Intervista

Konflikti për listën e barnave me rimbursim, reagime të forta nga farmacistët

13:30 - 09.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Futja në fuqi e listës së re të barnave të rimbursueshme, është shoqëruar me reagime të forta nga rrjeti farmaceutik në Shqipëri, I cili ka hedhur akuza për shkelje ligjore. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, presidentja e Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë, Diana Toma tregon se farmacistët nuk janë njoftuar paraprakisht për futjen e listës së re të barnave në fuqi, çka bie në kundërshti me ligjin, e njëkohësisht sjell humbje të mëdha financiare mbi shërbimin farmaceutik në vend, e madje edhe mbi qytetarin. Gjithashtu, Toma thekson se edhe pse një bar ndodhet në listën e rimbursimit, ai nuk merret më për të gjitha kategoritë e diagnozave, të cilat e merrnin më parë; e shton se kjo situatë do të sjellë konflikte më vonë. Presidentja e UFSH-së bën me dije se tregut farmaceutik i mungojnë disa barna si Dutaseride, warfarin lercadipine 20 mg, lorazepam, trimetazidin, acid ibandronic, ibersartan, salbutamol inhaler, letrauol 2,4 mg etj.




Në datën 5 maj ka hyrë në fuqi lista e re e barnave të rimbursueshme për 2018. Si u lajmëruan farmacistët në lidhje me këtë ndryshim?
Nga informacioni që na kanë përcjellë farmacistët, kemi mësuar se nuk pati asnjë njoftim zyrtar, qoftë shkresor qoftë verbal. Farmacistët e kuptuan se kishte hyrë në përdorim lista e re e barnave në momentin kur kanë provuar të ekzekutojnë një recetë të rimbursueshme dhe në program janë shfaqur të dhëna që nuk i takonin listës së mëparshme, por asaj të re. Në mesditën e datës 5 maj (ditë e shtunë) janë marrë në telefon nga punonjës të DRSKSH-ve ku u është bërë me dije se duhet të paraqiteshin pranë këtyre institucioneve për të marrë udhëzimin për lidhjen e kontratës dhe se kontrata ndodhej në faqen zyrtare të Fondit.
Pse erdhi një reagim i fortë nga Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë në lidhje me këtë?
UFSH është institucion që përfaqëson në mënyrë institucionale farmacistët, gjithashtu, po në mënyrë ligjore ka për detyrë t’i mbrojë ata nga veprimet arbitrare të administratës publike apo private qoftë ajo. Ndaj, në këtë kuadër, reagimi i UFSH-së ka qenë thjesht plotësim i një detyre dhe kërkim i një të drejte.
Ju keni ngritur si shqetësim faktin që po shkaktohen humbje të mëdha financiare në rrjetin farmaceutik. A mund ti shpjegoni në mënyrë më të detajuar?
Para se të ngremë shqetësimin e humbjeve financiare ngremë shqetësimin e shkeljeve të ligjit dhe tregojmë pasojat që sjell kjo shkelje. Humbja financiare është një ndër pasojat rrjedhojë e një sërë shkeljesh ligjore të cilat, rëndojnë mbi farmacistët dhe subjektet farmaceutike, mbi shërbimin farmaceutik dhe për pasojë dhe mbi qytetarin. Është e pa pranueshme që këto shkelje ligjore bëhen nga një institucion shtetëror, i cili duhej të jepte shembullin e zbatimit me përpikmëri të ligjit.
A përjashtohen nga lista e re e rimbursimit kategori të ndryshme individësh dhe nëse po, a kanë pasur konflikte farmacistët me pacientët?
Nga informacioni që kemi prej kolegëve tanë, ndonëse një bar ndodhet në listën e rimbursimit, ai nuk merret më për të gjitha kategoritë e diagnozave të cilat e merrnin më parë, dhe nëse nuk kemi pasur raportime për konflikte të deri tanishme, pasi në përgjithësi recetat me rimbursim kanë një aplikim dy mujor, konflikte do ketë në momentin që këta pacientë, të cilët deri dje e kanë marrë një bar të caktuar me rimbursim, për diagnozën që kanë, do jenë të përjashtuar nga mundësia e rimarrjes. Kjo gjë, do ndikojë negativisht veç asaj çfarë shpjeguam më sipër dhe në marrëdhënien e drejtpërdrejtë farmacist – pacient, e cila nga efekte të tilla ka pasur pasoja negative dhe herë të tjera.
A është konstatuar mungesë medikamentesh, cilat prej tyre mungojnë?
Po prapë nga kolegët që operojnë në rrjetin e hapur, kemi informacion se mungojnë një sërë medikamentesh, ku në to përfshihen dhe alternative të vetme. Si profesioniste në fushën e shëndetësisë para numrit të mungesave do vlerësoja faktin e mungesës si fenomen. Duhet ta kemi të qartë që e drejta për shëndet është një e drejtë, e cila buron nga akti themeltar i shteti të së drejtës, që është Kushtetuta. Për ta ruajtur këtë shëndet apo për ta çuar qytetarin në një jetë të shëndetshme e domosdoshme veç diagnostikimeve mjekësore është dhe marrja e mjekimit. Jo të pakta janë rastet kur një numër pacientësh ka nevojë vetëm për një lloj bari, ndaj unë mendoj që çdo mungesë në tregun farmaceutik ka një kosto mbi shëndetin, ndaj duhet marrë në konsideratë. Për të qenë korrekt deri në fund me pyetjen tuaj mund të përmend disa emra barnash të cilat kanë mungesa në treg: Dutaseride, warfarin lercadipine 20 mg, lorazepam, trimetazidin, acid ibandronic, ibersartan, salbutamol inhaler, letrauol 2,4 mg etj.
Ju e keni vlerësuar kontratën Farmaci-Fond si të njëanshme. Pse vjen një vlerësim i tillë?
Mënyra e hartimit si dhe përmbajtja e saj flasin për njëanshmëri të plotë. Aq e madhe është kjo një anshmëri sa veç kontratë dypalëshe nuk mund të quhet, pasi në konceptin e hartimit të kontratës, palët njohin të drejtat dhe detyrimet respektive dhe nuk ka kontrata të cilat njërës palë i japin të drejtë të ketë veç të drejta dhe palës tjetër veç detyrime. Kur e lexon kontratën të duket sikur ke dy grupime shoqërore atë të skllevërve që kanë veç detyrë të binden e të skllavopronarit që ka veç detyrë të diktojë e të përfitojë. Meqenëse kjo kontratë është produkt i Fondit, duhen pyetur hartuesit e saj lidhur me qëllimet reale pse kjo kontratë është hartuar në këtë formë si dhe duhen pyetur se ku e gjejnë guximin dhe mbështetjen të shkelin hapur, pa përmasa dhe pa frikë ligjet e këtij vendi.
A i mbahen lekë pacientit për recetën elektronike?
Po, pacientit i mbahen lekë për recetën elektronike ndonëse të tëra kostot e kësaj recete në mënyrë të padrejtë i janë faturuar farmacisë. Vlera që i mbahet pacientit është 100 lekë dhe në qoftë se farmacia nuk ia mban këto lekë pacientit Fondi ia mban farmacisë.
Si mendoni se mund t’i jepet zgjidhje problemeve të sipërpërmendura?
Problemet të cilat lindin thjesht dhe vetëm nga shkelja e ligjit zgjidhen duke kërkuar zbatimin e ligjit dhe duke vënë para përgjegjësisë shkelësit e ligjit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.