MILOSAO

Mes ngjyrave dhe poezisë, me buzeqeshje të përlotura

15:00 - 06.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në 100 – vjetorin e piktorit Ibrahim Kodra, në prillin që e lindi




Nga Eda & Visar Zhiti – Lindi në mes të pranverës, në një vend të lartë e të bukur mes blerimesh, nga ku shikohej deti dhe kështjellat. Pati një fëmini të varfër, por me ëndrra.
Iu desh të linte vendin për të gjetur veten. Në një nga metropolet e artit në Europë studioi për pikturë. U bë i famshëm, por mbeti i çiltër e i natyrshëm si fëminia e tij, me miq të shumtë, por gjithmonë vetvetja.
Ne e njohëm kur i kishte arritur të gjitha ato që kishte dashur si artist dhe njeri, në moshë të thyer, i kishte mbetur lavdia dhe i ishte shtuar malli, që e shfaqte herë me buzëqeshje dhe herë me përlotje. Buzëqeshjet e tij përmes lotëve ishin një mrekulli…
Kemi qenë në disa datëlindje të tij, ku festohej vit pas viti vetëm 65 vjetori mes heresë, verërave dhe qirinjve. Guxoi një grua e i tha pa të keq: Maestro, po a e bëmë dhe vjet 65 vjetorin tuaj?… Zonjë, i ktheu ai duke qeshur, 66 vjeç do të bëhem kur të dua unë… qeshëm të gjithë dhe të gjithë e dinim se ai prapë e kishte ulur moshën e tij 10 a 15 vjet të tjera.
Siç dukej, ai donte ta sundonte vetë kohën, e cila i përkiste atij dhe ia doli. La një emër: Ibrahim Kodra.

Maestroja dhe fëmija me emrin Atjon
Siç thamë ai kishte shumë miq, të shquar dhe në botë, personalitete të njohur e deri tek fëmijët. Rrethohej nga artistë, gazetarë gjithandej, aktorë filmash, piktorë natyrisht, deri edhe Pikasso-n, poetë, madje bashkëpunoi me nobelistët italianë Eugenio Montale e Salvatore Quasimodo, ishte bashkëqytetar me ta në Milano, ku dhe u laurua në Akademinë “Brera”, ndërsa shkrimtarit Dino Buzati do t’i thoshte: “po vizaton ashtu siç shkruan”, që sa e gëzoi kjo thënie atë, po kështu vazhdoi miqësitë dhe me brezin e mëpastajmë të tyre, ata të “Corriere della Sera”-s, si me poetin dhe kritikun e artit Sebastiano Grasso, etj, etj, ndërkaq njihej dhe me Heminguejin, kishte ndejtur me të së bashku me Alberto Moravia-n, duam të themi se miqtë e tij të mëdhenj ishin dhe nga vende të mëdha, po kështu ai çmonte shumë dhe bashkatdhetarin e tij Kadare, ndërsa në rininë e hershme, para se të ikte me studime nga Mbretëria e Shqipërisë, ilustronte reklamat për filmat e rinj, tekstet e të cilave i bënte shkrimtari që do të burgosej më vonë, Mustafa Greblleshi.
Miqtë e tij të shumtë ishin dhe mes të të thjeshtëve, të panjohurve, kamerierë, ushtarakë, portierë pallatesh, shitësa, etj, por dhe vetmia e tij dhe trishtimi i tij spikatnin thekshëm, edhe artistikisht, si një sfidë edhe me veten dhe me vanitetin, prandaj shpesh fëmijët mbeten miqtë e tij më të përzemërt dhe më të bukurit.
Madje, kur e njohëm ne, edhe ushqime pëlqente nga ato të fëminïsë, që i nëpërmendin vendlindjen, Ishmin, Durrësin, kërkonte “trahana, tavë kosi, bakllava…”, po, po, të vinte për të qeshur dhe ne kemi patur rast t’i çonim gatime shqiptare, ndërsa ata që i ndejtën pranë, arbëreshi Demetrio Patitucci e pastaj deri në fund me besnikëri epike, Fatos Dashi Faslliu, sikur i dhanë copa atdheu, ngrohtësinë e bukës familjare.
Por fëmijët, vërtet fëmijët ishin gëzim i thellë për Kodrën, përzierë me një si pikëllim. E kemi parë vetë, kur i jemi gjendur pranë. E ç’të kujtojmë më parë, ja, një herë tjetër në një festë me miq, kur Kodra po argëtohej me dy fëmijë spanjollë, motër e vëlla, e i tha njëri nga ne: janë si ëngjëj, jo, u përgjigj: janë engjëj! Ndërsa gjatë një vizite, i rrethuar nga qindra fëmijë të shkollës, u dëgjua t’i përgjigjej gazetarit të një televizioni, që po e pyeste, ndër të tjera, se ç’fëmijë kishte: ja, të gjitha këta, tha Kodra dhe i qeshën sytë. Ndërkohë ishin dhe në prag lotësh.


