OPINION

Përse u këmbëngul me “përshpejtim” shembja e Teatrit Kombëtar?

07:30 - 07.07.18 Kiço Blushi
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Për një shoqëri normale, qoftë edhe kinse demokratike, do të mjaftonte shkrimi i A.Plasarit, klithma e Maks Velos “Unë jam Teatri”, firma e falsifikuar e arkitektit të teatrit tonë modern, Pirro Mani, e plot të singjashmëve të tyre që dëshpërimisht po vazhdojnë të kundërshtojnë, peticionojnë, artikulojnë e protestojnë që qeveria, kryeministri, Kuvendi, aktorët, intelektualët, deputetët, analistët, gazetarët e gjithë tjetër çka përbën atë që quhet opinionin publik, t’i vënë gishtin kokës, të mbyllin debatet shterpë e të nisin rikonstruksionin jo vetëm të ndërtesës së Teatrit, por të kompleksit ‘Skënderbeg’, kësaj qendre muzeale unike, jo vetëm të kryeqytetit, por të historisë së Shqipërisë në njëqindvjeçarin e fundit.




Një qeveri e një kryeministër do duhej të gjykonin më së paku elektoralisht. Një udhëheqës që e do kombin e vet, që mban përgjegjësi para historisë, mjaft të ketë sadopak respekt për emrin e vet (me kusht që të mos i jetë vdirur prej vetëngopjes nga mbipushteti, droja instiktive për të mos lënë gjurmë shkatërrimi në histori…), do të ishte tërhequr me nder. Edhe neosulltani Erdogan u tërhoq para ca vitesh për prishjen e sheshit ‘Tikrit’ në Stamboll.

Çështja në do të prishet ose jo Teatri prej muajsh ka kapërcyer e anashkaluar të gjitha hallet e Shqipërisë, politike e sociale, përfshi edhe hapjen ose jo të negociatave. Madje edhe ethet e kampionatit botëror të futbollit. “Tepsia” dhe “timoni” dhënë një njeriu të vetëm provoi, duke u ballafaquar me “Teatrin”, se ç’ukubera mund të bëjë një mazhorancë e trajtuar si kope.

***

E megjithatë, mos i bini më qafë Edi Ramës. As mëkëmbësit të tij Veliaj. Aq më pak ministres së Kulturës, që vetëm emrin e ka të formësuar (sigurisht jo për meritë e dashurisë së “të lindur” për artin e kulturën) me nota muzikore… Sepse prishjen ose jo të Teatrit nuk e ka më në dorë qeveria, as zotëruesit fuqiplotë të timonit e të tepsisë, pasi ajo hapësirë historike tash asht “tokë e xamun”. Jo nga të pastrehët, që zaptojnë ndonjë bunker për të futur kokën, por nga oligarkët. Tash edhe më trushkulurit e propagandës qeveritare duhet ta kenë kuptuar se janë këta që komandojnë, jo më një parti e kryetar partie, por edhe votat e parlamentit. Edhe votat tona.

Nuk është vetëm hapësira e Teatrit “tokë e xamun” nga “Fusha-t”, por e gjithë Shqipëria.

Rama nuk mund të tërhiqej se kontratat qindramilionëshe kanë pas qenë firmosur, sigurisht bashkë me penalitetet. Projektet për kullat madhështore ishin ideuar e kërkuar nga vetë Rama, skicuar nga studioja e “arkitektit me famë botërore”, i cili denjoi të vinte vetë në Tiranë për të na shpjeguar që ndërtesa e Teatrit duhet shembur, se… se ka edhe rrezik zjarri dhe kanceri… Kjo do të thotë se studioja në fjalë e arkitektit të shquar është paguar nga firma për kullat dhe Teatrin e ri të PPP-së. Ndaj nëse Rama, pas protestave për armët kimike u detyrua të tërhiqet e të kundërshtojë madje edhe marrëveshjen me amerikanët, me “Fushën” këtë nuk e bën dot. E ka të pamundur. Vendimmarrjen mbas sodit e kanë në dorë “Fusha”-t, jo qeveria, as kryeministri fuqiplotë, aq më pak opinioni publik dhe komuniteti i aktorëve.

Rama nuk tërhiqet dot, si nuk e bëri me koncesionin e Rrugës së Kombit. Me demek, tërheqja që u detyrua të bënte qeveria “Rama” prej protestës së dhunshme të kuksianëve nuk ishte ndjesë, as pranim gabimi, por kompensim financiar për koncesionarin, duke mbuluar shteti, pra taksat tona, “dëmet”. Ndaj, çmimin e kalimit të rrugës e shoqëroi jo vetëm me kompensimin e uljes së biletës, por edhe me shlyerjen e dëmeve për firmën “Kastrati”… Pse? Sepse kontratat ishin firmosur në fshehtësi, pa tender, bashkë me penalitetet.

Sepse edhe Rruga e Kombit paskësh qenë “tokë e xamun”. Dhe sepse vetëm tek ne ndodh që koncesionet të mos jepen me përfitim për shtetin e për publikun, por humbjet e tyre (cila kompani merr një koncesion me humbje?) u financokan nga shteti, si ka ndodhur me Rinasin, chekap-in, naftën etj. Vetëm me këto para (mbi 70 milionë euro…) të hedhura në badjava e në qyl mund të ndërtoheshin në Tiranë jo një, po disa teatro!

