OPINION

Pse deri në qershor as “Po”, as “Jo”?

07:30 - 02.05.18 Jorgji KOTE
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Padyshim që takimet e zyrtarëve tanë më të lartë dhe të huaj në Tiranë dhe në Evropë, fi ll pas Rekomandimit të Komisionit Evropian për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE, janë fare normale; madje dhe të dobishme për shpjegimin e qëndrimeve tona dhe ndërgjegjësimin e partnerëve mbi domosdoshmërinë e çeljes së tyre brenda këtij viti. Anormale është nxitimi, tendenca dhe trysnia politiko-mediatike e panevojshme për të« arkëtuar» vetëtimthi «PO»-në e çeljes së këtyre negociatave. Për pasojë, ky kryeobjektiv madhor rrezikon të kthehet më tepër në një « gjah dhe makth mediatik ».
Ndoshta një konferencë paraprake shtypi me median për këtë temë specifike dhe me shumë labirinte të panjohura do të kishte ndihmuar shumë për kuptimin e drejtë të realitetit dhe synimeve tona në këtë fushë.
Nisur dhe nga përvoja diplomatike gjatë 20 viteve të fundit në Tiranë, Berlin dhe Bruksel me këtë dosje, në shkrimin e datës 19 prill « Ja pse negociatat çelen sivjet » kemi treguar hapat, procedurat politike dhe teknike dhe 10 « pse-të » bindëse që mundësojnë çeljen e negociatave sivjet. Ndaj, më poshtë po shpjegojmë praktikisht pse deri në qershor, në përgjithësi vendet anëtare të BE-së nuk mund të na thonë dot zyrtarisht « as po, as jo »
Së pari, dhe kryesorja, vendimi zyrtar politik është ende ne procesin e formulimit, sepse rekomandimi i Komisionit Evropian ka vetëm dy javë që është dorëzuar. Sipas ligjeve dhe rregullave përkatëse, ai po kalon në « sitën » e shumë dikastereve dhe agjencive të çdo vendi anëtar, si dhe në parlamentet përkatëse; ky Rekomandim do të ballafaqohet dhe krahasohet me shumë burime të tjera të jashtme dhe të brendshme, derisa Ministrive të Jashtme, si koordinatore qeveritare t’u dorëzohet opinioni përkatës.
Mirëpo, marrja e këtij vendimi politik dhe teknik në vendet e BE-së fillon nga poshtë – lart dhe horizontalisht. Çka do të thotë se përjashtuar raste krizash dhe fatkeqësish natyrore, asnjë ministër i Jashtëm dhe kryeministër, madje as Merkel apo Macron, nuk mund të shprehen pa opinionin dhe oponencën e strukturave që ata vetë kanë ngritur, duke filluar nga referenti i ministrisë apo i një agjencie; ca më pak për këtë temë të « nxehtë » kur populistët/euroskeptikët mezi presin « municionin » për sulmin e radhës.
Ndërkohë, në këtë proces debatesh dhe diskutimesh brenda vendeve anëtare, këto të fundit nuk i ndalon kurrkush dhe kurrfarë ligji që Rekomandimit të Komisionit Evropian t’i shtojnë dhe ndonjë parakusht apo rezervë konkrete përpara çeljes së negociatave. Ndaj në shkrimin e lartpërmendur është argumentuar se pas vendimit përfundimtar nga Samiti i BE-së në qershor ose dhe në vjeshtë, për shkak të ndonjë rrethane të papritur, negociatat mund të fillojnë dhe në dhjetor. Vetëm ndonjë « çudi alla shqiptare » mund të prishë një « bast » të tillë politik.
Tjetër arsye pse vendet anëtare nuk thonë dot ende hapur « as po, as jo » është se shmangja e ndonjë irritimi dhe « xhelozie » te ndonjë vend tjetër hezitues, që mund të shtronte pyetjen « pse nuk pritët që ky problem të diskutohet sipas rregullave dhe procedurave në strukturat përkatëse të BE-së në Bruksel »?
E themi këtë, sepse, pas miratimit në kancelaritë e secilit vend anëtar, ky opinion, ende jo përfundimtar, do të kalojë në « filtrat » e tyre, por tanimë të formatit të Brukselit, duke filluar nga grupet e diplomatëve ekspertë që mbulojnë Ballkanin Perëndimor dhe Zgjerimin, Komitetin e Përhershëm të Ambasadorëve ( COREPER), takimin e ministrave të Jashtëm dhe së fundi, Samiti i BE-së më 28 – 29 qershor.
