrin e tij prapa xhamisë së Mirahorit. Në këtë tyrbe ndodhen tri varre. Në mes ndodhet varri me eshtrat e Iljaz Bej Mirahorit, djathtas tij ndodhet varri i djalit, ndërsa në të majtë është varri i gruas së tij. Në hajatin e tyrbes kanë qenë varrosur gruaja e tij e dytë (mulate) dhe shërbyesja. Për të gjithë këto të dhëna falënderoj nënën time, Muhazes Pojani (Shtylla), familja e së cilës duke banuar shumë kohë në lagjen pranë xhamisë, ka pasur lidhje të hershme me këtë objekt të njohur kulti në qytetin e Korçës.
Objektet më dinjitoze të lidhura me emrin e Iljaz Bej Mirahorit, Imrahor xhamia në lagjen Jedikule të Stambollit dhe xhamia e Goxha Mirahorit në vendlindjen e tij Korçë, (Goxha- i respektuar, i madh) janë monumente kombëtare. Në Stamboll Manastiri Studios –xhamia Imrahor është objekt mjaft i vizitueshëm, me një pllakë bronzi me emrin e tij në hyrje të muzeut. Nën administrimin e muzeut me përmasa botërore të Shën Sofisë, objekti ruhet në gjendjen e monumentit rrënojë pa çati, me elementë të qartë të arkitekturës bizantine dhe osmane. Ajo përfaqëson një vepër të rëndësishme dhe të respektuar nga zyrtarët dhe banorët e lagjes Jedikule të Stambollit të madh. Edhe xhamia e Goxha Mirahorit në Korçë si monument kombëtar mbrohet me ligj nga shteti shqiptar. Ai mirëmbahet nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe gjatë vitit 2006 është ringritur minarja e xhamisë me fondet e shtetit shqiptar.

Studimi i veprës së Iljaz Bej Mirahorit si një udhëheqës ushtarak i Perandorisë Osmane të shekullit të XV dhe si themelues i qytetit të Korçës përbën një detyrim për studiuesit tanë. Kjo edhe për të pasuruar listën e emrave të mëdhenj që historia e Shqipërisë ka nxjerrë gjatë shekujve për të mbushur faqet e saj. Duhet përgëzuar iniciativa e intelektualëve dhe njerëzve të thjeshtë nga krahina e vakëfeve, që kanë krijuar Shoqërinë Vakëfet me gazetën e saj “Tradita”. Ata kanë të drejtë të krenohen me birin e madh të trevës së tyre,i cili me gjithë ofiqet dhe privilegjet që kishte në Stamboll preferoi të kthehej në vendlindjen e tij. Këtu Iljaz Bej Mirahori ngriti shumë vepra bamirësie duke i qëndruar pranë njerëzve të thjeshtë. Shpirti i tij i madh, bamirësitë që ai bënte dhe patriotizmi i tij e kanë ngritur figurën e tij në rangun e një shenjtori. Tempulli i Studios në Jedikule të Stambollit dhe Tyrbja e tij në xhaminë e Korçës përfaqësojnë vende të shenjta të respektuara nga të gjithë. Korça duhet ta ketë për nder një themelues- figurë historike siç është ajo e Goxha Iljaz Bej Mirahorit.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Për shkrimin e Prof Dr Valter Shtylla.
    Turqia e mori peng e beri muhamedan Turk dhe e komandoj për ato që beri Ilia Mirahori, orthodhoks nga Panariti. Shkrimi i Zotit ,Prof Dr Valter Shtylla duhet lexuar me kujdes dhe interpretuar midis rreshtave. Politika e Turqisë në shekuj ka qënë çkombëtarëzimi i shqiptarëve dhe e arriti në një masë të konsiderueshme , atë desh të bënte dhe Italia Fashiste pasi pushtoi Shqipërinë.Shqipëria është Europiane, është Evropë me një popull nga me të vjetrit në botë. Ashtu është përpjekur dhe korofillaqia Greke dhe ka ndikuar jo pak mbi popullsinë orthodokse .Por ne, duhet të mbajme lart krenarinë shqiptare dhe të nxjerrim në pah supremacinë e këtij populli dhe kombi nga më të vjetrit në Europë.

    Përgjigju ↓