KULTURË

“Italia që ëndërronte Enver Hoxha dhe mbreti ynë i përbashkët”

14:00 - 20.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – Në mesin e viteve nëntëdhjetë, ndërsa në shkollën time fillore, në ekipin tim të futbollit dhe në jetën time të përditshme prej fëmije vinin shumë shokë të rinj shqiptarë, mësuesi, për të na afruar me të sapoardhurit, na tha se mbreti i Italisë kishte qenë edhe mbreti i Shqipërisë. Më kujtohet se kjo më goditi shumë: në qoftë se mbreti ynë kishte qenë edhe mbreti i tyre – mendova – pse unë nuk di asgjë për vendin nga i cili vjen Erindi, që është aq i mirë në futboll? Dhe përse ai flet gjuhën time? Këto pyetje fëmijësh, i mora me vete edhe në universitet”. Një kureshtje fëminore e Nicola Pedrazit është kthyer tanimë në një libër që këto ditë është paraqitur në Tiranë, ndonëse ende vetëm italisht. Në Festivalin “Ditënetët e librit” që mbahet të Muzeu Historik Kombëtar (16-20 maj), studimi i italianit Pedrazzi, nën titullin “Italia që ëndërronte Enveri”, jep pamjen e Shqipërisë, nga përtej detit. Në një intervistë për ‘GSH’, Nicola Pedrazi, rrëfen edhe se nëse në periudhën e pasluftës komunizmi italian kishte pak marrëdhënie me komunizmin shqiptar, ka të bëjë kryesisht me ndikimin e Jugosllavisë. Sipas tij, shumë personalitete të komunizmit shqiptar u formuan në Itali, shumë prej tyre në Ventotene, në burgun fashist. Por regjimi i themeluar në Shqipëri në vitin 1946, fillimisht pro-jugosllav, pastaj stalinist i ngurtë, e bëri të pamundur zhvillimin e atyre marrëdhënieve, që përvoja e përbashkët e antifashizmit do ta kishte bërë të mundur.
-Pse një libër me temë Enver Hoxhën, nga erdhi stimuli?
Libri im nuk ka si temë kryesore Enver Hoxhën, as diktaturën që instaloi ai, por marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë gjatë Luftës së Ftohtë: që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore (që çoi shumë italianë në Shqipëri), deri në vitet shtatëdhjetë, kohë e të ashtuquajturave vite “filokineze” të Shqipërisë, shumë interesante sepse Shqipëria ishte vendi i parë evropian në të cilin Kina ka investuar ndonjëherë. Stimuli erdhi nga një vëzhgim shumë i thjeshtë për një italian të moshës sime, lindur në vitin 1986. Në mesin e viteve nëntëdhjetë, ndërsa në shkollën time fillore, në ekipin tim të futbollit dhe në jetën time të përditshme prej fëmije vinin shumë shokë të rinj shqiptarë, mësuesi, për të na afruar me të sapoardhurit, na tha se mbreti i Italisë kishte qenë edhe mbreti i Shqipërisë. Më kujtohet se kjo më goditi shumë: në qoftë se mbreti ynë kishte qenë edhe mbreti i tyre – mendova – pse unë nuk di asgjë për vendin nga i cili vjen Erindi, që është aq i mirë në futboll? Dhe përse ai flet gjuhën time? Këto pyetje fëmijësh, i mora me vete edhe në universitet. Duke e romantizuar pak, por në të njëjtën kohë edhe duke qenë i sinqertë, do të thosha se libri im ka lindur nga nevoja për të kuptuar se nga vjen nga Shqipëria që pamë të derdhej në brigjet tona kur ishim të rinj?
-Ishte vetëm kureshtja juaj?
