KULTURË

Ledi Shamku: A lind me Saussure-in gjuhësia moderne?

13:25 - 21.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Prej dy ditësh në Muzeun Historik Kombëtar, festa e librit ka mbledhur botues, shkrimtarë, përkthyes e studiues. Në kuadrin e Festivalit Ditënetët e Librit, gjuhëtarja Ledi Shamku Shkreli ka përgatitur një analiza mbi gjuhësinë moderne, që “GSh” e boton më poshtë. 




Nga Ledi Shamku Shkreli

Ai i shihte problemet e shkencës me sy të kthjellët prej poeti e vizionari”… Kështu ua përshkroi Ferdinand de Saussure-in studentëve, Antoine Meillet, themeluesi i shkollës sociologjike të gjuhësisë frënge. I njëjti fill vlerësimi, besojmë, u shfaq dekada më pas edhe te Von Wartburgu, kur në një tryezë ndërkombëtare për probleme dhe metoda të gjuhësisë, organizuar nga A. Martinet në vitin 1944, u shpreh se “…pas shfaqjes së fenomenit ‘Saussure’, çdo gjuhëtar i andejmë mund ta përkrahë ose ta kundërshtojë atë, ta duartrokasë apo t’i bjerë ndesh, por kurrsesi s’mund ta shpërfillë”. Asokohe në botë kishin marrë hov mjaft shkrimet dhe botimet, që u referoheshin teorive të Saussure-it, duke iu përmbajtur, kundërshtuar apo duke i plotësuar ato. Me këtë ritëm u mbërrit deri në vitin 1963, kur Benveniste, duke u ndalur në rëndësinë historike që pati publikimi i “Kursit të gjuhësisë së përgjithshme”, pohoi me autoritet se “…te Saussure-i merr shkas gjuhësia e ripërtërirë e shek. XX”. “Në fund fitoi Saussure-i”. Me këtë deklaratë nisën të hapeshin mjaft traktate gjuhësore që botoheshin nëpër Europë aty nga vitet ‘60-‘70.
Cili qe Ferdinand de Saussure, ky personalitet sa i përfolur, aq edhe i parrëfyer, që shpesh thirrej “mësuesi gjenevas”? Nuk dihet shumë rreth jetës të tij. Ndaj edhe në vitin 1963, me rastin e 50-vjetorit të vdekjes, Benveniste shkroi: “Një mister pështjell jetën personale të atij që shumë herët zgjodhi të strukej te heshtja”. Por sosyrianistja frënge Françoise Gadet na informon se “botimi italian i Kursit, përkthyer dhe pajisur me shënime nga De Mauro, (f. 319-389), mbetet sot për sot burimi biografik më i plotë që disponojmë për Saussure-in”. Sidoqoftë, emri i tij gjithnjë i ka ndarë gjuhëtarët në përkrahës dhe kundërshtarë. Kështu e përkrahin strukturalistët, të cilët, duke u mbështetur pikërisht mbi Kursin, themeluan rrymën gjuhësore që filloi ta analizojë gjuhën si sistem. E përkrahin shumë gjuhëtarë të disiplinave të tjera, të cilët gjejnë në teoritë e tij arsyetime bazë mbi natyrën dhe funksionimin e organizmit-gjuhë; por e përkrahin edhe ata gjuhëtarë që duke e njohur atë si themelues të gjuhësisë moderne, shtojnë sakaq se Saussure-i tashmë është i tejkaluar; kësisoj ndodhi me Chomsky-n, të cilit i vishet merita se duke iu referuar Kursit, i përhapi idetë e Saussure-it edhe në një vend si Shtetet e Bashkuara, ku pakkush kish dëgjuar për të.
