OPINION

Demonstrata e 26 marsit 1990 në Kavajë, ngjarje që meriton mirënjohje

07:30 - 26.03.18 Xhevat Mustafa
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

…Atyre që bënë demonstratën e 26 marsit 1990 në Kavajë, të gjithë shqiptarëve që kishin dhe kanë ëndërr dhe dëshirë zemre demokracinë e vërtetë dhe Shqipërinë europianoperëndimore, të përafërt me Zvicrën, nuk u mbetet alternativë tjetër, veçse të mendojnë për 26 marse të tjerë, për një PD tjetër, për një PS tjetër, për një Demokraci tjetër, për një Shqipëri tjetër




Për objektivitet dhe saktësi do t’i referohem në këtë shkrim kujtimeve të shkëputura nga libri i Rexhep Rrugejës, “Stadiumi ‘Besa’ dhe ngjarjet e 1990 në Kavajë” si dhe të Gëzim Çelhykës, organizatorë dhe pjesëmarrës aktivë në këtë demonstratë e përgjithësisht në lëvizjen kundër diktaturës dhe për demokraci në Kavajë.

28 vjet më parë…

Rexhep Rrugeja: “…Më 25 mars 1990 zhvillohet ndeshja midis “Besës“ dhe “Partizanit“. Sipas vendimit, që ishte marrë 10 ditë më parë, çdo i ri demokrat, do të mbante me vete veprat e Enver Hoxhës dhe mjete mbrojtjeje. Po sipas vendimit, në minutën e 80 të gjithë tifozët në stadium do ngriheshin në këmbë me sinjalin e parë. Dhe me të vërtetë, i tërë stadiumi, me mijëra qytetarë, u ngritën në këmbë, duke grisur veprat e Enver Hoxhës publikisht. Pastaj shpërthyen thirrjet: Poshtë komunizmi! Enver Hitler! Poshtë diktatura! Liri Demokraci! I tërë populli këndoi në një kor të vetëm: “O djem rrëmbeni pushkët, ja vdekje ja liri, se mjaft në robëri.”

I riu Betim Misiri, çau kordonin e policisë dhe u fut në mesfushë, për të ngritur dhe mbajtur lart moralin. Ndërsa populli këndonte këngë patriotike, policia e veshur me skafandra, me armë zjarri, e ndihmuar nga oficerët e sigurimit, u sulën me egërsi drejt demonstruesve.

Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme urdhëroi edhe kameramanin e Televizionit që t’i ndihmonte për identifikimin e autorëve dhe organizatorëve. Për reprezalje dhe frikësim policia gjakosi dhe burgosi dhjetëra të rinj.

Si kundërpërgjigje të reprezaljeve të policisë dhe burgosjes së shokëve, të cilët u torturuan, qendrat drejtuese të demonstratës morën vendim unanim që më 26 mars 1990 të bëhej një demonstratë tepër e fuqishme. Sipas vendimit, bashkimi i demonstruesve do bëhej tek parku i qytetit të Kavajës, në orën 5 pasdite. Qazim Kariqi kishte lajmëruar Ndërmarrjen Elektrike, që në orën 7 të fikeshin dritat. Disa qindra të rinj u grumbulluan para godinës së policisë me thirrjet: Vrasës lironi shokët tanë! Aty dëgjoheshin edhe thirrjet vajtuese të nënave dhe motrave të djemve të Kavajës, që protestonin për bijtë e tyre. Të rinjtë goditën me gurë policinë, sulmuan godinën dhe makinave përreth iu vu zjarri. Policia u struk nëpër bodrume.

Pas 15 minutash demonstruesit shkuan tek Komiteti i Partisë, duke e vazhduar protestën e tyre edhe më me guxim dhe vendosmëri.

Të ndarë në disa grupe, krahshtërnguar, ata manifestuan nëpër qytet me parulla kundër komunizmit. Çaste më emocione të jashtëzakonshme! Të bëhej zemra mal tek shihje këto djelmosha krahshtërnguar, që për liri dhe demokraci, po rrezikonin edhe jetën e tyre rinore. Sërish populli u bashkua me demonstruesit.

