OPINION

Situata brenda BE dhe e ardhmja e projektit europian

07:40 - 22.09.18 Vasil Kureta
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Është fakt sot një shqetësim tepër i shtuar për të ardhmen e BE-së. Ka kohë që BE bashkëjeton me krizën, që sot nuk e fshehin apo e mbulojnë dot, por më e keqja është se klasat politike dhe strukturat e BE nuk dinë ç’të bëjnë me krizën. Ka më shumë zhurmë e protoganizma individuale e spontane, sa i përket përballimit të krizës, por realisht nuk ka asnjë vizion të plotë për përmbajtjen e krizës, por sidomos ndonjë program konkret për përballimin dhe kapërcimin e saj. Ka shashka gjithfarë lloji, si ato për “më shumë Europë”, apo “Europa me dy shpejtësi”, apo me rrathë etj., por tashmë edhe opinione e sjellje që e dëshirojnë një fund të BE, që shfaqen në formën e të kritikuarit të strukturave të BE, por edhe ëndrra që presin një fund të BE. Klasat politike të vendeve të BE duken si të dorëzuara përballë kësaj krize, apo shumë të dobëta përballë presioneve të nacionalizmit e sovranizmit, që godet integrimin e bashkimin.




Në kushtet e një dorëzimi faktik përballë krizës, në vend që të përqendrohen te thelbi i projektit e përmbajtja e krizës, dëgjohen pohime të tipit një Europë më konkurruese, apo një Europë që mbron, deri dhe koncepte për një Europë të krishterë e me shtete sovrane. Këto koncepte tregojnë paaftësi për të kuptuar thelbin e projektit europian e për ta përmbushur atë. Për të kuptuar më mirë situatën ndihmojnë edhe ata që kritikohen nga strukturat e BE për defekte të rënda, sa i përket marrëdhënies me sistemin e vlerave, apo që kanë shfaqje domethënëse e shqetësuese të mosfunksionimit të demokracisë e sundimit të ligjit, që kritikojnë strukturat e BE, sepse u kërkojnë të jenë korrektë me sistemin e vlerave, që është bazamenti mbi të cilën funksionon modeli perëndimor europian. Madje, ka edhe opinione, që një Europë më të integruar e konsideron thjesht një makth. Për të gjitha këto arsye, BE shfaqet sot realisht jofunksionale. Duket që nuk ka siguri e sikur jemi përpara kapitullimit të ecurisë së projektit europian apo të një triumfi të euroskepticizmit. Nëse përpara pak kohësh flitej për dy shpejtësitë, sot problemi është bërë më serioz, sepse po kërcënohet realisht e ardhmja e projektit europian. Përmbajtja aktuale e krizës së BE dëshmon cilësinë e marrëdhënies që klasa politike e vendeve të BE ka me thelbin e përmbajtjen reale të projektit europian. Në hapësirën e BE po zhvillohet fenomeni i humbjes së terrenit politik të partive tradicionale dhe i rritjes së peshës reale të partive antiestablishment. Votuesit europianë vërtet e mbështesin projektin europian, por shfaqen të lodhur me politikat shumëvjeçare të partive tradicionale. Ky proces zhvillohet në kushtet kur dallgët e nacionalizmit, që po godasin hapur sistemin e vlerave, bazamentin e BE e projektin europian po fuqizohen, harmonizohen e organizohen në emër të një Europe të re. Partitë tradicionale, mbështetëse të fuqishme të projektit europian erdhën duke e zvogëluar mbështetjen në elektorat dhe parti nacionaliste e euroskeptike kanë rritur mbështetjen nga elektorati. Qytetarët europianë akoma nuk po e kuptojnë se çfarë po ndodh me projektin europian e të ardhmen e tij, madje edhe një pjesë kanë mbështetur partitë që ushqejnë fenomenin “exit”, si në Angli.

