Intervista

Rajmonda Balilaj: Politika është pasion, sfidat do të jenë të mëdha

14:39 - 28.08.18 Egla Xhemali
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Patosi ka pësuar ndryshime të mëdha këto vitet e fundit. Gjithçka i përngjan një ylberi që ndërthur me harmoni investimet e bëra, ngjyrat në lagje si dhe mikpritjen e banorëve dhe të kryebashkiakes. Mes impenjimesh të shumta zonja Rajmonda Balilaj gjeti pak kohë edhe për ne, për të na rrëfyer për “Summer Pages” të “Gazeta shqiptare” pasionin e madh që ka për politikën, punët e mira dhe përkushtimin që ka për qytetin e Patosit, pushimet me familjen si dhe besimit që ka për t’i realizuar të gjitha objektivat deri në fund.




Ajo nuk rresht së punuari edhe gjatë ditëve të pushimeve ku për të disatin vit rresht zgjedh bregdetin e bukur të Himarës. Për të është shumë e rëndësishme që nesër kur të kthehet mbrapa në kohë të ketë lënë vepra të mira dhe t’u ketë shërbyer me devotshmëri  banorëve. Ajo e pret çdokënd buzagaz dhe me shpirtin plot për ta ndihmuar.

Kështu ka rritur që të fitojë për dy mandate zemrat e të gjithë njerëzve në Patos, që e falënderojnë për të gjithë përkushtimin këto vite. Balilaj thotë se është e ndjeshme ndaj çdo lloj problematike që hasin qytetarët. Sa i përket raporteve me fëmijët ajo ka zgjedhur të jetë një mikemama që i kupton dhe flet për gjithçka me fëmijët. Për të familja është frymëzimi më i madh dhe streha e ditëve të vështirë.

Zonja Rajmonda pohon se do i mbështesë fëmijët nëse do të duan të përfshihen në politikë dhe se beson tek të rinjtë. Nëse qytetarët do e votojnë përsëri puna dhe përkushtimi i saj do jetë edhe më i madh për të realizuar ato projekte që ende nuk kanë marrë formë.

 

Ju jeni ekonomiste në profesion. Pse i keni hyrë politikës?

Politika nuk do ndonjë profil të caktuar. Unë shpesh herë e them që nuk jam politikane e prerë, po menaxhere. Drejtimin e bashkisë e kam quajtur më shumë menaxherial pasi duhet të drejtosh politikat e zhvillimit të territorit dhe pikërisht për këtë nuk do të merresh me politikën në vete, po me një harmonizim politikash për zhvillimin e atij territori ku ti ke marrë përsipër ta bësh këtë gjë. Unë besoj te politika e drejtë. Është mirë që ai organizim, të cilit i ke besuar dhe pret ndryshim të të mos zhgënjejë.

Sa e vështirë është të jesh kryebashkiake?

Unë jam në mandatin e dytë dhe më duket sikur kësaj pyetje i ka kaluar pak koha, për shkak të rutinës ndoshta. Sigurisht që është e vështirë pasi duhet të orientosh politika zhvillimi të një komuniteti, i cili nuk ka shumë mundësi qofshin ato financiare, por edhe vet këto bashkitë e vogla në tërësinë e tyre kanë më shumë probleme se bashkitë e mëdha. Nuk është numri i popullsisë ai që përcakton shkallën e vështirësisë, por janë problemet që ndodhen aty dhe ato të presin ty për t’i zgjidhur. Më të shumta janë nevojat nga mundësitë, por sfida kjo është, që të përballosh sa më shumë nga nevojat që ka komuniteti me një grusht buxheti që kanë pushtetet vendore dhe sidomos bashkitë e vogla.

 

Ka pasur ndonjë moment që keni dashur të hiqni dorë nga detyra?

