Pas rastit të Harvey Ueinstein, një tjetër skandal trondit botën e spektaklit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Aktori i njohur Morgan Freeman akuzohet për ngacmim seksual nga 8 gra.
Ato rrëfejnë për CNN se kanë qenë viktima të prekjeve apo komenteve të papërshtatshme nga ana e yllit të kinemasë.
Sipas tyre, ngjarjet e përsëritura kanë ndodhur në sheshxhirimet e disa filmave ku Freeman është protagonist nga viti 2013 në vitin 2017.
Mes dëshmive të denoncueseve, është edhe një asistente produksioni, e cila tha se aktori kishte tentuar t’i ngrinte fundin.
Ajo tha për CNN se kishte punën e ëndrrave, derisa nisi të bashkëpunojë në filmin “Going In Style” me aktorin Morgan Freeman.
Sipas saj, puna u shndërrua në një makth, pasi Freeman nisi ta prekte kudo dhe të bënte komente të papërshtatshme.
“Një ditë më preku tek fundi, e nisi të më pyeste nëse kisha veshur të brendshme?’ Edhe përse i kërkova të më linte të lirë, nuk ndalej. Ishte regjisori Alan Arkin ai që i kërkoi të ndalonte e më la të lirë” – tregoi ajo.
“Ai nisi të komentonte format tona trupore. Dhe të gjitha vajzat vishnin veshje të gjëra ku nuk ekspozohej gjoksi. Ishim të tmerruara” – vijoi ajo.
80-vjeçari nuk ka dhënë ende një koment për akuzat e rënda në adresë të tij.
Nëse këto akuza do të rezultonin të vërteta, do të ishte një goditje e rëndë për Hollywood.
Prej kohësh Morgan Freeman është një prej personaliteteve më të rëndësishëm dhe me ndikim në komunitetin afro-amerikan.
Gjatë karrierës, ai ka fituar një çmim “Oscar”, si aktori jo protagonist në filmin “Million Dollar Baby” me regji të Clint Eastwood dhe ka qenë kandidat 4 herë të tjera për disa nga realizimet e tij më të mira.