E kundërshtojnë fanatikët e gjuhësisë historike që mendojnë se konceptet e gjenevasit e mbajtën peng për do kohë zhvillimin e gjuhësisë. E kundërshtojnë edhe ata, të cilët duan t’i kundërvënë Saussure-it të Kursit, Saussure-in tjetër, atë të anagramave, që sipas tyre, më fort se me gjuhën, merrej me “lojërat” gjuhësore të poetikës (duke iu referuar 140 fletoreve, në të cilat ai pat shënuar anagrama të tëra që kish zbuluar e ku sipas tij qëndronte thelbi simbolik i poezisë latine saturniane). Megjithatë, ndër kundërshtarët më të paepur duket se qenë anashkaluesit shqiptarë të Kursit, të cilët shpallën qysh në krye të punës, “gjuhësinë shqiptare – shkencë të partishme”. Jo pa qëllim, studentëve u çeleshin seminaret e Hyrjes në Gjuhësi me “Marksizmi dhe çështje të gjuhësisë”. Aty imponohej bindja se “metoda historike krahasuese është më e mirë se analiza formaliste e katër elementeve të N. J. Marr-it (të cilat në fakt s’ishin veçse elementet e përcaktuara nga Saussure), sepse e para të shtyn të punosh, kurse e dyta të shtyn vetëm të shtiesh fall në filxhan rreth misterit të të famshmeve katër elemente”. Përjashtohej kështu kategorikisht postulati nistor i Saussure-it se “gjuha është formë, jo substancë”; në këtë mënyrë përjashtohej en bloc jo vetëm Kursi, por i tërë korpusi sosyrian.
Duke lënë mënjanë këta anashkalues, mund të thuhet se në botën shkencore, të gjitha kundërshtitë teorike, pos vorbullës së madhe të debateve që i ka shoqëruar, provojnë se Kursi i gjuhësisë së përgjithshme vijon të ushqejë dilemën:
A lind me Saussure-in gjuhësia moderne? Për ta kuptuar më mirë faktin se Kursi i Saussure-it ndërroi kursin e studimeve mbi gjuhën, lypet shtyrë përtej shfaqjes së dukurisë “Saussure” në gjuhësinë ndërkombëtare, për faktin se më parë çështjet e filozofisë së ligjërimit nuk qenë ndarë ende nga çështjet mirëfilli gjuhësore. Shekulli që u përvijua mes sundimit napoleonik dhe Luftës së Parë Botërore, qe periudhë shumë e rëndësishme për zhvillimin e shkencave në përgjithësi e të gjuhësisë në veçanti. Për gjuhësinë mund të thuhet se kjo epokë zhvillimi u çel me danezin Rask dhe gjermanin Bopp. Periudhës pararendëse të këtij shekulli, pra periudhës nga Mesjeta në Klasicizëm, nuk i pati interesuar asfare zhvillimi historik i gjuhës, d.m.th. nuk i interesonte “si” shndërrohej ligjërimi, por “çfarë” ish ai në vetvete. Sikundër thotë Saussure “interesi historik për gjuhët zuri fill kur u zbulua se ato mund të krahasoheshin mes tyre. Kjo shënoi lindjen e filologjisë krahasuese apo ndryshe të “gramatikës së krahasuar”. Më 1816-n, në një studim të titulluar “Sistemi zgjedhimor i sanskritishtes”, Franz Boppi shqyrtoi lidhjet e sanskritishtes me gjuhët gjermanike, greqishten, latinishten etj”. Në fakt, gjuhësia e shek. XIX, me orientimin e saj fund e krye historik, nuk u njohu pararendësve vendin që meritonin në shkencat filologjike dhe ky qe vërtet paradoks, sepse nuk mund të mohohej kontributi i studiuesve si Platoni, Shën Agustini, apo Thoma d’Akuini e më tej Leibnizi, Komeniusi apo shkolla e Port-Royalit. Tash pranohet se përshkrimet apo