KULTURË

Alfred Bualoti: Teatri Kombëtar nuk bëhet me dhunë, të zgjidhet projekti më i mirë mes disa variantesh

13:50 - 23.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Prej ditës kur kryeministri Edi Rama ka prezantuar projektin për Teatrin Kombëtar, zërat kundër modelit kanë qenë disa. Jo doemos me modelin, artistët kanë kundërshtuar modelin e Partneritetit Publik Privat, për ndërtimin e godinës.




Duke kërkuar qoftë të pritet më gjatë, derisa të sigurohen të ardhurat, ose duke shpallur nisma për sigurimin e një shume parash nga populli për ndërtimin e një Teatri Kombëtar, aktorët janë bashkuar në një Aleancë për Mbrojtjen e Teatrit për të kundërshtuar projektin e qeverisë. Emra të njohur nga Robert Ndrenika, Bujar Asqeriu, Afben Derhemi, Ndriçim Xhepa, Roza Anagnosti e të tjerë kanë kundërshtuar në forma të ndryshme projektin që kërkohet t’u imponohet, edhe pse u qe premtuar se do të hapej një konkurs me disa projekte, mes të cilëve do zgjidhje më i miri. Nuk u hap një konkurs, përkundrazi, ishte shefi i qeverisë që doli me një projekt të përzgjedhur prej tij (nuk dihet kur u porosit, as nga kush u porosit, as si u ra dakord) me të cilin artistët u njohën si me një projekt të përfunduar.

Prej asaj dite, në forma të ndryshme, artistët kanë qenë kundër. Ka pasur sigurisht edhe emra pro shembjes së TK dhe pro projektit të ri, por këta kanë qenë më të pakët. Ajo që duket jashtë këtij procesi, duket Ministria e Kulturës që në gjithë këtë kohë, së paku publikisht ka qenë vëzhguesi e jo aktori në çështje.

Sot “Gazeta Shqiptare” sjell intervistë me Alfred Bualotin për çështjen e teatrin. Regjisori refuzon të pranojë një projekt të ofruar përdhunshëm si të vetmen mundësi.

-Si e keni parë debatin për çështjen e Teatrit Kombëtar?

Siç e dini, unë nuk kam folur deri tani për çështjen e Teatrit, edhe pse nuk e kam ndjekur nga afër duke mos qenë në Tiranë. Nuk mund të them se kam ndonjë gjë në mënyrë konkrete.

Por, unë si Alfred, sigurisht duke qenë mjaft gjatë në atë teatër, i di gjithçka se çfarë ndodh së paku me godinën e tij. Thënë kjo, di po ashtu çdo gjë që lidhet me historinë e tij. Historia është tjetër gjë, historia është e madhe, ka qenë gjenezë e disa institucioneve, për ç’arsye edhe mund ta ruash në muze, mund të bësh shumë gjëra, por ai teatër nga pikëpamja teknike, nga pikëpamja e infrastrukturës, ai teatër duhet të rrafshohet pa diskutim.

-Flisni për gjendjen?

Po, ai teatër nëse flasim për gjenden e tij, nuk vlen më asnjë grosh. Por, po flasim vetëm për nga infrastruktura, sidomos për çfarë kërkon koha sot, me çfarë kërkon teatri sot, ai teatër nuk plotëson asnjë kusht. Asnjë kusht nga çfarë kërkon spektatori i sotëm, sepse bota ka ecur para. Nuk jemi më në vitet ‘60, ‘70 që bënim teatër siç bëhej. Sigurisht ishte i mirë teatri i asaj periudhe, por u mbyll, iku. Tani ka ecur përpara. Në shumë gjëra, edhe teknikisht. Pra, duhet bërë ai teatër, duhet ribërë. Kur flasim se si duhet ribërë, hajde të flasim e ta hedhim me konkurs.

-Si ju është dukur projekti i prezantuar nga qeveria?

Nuk po flas për të. Nuk më intereson të shoh një projekt të vetëm, një projekt i përdhunshëm, që të thonë, ‘është ky projekt dhe nuk ka më’. Absolutisht. Unë jam për t’u hapur një konkurs, për të pasur disa variante dhe vetë specialistët me në krye kë të doni ju nga teatri, të vendosin që cili variant është më i miri për Teatrin Kombëtar. Maks Velo e ka shprehur këtë me sa di unë, Stefan Çapaliku po kështu. Janë disa njerëz që janë marrë me këto çështje dhe janë në kontakt edhe me Europën dhe dinë çfarë thonë.

-Duhet të jenë disa projekte?

Duhet të jetë një konkurs i hapur me 3-4, 2 ose 5, a më shumë studio të shquara arkitekture, ku mund të jetë edhe një studio shqiptare pse jo, me një projekt për teatrin.

-Duhet të jetë një projekt shqiptar?

Ne kemi arkitektë shumë të mirë. Le të mendojnë dhe le të shohim se si mund të bëhet teatri. Pastaj, një teatër i vërtetë kombëtar, në kuptimin e ndërtesës e të siguracionit e të sallave nëse do të ketë disa salla brenda; në kuptimin e ambienteve, apo të muzeut, sepse duhet të ketë një muze brenda për të ruajtur kujtesën. Nëse do të ikë ajo godinë e vjetër, duhet të ruhet diçka siç kanë teatrot e tjerë.

-Nëse do ndërtohet një Teatër Kombëtar, si duhet të jetë?