Janë të shumta momentet e janë pikërisht ato që kanë më të lartë ndjeshmërinë njerëzore. Ajo që të prek më shumë është çështja e punësimit dhe tjetra më pak e ndjeshme këtu në Patos çështja e strehimit. Çështjet e punësimit janë çështje të trashëguar edhe nga sistemi, që vinë të mbartura nga ai sistem ku punën ta gjente shteti, po edhe mundësitë e pakta të punësimit apo të zhvillimit të ekonomisë janë prezente në bashkitë të nivelit jo shumë të zhvilluara. Shpeshherë në takimet që kam me qytetarët ky është problemi më i madh që ti çdo ditë në sallën e pritjes ndeshesh. Padyshim, pa burim të ardhurash në familje nuk do jesh i lumtur nëse bëhet një rrugë, shkollë apo lulishte. Është interesi i vogël familjar, sepse, nëse nuk kemi ekonomi, nuk kemi si të adaptohemi në ekonominë e zonës ku je bashkëqytetare me komunitetin ku jeton. Këto janë momente të vështira. Kur kam pjesë nga ekipi im në pritje, pasi ikën qytetari i drejtohem dhe i them “Si do veproje ti nëse do të ishe në vendin tim?” Ka raste kur vijnë kryefamiljarë që nuk kanë asnjë të ardhur, që kanë fëmijë për të ushqyer ose ata familjarë që dhe pse marrin ndihmë ekonomike ajo si përmbush të gjitha nevojat e tyre. Këto janë më së shumti problemet me të cilat ndeshesh se pjesa tjetër është diçka që unë e kam vendosur që para disa vitesh, kur kam pranuar këtë lloj sfide që di ta bëj e që kam dy mandate që përballem. Pjesa tjetër është pjesa e kënaqësisë që ti ndjen kur merr atë që pret nga qytetarët, kur ti zhvillon zonën në infrastrukturë apo dhe në shërbime dhe e merr shumëfish kur thonë fjalë të mira qytetarët.

Politika është më shumë pasion apo profesioni juaj?

Politika është pasion nuk është profesion. Të jetë profesion është më shumti kjo pjesa e menaxhimit të problemeve. Nuk ka rëndësi se ku menaxhon, se sa e madhe është pjesa që ti ke marrë përsipër të bësh. Unë rritem bashkë me stafin tim apo edhe me projektet me të cilat punojnë pushtetet vendore për të rritur kapacitetet dhe burimet njerëzore të stafeve. Askush nuk mund të jetë i prerë apo i bërë që në momentet e para që pranon të drejtosh. Rritesh profesionalisht dhe në shumë aspekte, ndaj them se politika është më së shumti pasion.

Ju jeni nënë e tre fëmijëve. Çfarë raportesh keni me ta?

Familja është pjesa më mbështetëse, sepse kur mërzitesh, kur lodhesh është ajo ku ti shkon e bisedon. Kur do të të dëgjojnë apo dhe kur do të marrësh mendime familja është baza ku ti do marrësh fidbekun e tyre. Pastaj fëmijët janë pjesa më mbështetëse pasi ke gërshetimin e brezave. Do të marrësh mendimin e fëmijëve dhe për shkak të moshës që ata kanë, këndshtrimin e ndryshëm që kanë për zhvillimin dhe tërësinë e gjërave. Ndërsa, marrëdhëniet e mia me fëmijët që shumë kohë më parë, jo vetëm tani si kryebashkiake kanë qenë raporte të drejta. Kam qenë gjithmonë me faktin që ato t’i shprehin mendimet e tyre. Edhe kur kanë gabuar ata janë gati të marrin mendimin tek unë. Këtë faktikisht do ia drejtoja dhe prindërve të rinj që të jenë open mind me fëmijët pasi është mënyra më ë mirë që ata t’i kesh gjithmonë në krah, t’i kesh gjithmonë aty edhe kur nuk janë fizikisht. Fëmijët e mi tanimë janë të rritur e kanë dalë në rrugët e jetës, por gjithsesi i kam pasur dhe vazhdoj t’i kem bashkëbisedues shumë të mirë për problemet që ata dhe unë kam në mënyrë reciproke. Vajza është më mbështetëse për të më dhënë hov dhe forcë. Unë e përmend shpesh këtë dhe ajo ma bën kritikë duke më thënë pse më përmend vetëm mua, por kështu është e vërteta, në fakt. Në momentet e para që unë kam filluar fushatën për t’u bërë kryetare bashkie, shumë herë ndeshesha me opinione ose dhe me shkrime të ndryshme dhe ishte vajza ajo që më ka thënë “Stop, ti nuk do të lexosh asgjë, do ecësh përpara!’ Familja është burim frymëzimi në të gjitha rrugët që ke zgjedhur.