Nuk mendoj se kjo është një nevojë vetëm e imja. Shumë italianë të brezit tim kanë si kujtesën e tyre të parë politike shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, fundin e Shqipërisë socialiste dhe luftën e Kosovës. Ky ishte konflikti evropian i fëmijërisë sonë paqësore dhe me sa duket, ndjejmë nevojën për të shkruar dhe për të vënë në pikëpyetje veten dhe marrëdhënien tonë me atë të kaluar. Duke ndjekur të njëjtën skemë, për analogji, pyes veten se me cilat pyetje, a me cilët libra po rriten në mendjen e tyre fëmijët e sotëm italianë, të cilët më shumë se brezi im janë në kontakt me imazhe të konflikteve, shkrirjes së shteteve dhe emigrimit. Siç është e qartë, se pas rënies së murit, historia e njerëzimit nuk u ndal, por për Italinë, Shqipëria nuk është më emergjencë dhe koha më në fund ka ardhur për kërkime historike. Pas më shumë se 25 vjetësh, ne kemi krijuar distancën e duhur për të bërë studime. Shpresoj që kjo distancë të përdoret nga historianë të rinj shqiptarë: për analiza, rindërtimin dhe të kuptuarit të regjimit të Enver Hoxhës. Por e përsëris: i imi nuk është një libër për regjimin, është një libër mbi marrëdhëniet italo-shqiptare në kohën e komunizmit.





– Gjatë kërkimit të librit, çfarë zbulove që të befasoi më shumë?
Në tri vite studimi, zbulimet kanë qenë të shumta. Kjo, edhe sepse isha dhe mbetem jo shumë i ditur mbi historinë shqiptare, por edhe mbi historinë e madhe që është historia e marrëdhënieve italo-shqiptare që u përpoqa të tregoja. Gjatë Luftës së Ftohtë marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Italisë janë të polarizuara, janë të ndërthurura me kontradiktat ideologjike të një epoke në të cilën çdo marrëdhënie i atribuohej kontekstit bipolar. Përkundër kësaj, krejt në heshtje marrëdhëniet italo-shqiptare vazhduan. Jo vetëm për shkak të vlerësimit që Italia gëzonte te (tele)shikuesit shqiptarë (tifozët e deri te anija ‘Vlora’), por edhe me anë të atij interesi, tërësisht ideologjik dhe politik, me pakicën komuniste italiane, e cila, duke filluar nga lufta e përbashkët çlirimtare e kryer në Itali dhe në Shqipëri kundër pushtuesve gjermanë, kishin idealizuar përvojën e komunizmit shqiptar, në fakt duke besuar në propagandën e regjimit Enverian.
-Ishte efektive propaganda?
Një regjim që ndryshe nga sa na është thënë ka qenë gjithmonë shumë i vëmendshëm për imazhin e tij të jashtëm, si dhe për marrëdhëniet ndërkombëtare, edhe pse të kryera në nivelin e “palëve vëllazërore” në vend të atyre diplomatike. Këtu, le të themi se zbulimi që më goditi ishte pikërisht “hapja” e një regjimi që përshkruhet gjithmonë si i mbyllur plotësisht. Sigurisht që ishte i mbyllur kundër shqiptarëve, sepse sundoi me grusht të hekurt, por në kohën e Luftës së Ftohtë nuk mund të shpëtoje nga kampet. Ja pse ndonëse e izoluar, Shqipëria e Enver Hoxhës shpenzonte burime të konsiderueshme për propagandën e jashtme, në përkthimin e veprave të liderit dhe në financimin e formacioneve të vogla pro-maoiste, për ta shitur në tregun kinez në këmbim të një aleance, ku me sa duket Kina kishte gjithçka për të dhënë dhe asgjë për të marrë. Nëse Mao e mbajti Shqipërinë si një aleat të vlefshëm evropian dhe në qoftë se për një kohë të gjatë e financoi regjimin, e bëri këtë jo vetëm për shkak se Hoxha kërkoi njohjen ndërkombëtare të Pekinit, por edhe për shkak se regjimi shqiptar promovoi në gjithë Europën partitë komuniste filokineze. Në Itali, bashkëbiseduesi ishte Partia Komuniste e Italisë, marksiste-leniniste e Fosco Dinuçi. Pra, po flasim për figura të vogla të komunizmit italian, të cilat përmes Tiranës mund t’i shtrëngonin duart Maos.
