MILOSAO

Përtej kufirit të imagjinatës

14:00 - 29.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nëse do të njohësh peisazhin politiko-social të Kosovës, duhet të lexosh këtë esse të artistit të njohur kosovar. Trishtimi për vendin e tij, zhgënjimi për humbjen shumë herë kot të gjakut të martirëve dhe rruga pa krye e vendit, e bën të këlthasë fort shpirtin e Rexhep Ferrit. Mbetet shumë i këndshëm dhe i kursyer stili i tij…




Nga Rexhep FERRI –

1.
Në fund të shkretëtirës, e nxorën ligjin:
Nuk ka më ligj, as ligje për ta privatizuar Kosovën.
Tani kur kanë mbetur vetëm nevojtoret pa u privatizuar.
Gjatë luftës e pasluftës, çka ka ndodhur me ne nuk e din as djalli.
Zoti na ruajt.
Ne asgjë nuk dimë.
I varfri nëse vjedh, vjedh një pulë.
Dënohet për një pulë.
E këta sojlitë tanë të nderuar nuk po e dinë se kur është mjaft dhe ku është fundi.
Me famën e tyre patriotike kaluan kufirin e imagjinatës.

2.
Tani popullin e mori era.
E mbështeti për muri.
Pse jo!?
Për ta kuptuar nuk është e lehtë.
Edhe ata që ndërtuan kisha dhe xhamia na lanë kopilin te dera.
Për të adresuar një dalje nga kjo vetëvrasje na ka humbur shembulli i suksesit.
Duhet të punojmë: Të gjithë e dimë dhe askush nuk e di.
Për t’i thënë gjërat që janë të pamundura, ky lajm ndoshta është lajm i fundit. Nëse dikush pret një lajm tjetër, lëreni të shkojë të blejë drogë. Kur për mbretërinë e humbur çdo gjë bëhet e pabesueshme për aq sa mund të thuhet se jemi të vdekur, se jemi të gjallë.
-Truri nuk preket…
-Preket, preket! – tha një student nga Dardania, i cili tokën e donte më shumë se jetën.

3.
Kur gjithkushi vjen në pushtet, miku dhe armiku të tradhtojnë, pse të heshtim kur nuk besojmë.
Kur koha ndalet.
Kur asgjë nuk na kujtohet.
A ka bir nëne që del për ta ruajtur atë që na ka mbetur.
Për të gjetur një kuptim, ndoshta vetëm misticizmit të çmendurisë i rritet fama.
Pas çdo pyetje deri te mendja, ambasadori amerikan Donald Lu tha: “Unë kam pak kohë që rri në vendin tuaj. Në fillim më bëri përshtypje që çdo gjë që thonin ambasadorët, ju e merrnit për flori. Nuk kisha parë njerëz më të verbër në besim ndaj të huajve. Por pastaj kur pashë se ata që ju drejtojnë apo merren me politikë te ju, janë më të pashpirt se çdo i huaj dashakeq ndaj jush”.
Pas fjalës së ambasadorit për ta zbuluar botën e brendshme të njeriut. Gjithmonë kam pasur frikë dhe dilema për ta kuptuar mikun dhe armikun kur më pyesin:
-Çka të duhet Atdheu kur nuk din ta ruash!…

4.
Me rastin e 20 vjetorit të Masakrës së Reçakut, ambasadori amerikan, Viliam Voker, duke u përshëndetur me sojlitë tanë, u ndal e u tha:
-Këta, këtu të vrarët, nuk e kanë dhënë jetën për këtë Kosovë që është sot.
Duke bërë hapa prapa, dëgjova edhe një fjalë.
-Edhe një rrenë patriotike!
Me reagimin e fshehur përfundoi koha e besimeve.
Fjalët e Vokerit nuk ishin vetëm fjalë.
Kush të dojë le të thotë çka të dojë.
Çdo gjë që po shoh është dashur të jetë ndryshe.
Për të ruajtur atë që ka mbetur.
Jeta nuk është vetëm jetë.
Kur shikimi i njeriut hapë varre të reja, eshtrat e djegur ku t’i gjejmë?
Varret kanë mbetur ashtu të hapura, problemi nuk është se nuk ka kush ta kryejë ceremoninë e varrimeve, por pse nuk kemi se çka të varrosim.
Nën hijen e selvive skeletet e majmunëve qeshën…

5.
Nga inati dhe humbja e luftës së fundit dhe humbja e pasluftës së fundit, të larat dhe të palarat i kemi futur në një thes.
Më lehtë e më mirë se në çdo vend tjetër të Karaballkanit.

