OPINION

Pse ikin shqiptarët?

07:30 - 27.07.18 Besnik Bakiu
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Tri ditë nga sot, Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare dhe Agjencia Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar publikuan të dhënat dhe analizimin e tyre mbi lëvizjet migratore të shqiptarëve. Prej tyre doli se afro 40 për qind e popullsisë së Shqipërisë jeton jashtë vendit. Po t’i bashkëngjitës këtij studimi edhe atë të “Gallup-it”, ku gati gjysma e qytetarëve sot duan të largohen nga Shqipëria, apo shifrat e aplikimeve për lotarinë amerikane, gjendja paraqitet aq alarmante sa mund të shprehemi se pakkush e sheh të ardhmen e tij dhe të fëmijëve në Shqipëri, se askush nuk dëshiron më të jetojnë në këtë vend. Ndonëse duket se jemi të vonuar të konstatojmë, nuk është kurrë vonë t’i analizojmë këto të dhëna, për të kërkuar dhe sugjeruar zgjidhje, sa jemi ende në kohë dhe para se vendi t’i ngjajë tokës së shkretuar, ku edhe bari refuzon të mbijë. Një atdhe i zbrazur nga populli i vet është jetim.




Shqiptarët largohen me “amok” drejt një jete të re, më të mirë me gjasë. “Më keq se sa jemi, nuk mund të bëhemi!”, shprehen disa prej tyre. Këtë e shikojmë dhe e ndjejmë të gjithë ne që kemi mbetur ende brenda 28 mijë km2, sikur ky territor të ishte jo vendi ynë, por një çark. Po largohen të gjithë. Mjekët dhe infermierët, të joshur nga “oferta gjermane” për punësim, pagesë dhe dinjitet më të mirë, po braktisin spitalet tona duke e venë në krizë dhe dilemë edhe vetë “betimin e Hipokratit”. Në këto përmasa, jo larg nga sot, në spitalet tona shtetërore do të mungojnë mjekët specialistë vendës dhe shqiptarët do të detyrohen t’u drejtohen vetëm spitaleve private.

Po largohen edhe inxhinierët më të aftë, specialistët e bujqësisë e të blegtorisë, po largohen teknikët, mësuesit dhe mjeshtrit e zanateve, pasi emigracioni ka mbetur e vetmja rrugëzgjidhje për t’u siguruar atyre vetë, fëmijëve të tyre një jetë më të mirë. Me të drejtë, miku im, poeti Xhevahir Spahiu lëshon klithën/apel: “Iku truri/mbeti kafka/dhe huri/iku truri”.

Njerëzit nuk shohin ndonjë rrugëzgjidhje tjetër përballë varfërisë dhe papunësisë që ka mbërthyer thuajse të gjitha familjet shqiptare, e cila nuk është pjesë e “tavës” dhe që nuk gëzon përkrahjen e ndonjë politikani apo pushtetari. Po atëherë, kur nuk paskemi të sigurt asgjë dhe kur qëllimi i jetës qenka largimi nga vendi, përse na u dashka shteti si rregullator, përse i paguajnë detyrimet tona dhe taksat, kur shteti ynë nuk na përgjigjet për asgjë?

Dhe të mendosh se proceset demokratike në Shqipëri kishin si moto “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!”, tingëllon një paradoks i plotë. Por kjo ëndërr u zbeh e u çngjyros shpejt. E gjithë energjia u transferua në një ikje masive, mes panikut të të ndenjurit në atdhe dhe shpresës për të gjetur një kafshatë bukë më shumë, si në kushtet e mbijetesës. Më mirë një fund i tmerrshëm se sa një tmerr pa fund, është thënë prej kohësh, por edhe fundi i tmerrshëm, që më pas të filloi përmirësimi, nuk po duket gjëkundi.

