KULTURË

Fantazmat e mundshme, roboti i KFOR dhe kufijtë mendorë

18:00 - 07.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Një perde (në tri ngjyra) vjollcë në harkimin e një rrobe që e merr era, zë vend si pengesa e parë për të hyrë në ekspozitën e Flaka Halitit në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. “KËTU – APO ATJE, ËSHTË MË ATJE” si një pyetje pa pikëpyetje dhe pa nevojën për të marrë një përgjigje, shërben jo vetëm si titull, por edhe si koncept i të mundshmeve të paarrira. Shumëçka që do të ishte e mundshme përbashkohet në të njëjtin ambient. Ndonëse mediumet janë të ndryshme dhe variojnë nga vizatimi në skulpturë, për Halitin përcaktimet qoftë edhe në mediumin artistik, përbëjnë kufij që duhen kapërcyer.
Ajo krijon distancë prej ngjarjeve dhe burimeve në të cilat e për të cilat vepra e saj lind a merr jetë, duke u bërë më tej, krejt e ftohtë dhe me një gjuhë të drunjtë mbi e përtej kombeve.
Ndonëse një robot mund të ndërtohet me skrap të marrë nga kampet ushtarake të KFOR-it në Kosovë, pamja dhe mesazhi i tij, sikundër ai i platformave të drunjta që ngjajnë prej betoni, largohen sa prej KFOR-it edhe prej Kosovës, megjithëse ajo është përherë aty, si temë e fshehur në të mundshmet e paarrira.




ROBOTI I KFOR
Nën titullin “Its urgency got lost in reverse (while being in constant delay)” roboti është vënë në një platformë që shpërfaq një realitet sa hapësinor po aq edhe tokësor. Realizimi i veprës me objekte të gjetura në kampet ushtarake të KFOR-it në Kosovë, tanimë të ricikluara rimarrin tjetër sens. Transformimi, pasi materialet janë përmbysur kanë dhënë një formë e përmbajtje të re. Roboti në ngjyrë jeshile është në ekspozitë vetëm një prej “fantazmave” a shpirtrave që rri përkrah 25 banerave-flamuj që përbëjnë identitete e fantazma të tjera në vetvete. Ndërsa roboti është statik, i qëndrueshëm e i palëvizshëm në passhpinën e tij, krahët e një engjëlli presin në pakohësi një takim të mundshëm; flamujt-banera luhaten lehtë. Vetë Haliti thotë: “Ata janë si fantazma, si shpirtra që qëndrojnë kudo në forma të ndryshme, dhe na japin ne një farë drejtimi se cilën rrugë të marrim. Roboti është vënë në një pod, pas tij është një mur, në shpinë të të cilit, në anën tjetër, janë vënë krahë engjëlli. E megjithëse podi rrotullohet dhe si roboti edhe krahët janë në lëvizje, takimi mes tyre nuk arrihet. Potenciali është, por nuk ndodh takimi”.
Puna e saj nuk jep përshtypjen se lidhet me Kosovën. “Po. I tejkaloj kufijtë nacionalë edhe estetikisht shumë prej punimeve mundohen ta humbasin burimin se prej ku nis historia, ku është fillesa. E hap mundësinë e interpretimit, ka të tjera horizonte, i jep të tjera mundësi të ardhmërive”.

“UNË E SHOH NJË FYTYRË…”
“Unë e shoh një fytyrë. Apo e sheh edhe ti një fytyrë” është një seri imazhesh me fokus qiellin e retë. Është për Flakën një pyetje përgjigjja e së cilës nuk është se pritet. Është si një projektim refleksioni. Kur e pyet nëse për të vetëm qielli limit, ajo thotë se është mundësi e pafundme, por vjen edhe si një farë ngjyre e metafore, e hapjes së kufijve. “Te Pavijoni i Kosovës në Venecia, titulli ishte ‘Spekulimi në të kaltrën’. E kaltra hyn në shumë punë të miat si spekulim i vazhdueshëm, mbi perceptimin që na jep qoftë për Bashkimin Europian qoftë më gjerë”.