E kishim parë në studio, në shtëpinë e tij në Milano, që ndërsa pikturonte totemin e tij të famshëm, i kishte shtuar atij “një pinok”, përballë, do ia dhuroj një djali, kemi miqësi familjare, më dha një orë për datëlindjen, tregoi. Në kavaletin më tej kishte mbaruar një pikturë që dhe ajo do të dhurohej, një kirurgu këtë radhë si shpërblim për një operacion bashkëshortes së një shoku, që s’kishin mundësi ta paguanin…
Ndoshta të mbi 6 mijë pikturat e Kodrës, të shpërndara nëpër botë në të gjithë kontinentet, në muzeume të njohura e galeri private, kanë nga një histori.
Na pëlqen të themi që Kodra i vonë u miqësua shpejt dhe me djalin tonë, Atjonin dhe ai e deshi atë si një gjysh mitik. Kujtojmë se u takuan së pari në Romë, diku aty afër “Piazza di Spagna” dhe vogëlushi ynë po rrekej të largohej nga ne, ishin hapat e para dhe binte shpesh. “Po shpik të ecmen” – na tha Kodra dhe nisi të vizantonte mbi gazetën që gjendej mbi tryezën tonë, siç e kishte zakon. E ruajmë ende atë portret, aq të freskët sa herë e shohim.
Kur u bë tre vjeç, Atjoni, Mjeshtri i dha një pikturë, edhe autografin, për të cilin Pikasso i thoshte që është si një vizatim më vete. Ne na dha një “muzikant” të tij në qeramikë, “Eda, zgjidhe ti…” – tha shqip. I ishte rikthyer gjuha amtare..
Rastet këndellëse nuk munguan për t’u takuar prapë. Kodrës i pëlqente të bënte lodra me fëmijët, nga ato që quhen “numra shpejtësie”, zhdukte letra, sajonte njolla nëpër duar pa u kuptuar, i mahniste fëmijët, këndonte, i binte dhe kitarës… Lodrat që mësoi nga Kodra, Atjoni ua bënte fëmijë të tjerë dhe u dukej atyre si magjistar i vogël.
Së fundmi u panë në Tiranë. Kodra kishte sjellë një ekspozitë antologjike, më të madhen të tijën në Galerinë Kombëtare, ishte viti 2003. Kështu u krijuan mundësitë të rrinim përsëri gjatë me Kodrën, në darkat ku ai rrethohej nda dashamirësit e shumtë në hollin e hotelit, ku ai tundohej si përherë të vizatonte mbi gazeta e meny a ç’gjente, duke përdorur ngjyrat, që mbante në xhepat e shumtë, teksa ishte i veshur dhe vetë në mënyrën më piktoreske, por ndodhte të përdorte për ngjyrime dhe petlat e luleve e të gjetheve përreth.
Atjoni në këtë kohë ishte 8 vjeç dhe fliste me Kodrën më gjatë e kuptohej më shumë. Ruante ç’kishte vizatuar ai për të dhe pastaj, në stilin e tij, të “Postkubistit të fundmë në botë”, siç e cilësonte kritika profesionale, vizatoi një totem, “Homazh Kodrës”, kështu e titulloi, sikur përsëdyste atë që kishte bërë dhe Kodra, “Homazh “Pikassos”.
Piktura e Atjonit do të vlerësohej më pas nga kritikë arti tanët, nga miqtë, Prof. Gëzim Qendro, kurator i ekspozitës së Atjonit në Tiranë, po kështu dhe nga piktori dhe botuesi i njohur Gëzim Tafa, përgatitësi i Albumit të Atjonit. Aty thukohej dhe gjurma e forte, përndritëse e Kodrës.
Ç’të themi tjetër? Nuk flasim dot. Pas buzëqeshjeve ndodh të vijnë dhe lotët. Por ngjyrat e asaj miqësie që të përbashkoi piktorin e madh Kodra me fëmijën me emrin Atjon, tani sikur vezullojnë parajsërisht për ne duke risjellë çaste jete, atë lumnim që buronte nga buzëqeshjet e tyre të çiltra, të tretura në ajrin e kaltëremë, kujtimplotë, me dëshmitar Hyun.
I kujtuam këto duke besuar se diçka thonë, zbulojnë njeriun, familjar në thjeshtësinë e tij…

