OPINION

A varroseshin shqiptarët?!

07:40 - 27.07.18 Ben Andoni
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

A varroseshin shqiptarët në kohën e socializmit? “U shtanga, por njeriu që më pyeste e kishte shumë sinqerisht pyetjen e tij. Pasoi një pauzë, kurse i gjithë grupi i turistëve të huaj priste pa pipëtirë përgjigjen time. Nuk e mohoj se më befasoi me pyetjen, por më shumë kinse naivitetin që mbante pak si shumë erë keqdashje. Heshta një moment. Doja t’i kthehesha keq, por kështu do t’i jepja ‘një provë’ më shumë për ne shqiptarët ‘e pagdhendur’. – Po të përgjigjem me një pyetje, i thashë. – Ku mund t’i çonim në gjykimin tuaj të vdekurit, kur e mbyllnim udhëtimin e jetës?!”. Topitja e turistëve u kthye pakëz në ilaritet mes grupit dhe situata u kalua disi, por jo makthi tek shoqëruesi i vjetër, që tregon një situatë të zakonshme me grupet e shumta të turizmit, që vinë sot në Shqipëri.




Shqipëria në sytë e të huajve vjen sërish përmes një propagande, që duhet thënë se nuk është gjithëherët miqësore. Veç stereotipit të shqiptarit shpërndarës droge, bandit, hajdut dhe më së shumti vrasës, që shoqëron episodet në filma, kemi shqiptarin e çakorduar dhe pa sens i etur për rrëmujë dhe pa rregullat bazikë të qytetërimit. Kinematografia e huaj e ka ushqyer mirë, kurse shkrimet e shumë artikullshkruesve vendës e të huaj e kanë konfirmuar këtë shpesh në mënyra krejt hipotetike. Mjafton një rast kundravajtje i rëndomtë, që të shumëzohet  paraqitja e shqiptarit të papërgjegjshëm dhe të destinuar për të bërë keq dhe tollovi. Ka kaluar disi zhurma e periudhës së trafikut të femrave, por shqiptarit i janë veshur atribute të reja, atij të transportuesit rëndom të drogës dhe shpesh vrasësit. I gjithë ky peizazh i tanishëm social i vishet atij të shkuar, për të cilin mungonin realisht referencat veç hamendësirave. Ndaj, pyetjet e të huajve që vinë përherë e më shumë në Shqipëri, jo pak herë janë nga më të habitshmet. A kishit televizor në socializëm?! A bënit pushime? Keni pasur universitet? A ishte e vërtetë që hanit bashkë të gjithë në një pjatë të madhe? A rrinin të ndarë burrat dhe gratë? Keni pasur teatër? Miku ynë, që tashmë në pension bën guidën, të rreshton pyetje pa fund të turistëve që të trembin me mungesën e njohjes, por edhe fuqinë e errët të propagandës, bërë dhe vazhdon të bëhet ndaj Shqipërisë. Ndonëse kanë kaluar vite dhe dekada, ajo është e pranishme në grupet turistike dhe nëse do të bëhej një vështrim sociologjik, do kishte përfundime interesante. Ajo përshkon individë të tërë në brezat e ndryshëm të vendeve të huaja, forcën e një propagande shumë malinjë, por edhe stereotipat me të cilat shikohet vendi ynë. Për fat, një pjesë e guidave e përballon ngarkesën, mbi të gjitha pyetjet, nga përgjigjet e të cilave ka shumë se çfarë mund të kuptohet për vendin tonë.