Me 27 dhe 28 mars 1990, Sigurimi i Shtetit arrestoi dhjetëra të rinj dhe i torturoi në polici. Tortura të tmerrshme provuan Fatmir Veliu, Qazim Kariqi, Vasil Duro, Jak Shtini, Xhevat Hylviu, Tahir Okshtuni, Rexhep dhe Ilir Rrugeja, etj, të cilët i dërguan në hetuesinë e Durrësit. Sërish natën e 28 marsit e deri në mëngjes, qindra gra, vajza, prindër të familjeve të arrestuara dhe banorë të tjerë të qytetit protestuan tërë natën para Degës së Punëve të Brendshme. Britmat e nënave dhe vajzave me të qarat e tyre dëgjoheshin shumë larg. Nga plot zëra u dëgjuan edhe thirrjet: “Kriminelë, ju ka ardhur fundi. Lironi fëmijët tanë!“

Në Durrës, bazuar në thëniet e të rinjve demokratë të burgosur, i torturojnë, duke përdorur edhe pistoletën elektrike. I lejnë pa bukë, pa gjumë, duke u kërkuar me çdo kusht organizatorët. Xhelatët e kuq, kur e panë se as torturat fizike dhe psikike nuk i nënshtruan të rinjtë demokratë, i dënojnë me burgime me aktakuzën: “Agjitacion e propagandë, përmbysje e pushtetit me dhunë, dhunim me forcë i Degës së Punës së Brendshme dhe i Komitetit të partisë“. Vuajtjet e këtyre të rinjve qenë edhe më të tmerrshme. Disa prej tyre u liruan prej burgjeve në prag të fitores së Demokracisë me 22 mars 1992. Lajmet që përhapeshin për Kavajën dhe shprehjet “ç‘po bën Kavaja”, “presim nga Kavaja” ishin shumë domethënëse… “

Gëzim Çelhyka: “ …Demonstrata e 26 marsit u udhëhoq nga trimat Qazim Kariqi, Tahir Okshtuni, Dik Ejupi, Idriz Kazazi, Xhevat Hylviu, Jak Shtini, Nik Gjoni, Art Pagria, Arjan Musaj dhe plot të tjerë, që meritojnë një obelisk nderi e lavdie, ku t‘u shkruhen të gjithëve emrat me germa të arta. Nga të gjitha lagjet e Kavajës, mendoj rreth 200 veta, guxuan dhe marshuan drejt policisë në revoltën e paparë në historinë e diktaturës. Demonstruan pa u frikësuar nga forcat dhe armët e shumta të policisë dhe atyre speciale dhe i dhanë të gjithë Shqipërisë mesazhin se kishte ardhur koha që ky regjim duhej shembur. Kambanat që gjëmuan fort dhe gjatë në Kavajë më 25 e 26 mars ishin preludi i lirisë dhe demokracisë. Në arshivat sekrete të prokurorisë e të ministrisë së punëve të brendshme protesta e 26 marsit përshkruhet: “…Nga analiza e të gjitha të dhënave arrijmë në përfundimin se ngjarja është rrjedhojë e një pune armiqësore të organizuar. …Prandaj, qysh të nesërmen erdhën në Kavajë urgjentisht nga Tirana drejtues të lartë të Partisë së Punës dhe të qeverisë së saj. Mes tyre edhe zëvendës ministri i punëve të brendshme, Zylyftar Ramizi…“

Pas 28 vjetëve…

Tani pas 28 vitesh, organizatorët dhe pjesëmarrësit e kësaj demonstrate, si dhe shumica e popullit të Kavajës, që i mbështeti me zemër, me siguri, krahas respektit, mirënjohjes, krenarisë ndiejnë edhe zhgënjim e keqardhje. Dëshira dhe sakrificat e tyre për Demokraci të vërtetë, për Shqipëri të standardeve të përparuara europiane në zhvillimin ekonomiko-social, në treguesit e punësimit, pagave, pensioneve, të mirëqenies në përgjithësi, mund të thuhet se nuk dhanë frytet e pritura. Ato u keqpërdorën dhe u shfrytëzuan ose nga kundërshtarët e tyre më 25 e 26 mars dhe 10 korrik 1990, më 22 mars 1992, ose nga njerëz, që bënë spektatorin apo që kishin kontribuar fare pak për shembjen e komunizmit dhe fitoren e demokracisë. Aktualisht në majën e piramidës politike dhe qeverisëse në Shqipëri janë bij e bija, nipër e mbesa, dhëndurë e nuse të figurave kryesore të ish- diktaturës enveriane apo ramiziane. Mjafton të kujtohet se Edi Rama, nipi i Spiro Kolekës, është prej më shumë se 4 vjetësh kryeministër i Shqipërisë, se djali i Sulejman Bushatit është ministër i Jashtëm, se Gramoz Ruci është kryetar i parlamentit, Fatmir Xhafaj ministër i Brendshëm…