Nëse doni referenca nuk është për t’u çuditur. Referencat i keni në Shkup, i keni në Podgoricë, i keni në Beograd, i keni në Kroaci, i keni ku të doni. Nuk keni nevojë të shkoni më tutje, nuk keni nevojë të shkoni në Perëndim, a ku di unë edhe më larg. Se ka shumë që marrin referenca Broduejin e Nju Jorkut. Ky nuk është një rast që merret për bazë.

Ne po flasim për një vend siç jemi ne, siç janë fqinjët tanë, siç është rajoni ynë, siç ka një kulturë, një histori e një filozofi të vetën e një karakter të vetin. Eja ta ndërtojmë teatrin mbi këtë bazë. Ne nuk ia kalokemi dot Maqedonisë, që ka bërë një teatër me 30 milionë euro? Kam qenë në atë ndërtesë e kam parë shfaqje, është një mrekulli. Nëse nuk e bëjmë dot ashtu, le të bëjmë diçka po aq të mirë, në një farë mënyre të tillë. Pastaj, se çfarë do të bëhet pas teatrit a para teatrit, nuk më intereson fare.

Dua të di vetëm çfarë do bëhet me Teatrin Kombëtar, cila është godina që do të ketë ai.

-Çështja e PPP-ve ka qenë tejet e debatuar. Artistët kanë frikë për humbjen e truallit, ju si e shihni këtë?

Unë nuk di të them a humb truall teatri a jo. Mua, te ky variant a te një tjetër, ajo që më intereson, është të dalë në pah Teatri Kombëtar dhe më pas konfigurimi pas tij, a në krah të tij. Dua që të ketë një teatër kombëtar të mirë. Atë projekt e pashë shkarazi. E pashë si dhunë, është ky e s’ka tjetër, por unë nuk mundem ta pranoj me dhunë. Sepse nuk mund të thotë askush ‘është ky e nuk ka tjetër’. Secili duhet ta japë një mendim për një çështje të rëndësishme si teatri. Nuk bëhet kështu, ky është dhe nuk ka tjetër, ky është e vrisni veten. Për këtë nuk jam. Jam që të ndërtohet diçka e bukur, diçka funksionale, diçka që i përket kohës dhe të zgjedhin më të mirën mes disa varianteve ata.

-Ju mbani mend edhe debatin e 20 viteve më parë. Përsëritet e njëjta situatë, apo jo?

Ajo e 1999-ës ishte diçka që nuk e kam kuptuar fare, sepse ajo shkoi në një rrokopujë të tmerrshme. Erdhën e vetëm thanë do ndërtohet. Do futet teatri brenda në kullë, a do dalë teatri nga kulla – ishte një rrokopujë që nuk ka më rëndësi. Ajo ishte një gjë që nuk duhet përmendur e nuk duhet kujtuar fare. Ajo ashtu shkoi, ashtu shkoi siç filloi, edhe mbaroi. Nuk u bë asgjë. Tani kjo ka hapur një debat, hajde ta rikthejmë e ta bëjmë si duhet.

-Artistët kanë kritikuar sjelljen e kryeministrit, e kanë cilësuar fyese…   

Absolutisht ishte i dhunshëm për mua. Absolutisht i dhunshëm. Nuk duhej kështu. Nga njëra anë ai ka futur konkursin, që çdo gjë duhet bërë në konkurs e nga ana tjetër nuk ka konkurs për teatrin. Nuk po bëjmë bibliotekë në një lagje të Tiranës. Po flasim për një problem të rëndësishëm, kombëtar, ndaj pse të mos ketë konkurs? Pse duhet të ketë dy lloje sjelljesh?

Duhet të jetë një godinë që t’i shërbejë një shekulli a më shumë. Ka shtete që kanë teatro prej shekujsh, ne po flasim që të ndërtojmë një teatër që të mund të rezistojë me shekuj dhe të mendohet për një gjë të mbarë dhe të mendohet për këtë çështje më parë.

Do të kishte studio që do të ishin shumë të interesuara të ofronin projekte për teatrin, jam i bindur për këtë. Nuk ka më vende që kanë mbetur pa ndërtuar teatër kombëtar. Teatrot janë ndërtuar në të gjitha shtetet, ndaj studiot do të jenë të interesuara të japin kontributin e tyre për një teatër që do jetonte me shekuj. Mezi e presin këtë.


Shfaq Komentet (2)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Urgjentisht duhet te ripikturohet mbi kanavacen, paqartesisht te cmueshme, “Mbjellja e Pemeve” te Edi Hiles! Propozoj qe mbi te pasi ta kemi kruar e zhdukur teresisht, tja japim ne perdorim Gerhard Richterit, i cili do tja dhuroje me pas Muzeut te Ri te Arteve te Shqiperise. Jam i bindur qe te gjithe do ta pranonin kete propozim – edhe vete autori…Une nuk mund te pajtohem me qendrimin e aktoreve te Teatrit. Ata pandehin se jane akoma ne skene dhe riperserisin te vetmin Akt qe njohin. Tashme duhet nderruar strategjia. Taktikat qe realizojne Aktin nuk mund te jene perseri te njejtat dhe mbi te gjitha nuk mund te luhen me ne Teater. Aktore dilni nga skena e Teatrit, luani rrolin tuaj historik dhe mbroni Godinen e pazevendesueshme te Teatrit Kombetar.

    Përgjigju ↓