Pritshmëria nuk mund të vazhdojë pa fund, pasi kjo jetë nuk është Purgatori, ku shpirtrat presin derisa të merret vendimi. Pritja dhe durimi janë pjesë e kësaj bote. Derisa mirëqenien e kanë arritur shumë të tjerë para nesh, duhet të gjejmë rrugëzgjidhjen se çfarë nuk funksionon në mekanizmin tonë shoqëror. Pritshmëria quhet punë, siguri, mirëqenie, besim. Njerëzit duan punë dhe punë s’ka. Kjo është e vërteta që nuk duan ta pranojnë ata që kanë marrë përsipër të krijojnë politika efikase punësimi. Njerëzit kërkojnë shpresë, e shpresë nuk ka. Kërkojnë dritë në fund të tunelit dhe nuk ka tunel fare, vetëm një mur i ftohtë dhe i heshtur. Një “mal që s’bëzan”.

Dikush përpiqet ta justifikojë këtë situatë dhe realitet “oruellian” me faktin se lëvizja e lirë, migracioni dhe emigracioni është një fenomen global dhe i vjetër sa vetë njerëzimi. Po, janë argumente të sakta dhe të vërteta, por unë mendoj se kryefjala e largimit të shqiptarëve nuk është kjo, por zhgënjimi. Varfëria, mashtrimi, mospërfaqësimi, papunësia, mungesa e shpresës.

Vërtetë emigrimi masiv i shqiptarëve është një fenomen historikisht i njohur, si në atdheun nënë, ashtu edhe në trojet tona jashtë kufijve natyrorë të Shqipërisë. Duke iu kthyer kujtesës, sjellim nëpër mend se shpërnguljet e para drejt Perëndimit, që fillojnë në shekullin e XV, pas pushtimit otoman dhe rënies së epokës skënderbeiane. Ato emigrime vijuan edhe në kohërat moderne, në fillim të shekullit XXI dhe sidomos në shekullin XX, ku mund të kujtojmë vitet 1914, 1924, për të kulmuar me zbarkimin biblik të shqiptarëve drejt brigjeve italiane në vitet ‘90 apo gjatë vitit të mbrapshtë 1997.

Pas procesit të liberalizimit të vizave, ky fenomen duket sikur u kufizua, por a ishte ky një iluzion? Tashmë fenomeni emigracion është rilindur, ndaj vazhdojmë të pyesim dhe të kërkojmë “pse”-të, pasi eksodi i pashpallur i periudhës së fundit ka kapërcyer çdo parashikim, duke rrezikuar zbrazjen e vendit.

Pse po largohen shqiptarët? Personalisht (pavarësisht nga ato që broçkullisin politikanët) mendoj se dështimi 28-vjeçar i proceseve të integrimit është arsyeja pse shqiptarët dhe veçanërisht të rinjtë po largohen nga vendi. Ata nuk shohin perspektivë. Madje, ka dalë një thënie se: “Nëse BE nuk vjen tek ne, atëherë shkojmë ne tek ajo”.

Rruga për integrimin në Bashkimin Evropian që na është servirur si “Tokë e Premtuar” është akoma e gjatë dhe e papërcaktuar qartë. Deri kur do të vazhdojmë këtë rrugëtim “nëpër shkretëtirë”? U dashkan 40 vjet? Ëndrra evropiane herë-herë i ngjan “mollës së ndalume”. Kur kujtojmë se jemi më afër me BE-në, aq më pak realiteti politik dhe social, i zhytur në zhgënjim, korrupsion dhe padrejtësi, i përngjan “zhgjëndrrës evropiane”. Integrimi nuk po shihet më si shpresë për përmirësim, por si e vetmja mundësi për të ndaluar degradimin.

Shqiptarët ikin se duan të jetojnë si evropianë jo vetëm nga ana gjeografike, por edhe nga ana materiale, shpirtërore e kulturore, pasi siç shkruan edhe Paul Valéry: “Është absolutisht evropiane gjithçka që vjen nga tri burimet: Jerusalem, Athinë e Romë”. Dhe shqiptarët (duan apo nuk duan politikanët) jetojnë në shekuj në rrjedhën e këtyre tri burimeve, nga të cilat sot kemi pasuri e krijimtari të shumta, pjesë të trashëgimisë kulturore kombëtare.