Tani pas 28 vjetësh mund të kuptohet edhe më mirë se si janë shpërblyer Kavaja dhe Shkodra, si arenat e para të kundërvënies masive ndaj diktaturës komuniste dhe për kontributin historik të tyre për fitoren e demokracisë. Jo rastësisht, por nënkuptueshëm për hakmarrje, këto dy qytete kanë nivelet më të larta të papunësisë e të varfërisë. Duke iu referuar faktit se Shkodra përjeton çdo vit edhe përmbytje masive nga shirat, nga Buna dhe hapja e urdhëruar e portave në digën e Liqenit të Vaut të Dejës, mund të mendohet se urrejtja dhe hakmarrja ndaj Shkodrës janë edhe më të forta. Gjithsesi, mesazhi që u jepet nga lart, nga politika dhe nga pushtetarët, kavajasve dhe shkodranëve, është lehtësisht i kuptueshëm : “Deshët demokraci, ja kjo është demokracia që meritoni! Vuani tani!“

Sidomos gjatë periudhave të qeverisjes nga e majta, meritat dhe kontributi për rrëzimin e komunizmit dhe fitoren e demokracisë, në vitet 1990-1992, nderimi si “Pishtar i demokracisë“ dhe si themelues apo militant i PD-së, për plot prej këtyre ka sjellë më shumë të këqija se sa të mira. Përmbledhur shkurt fare: harresë, mosmirënjohje, papunësi…Kjo mund të interpretohet edhe si persekutim politik në një formë të re, pak më të butë. Por, duke u thelluar në analizë, mund të dalë edhe mesazhi tjetër kërcënues, me adresë nga e majta: “Bëhuni rilindas, hidhini në koshin e plehrave teserat e PD-së, dëshmitë dhe dekoratat e “Pishtarit të Demokracisë“. Përndryshe, e merrni me mend se çfarë ju pret!“. Po kaq trashë fshihet edhe mesazhi tjetër: kështu “Rilindja“ jonë bëhet edhe më e plotmbështetshme, e plotpushtetshme, e parrëzueshme, si partia e Putinit në Rusi, si partia e Erdoganit në Turqi…“

Nga ana tjetër, PD-ja është shumë larg vetvetes së Dhjetorit 1990 e të 22 Marsit 1992 dhe shpresave e pritshmërive ndaj saj. Edhe katandisja e PD-së në këtë gjendje mjerane, sa të dëgjohet masivisht shprehja e fabrikuar dhe ratacion-varrosëse se “të dy palët janë njësoj“, si motra binjake dhe rikthimi i Berishës, nuk është e rastësishme. Natyrisht nuk ishte as e pashmangshme. Merret me mend se është investuar pa kursim dhe është punuar me zgjuarsi e vazhdimësi për ta rrënuar e për ta marrë kalanë e saj nga brenda. Ky investim është bërë edhe nga brenda vetë PD-së, nëpërmjet “kuajve të Trojës“ apo “mishrave të huaj“, të futur me shumicë gjatë fushatave të ripërtëritjes, me firmën apo nën hundën e Berishës e të Lulzim Bashës. Plot prej këtyre, edhe me pseudonime të vjetra, u mbështetën dhe arritën të bëhen drejtues të lartë, ministra, deputetë, kryebashkiakë, zyrtarë të të gjitha niveleve…U pa dhe kuptua shpejt, por nuk u reagua me kohë dhe vendosmërisht për t’i flakur si misionarë apo dënuar si të korruptuar e të interesuar kryesisht për përfitimet e tyre vetiake, familjare e klanore…

Në këto kushte, atyre që bënë demonstratën e 26 marsit 1990 në Kavajë, të gjithë shqiptarëve që kishin dhe kanë ëndërr dhe dëshirë zemre demokracinë e vërtetë dhe Shqipërinë europianoperëndimore, të përafërt me Zvicrën, nuk u mbetet alternativë tjetër, veçse të mendojnë për 26 marse të tjerë, për një PD tjetër, për një PS tjetër, për një Demokraci tjetër, për një Shqipëri tjetër…


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. te dhjefsha demostraten,te dhjefsha banditet,hajdutet e trenave,qe e bene shqiperine rrumpalle hajdutesh e kriminelesh.Asnje respekt per demostratat e rrugaceve.

    Përgjigju ↓