KULTURË

DEA, edicioni i pestë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit

16:00 - 01.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në datat 2 deri më 8 shtator 2018, Festivali Ndërkombëtar i Filmit DEA OPEN AIR do të zhvillojë edicionin e tij të pestë. Festivali vijon traditën e të qenit vizitor në stolinë e rivierës shqiptare, Sarandë.




Shfaqjet Open Air do të organizohen në Kinema Limani dhe Kinema Bougainville. Në Kinema Limani është planifikuar të organizohet Ceremonia zyrtare e Hapjes së Edicionit V të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dea Open Air Sarandë – 2018. Po aty do të ofrohen edhe dy programet kryesore të festivalit: programi i Filmit me Metrazh të Gjatë dhe programi i Filmit të Shkurtër. Në Kinema Bougainville do të organizohet edhe këtë vit programi “Miqtë e Kinemasë”, me shfaqje speciale filmash jashtë konkurrimit si edhe Ceremonia e Ndarjes së Çmimeve të Edicionit V të Dea Open Air Festival Sarandë – 2018.
Numri i aplikantëve të DEA OPEN AIR ka ardhur në rritje nga viti në vit. Edhe edicioni i sivjetmë konfirmon të njëjtën tendencë rritëse. Të gjithë aplikuesit dhe pjesëmarrësit e përzgjedhur kanë aplikuar në platformat Film Freeway dhe Festhome ose në rrugë të drejtpërdrejtë në adresën e Festivalit. Ata vijnë jo vetëm nga vendet evropiane, por edhe më gjerë, çka i jep pjesëmarrjes një gjeografi ndërkontinentale.

Filmat e paraqitur dhe autorët pjesëmarrës në konkurrim i janë nënshtruar fillimisht seleksionimit paraprak të komisioneve ndërkombëtare, të mbyllur në fund të muajit mars. Këtë fazë e kaluan 258 filma (34 të gjatë dhe 224 të shkurtër. Për drejtorin e DEA OPEN AIR, Edmond Topi, edhe ky edicion “do t’u japë kineastëve skenën dhe publikut mundësinë, për t’u zhytur në kinemanë e bukur dhe frymëzuese. Edhe këtë vit, festivali do të ofrojë mundësinë e zbulimit të 43 veprave tërheqëse – vepra madhore që trajtojnë tema të mëdha, si problemet e gjinisë, racës, statusit shoqëror apo të drejtave të njeriut, po edhe vepra sensible, që fokusojnë çështje intime, probleme të jetës sonë private apo rolin shoqëror të artit dhe kinemasë.” Sipas traditës edhe në këtë edicion konkurrimi do të ndiqet nga disa juri, të përbëra me personalitete të njohura të kulturës, kinemasë dhe medias në rajon dhe më gjerë. Juria e filmit me metrazh të gjatë, e përbërë nga: Clemens Erbach (regjisor – Gjermani), Isabelle Welter ( producente – Austri), Rusomir Bogdanovski (Skenarist dhe pedagog i skenarit – Maqedoni), Genc Përmeti (skenarist dhe producent – Shqipëri), Luan Kryeziu (regjisor dhe skenarist – Kosovë) do të ndjekë programin e filmit me metrazh të gjatë si edhe do të akordojë çmimet DEA për: Aktorin/Aktoren më të mirë në rol kryesor; Fotografinë/ Kamerën më të mirë; Skenarin më të mirë, Regjinë më të mirë dhe Filmin më të mirë në konkurrimin e filmit të gjatë.

Kjo juri ndan çdo vit edhe Çmimin Special të destinuar për kontribute të spikatura të artistësh të rinj me karrierë premtuese në kinematografi. Juria e filmit të shkurtër, e përbërë nga: Dominik Streib (pedagog – Gjermani); Kimete Berisha (zyrtare e lartë e kinematografisë – Kosovë) dhe Eliodor Markja (regjisor montazhi) do të ndjekë programin e filmit me metrazh të shkurtër si edhe do të akordojë çmimet DEA për: Montazhin më të mirë, Regjinë më të mirë, Filmin e shkurtër më të mirë si edhe dy çmime, që ndahen nga partnerët mediatikë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit DEA OPEN AIR. Edicionin e Pestë të DEA International Film Festival e mbështet Ministria e Kulturës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.