Parti të ekstremit të djathtë kanë siguruar mbështetje, edhe pse ato cenojnë dhe godasin rëndë funksionimin e sistemit të vlerave, dmth., bazamentin e modelit perëndimor të zhvillimit e të BE. Zhvillimet brenda BE kanë evidentuar qartë kontradiktën apo alternativën: një BE më e bashkuar apo një shpërbërje e heshtur e saj. Ka tregues të qartë, që partitë me orientim nacionalist e sovranist synojnë gjithnjë e më hapur të godasin identitetin europian, i cili është një sintezë vlerash e formuar historikisht, e pasuruar përmes sendërtimit të sistemit të vlerave dhe në proces përkryerje të pandërprerë. Ky identitet dhe sistemi i vlerave kanë shërbyer si një ushqim bashkues e integrues, duke e bërë më cilësor e më të fuqishëm identitetin europian. Identiteti europian është pasuruar nga ecuria e projektit europian dhe ka mundësuar një afrim ekonomik, politik, shpirtëror, social, mendor, psikologjik të popujve europianë, duke ndjerë vazhdimisht goditje nga brenda dhe jashtë, por edhe i ndikuar nga efekte të krizës ekonomike e ngecjes reale të avancimit të projektit europian. Frymëzimet nacionaliste e sovraniste hapur nxisin e ushqejnë konceptin apo mendësinë më shumë nga “unë” se nga “ne”, më shumë nga interesat e shtetit komb se sa nga interesat e përbashkëta europiane. Partitë nacionaliste, në goditjet që i japin projektit europian sjellin “argumentin” se nuk po mbrohen sa duhet vlerat tradicionale të kombit konkret, apo që në rastin e përballimit të krizës së refugjatëve, nuk po mbahet parasysh elementi kristian i besimit. Zhvillimi i identitetit europian e ka bërë sot realisht hapësirën europiane multikulturore, tolerante, solidare, të hapur ndaj respektimit të vlerave njerëzore. Partitë nacionaliste synojnë të ushqejnë një kontradiktë mes identitetit europian e atij kombëtar, duke shfrytëzuar veçanërisht një problematikë konkrete ekonomike e sociale, edhe për shkak të goditjeve të krizës botërore ekonomike e financiare. Tashmë është më se e qartë se brenda BE ka fragmente që iu rri ngushtë shumë sistemi i vlerave, prandaj dhe evidentohen të grindur ndaj kërkesave të strukturave të BE për zbatimin e standardeve e rregullave të dakordësuara, shfaqin defekte në realizimin e standardeve të funksionimit të demokracisë, sundimit të ligjit apo të lirive e të drejtave të njeriut etj. Madje, konstatohet edhe paradoksi se këto fragmente në vend që të forcojnë standardet e vlerat demokratike e të shtetit juridik, kanë rritur kritikat ndaj strukturave të BE, që insistojnë te standardet demokratike. Tash konstatohen edhe përpjekje nga parti me frymëzim nacionalist, që të organizohen në synimin e mbrojtjes së koncepteve e mendësive që i kundërvihen hapur funksionimit të BE, mbështetur në sistemin e vlerave.

Madje, ka edhe përpjekje për të “argumentuar” këtë pozicion nacionalist në formën që e mendon BE si një aleancë ekonomike e mbrojtëse e kombeve të pavarura, pa eregulla të përbashkëta ligjore. Sipas këtij koncepti, çdo vend ka të drejtën e vet të krijojë sistemin ligjor, sipas traditave të veta. Sipas kësaj mendësie, do të ketë një BE pa kufizime demokratike, por një lloj aleance të lirshme shtetesh krejtësisht të pavarura, pa detyrime politike të bashkësisë. Kjo mendohet si një “Europë e re”, një aleancë që ribalancon marrëdhëniet mes vendeve anëtare dhe institucioneve të BE. Sipas këtij koncepti, identitetet kombëtare do të mbrohen dhe e ardhmja e BE nuk është e paracaktuar. Ky koncept mendon një identitet krejt tjetër nga filozofia e ideatorëve të projektit europian. Siç shihet, ky koncept nacionalist bie ndesh me thelbin e filozofinë e projektit europian, që udhëhiqet nga sistemi i vlerave, standardet e përbashkëta të zhvillimit, solidariteti, integrimi. Manfred Veber ka të drejtë kur nënvizon se: “Nuk kemi nevojë për Europë tjetër, tashmë ekziston një BE. Një Europë e nacionalizmit dhe egoizmit nuk mund të funksionojë dhe të punojë për të mirën e qytetarëve”.