konkluzionet teorike të skolastikëve dhe racionalistëve janë të epërme ndaj atyre të gjuhësisë historike. Vetë Saussure iu pat referuar Platonit lidhur me arbitraritetin e shenjës, ashtu si dhe Chomsky më pas u pat mbështetur te Dekarti për të themeluar teorinë e gjenerativizmit gjuhësor. Si përfundim, gjuhësia historike hulumton cila është zanafilla e një elementi të dhënë dhe si ka qenë ai në etapën pararendëse. Por problemi mund të shtrohet edhe ndryshe: Çfarë roli luan ky element në rrjedhë të ligjërimit? Si sillet ai në shoqërizimet gjuhësore? Ç’vend zë ky element praktikisht në një gjuhë të dhënë e teorikisht në sistemin e përgjithshëm-gjuhë? Këto ndërdyzje të reja që kishin filluar të ngacmonin vëmendjen e studiuesve, nxorën në pah pamjaftueshmërinë e të ashtuquajturave metoda diakronike, historike apo etimologjike, ose sikundër shprehet Saussure: “kjo shkollë (…) nuk mbërriti dot të themelojë shkencën e vërtetë të gjuhësisë. Ajo s’e çoi kurrë ndër mend të shqyrtonte natyrën e objektit të studimeve të saj. Kësisoj, pa hedhur këtë hap fillestar, një shkencë e ka të pamundur të përvijojë një metodë të sajën”. Ky ngërç metodologjik mund të zgjidhej duke i pranëvënë gjuhësisë historiko-krahasuese një tjetër gjuhësi, atë sinkronike-përshkruese. Në fakt ky gërshetim metodash u përftua si zgjidhje vetëm pasi e ofroi Ferdinad de Saussure; e madje, sikundër u ndodh gjithnjë revolucionarëve të mendimit, domosdoshmëria e përftimit të kësaj zgjidhjeje nisi të ndihej veç një a dy dekada pas tij.
Jakobson-i thotë se “vlerësohen si kryevepra dy lloj kontributesh shkencore: Ato të tipit epilog që, pasi kanë bërë bilancin e hulumtimeve në atë fushë, të rezultateve të arritura, e kurorëzojnë këtë veprimtari me një doktrinë të mirëfilltë dhe ato të tipit prolog, që nuk paraqesin një ndërtesë të përfunduar por fillesat e një ndërtese të re dhe përparimtare”. “Kurs i gjuhësisë së përgjithshme” i përket tipit të dytë, pasi ai nuk përmban përfundime të nxjerra nga vepra e plotë e autorit dhe e bashkëkohësve të tij. Jo, ai ngrihet i gjithi mbi kurajën dhe përpjekjet e një individi që u mundua të rishikojë e të tejkalojë trashëgiminë e shkollës nga e cila ai vetë qe formuar, madje edhe trashëgiminë vetjake kërkimore e shkencore, duke synuar rezultate të reja. Sërish Jakobson-i: “ndryshe nga manualet, të cilat përmbledhin rezultatet e përftuara sakaq nga shkenca, Saussure-i nuk u ndal mbi çka qe bërë, por mbi çka duhej bërë”. Ndaj edhe kreu hyrës i Kursit të tij mbyllet me fjalët domethënëse: “Ende sot problemet themelore të gjuhësisë së përgjithshme janë duke pritur zgjidhje”. Gjithsesi, i duhet mëshuar sqarimit se Kursi nuk përmban dogma përfundimtare, por hipoteza për punë të mëtejshme, si dhe skica paraprake aq të domosdoshme për zhvillimet e ardhshme të gjuhësisë. Vepra e tij meqë ka lindur mes dy epokash, qëndron në zgrip mes dy këndvështrimesh të ndryshme. Është normale që një vepër e tillë, aq më tepër revolucionarizuese, të mos mund u shmanget kontradiktave në vetvete, madje do të qe e pasaktë nëse Kursi merret si një doktrinë e përfunduar.