Piktori edhe poet
Për Kodrën piktor kritika e artit ka bërë vlerësime të shkëlqyera, madje thuhet se Kodra është piktori për të cilin është shkruar më shumë se të mëdhenjtë e tjerë në botë. I nxitur nga këto dhe unë kam shtuar në një katalog të Kodrës: “Mes pesimizmit bashkëkohor, kaosit të modernitetit, ndoshta është i vetmi piktor i madh që vizaton buzëqeshjen e njerëzimit, me një naivitet të mençur e koloristikë optimiste, gjithë dritë mesdhetare.”
Po shpesh aty vezullon dhe loti. Le t’ua lëmë të flasin profesionistëve dhe ne t’i kthehemi asaj që nisëm.
Pak veta e dinë që piktori Ibrahim Kodra kishte shkruar dhe poezi. Në shqip, por më shumë në italisht. I ishin botuar disa dikur në Prishtinë, ku dhe kishte shkuar më shpesh se në Tiranë e kishte hapur ekspozita, ishte dhe anëtar i Akademisë në Prishtinë, por më pas dhe në Shqipëri u bë “Nderi i Kombit”…
Në këtë 100 vjetor të lindjes së tij, në pranverën që e solli në jetë, sikur duam të rilexojmë dhe poezinë e tij, që natyrisht, më shumë se kudo, ajo është në pikturat e tij. Po dhe në fjalët. Kur ai ia recitonte miqve poezitë e tij, ndodhte të përlotej. Ngashërehej duke qeshur.
Mbase arti i gjithë s’është gjë tjetër veçse një formë e mahnitjes së lotëve, më shumë e atyre të brendshëm, nga burojnë dhe buzëqeshjet, dhuratë vetëm e njeriut…

10 POEZI

NGA IBRAHIM KODRA

O NËNË
Nuk i ndiej më ledhatimet e tua të ëmbla
ashtu si era e prillit që përkëdhel lulet,
o nënë.
Ku je fshehur?
Nuk e shoh më buzëqeshjen tënde,
sytë e tu, sytë e tu gjithë vëmendje,
që asnjëherë nuk lodheshin
së ndjekuri ecjen time të pasigurt.
Ishe gjithçka për mua.
Fytyra jote: më e bukura
mes muzave.
Dhe flokët e tu
të gjatë e të zinj
mbulonin faqet e gëzueshme,
kur gjoksi ngjallte ngrohtësinë
nëpër venat fëminore.
Tani ku je fshehur?
E freskët në kujtesën time,
rikthehu, o nënë,
të përkëdhelësh fytyrën time të lodhur.

KJO ËSHTË RRUGA
Nën qiellin yllësor
të Pozitanos
një çupëz ngjitej për në Fornilo
me hapa heshtjeje.
Rrugët ishin të mbuluara
me errësirrën e natës.
Dritat lëbyrëse të një makine
ndriçonin
figurën e hajthshme
të vogëlueshes së pjekur parakohe,
flokët e saj të artë shthurur nga era.

Një zotëri avitet,
me gishtin të drejtuar nga mali,
thotë: “Ti që kërkon misterin e dritës,
ja rruga që të çon te Shën Mëria”.