Kështu, opinionet e ndryshme të secilit vend anëtar i nënshtrohen një procesi intensiv debatesh dhe diskutimesh, ku deri në marrjen e vendimit politik nga Këshilli i 28 vendeve anëtare të BE-së bëhen dhe shumë lëshime e kompromise me frymë evropiane. Kështu funksionon BE-ja, jo me « një të rënë të shkopit»!
Veç kësaj, ky proces kompleks diskutimesh në Bruksel është tejet i rëndësishëm për të sqaruar dhe qetësuar këdo skeptik ose hezitues se nuk po kërkohet kurrsesi anëtarësimi në BE, të paktën deri në vitin 2025 apo më vonë, por vetëm çelja e negociatave. Një dallim i madh ky, sepse anëtarësimi në BE do të dojë shumë vite, kohë e mjaftueshme kjo për trajtimin e shqetësimeve dhe zgjidhjen e problemeve të njohura që po përmenden edhe tani si dhe plotësimin e deficiteve jo të pakta demokratike.
Në ndihmë të “të pabindurve” do të vijë dhe fakti tjetër se krahas “kulaçit” BE-ja ka në dorë dhe “kërbaçin”; çka do të thotë që, nëse gjendja dhe dinamika e negociatave nuk do të ecë sipas premtimeve dhe parashikimeve, atëherë BE dhe secili vend anëtar mund të kërkojë bllokimin ose pezullimin e tyre në çdo moment.
Argumenti i fundit bindës do të jetë përshkallëzimi i tentativave për një ndikim më të madh nga vende jashtë BE-së, duke rrezikuar parimet, vlerat dhe interesat e saj strategjike. Për rrjedhojë, edhe pesimistët më të këqij do të kuptojnë se shtyrja e negociatave nuk është alternative më e mirë lidhur me shqetësimet e tyre lidhur me reformat e BE-së, krizën e azilit, emigracionit, sigurisë, trafiqeve të paligjshme, etj.
Shkak tjetër madhor i natyrës politike dhe protokollare se pse nuk mund të thuhet ende “as po, as jo” është se këtë radhë, vendime të tilla të rëndësishme, përpara se të vulosen nga Këshilli i BE-së në fund qershor, do të duhet të marrin një “ Po-” qoftë dhe me “gjysmë zëri” në Samitin e Posaçëm të BE-së mbi Ballkanin Perëndimor më 18 maj në Sofje. Kësisoj, edhe sikur gjithçka të ishte gati, lajmi nuk mund të jepet tani; ndryshe çfarë do t’i mbetej Samitit në Sofje, kur interesi mediatik do të jetë në kulmet e veta?
Pavarësisht nga sa u tha më sipër, nuk përjashtohet mundësia që deri nga mesi i qershorit, kur ministrat e Jashtëm do t’i japin dorën e fundit projektvendimit përkatës, kjo “ PO” e formësuar qoftë dhe “bruto” mund të ketë ardhur në Tiranën zyrtare, falë kanaleve të shumta politike dhe diplomatike, ambasadave dhe misionit tonë kompetent pranë BE-së në Bruksel, i cili vërtet njeh dhe mbulon çdo “skutë” dhe “qoshe” të kësaj të fundit. Gjithsesi ajo do të mbetet “sekret” deri ditën kur do të artikulohet zyrtarisht, sepse në vartësi të dinamikës, gjërat mund të vendosen në minutën e fundit.
Si përfundim, deri në momentin e çeljes së negociatave, prej shumicës qeverisëse, por dhe opozitës, kërkohen dëshmi dhe rezultate të tjera shtesë në pesë fushat e njohura. Madje, siç u pa dhe në takimet e kryeministrit Rama në Berlin, që të akomodohen pozicionet e skeptikëve dhe të qetësohen «shpirtrat e trazuar » kërkohen dhe janë mundësitë për 2-3 hapa dhe veprime me jehonë politike dhe publike, sidomos në fushën e zbatimit të vetingut dhe nxjerrjes përpara drejtësisë të «peshqve të mëdhenj».
Jo më pak rëndësi do të ketë sjellja jonë e moderuar politike pa panik, nxitim dhe protagonizëm, pa cic – mice, polemika dhe retorika politike boshe, dhe pa “treguar gishtin” nga ndonjë institucion dhe personalitet i kujtdo vendi anëtar të BE-së. Ndryshe, “në vend t’i vëmë vetullat, do t’i nxjerrim sytë” “Po”-së së shumëpritur në qershor. Nëse vërtet duam që çelja e negociatave të jetë thjesht çështje muajsh apo javësh, taktika më e mençur mbetet dëgjimi me vëmendje i partnerëve tanë, sidomos rezervave dhe vërejtjeve të tyre dhe reagimi me pozitivitet, hapa dhe rezultate konkrete.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.