Shqiptarët ikin, se u lodhën me paaftësinë e “elitave” për të bashkëpunuar mes njëra-tjetrës dhe për ta shtyrë përpara vendin drejt integrimit. U lodhën me barrikadat partiake, ku njëra palë flet e mburret për suksese të papara më parë dhe pala tjetër thotë që jemi në një ferr të vërtetë; ku nuk ka bashkëndarje dhe mënyrë demokratike e të sinqertë të zgjidhjes së problemeve, por vazhdon monologu. Bashkëpunimi duket “mission impossible”. Një nga themeluesit e lëvizjes analitike të filozofisë anglo-amerikane, Bertrand Russell thoshte: “E vetmja gjë që do ta shpëtojë njerëzimin është bashkëpunimi”. Ky bashkëpunim jo vetëm do të shkurtonte kohën e integrimit, por do të mbyllte njëherë e mirë plagët. Por “elitat” tona të  katapultuara (nëse mund të quhen të tilla) me paaftësinë e tyre dhe mungesën e konsensusit politik edhe për probleme madhore të shoqërisë shqiptare vazhdojnë akuzojnë njëra-tjetrën me epitete nga më kriminalet. Ato grabitën pasurinë publike, legalizuan kulturën e mosndëshkimit dhe kriminalizuan shoqërinë. Në vend ta shpëtonin këtë vend, ato e groposën thellë e më thellë, në kufijtë e degradimit.

Shqiptarët ikin për t’i shpëtuar rrezikut të degradimit, ku një “meritë” migjeniane, për këtë ikje ka edhe faktori ndërkombëtar, i cili më shumë se për mirëqenien dhe demokracinë, ka theksuar stabilitetin. Madje, janë ata që shpikën enkas edhe termin Asocim-Stabilizim.

Si mund të harrojnë shqiptarët mbështetjen që aktorë të fuqishëm ndërkombëtarë (organizma, apo politikanë) i kanë dhënë jo rrallë pushtetarëve autoritarë, apo institucionet të dala nga zgjedhjet e manipuluara. Nuk ka ngelur drejtues i këtij shteti në këto 28 vite, që nuk e kanë etiketuar si “burrë shteti”, madje në jo pak raste pas ngjarjeve tragjike që kalonim ne shqiptarët e thjeshtë.

Shqiptarët ikin se biznesi kryesor në Shqipëri vijon të jetë politika dhe politika si burim biznesi, e ka thuajse të pamundur të prodhojë politika pozitive për shumicën qytetare në nevojë. Informaliteti, korrupsioni, monopolet ia marrin frymën ekonomisë paralizojnë zhvillimin. Shoqëria jonë sot nuk ka kohezionin e duhur social, mungon mirëkuptimi i ndërsjellët dhe formimi i vullnetit kolektiv. Pabarazia sociale sa vjen e thellohet, duke rendur drejt greminave. Dihet mirë se ku të shpie pabarazia. Ajo pjell indoktrinimin e qytetarëve me ideologji të mbrapshta, zhvlerëson vlerat e demokracisë dhe shkatërron çdo shpresë dhe besim. Me të drejtë, znj. Alina Mungiu-Pippidi, eksperte e mirëqeverisjes për institucionet e BE-së, radhit korrupsionin si një nga shkaktarët kryesorë të emigracionit: “Një arsye kryesore pse njerëzit largohen nga vendi i tyre, me përjashtim të një lufte civile, është… kur shoqëria nuk është e bazuar mbi meritat”.

Shqiptarët ikin, se në Shqipëri ka vetëm dy standarde të të jetuari: niveli “Manhatan”, ku jetojnë njerëzit e politikës dhe të medieve dhe niveli “geto”, ku duhet të jetojnë shqiptarët e tjerë. Të parët kanë humbur sensin e ndjeshmërisë dhe të reagimit, kanë humbur përgjegjësinë qytetare dhe të detyrimit publik në raste të tilla. Si ka mundësi që atje ku ka krom, ka varfëri madje ekstreme?! Atje ku ka naftë, ka të papunë?! Atje ku ka ujëra, pyje dhe burime natyrore përrallore, po atje ka varfëri?!