Po a ndodh kështu me të gjithë?! Një pjesë e guidave, në fjalën e mikut tonë që e referuam më sipër, në mungesë të kulturës së përgjithshme të mjaftueshme, rekrutimeve të shpejta, moshës së re, por edhe cinizmit të zakonshëm të shqiptarëve ndaj vendit të tyre nuk lënë gjë pa thënë për Shqipërinë. Për ta: Shqipëria e para viteve ‘90 është një gropë e zezë, ashtu si ajo e viteve të para të demokracisë. Shqiptarët kanë bërë thjesht luftë civile! Luftë antifashiste s’ka pasur fare. Të dhënë pas drogës. Gomonia është fare normale. Vitet e socializmit kanë qenë të errëta dhe shkolla ishte shumë e dobët. Shqetësimi më i madh, citoj burrin e vjetër, është se këto fjalë amplifikohen në masë nga turistët e huaj, kur shkojnë në vendet e tyre dhe janë përcaktimet e para sesi komunikohet për vendin tënd nga vizitorët. Po a është mirë ta kritikosh vendin tënd? Në një farë mënyre po, nëse në vendin tënd shkelen të drejtat e njeriut dhe kemi sundim të një kaste apo ku padrejtësia është sheshit ndërsa mundësia e njerëzve është shumë e vogël për ndryshim. Përkundrazi, nëse një vend është në rrjedhën e vet të ndryshimit, atëherë ndryshimi u takon qytetarëve dhe ata kanë mundësi të testojnë veten e tyre me zgjedhjet dhe formacionet politike që përkrahin. Asnjë vend nuk është i përsosur për qytetarët e vet. Amerika, si një vend që ka luftuar shumë për demokracinë, e ka të sanksionuar në Deklaratën e Pavarësisë, mundësinë e ndryshimit, nëse parametrat e demokracisë degjenerojnë. Shqipëria, në udhën e vet të ndryshimit, duhet të kuptojë se ky stad nuk na pengon të gjykojmë realisht për nivelin tonë të demokracisë dhe se rregulli dhe logjika duhet të sundojnë. Përgjatë edhe demokracive më të zhvilluara ka pasur probleme zhvillimi apo liderë me të cilët popujt e tyre s’ishin dakord dhe reforma joproduktive, por në to veprohet thjesht: ndryshimi vjen me zgjedhje të ndryshme dhe me emërimin e njerëzve më të mirë. Një vend e drejtojnë njerëzit që i nxjerr vetë dhe kjo është shumë me e mirë sesa të shkosh e të bësh tollovi dhe mbi të gjitha të nxish aty ku duhet e s’duhet vendin tënd. Ndaj, kushdo qoftë që i është dhënë e drejta të flasë për vendin: kritiko, protesto dhe përfshiu në kundërshtim, por mos e moho vendin tënd dhe mos e nxi!

Ndodh që ky grupim i ri, që mund të futet në industrinë e turizmit di të flasë bukur për natyrë, por shumë pak për anën tjetër, duke i lënë të huajt me hamendësi nga më të habitshmet, por edhe pa përgjigjet e duhura. Teksa, shkollimi i mangët i këtyre tri dekadave po ndikon edhe në këtë aspekt. Të rinj që flasin mirë gjuhë të huaja, por që çalojnë në kulturë të përgjithshme, sidomos në atë që lidhet me fazat e zhvillimit të vendit shprehin lloj-lloj gjërash për vendin e tyre, u mungon formimi bazë për të parë në mënyrë krahasuese atë që është bërë në shekullin e shkuar dhe rrugën sesi u zhvillua kombi shqiptar.

Në një farë mënyrë, kjo tendencë e ka bazën edhe në inflacionin e fjalës, por edhe në tollovinë sesi sot kategoritë e ndryshme flasin për vendin e tyre. Në parlamentin shqiptar, një masë e madhe e ligjvënësve ka hedhur baltë mbi të gjithë atë që është arritur, për të mos thënë që shumë nga arritjet tekniko-shkencore dhe kulturore të vendit as nuk përmenden fare, për të mos thënë që injorohen. Media me amullinë e vet e shton këtë patologji, ku të gjithë bëjnë garë se kush gjen gjëra më të këqija për vendin, pa ditur se të gjithë dëmtojmë, pasi në një farë mënyre amplifikon atë që thuhet për shqiptarët: të çorientuar dhe predispozuar për krimin.

“Ne kemi rituale të jashtëzakonshme sa i përket vdekjes, por edhe kulturë funebre. Ju mjafton të ndiqni koleksionet e fotove historike të shikoni traditën”, iu përgjigja turistit, që ndërkohë kish heshtur më shpjegon burri. Por, nëse kjo pyetje do t’u bëhej nxirësve të Shqipërisë, çfarë do të thoshin vallë? Do të ngrinin supet apo kush e di duke u përgjigjur me pyetje: A varroseshin shqiptarët!? “Gazeta shqiptare”

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. shkrim shume i dobet nga te gjithe drejtimet. me mire te mos shkruaje sesa te shkruaje keshtu lesh e li. deri te gjysma lexova dhe fjalite jane nje mish-mash pa kuptim dhe pa asnje rregull drejtshkrimi. ky paguhet dhe duhet t’i ndjeke rregullat e drejtshkrimit. fjalite te kene kuptim, jo te jene si te jene shkruar nga nje kooperativist.

    Përgjigju ↓