KUFIJTË
Kufijtë si ndalesë e si pragje për t’u kapërcyer gjenden më shumë nëse logjikohet ajo që mungon, jo ajo që është e pranishme. A ka gjasë vendi ku ka lindur prej se ka qenë i mbyllur e ka bërë atë ta kërkojë lirinë kudo? “Kjo ndodh për secilin. Për këdo jashtë vendit bota hapet shumë më shumë. Kur je brenda e ke më pak mundësinë e perspektivat. Edhe vetë ekspozita të jep për çdo kënd një kah tjetër, e një tjetër perspektivë e tjetër mundësi. Tani sheh robotin, por nuk i sheh krahët e engjëllit, prej atje, sheh anën tjetër. Unë përpiqem të hap format e pritshmërive, paragjykimeve dhe të mundësive.

Nuk merrem vetëm me kufijtë e territorit. Janë edhe kufijtë mendorë në të njëjtën kohë, dhe të gjithë kufijtë e mundshëm”,- thotë Flaka.
Kur e pyet për kufijtë që ajo vetë ka thyer, Flaka nuk do ta personalizojë ekspozitën. “Kjo do të ishte një deklaratë e madhe që ta bëj unë për veten. Nuk dua të them çfarë kam bërë unë. Është rreth negociimit të përhershëm, se cilat janë mënyrat për të shpëtuar nga rregulli sistematik. Rregulli i shoqërisë përmes të cilit të tregohet se kjo është mënyra; nga shkolla, te prindërit, mësuesit, miqtë, tregu. Është më shumë për mënyrën se si negocion, hapësirën tënde konformiste me hapësirën konformiste të të tjerëve. Ku fillon hapësira jote e ku përfundon në momentin që hapësira jote e bën të ndjehet jo rehat dikë tjetër”.

Për të, më të vështirë se kufijtë fizikë janë kufijtë fantazmë. “Shumica e kufijve janë kufijtë imagjinativë, që ne i bëjmë më të mëdhenj se sa janë. Derisa provojmë t’i sfidojmë”.
Gjen kësisoj në të njëjtën hapësirë atë që kuratorja e sheh si një fantazmë që është lënë e pa shqetësuar, duke krijuar dimensione të përkohshme e dinamike që nuk lejojnë një interpretim konkret. Ato kanë mënyra të ndryshme perceptimi nga sekush, sepse Flaka ka në një mënyrë një qëndrim që bart të drejtën për të mos u kuptuar, sikundër të drejtën për ta mbajtur një qëndrim qoftë ky edhe i pakuptueshëm, vetëm për t’u përfaqësuar.

E konceptuar si pasqyrë e punës së Halitit në këto pesë vitet e fundit, ekspozita e parë personale e saj në Shqipëri është një përzgjedhje punësh që në mënyrë të vazhdueshme transgresojnë kufijtë fizikë dhe mendorë. Ato jo vetëm që refuzojnë klasifikimet tradicionale sipas mediumit, siç është skulptura, piktura, vizatimi apo fotografia, por ato sfidojnë edhe përfundimet e nxituara estetike që janë pasojë e mendimeve cliché mbi një gjeneratë, gjini apo përkatësi.

Një perde transparente të cilës i ndryshojnë ngjyrat, që siç thotë edhe titulli “rri varur kot” (just hanging around) – këtu, apo atje – e ndërpret në mes korridorin linear. Banerë të ngjyrosur me sprej, të pezulluar nga ekzistenca e tyre e përditshme fantazmagorike, i drejtojnë vizitorët nëpër hapësirat gjarpëruese. Elementë arkitekturalë, që duken si muret mbrojtëse që dikur rrethonin ndërtesat e OKB-së dhe NATO-s në Prishtinë, rrinë të shtrira në një gjendje letargjie, tashmë pa as edhe një funksion. Një robot me krahë i ndërtuar nga mbetjet e kampeve ushtarake të NATO-s në Kosovë ngjan si mishërim i diçkaje mes një engjëlli të historisë dhe një lajmëtari me inteligjencë artificiale nga e ardhmja. Dhe përderisa publiku përballet me retë-si-fytyra që duken si shëmbëlltyra të vetkrijuara, një personazh enigmatik me emrin “Joe”, na del para krejt papritur, në forma të ndryshme antropomorfike në sfungjer-mermeri, ndërsa një trup tjetër abstrakt kryqëzon gishtat pas shpinës.

“Këtu – apo atje, është më atje” është prezantuar për herë të parë në Kunsthalle Lingen (14 tetor, 2017–14 janar, 2018) dhe më vonë në Kunsthaus Hamburg (20 mars–20 maj, 2018). Ekspozita në Tiranë është kuruar nga Leonie Radine.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.