OPINION

Shkëmbim territoresh Serbi-Kosovë, ja modelet që u diskutuan nga Meta e Xhinxhiç në 2002

08:00 - 06.08.18 Edmond Haxhinasto
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kam ndjekur me vëmendje diskutimet e fundit në lidhje me shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe siç ndodh shpesh mes shqiptarësh, kontributorët në debat pak merren me thelbin e çështjes e shumë merren me njëri-tjetrin, a thua se sharjet sa më të mëdha për personin janë kontribut më patriotik për thelbin delikat e me rëndësi kombëtare. Në fakt, sa më shumë merremi me personat dhe jo me çështjen, aq më pak i shërbejmë rëndësisë dhe peshës që ajo realisht mbart.
Në fakt, diskutimi nuk është i ri. Personalisht jam marrë me këtë çështje diplomatikisht dhe politikisht, si këshilltar diplomatik i kryeministrit, si i Ngarkuar me Punë e.p në Beograd, kur pas takimit Meta–Xhinxhiç në 2002, u angazhuam për rrugë direkte komunikimi dhe realizuam takime mes përfaqësuesve të moderuar kosovarë e serbë, për t’i dhënë një zgjidhje sipas modelit evropian marrëdhënies Kosovë–Serbi, e më pas edhe si ministër i Jashtëm.
Disa parime e modele kanë qenë themelore: parimi i shkatërrimit të mureve (kufijve) mes popujve të rajonit, jo i ngritjes së tyre; parimi i tolerancës dhe respektit reciprok për pakicat; parimi i bashkëpunimit dhe integrimit mes popujve të rajonit, si domosdoshmëri për integrimin më të gjerë në BE.
Si model gjithnjë shërbeu ai franko-gjerman, i cili i konvertoi dy armiq të betuar në aksin e lëvizjes dhe motorin e vetë BE-së.
Me këtë model evropian punoi edhe Komisioni Ndërkombëtar për Ballkanin, i cili me 2004 propozoi pavarësi për Kosovën në Beograd dhe gjithë kryeqytetet e rajonit. Me këtë koncept punoi më pas edhe troika SHBA-Rusi-BE dhe po me këtë koncept përgatiti edhe Martii Ahtissari planin e tij të pavarësisë. Pavarësia e Kosovës në 2008-ën erdhi si pranim nga SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania e shumë vende të tjera, të një Kosove të pavarur, bazuar në vlerat universale të lirive dhe të drejtave, që respektonte komunitetet etnike si pjesë themelore të shtetformimit, gjë që u mishërua në mënyrë shembullore edhe në simbolet (yjet në flamur e stemë) dhe Kushtetutën e Kosovës (mes të tjerave, edhe pjesëmarrja e garantuar në parlament e serbëve).
Një investim i jashtëzakonshëm nga SHBA, BE dhe vende të tjera ndodhi edhe më pas, për të forcuar shtetin e ri të Kosovës dhe për të promovuar integrimin e saj në komunitetin ndërkombëtar, në organizata rajonale e ndërkombëtare.
Dhe sot, tek dëgjoj këtë debat mbi shkëmbimin e territoreve, më duket se ky investim ndërkombëtar, por edhe kombëtar po rrezikohet në mënyre serioze. Më lejoni të rendis me poshtë disa vlerësime:




  1. Së pari, shkëmbimi i territoreve është një përpjekje për të krijuar shtete etnikisht të pastra, koncept utopik dhe i dështuar në tragjedi e gjakderdhje, veçanërisht në Ballkan. Sido që të shkëmbehen territoret dhe të ndryshohen kufijtë, do të jetë e pamundur të mos lihen brenda tyre komunitete të një etnie tjetër. Ky është koncepti i Westfalisë, por jo i Evropës së Bashkuar ku po integrohet Kosova, Serbia dhe rajoni.
    2. Rrjedhur nga sa më sipër, shkëmbimi i territoreve tradhton pandjeshmërinë e elitave politike për të drejtat individuale e kolektive të të gjithë qytetarëve të tjerë, që nuk jetojnë në territore të shkëmbyera. Me mijëra shqiptarë jetojnë në Beograd e kudo në Serbi. Ashtu siç jetojnë serbë jashtë Mitrovicës. Çdo bëhet me ta? Apo duhet të shkojnë në shtetet etnike, nëse duan të drejta?! Pra, e këtë koncept, domethënia e numrave (pakicë–shumicë) në këtë mënyrë prevalon mbi domethënien e vlerave (liritë e të drejtat si minoritete) në përcaktimin e kufijve dhe territoreve. Ky është koncepti më i gabuar për bashkëjetesën etnike në Ballkan.
    3. Shkëmbimi i territoreve përbën një pararendës të rrezikshëm që energjitë e jashtëzakonshme në rajonin tonë dhe më gjerë për të respektuar minoritetet (edhe ato shtetformuese) të shkojnë/ridrejtohen drejt ndryshimit të kufijve. A mund të jetë ky modeli edhe për Bosnjën e Hercegovinën, për Maqedoninë, (nuk po përmend shumë vende anëtare të BE) e praktikisht, për çdo vend tjetër që ka minoritete. Sigurisht që jo. Nuk shoh as gatishmërinë e SHBA, as të BE për të hapur “një front” të tillë të papërballueshëm.
    4. Nëse elitat politike në Kosovë e në Serbi e shohin të pamundur arritjen e bashkëpunimit dypalësh dhe integrimin në rajon dhe në BE duke respektuar konfigurimin aktual të kufijve, mendoj se ato janë të paafta për të udhëhequr vendet respektive drejt Evropës së Bashkuar dhe përbetimet e tyre për integrim në Evropë janë një hipokrizi e pastër.
    5. Pretendimi se shkëmbimi i territoreve mund të japë votën e Rusisë dhe Kinës në Këshillin e Sigurimit, (dhe rrjedhimisht të sjellin anëtarësinë e Kosovës në OKB), është një mendjeshkurtësi, sepse shkëmbimi i territoreve nuk është çështja që mban veton e tyre, por ka çështje të tjera “parimore dhe strategjike”, (vetëvendosja, ndërhyrja sipas Kapitullit 7 të Çarterit të OKB, etj.) të cilave nuk u jepet përgjigje vetëm me shkëmbime territoresh.
    6. Dhe së fundmi, statusi aktual i Kosovës, në një proces afrimi me BE (së shpejti liberalizimi i vizave) dhe i Serbisë (në procesin e negocimit për anëtarësim) do të merrte një goditje të rëndë dhe do të shënonte një regres të jashtëzakonshëm. Elitat aktuale politike në Beograd e Prishtinë nuk mund të marrin përgjegjësi të tilla që minojnë jo vetëm përpjekjet dhe arritjet e akumuluara kombëtare, por veçanërisht ato ndërkombëtare, ku krahas SHBA-ve e BE-së, Shqipëria ka qenë kontributore jo e parëndësishme.
    Prandaj mendoj se ushqimi i një koncepti të tillë të shkëmbimit të territoreve, është sa arkaik, jo-Evropian, aq edhe antikombëtar.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.