Është fakt që frymëzimet aktuale nacionaliste e sovraniste synojnë të godasin identitetin europian, thelbin e përmbajtjen e BE, filozofinë e projektit europian. Ato nuk njohin e nuk pajtohen me evoluimin e përmbajtjes së identitetit europian, të pasuruar gjatë procesit të integrimit. Sistemi vlerave sendërton shpirtin e vërtetë europian. Pikërisht këtu qëndron soliditeti, forca e modelit perëndimor e europian të zhvillimit dhe po kështu, baza e së sotmes dhe së ardhmes së projektit europian. Është vërtet absurd, por fakt, që sot ka edhe koncepte që orientimin dhe mbështetjen e sistemit të vlerave e konsiderojnë si orientim apo qeverisje e majtë e BE. Po kështu, sjellja e partive nacionaliste drejtohet kundër insistimit të strukturave të BE për respektimin e sistemit të vlerave, të standardeve të funksionimit të demokracisë dhe shtetit juridik.

Nuk mund të mos tërheqë vëmendjen fakti që tashmë nuk ka thjesht qëndrime konkrete të partive apo pozicione të veçanta, por ka edhe përpjekje për bashkim forcash mes nacionalistëve për t’iu kundërvënë hapur sistemit të vlerave. Kjo nuk mund të kuptohet ndryshe, veçse si një thirrje e orientim për të ndryshuar BE, për t’u drejtuar kundër projektit europian dmth., kundër modelit perëndimor të zhvillimit. Nëse vërtet do të mundësohet një ditë një bashkim i këtyre forcave nacionaliste anti-BE, kjo do të jetë një ditë e zezë për BE, për modelin europian e perëndimor të zhvillimit, për vetë fatet e njerëzimit. Vitet ‘30 të shekullit të kaluar as nuk mund të kthehen, as nuk duhet lejuar të përsëriten. Thirrja më e fundit për bashkim të partive nacionaliste, populiste e euroskeptike vjen edhe nga Le Pen në Francë e jo vetëm nga italiani Salvini, që ka deklaruar se po punon me parti e qeveri të djathta, kundër asaj që e quan një qeverisje e majtë nga BE sot.

Salvini mendon se hapja e procedurës ligjore ndaj Hungarisë, sipas nenit 7, sa i përket zbatimit të principeve të demokracisë e sundimit të ligjit, janë një akt politik, një çmenduri e Europës së majtë! Ai shpreh bindjen se vitin tjetër do të ndryshojmë plotësisht Europën, duke përjashtuar socialistët nga qeverisja e saj. Ne – ka nënvizuar ai – jemi duke punuar me parti të tjera dhe qeveritë europiane, për të ndryshuar historinë e këtij kontinenti në maj. Kjo deklaratë e zëvendëskryeministrit italian nuk është as për t’u mbivlerësuar e as për t’u nënvlerësuar. Ajo që bie në sy është gjuha populiste, edhe pse kjo masë drejtohet ndaj mënyrës së qeverisjes hungareze e jo ndaj popullit hungarez. Po kështu, ajo është një procedurë juridike e jo një akt politik. Edhe deklarimi se vitin që vjen do të ndryshojmë plotësisht Europën, duke përjashtuar socialistët nga qeverisja e Europës, është gjithashtu jo demokratike e jo në përputhje me sistemin e vlerave. Këto deklarime duken si thirrje të hapura për t’u koordinuar rreth një ofensive kundër sistemit të vlerave, kundër BE, kundër modelit europian e perëndimor të zhvillimit. Siç shihet, përmbajtja e krizës së BE është pasuruar mjaft dhe ka prirje të zgjerohet. Kriza e BE është sot një fenomen mjaft negativ, që po pasuron më tej përmbajtjen dhe kërcënon për pasoja më të rënda e negative. Kapërcimi i krizës së BE është sot një detyrim madhor për klasën politike europiane e përgjegjësi e rëndë përballë historisë e popujve europianë.

Kjo krizë nuk mund të zgjidhet as duke e soditur, as duke bërë sikur po njihet dhe trajtohet, as duke bërë retushime e propozime të dështuara në thelb, as duke u dorëzuar, as duke ecur me konceptin ‘të vemi ku të vemi’ apo ‘të shpëtojmë ç’mund të shpëtojmë’, as me konceptin ‘një hap para e dy hapa prapa’. Jo, ajo kërkon një shkundje të fortë, reflektim shumë më të përgjegjshëm, programim serioz e shkencor të punës, angazhim serioz të kërkimit shkencor, bashkim forcash, qëndrim të bashkuar. BE u fut në situatë krize edhe nga ngurrimi për të ecur përpara më me guxim e vendosmëri. Vetëm përpara, prapa është gremina e pashmangshme. Jashtë projektit europian, BE nuk ka të ardhme.

