OPINION

Real-politikë mbi çeljen e negociatave

07:40 - 15.06.18 Rudina Hajdari
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 Marrëveshja historike midis Greqisë dhe Maqedonisë për zgjidhjen e problemit 27-vjeçar për emrin e ri të Maqedonisë është shpresëdhënëse për ruajtjen e stabilitetit dhe paqes për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Me bindje të plotë mendoj që është një ogur i mbarë edhe për Shqipërinë, sepse në të kundërt do të ishte një pengesë e përbashkët për çeljen e negociatave.




Ndërkohë, në rajon ka edhe zhvillime të tjera që mund të forcojnë peshën e argumenteve të krahut që është kundër çeljes së negociatave për Shqipërinë. Kështu për shembull, në Beograd ministër i Financave, i sapoemëruar, një ish-kryetar Bashkie i Beogradit, mbi të cilin rëndojnë akuza serioze për korrupsion. Është qartësisht diçka që nuk ka të bëjë me Shqipërinë, por në Bundestag u diskutua se këto janë fenomene jo fort të mirëpritura.

Edhe pse ende në formësim e sipër qëndrimi gjerman lidhur me çeljen e negociatave për vendin tonë mbetet ende fraktare deri në javën e ardhshme, që do të zhvillohet samiti franko-gjerman, më datë 19 qershor, ku dosja shqiptare me siguri do të jetë pjesë e diskutimeve. Në këtë kuadër mund të thuhet se Gjermania do të marrë një vendim në lidhje me qëndrimin që do të mbajë për fatin e Shqipërisë për çeljen e negociatave.

Sipas të gjitha gjasave, rezultati më i favorshëm i vendimmarrjes gjermane në Bundestag do të jetë një qëndrim i tipit, “po… por me faza…”. Nuk ka ende një kalendar të mirëpërcaktuar lidhur me “fazat” e sugjeruara. Por, ajo që mund të them është se këto faza do të mbështeten në zhvillimet e brendshme të Shqipërisë: si reforma e sistemit të drejtësisë, vetingu, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe reforma zgjedhore. Edhe në rast se marrim një “Po” negative, siç e kanë cilësuar disa prej zyrtarëve gjermanë, atëherë mbetet të presim që Gjermania të arrijë të bindë Francën, e cila duket e prerë në vendimin e saj për t’i thënë “Jo” çeljes së negociatave për vendin tonë. Ky qëndrim i Francës vjen si rezultat i problemeve të shumta brenda Bashkimit Europian, të cilat janë shumëfishuar edhe nga vendet që janë bërë pjesë e BE-së vitet e fundit.

Eksperiencat negative të Rumanisë, Bullgarisë, Qipros, Sllovenisë e kanë bërë procesin dhe më rigoroz. Sidomos, konflikti Slloveni-Kroaci është një precentë e hidhur për vendet e BE-së dhe sa më shumë kohë kalon, aq më i vështirë dhe kërkues bëhet procesi i integrimit.

Gjermania dhe vendet e tjera të BE-së janë të bindura se anëtarësimi në BE është një përgjegjësi e madhe për një shtet, pasi vjen me ndryshime të shumta, që mund të kenë pasoja shumë të mëdha në harmonizimin e ligjeve dhe rregullave të tregut të përbashkët të BE-së. Këto përgjegjësi mund ta çojnë një vend në kolaps ekonomik apo në krizë sociale e si rrjedhojë, BE e shikon sfidën e anëtarësimit si një përgjegjësi të madhe për vendet e Ballkanit Perëndimor, për të cilët janë skeptikë nëse mund ta përballojnë sfidën e anëtarësimit. Por nga ana tjetër, Gjermania është e bindur se Ballkani Perëndimor është pjesë e Europës dhe procesi i integrimit është thjesht çështje kohe.

Gjithsesi, Shqipëria ndodhet në një situatë goxha të komplikuar para çeljes së negociatave dhe është shumë e vështirë të parashikosh se çfarë do të ndodhë në fund të qershorit. Politika e brendshme apo kundërpërgjigjet qeveritare ndaj opozitës në lidhje me qëndrimet e vendeve të Bashkimit Europian kanë formën e një loje shahu. Përdorimi i opinioneve të ndryshme mbi qëndrimin e Shqipërisë për çeljen e negociatave është qesharak e plotësisht i dukshëm në sy të opinionit publik.