Shqiptarët ikin, se klasa politike në këtë çerekshekulli në postdiktaturë, në mënyrën më paradoksale ka krijuar hendek të madh me qytetarët, sidomos me ata në nevojë dhe ka humbur sensin e reagimit, përgjegjësisë dhe detyrimit në raste të tilla. Ato kanë hapur një gropë ku një ditë do të biem të gjithë brenda. Në shoqëritë informale është e domosdoshme që shteti të tregojë karakterin e tij represiv, por krahas saj duhet edhe një fytyrë humane e tij, një imazh më paternalist është i nevojshëm. Shteti duhet të përdorë në masë proporcionale kërbaçin dhe kulaçin.

Ndihem e pasur – thotë kancelarja gjermane Angela Merkel – kur populli im ka një ekonomi, arsim, shëndetësi të fortë, si edhe drejtësi e barazi për të gjithë”.

Shqiptarët ikin, se tregu politik shqiptar është mbushur me shpifje, sharje, akuza dhe kundërakuza. Këto prurje toksike të politikës shtohen përherë e më shumë, ato vetëm ndotin mjedisin më shumë se plehrat dhe mbeturinat, të cilat njerëzit i hedhin në kazanë. Këto “mbetje toksike” që prodhohen me shumicë nga politika nuk hidhen në kazanë, nuk ka impiante për t’i përpunuar, ato shpërndahen në mjetet e informimit dhe i ofrohen publikut si ushqim shpirtëror.

Shqiptarët ikin, se është e vështirë t’u ngjallësh shpresën edhe duke sjellë në vëmendje të madhin Martin Luter King, i cili edhe pse në kushte shumë më të vështira, apelonte: “Motra dhe vëllezër, të mos biem në humnerën e dëshpërimit. Edhe pse po përballemi me vështirësi të mëdha, unë ende kam një ëndërr”, që ne shqiptarët e thjeshtë të vazhdojmë me sforco ëndrrën e viteve ‘90, për të ardhur dita të jetojmë në një Shqipëri, ku jeta është më e mirë, më e begatë, më e sigurt, më e kënaqshme, me mundësi për këdo sipas arritjeve ose aftësive.

Për të parandaluar ikjen e shqiptarëve është domosdoshmëri zbatimi i një politike apo shumë politikave bashkëpunuese e të gjithëpranuara kundër tiranisë, varfërisë dhe pabarazisë, si armiqtë më të rrezikshëm të shoqërisë shqiptare.

Sot jemi në emergjencë për të “dekriminalizuar varfërinë”, pasi çdo qenie humane në çdo cep të botës nuk mund të rinte e qetë kur vë në gjumë fëmijët pa ngenë një copë bukë. Ajo do dilte rrugëve dhe ku të mundte të lypte, të kërkonte në plehrat, të thyente, të vidhte. Është në të drejtën dhe detyrimin biologjik të saj të bënte gjithçka. Nuk është krim çfarëdo të bësh për të gjetur bukë për fëmijët.

Është e domosdoshme që ky vend të qeveriset, siç shkruan miku im, profesori dhe shtetari i nderuar Ylli Çabiri: “… problemi themelor i Shqipërisë nuk ka qenë krimi i organizuar, por shteti i çorganizuar. Krimi, trafiku, varfëria, papunësia, droga, mungesa e drejtësisë janë para së gjithash pasoja të qeverisjes së çorganizuar. Problemi nuk është thjesht të përmirësojmë qeverisjen. Reformimi thelbësor dhe sa më i shpejtë i qeverisjes duhet të jetë mbireforma! Pa reformuar qeverisjen, nuk mund të realizohet asgjë dhe ky është një parakusht i domosdoshëm për çdo reformë e ndryshim tjetër…”.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.