Kancelarja gjermane Angela Merkel ka mbërritur në Maqedoni gjatë një vizite zyrtare, teksa ka takuar kryeministrin Zoran Zaev.
Gjatë konferencës për shtyp, Merkel deklaroi se me kryeministrin e Maqedonisë kanë biseduar për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve por edhe për referendumin e 30 shtatorit.
“Referendumi është mundësi për hapjen e dyerve për vendin tuaj që të bëhet pjesë e familjes euro-atlantike. Ju keni marrë ftesën të bëheni vend anëtar i NATO-s. Ju e keni mundësinë për anëtarësim në BE. Keni ende punë për të bërë por kryesore është referendumi i 30 shtatorit. Kjo ditë është një mundësi historike për vendin tuaj. Shpresoj të ndërmerren hapat kryesorë që vendi juaj të bëhet anëtar i plotfuqishëm i Bashkimit Evropian”, tha Merkel e cila gjithashtu ofroi mbështetje ekonomike për Maqedoninë.
E pyetur nga gazetarët se çfarë do të bisedojë me presidentin e vendit Gjorgje Ivanov dhe me liderin e opozitës maqedonase Hristijan Mickoski, kancelarja gjermane tha se nuk do ta takojë Ivanovin, ndërsa Mickoskit do t’ia përcjellë të njëjtat porosi sikur kryeministrit Zaev në lidhje me referendumin e 30 shtatorit.