OPINION

Ku ka të drejtë dhe ku dredhon Tahiri

07:29 - 04.05.18 Andi Bushati
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Saimir Tahiri, i cili u shfaq në publik për të thënë se nuk do e përdorte më mbrojtjen me imunitet që i ka ofruar prej gjashtë muajsh kryeministri dhe Partia Socialiste, e shfrytëzoi këtë akt për të shpallur dy beteja kryesore.




E para ishte demaskimi i politikanëve që kanë drejtuar vendin në këtë çerek shekulli (afati kohor përfshin këtu edhe Edi Ramën) dhe që nuk kishin epërsinë morale për t’i bërë gjyqin atij.

E dyta qe nisja e një rruge të gjatë si qytetar, tashmë pa koraca mbrojtëse, për të imponuar të vërtetën e tij.

Duhet thënë që në fillim se betejën e parë Saimir Tahiri e ka shumë të lehtë.

Edi Rama nuk mund ta imagjinojë ta quajë atë një “vemje të padenjë për racën njerëzore”, sepse gjithçka që ka ndodhur në kohën e ministrit më të suksesshëm të rilindjes, ka pasur edhe bekimin e tij. Mbushja e parlamentit me banditë, uzurpimi i bashkive nga kriminelë në kërkim, favorizimi i bandave në kurriz të njëra-tjetrës, avionët e drogës dhe mohimi i ekzistencës së kanabisit, të gjitha mbajnë edhe vulën e Ramës. Prandaj ai sot nuk ka as përparësi morale dhe as alibi politike për t’u distancuar nga ish-krahu i vet i djathtë.

Saimir Tahiri ka të drejtë edhe kur pretendon se këtë epërsi nuk e kanë as Luli me Saliun, që lanë të lulëzonte Lazarati, që i devijuan gjykimit për krimet e Gërdecit dhe 21 janarit, që shmangën proceset për abuzimet flagrante me Rrugën e Kombit. Çdo qytetar, jo fanatik, teksa e ka dëgjuar të fliste dhe të përlotej, me siguri mund të ketë thënë: “Askush nga ata nuk mund të hedhë gurin i pari”.

E njëjta gjë vlen edhe për çiftin në krye të LSI-së. Ata që për hir të pushtetit e pranuan gënjeshtrën se avionët qenkëshin mushkonja, ata që për drogën u kujtuan të flasin në fund të mandatit, sot nuk mund ta lënë përgjegjësinë tek një njeri i vetëm. Ilir Meta dhe Monika kanë qenë pjesë e atij koalicioni që e mbushi Shqipërinë me mariuhanë.

Pra në këtë kuptim, Saimir Tahiri nuk është as e vetmja dele e zezë, as e vetmja kokë e denjë për t’u prerë, në atë parlament prej të cilit po largohet.

Nga faktet që ai solli, nga krahasimet që bëri, nga nervi që tregoi, ai me siguri do të ketë bindur shumëkënd për këtë.

Por, pikërisht këtu qëndron edhe dredhia e tij, sepse tani përpara Saimir Tahirit nuk shtrohet pyetja: “Me kë je njësoj”, por një tjetër, ajo: “Çfarë ke bërë ti”?

Sot publiku nuk do të dijë se sa të besueshëm janë “djajtë” që akuzojnë ish-ministrin, por se sa të vërteta janë lidhjet e tij me trafikantët, favorizimi i tyre, vënia e komisariatit të Vlorës në dispozicion të Habilajve, “Audi” enigmatik që herë e përdorte njëra palë dhe herë tjetra.

Dhe këtu Saimir Tahiri është i humbur.

Këtu e vërteta dhe e drejta nuk do të anojnë më kurrë nga ana e tij. Edhe në qoftë se prokurorët nuk mbledhin dot fakte, edhe nëse gjykata nesër nuk e dënon dot me prova, ai ka marrë njëherë e përgjithmonë damkën e ministrit të Brendshëm që kanabizoi të gjithë vendin.

Për cilindo qytetar, ai është shefi i uniformave blu që e fshehu deri në fund ekzistencën e avionëve të drogës, që në vend që t’i dëgjonte akuzat e Dritan Zaganit, burgosi atë dhe mbrojti trafikantët, që i vazhdoi lidhjet me kushërinjtë vlonjatë, edhe pasi opozita e denoncoi këtë marrëdhënie okulte, që i shpërfilli të vërtetat e kritikëve vendës, duke u fryrë borive të “frontit të së keqes”, që e mbushi policinë me njerëz të inkriminuar, gjysmat e të cilëve sot i ka larguar pasardhësi i tij dhe gjysma tjetër u fshihen fletarresteve të prokurorisë.

Në këtë bilanc të fundëm rezulton se përpara se të bënte detyrën që kishte marrë përsipër, atë të “policit” që gjurmon dhe neutralizon të keqen, Tahiri ka bërë avokatin e saj. Në vend që t’i luftonte, ai ka qenë prodhuesi i alibive për trafikantët.

Dhe në këtë pikë, ai e ka të humbur betejën edhe me të vërtetën, edhe me historinë. Prandaj ai i dredhoi sot përballjes me to, duke e fokusuar fjalën e fundit si politikan, tek “djajtë” që janë të padenjë për ta anatemuar.

“Lapsi”


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.