KULTURË

Artistët tubim kundër shembjes së Teatrit/ Suela Konjari: Situata më kujton komunizmin që shembi kisha e xhami

14:00 - 27.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Artistët janë mbledhur dje para Teatrit Kombëtar për të kundërshtuar shembjen e tij. “Rama të ndiqet penalisht” tha Rudi Sata, kryetar i Sindikatës së Artistëve dhe Punonjësve të TKOBAP.




Ai ka bërë thirrje që kryeministri Edi Rama të ndiqet penalisht, ndërsa ka deklaruar se nuk do të lejohet që të shembet Teatri Kombëtar. Dëgjesa e artistëve u bë në oborrin para Ministrisë së Brendshme mes dy godinave të Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental.

Gjatë dëgjesës me artistë dhe qytetarë pasditen e djeshme ishin të pranishëm edhe arkitektë. Kreshnik Merxhani dhe Arben Biçoku janë solidarizuar me artistët duke kërkuar më shumë transparencë. Merxhani u shpreh se “Ideja se restaurimi i godinave është më i shtrenjtë, se ndërtimi nga e para është një mit. Nuk mund të shfuqizohet godina e TK pa transparencë”-tha ai. Shkrimtari Behar Gjoka tha se “Një qytet pa teatër është si një njeri pa gojë. Si ka mundësi që ministrja Kumbaro nuk di që ka projekt, kur ai është prej vitesh në kokën e Ramës”. Ndërsa regjisori Bujar Kapexhiu ftoi Ramën që të tërhiqet nga vendimi për të shembur teatrin. “Miku im, tërhiqu thuaj s’ do të shembet. Tërheqja është zemërgjerësi, të presim”. Aktori Arben Derhemi është shprehur se artistët nuk do të lejojnë që të shembet teatri. “Teatri Kombëtar nuk do të shembet”-tha ai. Një pjesë e aktorëve e kundërshtojnë vendimin për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe projektin e ri që u prezantua pak ditë më parë nga kryeministri Rama.

SUELA KONJARI
Aktorja Suela Konjari tha për “GSH” se është një histori 20- vjeçare kjo që sot po rijetojmë. “Projekti i Teatrit, siç e dimë të gjithë u prezantua nga zoti kryeministër në kryeministri përpara një grupi artistësh të përzgjedhur. Gjithë ne të tjerët u njohëm nga media”,-tha Konjari. Ajo theksoi se teatri është aset kombëtar, i shërben e i përket të gjithëve.
“Mendoj që është detyrë e qeverisë të marrë (jo të njoftojë apo të vërë në dijeni) mendimin jo vetëm të artistëve, por duke e konsideruar vlerën reale të këtij problemi, të marrë mendimin e komunitetit, të bëjë një referendum popullor”, – tha aktorja e njohur.
Në prononcimin e saj për “GSH” Suela Konjari tha se teatri është pasuri kulturore e historike. “Të prishësh Teatrin, t’i vësh kazmën godinës, mendja të shkon në vite të errëta kur prishën kisha e xhami…. Mendoj që ne shqiptarët tani më shumë se kurrë, nuk e kemi luksin të prishim …”

Konjari tha se do jetë mrekulli të ndërtojmë një Teatër të ri, por pa prishur këtë ekzistues, pa zhbërë e fshirë memorien e historisë! “Ky teatër është tempull i historisë së artit shqiptar! Në këtë Teatër është fryma e korifenjve të skenës sonë. Unë personalisht do ndjehesha zemergëzuar që Teatri i ri të ketë vulën e arkitekteve shqiptarë. Pra unë jam që ky Teatër të mos shembet, por të rikonstruktohet! Të ndërtohet dhe një teatër i ri, do ishte mrekulli!”, sqaroi Konjari për “GSH”.
Sipas saj, teatri ekzistues është memorie historike e kulturore! Si e tillë do ruajtur me kujdes e shumë dashuri!

AHMET PASHA
“Që kur kam ardhur në fillim në teatër, në vitin 1970, që jam emëruar, siç ishte në atë kohë, ka qenë ideja për të bërë një godinë të re, sepse që në atë kohë, kjo si godinë trajtohej si e amortizuar”,-tha Pasha. Kur filloi për herë të parë debati për shembjen e kësaj godine ekzistuese, Pasha ka qenë në mbrojtje të kauzës së teatrit, së bashku me emra të mëdhenj të skenës. “Ka filluar që në vitin 1999. Që atëherë ka qenë ideja për t’u prishur kjo godinë. Natyrisht në atë kohë kanë qenë njerëz të tjerë në krye të asaj pune. Kanë qenë emra të mëdhenj të teatrit si Vangjush Furxhiu, Agim Qirjaqi, Roland Trebicka. Unë kam qenë kryetar sindikate, natyrisht isha edhe unë në krye të kësaj pune”,-u shpreh ai. Ndërsa sot artistët nuk janë në një zë, por edhe një qëllim i përbashkët. “Për këtë rast duhet të ishim të gjithë një mendje. Për një godinë të mirë, të re, të teatrit të ri. Teatri ka gjithë jetën që po e vuan. S’ka një godinë, qoftë për veten e vet, qoftë edhe për spektatorin që mbaj mend këto 15-20 vite nuk e ka hequr pallton e dimrit”,-u shpreh Ahmet Pasha. Një projekt i ri për një godinë të re tashmë ekziston, por për Ahmet Pashën pavarësisht se godina është tërheqëse, sërish duhen dëgjuar edhe arkitektët vendas. “Nga këto që shoh unë, projekti i Bujarit, krahu i Teatrit Eksperimental, të gjitha këto, mbase edhe ideja e shumë arkitektëve të tjerë, që deri më sot nuk janë prononcuar, do të sjellë diçka më interesante”,-tha aktori


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.