Qëndrimi i mazhorancës lë për të dëshiruar, sepse nuk po tregon vullnet politik deri në vetësakrificë si Maqedonia, për të zgjidhur disa nga rezervat që kanë vendet anëtare të BE-së për Shqipërinë. Edhe pse Maqedonia e zgjidhi këtë problem shumëvjeçar, kjo ka polarizuar opinionin publik në Maqedoni. Në bazë krahasuese, vendi ynë fqinj, Maqedonia, po na jep mësime demokracie, sidomos me marrëveshjen e fundit me Greqinë dhe hapat që ka ndërmarrë vitin e fundit. Është shumë pozitive që Athina dhe Shkupi arritën në zgjidhjen e një çështjeje që ka ndikuar rajonin për vite me radhë e sidomos ka penguar integrimin e Maqedonisë në organizatat Euro-Atlantike. Avancimi i fqinjëve tanë drejt rrugës europiane është një e mirë për të gjithë rajonin.

Ndërkohë që qeveria “Rama” ka qenë selektive dhe e padrejtë në hapat e saj. Në fushat që ka dështuar, ia ka faturuar opozitës, duke mbajtur pozicionin e një qeverie që ka vetëm 1 vit që ka ardhur në pushtet ndërkohë të mos harrojmë që ka 5 vjet që qeveris vendin. Mazhoranca është në dijeni të plotë se Gjermania dhe vendet e tjera të BE-së janë duke i ndjekur nga afër zhvillimet e brendshme të Shqipërisë, sidomos në dy fusha kryesore 1) reformën në drejtësi dhe 2) luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit të drogës dhe korrupsionit. Çdo vendim i qeverisë që ka lidhje me këto fusha janë tashmë shumë lart në radarin e këtyre vendeve dhe sado që qeveria “Rama” mundohet të sfumojë apo të hedhë hi mbi faktet që lidhen me këto dy fenomene, është një tentativë e kotë dhe kundërproduktive. Prandaj, mazhoranca duhet të pranojë që janë pikërisht faktet e mëposhtme, që kanë dëmtuar procesin e integrimit në BE, përballë secilës përgjigje të marrë Shqipëria, “Jo” ose “Po, negative” (me kushte).

  1. Çështja kryesore dhe më e rëndësishme është ajo e reformës në drejtësi. Një proces që duhej të ishte më intensiv në syrin e ndërkombëtarëve dhe duhet vënë në dukje fakti shqetësues se vetëm 12 gjyqtarë nga 800 i janë nënshtruar vetingut në 6 muaj. Gjithashtu, rezultatet tregojnë se ne jemi në një gjendje mjeruese, duke marrë parasysh shkarkimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese si rezultat i vetingut, duke krijuar një boshllëk në sistem për shkak të moszëvendësimit të tyre, gjë që e ka vënë këtë hallkë të sistemit të drejtësisë në krizë.
  2. Çështja “Tahiri” kaq shumë e komentuar dhe e analizuar si brenda vendit, ashtu edhe nga ndërkombëtarët, u shndërrua në test për sistemin e drejtësisë. Ky sistem dështoi edhe njëherë me lirimin e tij nga arresti i shtëpisë.
  3. Skandali “Xhafaj” është një shembull famëkeq për përpjekjen e qeverisë për të luftuar krimin e organizuar dhe trafikun e drogës. Sido që të jetë e vërteta, përfshirja direkte e një familjari të ministrit të Brendshëm me krimin apo trafikimin e drogës e vë ministrin në një pozicion vulnerabël dhe të gjithë institucionin që ai drejton.
  4. Reforma zgjedhore është një tjetër çështje që do të monitorohet me kujdes nga ndërkombëtarët. Zbatimi i saj përpara zgjedhjeve lokale 2019 do të jetë si kaviat i rëndësishëm për çeljen e negociatave. Nëse nuk kemi rezultate në këtë fushë dhe rekomandimet e OSBE/ODHIR nuk merren parasysh, atëherë do të krijohet një hendek tjetër për avancimin drejt BE-së.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.