OPINION

Vrasjet në Shqipëri si shpëtimtare të opozitës

15:02 - 06.09.18 Enkel Xhangoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Muaj shtator ashtu dhe siç ishte paralajmëruar dhe më herët ka nisur me mosbindje politike nga ana e opozitës.




U deshën vrasjet mafioze të ditëve të fundit që opozitës t’i kujtohej misioni saj për ndërtimin e barrierës që ajo duhet të krijojë mes abuzimit të qeverisë dhe popullit, gjë e cila mund t’i jap dhe shpresë se një ditë do e qeverisë këtë vend.

Por duke parë gjendjen e opozitës aktuale, lind pyetja, nëse këto vrasje nuk do të kishin ndodhur, çfarë do të bënte opozita? Çfarë plani ka pasur Basha që paralajmëronte trazira gjatë këtij muaji?
Unë personalisht dyshoj se ekziston një plan konkret që të rrëzojë qeverinë Rama.

Në fakt, akuzat të cilat i drejtohen qeverisë, edhe pse mund të jenë të vërteta, përsëritja e tyre pa dhënë asnjë lloje rezultati konkret ka zhvlerësuar jo vetëm akuzat, por PD dhe kreun e saj Lulzim Basha.
Mendoj se qytetarët sot nuk kanë nevojë për një qeveri të dobët, por për një opozitë më të fortë. Nuk besoj se vrasjet kriminale do e ngrijnë opozitën, e cila ende pas 5 vitesh nuk po gjen strategjinë e duhur për te rritur kredibilitetin e popullit ndaj saj.

Nuk mendoj se të bojkotosh punimet e Kuvendit dhe komisioneve është ndonjë strategji e cila do forcojë PD dhe do të dobësojë PS, por thjesht do ngadalësojë procedurat ligjore në lidhje me implementimin e reformave.

Ndoshta, ky bojkot është dhe si një lloj prove për të treguar bashkëpunimin mes PD dhe LSI e cila ka filluar të “çalojë” pak. Mos harrojmë që LSI nuk e ka të vështirë të kalojë në momentin e fundit ne krahun tjetër. Në këto kushte, kuptohet që Basha ka dy halle, të rrëzojë Ramën apo te mbajë pas vetes Kryemadhin?!

Ndërkohë, platforma e që u njoftua në Shkodër dhe u zbardh në Elbasan, nuk besoj se ka ndonjë gjë të re nga thirrjet 5 vjeçare të Bashës. Duhet të jesh shumë naiv për të besuar se opozita kërkon realisht çlirimin e qeverisë nga faktorët kriminal, por mund të themi se kërkon çlirimin e karrigeve nga qeveria.

Historia post komuniste na ka treguar se çdo qeveri që vinë në pushtet ka “miqtë” e saj të fortë që financojnë në fushata për të ushtruar veprimtarin e tyre kriminale.Dhe pse tingëllon si diçka e rëndomtë, është diçka normale, pasi çdo opozitë kërkon karrigen e qeverisë, por koha ka vërtetuar se kjo opozitë gjithçka që nis e lë në gjysmë, mjafton të përmendet protesta në çadër, rasti “Babale”, apo kauzat që përmenda më sipër.

Të gjitha këto do të vinin në dyshim besueshmërinë e PD edhe në sy të ndonjë militanti të flaktë të kësaj partie. Jam shumë dakord me kauzat që ngreh opozita, si në lidhje me përhapjen e krimit në vend apo dhe për zaptimin e pronave publike nga privati, por populli kërkon rezultate për të dhënën besueshmëri, që më vonë përkthehet në vota.

Nëse do të kërkonim për kauza në këtë vend, do të dukej si një “minierë” problemesh që zvarriten në kohë dhe zyra administratash. Pa dashur të bëj protektorin e askujt duhet thënë që kjo qeveri ka probleme të theksuara në përhapjen e ngjarjeve kriminale (ndoshta dhe e përfshirë), kultivimi i lëndëve narkotike, keqmenaxhim fondesh e tenderash, të gjitha këto do të mjaftonin që kjo qeveri të rrëzohej, por nëse opozita do të kishte një strategji të paramenduar.

Gjithsesi, thënë të gjitha këto, ne nuk duhet të harrojmë llojin e politikës së kultivuar në vendin tonë. Sapo të arrihet një marrëveshje mes pozitës dhe opozitës, akrepat e orës do “kthehen mbrapsht” për të harruar akuzat, vrasjet dhe arrestimet. Nuk duhet të harrojmë se ne si popull vuajmë nga “skleroza” prej gati 30 vitesh, dhe pa gjetur një “kurë” do vijojmë të votojmë, pavarësisht rezultateve dhe gjendjes tonë të mjerueshme.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.