A keni pengje?

Në fakt, ndahen edhe këtu pengjet, pengje në kuptimin e realizimit tënd personal apo ndaj fëmijëve. Pengje kam ndaj fëmijëve dhe ndaj bashkëshortit. Duket sikur këto vite që janë bërë shumë tanimë nuk jam dhe aq prezente tek ata. Mua, në fakt, më ka ardhur në kohë futja në politikë dhe në këtë sipërmarrje pasi ata tani janë më të rritur dhe më të kuptueshëm. Nëse do të ishin më të vegjël do kisha dhe më shumë pengje. Femrat kanë shumë energji për t’iu përgjigjur shumë drejtimeve, problemeve e për këtë ndihem e lumtur.

Përpos punës, çfarë e rrëmben kohën tuaj?

Në fakt, kjo pjesa e të qenurit kryetare bashkie të merr shumë kohë edhe kur nuk jam në zyrë, edhe kur jam në terren edhe kur jam me pushime. Kur je drejtuese telefonatat dhe komunikimi në tërësi të ndjekin e nuk ke hapësira mjaftueshëm për të pasur kohë të lirë. Sapo gjej kohën ia dedidikoj familjes. Bëj pazar edhe këtë pjesë e bëj vet(qesh), por ndonjëherë është dhe pjesë e çlirimit nga lodhja që ke gjatë ditës. Leximi është një nga momentet që unë dua të humbas pjesë e lodhjes. Ka momente që unë përqendrohem te librat artistik apo dhe filozofik.

Do të donit që fëmijët tuaj të përfshiheshin në politikë?

Unë nuk i kam mbajtur larg ndaj gjërave që duan ti bëjnë. Këtë kam pasur si synim edhe për profesionin që ata kanë zgjedhur nuk i kam orientuar, por i kam thënë çfarë do ti të bëhesh. Me prirje për politikë shoh vajzën e dytë atë që e përmenda pak më parë që e kam pasur mbështetje të madhe në disa periudha të cilat kanë pasur nevojën e një suporti, ndërsa dy të tjerët nuk i shoh në drejtim të politikës. Do të më pëlqente që të merreshin me politikë. Këtë ia them dhe shumë të rinjve të tjerë pasi duam të ndryshojmë shumë gjëra në politikë. Politika duhet parë si gogol, por si një gjë e mirë që i duhet një vendi për orientuar ato politika që kanë të bëjnë me zhvillimin e një kombi. Në Shqipëri, por dhe në vendet të tjera ndoshta marrja me politikë nuk është parë me sy të mirë, por unë jam për të mbështetur shumë të rinj për t’u marrë ata me politikë të mirëfilltë dhe për të bërë politika të tjera që kanë të bëjnë me zhvillimin e një kombi. Nëse fëmijët e mi do kishin dëshirën do i mbështesja, sepse dua të bëjnë ndryshimin dhe të jenë pjesë e tij.

Si e kaluat këtë verë? Ku zgjodhët të pushoni?