Tani Gjyshi i Gjyshit tim dhe Gjyshi i Gjyshit të Gjyshit tim shkojnë deri në qiell.
Me fjalë të famshme.
Po ku ti gjej ato fjalë të famshme?- me një kthim në vetvete e pyeta vetën.
Tani fjalët e famshme kanë hyrë në Parlament. Në Parlament që e kemi bërë Teatër të maskaradës Patriotike.
Po na mungon vetëm një çadër e madhe. Për ta mbuluar çfarë cirku kishte dalë.

6.
Loja të dua. S’të dua. Të dua. S’të dua…Për nesër është kohë e talljeve dhe e mashtrimeve.
Si ta quaj edhe ndryshe, më vjen prapë ta pyes vetën.
Me përgjigje të rrejshme po shkohet deri te legjenda.
Fluturoi bualli.
Prapë loja të dua. S’të dua.
Për hajgare. Hajgare…
Akuza banale.
Për tu bërë gazi i botës. Më shumë se gazi i botës.

7.
Për aq sa thuhet që jemi, larg rrethit miqësor, dëgjova një zë të huaj.
I thashë:
-Mos u ul në vend të huaj!
Ai qeshi.
Goja i mbeti pas veshi.
Edhe për këtë ngjarje Mbreti që i mungonte përgjegjësia e mbretit gjeti kishë e xhami ku të falet.
Duke u çmendur me realitetin e çmendur.
Populli gjithmonë ështe me Fat.
Pret ditë më të mira.
Duke luajtur disa role, çdo ditë e më shumë po i mungon gravitacioni.
A mërzitet kush?
Mendja na shkon më larg.
Për të shpëtuar nga përdhunimi dhe dhuna, mungesa e gravitacionit nuk e mundon askënd.

8.
Shqiptari duke krijuar mitin për vetveten ia thotë këngës.
Sa zgjat një javë.
Sa zgjat një vit.
Sa zgjat një shekull.
Një Zot e di !…
Koha e tyre nuk mund të kapet as për veshi e as për bishti.
Me vetullat e kalit qorr kalojnë Rubikonin.
Me një selamllëk për historinë e pashkruar.
Dikush pyeti :
-Çka do të thotë kjo ?
Prej lufte në luftë.
Çfarë fati.
Për të shpëtuar diçka nga trashëgimia as unë nuk mendoj për t’ia mbushur mendjen botës.
Le të dalë ku të dalë.
Mesi i artë ka zënë myk.
Për të gjallët e për te vdekurit.
Tani njeriu po i përshtatet besimit në djallëzi.
Ta shohim kujt po ia qetë.
A po çmendet ulurima e bishave apo njeriu.
Njeriu që është më afër Zotit.
Aty e atëherë kur frika e djeg shtëpinë. Me kulm në qiell e me jetë në tokë. Thua se është sot.
Historia vetëm përsëritet.

9.
Armiku i largët që rrin pak larg, nuk e di sa është i rrezikshëm.
Fjalë pas fjale heshtja e mbyll gojën.
Deri te mendja e fiton luftën.
Për të shpëtuar nga prostitucioni politik e patriotik, tani çmenduria është kompliment.
Edhe ajo që do të mbetet në kujtesën tonë do të kapet nga harresa.
Pa Zot e pa Flamur.
Idenë e kemi për ta shkruar një histori për çifteli.
Me të do ta ruajmë formën e jo përmbajtjen.
Edhe për ata që nuk dijnë asgjë.
Kjo histori e pashkruar kushton shtrenjtë.
Pas shkeljes së vijës së kuqe gjëja më e afërt është vdekja.
Vdekja te shtrati i Thatë i Lumit të Thatë kur mungon dashuria e Njeriut për Njeriun.

Prishtinë, mars, 2018


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.