-Si ju dukej Shqipëria?
Për këta njerëz, Shqipëria ishte një vend i hapur, ndërkombëtar, mbështetës, një eksperiment revolucionar në qendër të botës. Kjo është arsyeja pse unë zgjodha titullin e kundërt të historisë s njohur: jo më shqiptarë që ëndërrojnë Italinë si të ishte Amerika, por italianë që ëndërrojnë Enverin si të ishte revolucioni. Me rënien e murit, zhgënjimet ishin më shumë se një.


-Si ishin marrëdhëniet e Hoxhës me komunistët italianë?
Varet nga ajo që nënkuptohet me shprehjen “komunistët italianë”. Nëse duam Partinë Komuniste italiane (PCI), janë marrëdhënie vëllazërore deri në 1956 (në vitin 1954 Hoxha fton Togliattin për të kaluar pushimet në Shqipëri), por ndërpriten papritmas, kur Shqipëria u prish me Bashkimin Sovjetik. Siç u përmend, gjatë periudhës pro-kineze të tjerë “komunistë italianë” krijuan marrëdhënie të forta me Partinë e Punës: stalinistë dhe maoistë që i bashkonte me Enver Hoxhën vlerësimi për komunizmin: një parti borgjeze që kishte mohuar revolucionin. Në vitet gjashtëdhjetë dhe shtatëdhjetë, Hoxha i kushtoi disa tekste atij që e quajti “revizionizmi Togliatti-an”, tekste që u përhapën dhe u lexuan edhe në Itali.
-Çfarë nuk shkoi?
Nga një perspektivë historike, tani mund të pohojmë se ajo që për diktatorin shqiptar ishte e patolerueshme ishte hapja e Togliatit dhe partisë së tij ndaj komunizmit të Titos. Në destalinizimin e nisur nga Hrushovi dhe në teorinë togliatti-ane të “rrugëve kombëtare të socializmit”, si edhe në eurokomunizmin Berlinguer, Hoxha ka parë gjithnjë rrezikun e një instalimi të modelit jugosllav. Një frikë shumë e kuptueshme, sepse ishin jugosllavët, ata që themeluan Partinë Komuniste Shqiptare dhe në qoftë se në vitin 1948 Stalini dhe Tito nuk do të kishin prishur çdo marrëdhënie, ka gjasë dhe do të ishte e mundshme që Hoxha nuk do të kishte qëndruar në pushtet. Me fundin e stalinizmit dhe shpalljen e bashkëjetesës paqësore të Bashkimit Sovjetik dhe në çdo evolucion a reformë të kampit komunist, Hoxha ka parë gjithmonë një kërcënim si të gjithë diktatorët, e është e vështirë të thuhet nëse kërcënimin që ka parë, e ka parë si kërcënim për veten apo për shtetin shqiptar.
-Pse nuk qenë marrëdhënie më të afërta?
Ajo që është e sigurt, është se nëse në periudhën e pasluftës komunizmi italian kishte pak marrëdhënie me komunizmin shqiptar, ka të bëjë kryesisht me ndikimin e Jugosllavisë. Shumë personalitete të komunizmit shqiptar u formuan në Itali, shumë prej tyre në Ventotene, në burgun fashist. Por regjimi i themeluar në Shqipëri në vitin 1946, fillimisht pro-jugosllav, pastaj stalinist i ngurtë, e bëri të pamundur zhvillimin e atyre marrëdhënieve që përvoja e përbashkët e antifashizmit do ta kishte bërë të mundur. Megjithatë, duke bërë këtë lloj supozimi, gjithnjë duhet mbajtur parasysh se ndryshe nga komunistët shqiptarë, komunistët italianë morën pjesë me forca të tjera politike në hartimin e kushtetutës demokratike. Në këtë kuptim, në këtë pikëpamje, marrëdhëniet mes dy partive nga ana kushtetuese ishin të pamundura, pavarësisht nga konteksti ideologjik i Luftës së Ftohtë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.