Intervista

Shqiptarja që kandidoi për konservatorët në Londër: Shqipëria për momentin s’ofron asgjë, uroj të ecë përpara

14:00 - 04.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Darina Tanushi – Anila Skeja është shqiptarja nga qyteti i Librazhdit, e cila kandidoi dje në Londër për t’u bërë këshilltare e zonës Barnet në veri të kryeqytetit britanik. Ajo i është bashkuar listës së kandidatëve konservatorë të kryeministres Theresa May. Në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, Skeja tregon se ka shkuar në Angli 5 vjet më parë, në mënyrë të rregullt. Ajo ka studiuar në Kolegj për Sheknca Politike dhe kjo i ka rënë në sy deputetes së zonës së Barnetit, e cila e ka mbështetur dhe e ka inkurajuar të kandidojë në këto zgjedhje. Rezultati pritet të dalë sot, ndërkohë që Anila thotë se nëse do të fitonte, dëshiron të punojë në zyrat e emigracionit dhe të ndihmojë emigrantët shqiptarë. Skeja pohon se lidhja me të djathtën në Shqipëri e ka renditur atë në radhët e konservatorëve. Ajo pohon se nuk ka pasur kontakte me politikanë shqiptarë, ndërsa thotë se të bërit politikë në Shqipëri nuk ngjason aspak me atë që bëhet në Britaninë e Madhe. E pyetur në lidhje me hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ajo shprehet se shqiptarët e meritojnë një gjë të tillë. Ndërsa për largimin e të rinjve, Skeja shprehet: “Ka shumë probleme në Shqipëri dhe unë i kuptoj shumë mirë që kërkojnë të largohen, sepse secili ka ëndrra që shpreson t’i realizojë, sikur  unë dikur atje. Dhe ai vend për momentin nuk të jep asgjë. Uroj që shumë shpejt Shqipëria të kthehet në një vend që do donim të jetonim si këtu”.




Anila, si arritët në Britaninë e madhe? A mund të na flisni pak për veten?

Në Angli kam ardhur para 5 vitesh si qytetare europiane. Duke ardhur në mënyrë të rregullt, kuptohet që i kisha mundësitë më të mëdha të angazhohesha në jetën sociale këtu. Sapo kam ardhur, kam filluar kolegjin dhe kam punuar njëkohësisht. Fillimi për mua ka qenë shumë i vështirë, por falë durimit dhe vendosmërisë që kam për të arritur gjërat po ia dal pak e nga pak.

Si u përfshitë në jetën politike të Anglisë? A gjetët mbështetjen e duhur?

Në politikën e këtushme jam përfshirë si pa dashje mund të them. Jam bërë anëtare e konservatorëve në tetor të vitit të kaluar dhe kam marrë një përkrahje të paparë nga konservatorët. Deputetja e zonës më ka mbështetur shumë. Duke e parë që unë kam mbaruar studimet për shkenca politike, ajo më ka shtyrë të jem pjesë edhe si kandidate në këto zgjedhje.

Ju po konkurroni për konservatorët e kryeministres Theresa May. Pse keni zgjedhur përfshirjen në këtë krah politik?

Kam zgjedhur konservatorët, sepse edhe në Shqipëri gjithmonë kam përkrahur të djathtën e shoh veten më mirë tek e djathta.

Si është në brendësi të saj politika angleze. A ka pika ngjashmërie me politikën shqiptare?

Nuk kanë lidhje fare, as mënyra si bëhet fushata, as mënyra si vlerësohen njerëzit brenda partisë. Jemi shumë larg.

A jeni e sigurt në fitoren tuaj, në këto zgjedhje që mbahen të enjten?

Shpresoj shumë duke parë që Barneti është konservator. Që prej vitit 2002, ata e drejtojnë këtë bashki në Londër. Por le të shikojmë.

Si janë lidhjet me komunitetin shqiptar në Londër?

Komuniteti shqiptar në Londër, veçanërisht një pjesë e tij më ka përkrahur dhe më ka suportuar shumë.

A do të dëshironit ndonjëherë të ktheheshit në vendin tuaj, të bëheshit pjesë e politikës shqiptare?

Mbase po.

Keni pasur kontakte me politikanë shqiptarë gjatë vizitave të tyre në Britani, por edhe në Shqipëri më herët?

Jo shumë.

Duke qenë se jeni pjesë e skenës politike, ju e dini se tashmë Shqipëria pret të marrë votën e vendeve anëtare të BE-së për hapjen e negociatave. Keni një vlerësim për këtë?

Uroj shumë që Shqipëria të ecë përpara dhe mos vuajnë më ata njerëz atje, sepse kam qenë vetë pjesë e tyre.

Tashmë si një qytetare e një vendi që i tha “Jo” bashkëjetesës në Bashkimin Evropian, a është hyrja në BE një rrugë e mirë për Shqipërinë?

Shqiptarët e meritojnë më shumë se kurrë të jenë pjesë e Europës. Uroj sa më shpejt të bëhen pjesë.

Shumë të rinj po largohen nga Shqipëria, ashtu siç edhe ju keni bërë dikur. Çfarë u sugjeroni këtyre të rinjve?

Ka shumë probleme në Shqipëri dhe unë i kuptoj shumë mirë që kërkojnë të largohen, sepse secili ka ëndrra që shpreson t’i realizojë, sikur unë dikur atje. Dhe ai vend për momentin nuk të jep asgjë. Uroj që shumë shpejt Shqipëria të kthehet në një vend që do donim të jetonim si këtu. Unë nëse do të fitoj, dëshiroj të punoj në zyrat e emigracionit dhe do të kisha shumë dëshirë të ndihmoja shqiptarët, sepse jemi një popull që gjithmonë kemi vuajtur dhe vuajmë akoma.

 

Shqipëria

“Ka shumë probleme në Shqipëri dhe unë i kuptoj shumë mirë që kërkojnë të largohen, sepse secili ka ëndrra që shpreson t’i realizojë, sikur unë dikur atje. Dhe ai vend për momentin nuk të jep asgjë. Uroj që shumë shpejt Shqipëria të kthehet në një vend që do donim të jetonim si këtu”, u shpreh kandidatja konservatore.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.