Pavarësisht kontradiktave, vepra vijon të mbetet një përftesë gjeniale, tek e cila jo vetëm idetë e vlerta e të sprovuara tashmë prej më se një shekulli, por dhe pasaktësitë apo kundërshtitë, po bëhen shkas i vazhduar për hulumtime të reja! Dhe në fakt, zhvillimet e sotme gjuhësore dëftojnë sërish për një rikthim te Saussure-i. Pas një periudhë heshtjeje, gjatë së cilës strukturalizmi shpërtheu me energji biblike duke ushqyer lindjen e shumë disiplinave shkencore si: semiotika, semantika, sociolinguistika, etnolinguistika – e madje edhe rrymave që iu shmangën atij, si gramatika gjenerative-transformuese – tash me një trajektore ciklike gjuhësia bashkëkohore po i kthehet sërish “atit” të vet. Përmendim këtu tituj dhe data të disa prej traktateve dhe eseve gjuhësore, që bëhen pasqyrë e kahut të sotëm shkencor: Më 1994 J. C. Milner botoi Retour à Saussure; më 1997 J. C. Chevalier botoi në periodikun “Quinzaine Litteraire” esenë me titull De nouveau Saussure; në qershor 2001 në Archamps të Gjenevës u mbajt Kongresi Ndërkombëtar “Saussure après un siécle”; dhe vetëm pak kohë më parë Christian Steter organizoi në Zyrih bashkëbisedimin me temë Am Ende des Chomsky – Paradigmas: zuruck zu Saussure? Ja pra, sikundër dëshmojnë renditje të tilla, jemi përsëri te Saussure-i. Nga sa duket, në shek. XX gjuhësisë i takoi të shndërrohej në distilerí të teorive sosyriane; por edhe në këtë shekull ajo po dëfton të njëjtat gjasa. Është bërë zakon që sa herë përftohet një “produkt” i ri nga kjo distilerí, të thuhet se Saussure-i u tejkalua. Edhe një herë sillet në kujtesë vlerësimi i Jakobson-it për Kursin se: “kjo vepër nuk paraqet një ndërtesë të përfunduar, por fillesat e një ndërtese të re dhe përparimtare”. Vërtet disa nga përgjithësimet e tij tashmë mund të jenë të tejkaluara, por kuptimi “i tejkaluar” përdoret nga ithtarët ose kundërshtarët e Saussure-it ashtu si kati i parë i një ndërtese tejkalon themelet dhe kati i dytë… e kështu me radhë. Sa më tepër kate hidhen (tejkalime), aq më i fortë rezulton themeli mbi të cilin ato mbështeten. Një themel i dobët nuk do të kish gjeneruar atë harlisje disiplinash shkencore mbi të cilat gjuhësia bashkëkohore vijon rrugëtimin e saj.
Gjithë ky tharm i veprimtarisë shkencore në Europë edhe mund ta ngjizë në Shqipëri metodën sinkronike-përshkruese. Mungesa e gjatë e kësaj metode, e lidhur pashmangërisht me inercinë e kotë anashkaluese ndaj Saussure-it, ka krijuar një hendek të madh mes gjuhësisë sonë dhe asaj bashkëkohore europiane. Ky hendek paraqitet më i thellë veçanërisht në trajtimin e tri elementeve bazë:
1. Prurjet e shoqërisë në gjuhë;
2. Veprimi i gjuhës në shoqëri;
3. Roli i vërtetë të gjuhëtarit.
Për pasojë, debati gjuhësor bashkëkohor zëvendësohet e rizëvendësohet me bollëkun e studimeve historike – të domosdoshme edhe këto – por duke iu shmangur problematikave të vërteta. Në fakt këto problematika, të shtruara për zgjidhje, i kërkojnë ato jashtë situatave empirike subjektive, pra jashtë gjuhësisë laboratorike. Për të ardhur në zgjidhjet objektive, duhen aplikuar në gjuhësinë shqiptare të gjitha ato disiplina moderne që “kanë si objekt të vërtetë dhe të vetëm gjuhën, të shqyrtuar në vetvete dhe për vetveten”. Por këto disiplina nuk kanë si mëkëmben pa u përftuar më parë – shtysa e tyre zanafillore – Saussure me Kursin e tij. Së këndejmi pyetja: A bën pjesë gjuhësia shqiptare në gjuhësinë bashkëkohore europiane?


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.