Për pak ka degjeneruar në dhunë mbledhja e Komisionit të Medias, ku ishte i pranishëm dhe kryebashkiaku Erion Veliaj.
Ka qenë deputeti demokrat Flamur Noka, ai që është ngritur nga vendi dhe ka tentuar të nxjerrë kryebashkiakun jashtë komisionit, pasi ky i fundit refuzoi disa herë të zbatojë urdhrin e kryetares së këtij komisioni.
Noka iu drejtua Erion Veliajt për ta ngritur nga karrigia ku ishte ulur dhe vetëm ndërhyrja e Gardës së Republikës shmangu përplasjen fizike. Më pas të gjithë të pranishmit u ngritën në këmbë duke diskutuar me tone të larta.
“Garda të nxjerrë jashtë kryetarin e bashkisë, ndryshe do të kërkoj që të merren masa. Garda, zbatoni ligjin! Ju kam kërkuar që të nxirrni jashtë kryetarin e bashkisë, pasi është i paftuar në komision. Ka ardhur që të prishë mbledhjen”, tha Vokshi.
Pas disa minutash debate, Erion Veliaj vendosi që të largohej duke thënë “Tirana do fitojë”. Pas tij u largua edhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, së bashku me deputetët socialistë.
“Dënoj me forcë largimin e ministres Kumbaro, e cila ishte thirrur për të dhënë llogari për Teatrin Kombëtar. Ky është fundi i parlamentarizmit. Mazhoranca nuk do që të bëjë transparencë për krimin që po bëhet me Teatrin Kombëtar”, deklaroi Vokshi.