Prandaj Lubonja e ka gabim kur thotë se protesta duhet bërë si e kuksianëve… Jo për faj të disa aktorëve që janë akuzuar si të shitblerë (se edhe ata kanë halle, fëmijë, shtëpi…), as pse dihet që edhe ata që rezistojnë nuk do të shtrihen para buldozerëve e nuk do të rrëmbejnë gurë e shkopinj për t’i hedhur kundër rruspave, por se të gjitha palët e përfshira në këtë zallamahi e kanë pësuar-mësuar në këto vite se, duke nisur që nga vota e deri te protesta, argumenti, interesi publik, madje edhe ai që quhet opinion publik nuk kanë as takat dhe as mundësi të ndikojnë, të përmirësojnë apo të ndryshojnë, jo më qeverisjen, por as realitetin vetë, sepse janë të tredhur. Tepsia dhe timoni tashmë nuk janë në duart e atyre që votuam, por të “Fusha”-ve.

Këtë provoi odiseja e Teatrit. Tek ne, në vitin 2018 fuqia e opinionit publik nuk shkon më larg se shprehja “Bjerini legenit”.

***

Andaj në përurimin e Artturbinës, me sinqeritetin që e karakterizon, Rama pohoi: “Nuk kanë punë me Teatrin aktorët, regjisorët, intelektualët, të gjithë ata që udhëheqësi i përmbledh në një fjalë duke i futur në kazanin mediatik, sepse “në Shqipërinë që duam” vendos ai, ai që ka edhe tepsinë, edhe timonin, në bashkëpunim me ndërtuesit, dmth me oligarkët. Prandaj Teatri do të shembet. Prandaj kryeministri nuk kishte asnjë mundësi tërheqjeje. Prandaj shembeni një sahat e më parë! Sa më shpejt, aq më mirë! Që të mbyllet kjo sherrnajë absurde, fundi i së cilës dihet: ERTV dhe makina e propagandës së Veliajt duhet të nisin një tjetër fushatë me sukseset e “Shqipërisë që duam”, me stilin bjeritibiem, mburru vetë e mos prit të të mburrin të tjerët, hidh batuta dhe tallje publike për ata që janë mësuar të hanë bar, makar edhe për ata që kundërshtojnë… Në Shqipëri nuk ka më opinion publik, shoqëri civile, marrëdhënie institucionale pozitë-opozitë, madje nuk ka as mazhorancë funksionale e normale, në kuptimin klasik të kësaj fjale… Tek ne kryeministri para Ramës i bëri thirrje Berluskonit të sillte investitorë të huaj se ka vajza të bukura, kurse pasuesi i tij, Rama, iu mburr Rencit se nuk kemi sindikata që të bezdisin si në Itali. Nuk bën keq t’i mburret Merkelit se tek ne, mbas sodit, nuk ka as opinion publik.

Sepse, tekefundit, krerët tanë legjendarë, të cilëve u vete pas historia jonë memece që nuk kundërshton edhe kur e përdhunojnë, këtë e dinë fort mirë: çudia, vakia, habia, zemërimi, inati… në këto vise të mbjella me harresë kolektive, nuk zgjasin më shumë se tri ditë. Sepse për Rilindjen, më i rëndësishëm qenkësh bunkeri (të cilin ‘BBC’ e quajti ‘bunkeri nuklear i Koresë së Veriut në Evropë’…) që ngallon krenarisht pak më tutje, se kompleksi muzeal ‘Skënderbeg’, ku nuk qenkëshin luajtur vetëm pjesë teatrore, simfoni, po edhe drama kombëtare, si gjyqet politike pas lufte… Por as këto nuk kanë pikë rëndësie mbas sodit.

Sepse tashmë u provua që në Shqipërinë tonë të tepsisë dhe të timonit nuk kanë asnjë vlerë e asnjë ndikim protestat, votat, debatet, interesi publik, trashëgimia historike e kulturore… Nuk kanë më peshë jo vetëm ligjet, por as Kushtetuta. “Bjerini ju legenit!”, “le të lehin qentë e kazanit!”, se karvani ynë rilindar e ka gjetur tashmë ‘Fushën’ e tepsisë, ku mund të hedhë vallen e trimave të majekrahit demokratik…!

Më kot i bini më qafë Ramës dhe i kërkoni të tërhiqet. Nuk e ka ai në dorë të tërhiqet. Pasi që sot e tëhu, që të bësh hair e prokopi, duhet të jesh fushë. Sigurisht jo tokë buke, po mundësisht truall… Të jesh një lepepeqe, dmth fushë nga mendja, nga dinjiteti. Dhe sidomos nga përkushtimi e përulësia pa kushte që vazhdojmë të kemi ndaj udhëheqësve tanë karizmatikë, të cilët historikisht, tradicionalisht e papërjashtimisht e kanë përcaktuar vetë çmimin e kiles së pordhës së tyre në tregun mediatik e publik!

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.