Në fakt, ishin shumë pak ditë. Unë zgjedh gjithmonë që të pushoj bashkë me familjen brenda Shqipërisë dhe Himara është një nga vendet e mia të preferuara për të bërë pushime pasi ka variacione. Mua më pëlqen të lëviz dhe Himara ta ofron këtë gjë pasi ka disa gjire, disa plazhe tek të cilat mund të shkosh te secili prej tyre. Kështu që ndoshta më ka shërbyer për të rinovuar energjitë dhe për të filluar muajin shtator që kërkon mjaft impenjime. Puna nuk ka reshtur asnjë ditë edhe përgjatë këtyre ditëve.

Pse do i kërkonit qytetarëve dhe një mandat tjetër?

Përgjatë këtyre ditëve ia kam bërë shpesh këtë pyetje vetes. E kam thënë dhe më parë që ai që merr përsipër të bëj një sipërmarrje i duhet kohë për të realizuar atë që ka ndërmend të bëj. Sidomos pas reformës territoriale ku ne kemi pasur më shumë territore dhe komunitete të ndryshme për t’u shërbyer që dallojnë nga njëra njësi tek njësia tjetër. Nuk kanë qenë të mjaftueshme katër vite për të nxjerrë në pah atë që ti me të vërtetë do të realizosh. Të duket si një projekt i lënë përgjysmë. Sigurisht që nuk do të ketë pafundësi pasi janë mandate, por nëse mua do të më besohej edhe një mandat tjetër mendoj se do të mbyllej projekti i asaj që kam ideuar. Ka projekte që qëndrojnë aty për të gjetur dritën e financimit, ka projekte të cilat sapo kanë filluar e duhet të përfundojnë. Kur ti ikën nga një detyrë me mbresat më të mira, është ndjesi shumë e mirë kam përshtypjen. Drejt një rruge pa kthim nuk jemi. Vjen një moment që bën retrospektivë në jetën tënde dhe do të ndihesh mirë kur njerëzit do të kujtojnë për gjurmët që ke lënë. Unë që në mandatin e parë kam luftuar me buxhetin e bashkisë që ishte shumë pak për të pretenduar realizimin e gjërave të mëdha. Gjithsesi fakti që këtij komuniteti i kanë munguar investime të mirëfillta dhe kur bëjmë një rrugë qytetarët janë aty për të falënderuar. Kemi punuar shumë edhe për fshatrat pasi aty janë edhe problemet më të mëdha. Kur ti u çon një rrugë të shtruar me standarde bëhet fjalë, fillon që dhe koncepti për jetën të jetë ndryshe.

Edhe vet fshati merr zhvillim, po dhe ato që e prekin investimin e konceptojnë ndryshe edhe vazhdimin e të jetuarit në fshat apo lagje. Patosi ka shumë probleme të tjera, përveç shëtitores që e kemi realizuar, unazën dhe rrugë të tjera të brendshme ka zona informale, blloqe të tjera që presin të zhvillohen, po dhe infrastruktura në fushën e kulturës. Sa i përket arsimit jemi në zhvillim mesatar pasi kemi investuar në dy shkolla dhe në tre të tjera sapo kemi çelur prokurimet kështu që po ecim në këtë drejtim. Në vetvete arsimi kërkon një hov më të madh që do e ketë në vitet që do të vijnë. Fusha për të vepruar ka plot edhe pse shohim disa gjëra të mira. Punë do të ketë shumë, sfidat do të jenë edhe më të mëdha. Duke rritur standardin e infrastrukturës sigurish që dhe rriten kërkesat e qytetarëve dhe ata e ndjejnë që duhet të kërkojnë më shumë. Atje ku nuk ka pasur investim njerëzit rrinë më një lloj mosbesimi dhe kur shkon investimi kërkesat janë shumë herë më të larta. Unë shpeshherë e them që kjo është një shenjë e mirë, kur njerëzit fillojnë të kërkojnë pasi bëhen kështu edhe më të ndjeshëm.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.