NJË MIKU
SHKRIMTAR
Qielli i Pozitanos
është mbuluar me retë e freskëta të agut
e ti, duke kundruar aurorën,
mbledh mbi një gjethe
plagët e kohës.

NJË LULE
Mos më thuaj që nuk të kam dashur,
o lule e livadhit të virgjër!
Thuamë që është shuar dielli,
thuamë që toka është në flakë,
thuamë që hëna është ngjethur,
thuamë që qielli është në gjëmë,
thuamë që s’ka më agshole,
por mos më thuaj që nuk të kam dashur…

URA
Në atë ditë të bekuar
vajzat rendnin
nga ura.
Dielli hidhte
rreze nate
për t’i bërë brune.

E PANJOHURA
Ajo ecte drejt majës
e ai zotëri mbeti i hutuar
nga një bukuri kështu aq e natyrshme.
Ishte e panjohur në atë vend
e të gjithë kërkonin emrin e saj.

NJË FYTYRË E FSHEHUR
Ditën e 15 gushtit të ’77
mbretëronte heshtja atje.
Djemtë luanin: ping-pong
nën pishën e sheshit.
Vajza me flokë të gjata
dallgë-dallgë mbi supet e hajthshme
shkëlqente në dritën alabastër.
Duke luajtur me krifën e gjatë
Era e qeshur fshihte
fytyrën e saj vezulluese
si një gur i rrallë orienti.

PËRSHËNDETJA E FUNDIT
Gjatë rrugëve të Palermos
flladi i mëngjezit
xixëllonte mbi gjethet e palmave.
Digjeshin në diell
sheshet e asfalta.
Një vajzë e drojtur
e shtrirë në plazhin e dielltë
vinte nga veriu.
Veshur me ngjyra koloniale,
aq shumë të befta
e gushti mbaronte,
i jepte përshëndetjen e fundit Montrealit
dhe me vendosmëri të pazakontë
merrte rrugën e kthimit,
humbte mes mjegullave të bardha
që dhunonin kaltërsinë e shtrirë
të qiellit mbi qytet.

BESA E SHQIPËRISË
(e shkruar shqip)

Lindi dielli në Kalabri,
u hapën malet me rrëmbim,
tue lënë fushat të lulëzueshme
në blerim.
Arbëreshët u habitën
për bukurinë e Natyrës
e thjeshtë, e pavarur
si ata, që shprehin me zemër
dhe harenë e fytyrës.
Në atë çast të pazakonshëm
u hap qielli menjëherë:
një shqipe e madhe,
tue fluturuar,
tokën mbarë për të zaptuar,
hapi krahët e saj,
tue mbuluar Kosovën dhe Kalabrinë,
Pianën e Palermit
dhe Shqipërinë.
Po i mbronte në zemrën e saj
që të jenë së bashku si përherë,
sepse kanë dhënë në histori
nder e lavdi.
Shqipja në mbrëmje
në qiejt fluturoi
e lartazi shkoi.
Tue fluturuar lartaz nga qielli
dhe, para se të hynte, në hijen e natës
e çojti lart fletën e saj
dhe shkrojti
në qiellin me yj të ARBËRISË:
“BESA E SHQIPËRISË”

KËRKOJ
Kërkoj horizonteve larg
praninë e jetës
të pafundmen…
rrezen diellore,
lëvizjen.

Kërkoj mosarsyet
të pathyeshmet
shkulmet ujore
të pa nisurat.

Kërkoj befasinë
të përkohshmen
të kuptueshmen
kurajon.

Kërkoj lartësimin
të pandryshueshmen,
të pakëmbyeshmen
rebelimin,

Kërkoj të pazakonshmen
të pazëvendësueshmen
të pazgjidhshmen
të pamundurën.

Kërkoj befasinë
të padukshmen
të paarritshmen
zanafillën.

Kërkoj çelësin e gjithësisë
enigmën e ajrit
të puhizës
të agut të dritës.

Kërkoj të mbjell në tokë
filizin e parë
farën e parë
të ardhmërisë.

I përgatiti e përktheu
Eda Agaj Zhiti


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.