Merkel është shumë e qartë që në këtë moment të krizës së BE-së e vë theksin te stabiliteti dhe të qëndruarit të bashkuar, si BE dhe si perëndim. Kriza e BE zgjidhet duke i treguar realitetin dhe ndërgjegjësuar të gjithë elektoratin dhe sidomos brezin e ri, që duket se nuk kanë një njohje të saktë të gjendjes. Kriza zgjidhet vetëm duke parë dhe ecur vetëm përpara. Zgjidhja e saj kalon nga nxitja më tej e ecurisë së projektit europian, kalon nga thellimi e avancimi i këtij projekti të madh civilizues. BE edhe pse sot gjendet në krizë, është një histori suksesi e evolucionit të shoqërisë njerëzore, histori e ndërtimit të një modeli, që ka në themel dhe udhëhiqet nga sistemi i vlerave, paqja, solidariteti, liria, demokracia e dinjiteti njerëzor, sundimi i ligjit dhe përgjegjshmëria e lartë historike. Kriza e BE dhe një problematikë brenda saj po ndodh në një moment kur ka realisht një grindje brenda Perëndimit, ku ka një problematikë konkrete në marrëdhënien mes SHBA dhe BE, që duket se do të stimulojë edhe një ndryshim të kësaj marrëdhënieje. Disa e mendojnë si një përsosje të aleancës perëndimore, por ka edhe pesimistë që shohin një rrezik real të së ardhmes së saj. Ka kontradikta reale, por as që mund të mendohet se ndodhemi përballë të një fundi të kësaj marrëdhënieje apo vjetrim të saj. Ka sot që mendojnë se nuk ka një grindje të thjeshtë brenda Perëndimit, por një kontradiktë të mprehtë në zhvillim, që ka krijuar një hendek mes SHBA dhe BE. Ajo që po ndodh sot është një proces i ndryshimit të disa ekuilibrave, që kanë funksionuar deri më sot, por që nevojitet të përsosen, të ndryshohen apo t’u hapin rrugë ekuilibrave të rinj. Nuk ka sot asnjë krizë serioze të Perëndimit dhe sidomos nuk ka sot një krizë të modelit të zhvillimit perëndimor. Modeli perëndimor është më i avancuari, më efektivi, më afër dinjitetit njerëzor, që nuk mund të konkurrohet nga modelet e tjera eklektike apo autoritariste. Aleanca euroatlantike u formësua historikisht, mbështetur në sistemin e vlerave dhe natyrën e përbashkët dhe pasuroi përmbajtjen në kushtet ne përballjes frontale mes dy kampeve e modeleve të kundërta të zhvillimit.

Pas rrëzimit të komunizmit, duket se formati perëndim po i nënshtrohet procesit të përsosjes, që evidenton edhe nevojën e dialogut, kooperimit, por jo të konfrontimit. Nuk ka sot realisht krizë apo tronditje serioze të cilësisë, thelbit e identitetit të marrëdhënies perëndimore. Dhe kjo është shumë e rëndësishme. Pavarësisht se si do të evoluojë më tej marrëdhënia perëndim, në të dy pjesët integrale të tij, SHBA-BE, esenciale është se përmbajtja natyrore, cilësia dhe epërsia e modelit të zhvillimit do të përcaktojë edhe pasurimin e marrëdhënies. SHBA ka udhëhequr Perëndimin dhe ka marrë edhe përgjegjësitë kryesore të sigurisë së Aleancës. Sot duket se po piqet nevoja e mundësia edhe për një rol konkret përmbajtësor të BE-së në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Ato që bashkojnë SHBA dhe BE janë shumë më të mëdha, cilësore dhe esenciale nga ato që i dallojnë apo i ndajnë. Forma që do të marrë marrëdhënia mes SHBA dhe BE do të dëshmojë edhe nivelin e evoluimit të ri të Perëndimit dhe modelit Perëndimor të zhvillimit. Njerëzimi do të bëjë hapa përpara përmes ngritjes së zhvillimit në një nivel më të lartë. Për këtë arsye, mbrojtja e modelit perëndimor, përsosja e tij, aktualisht përbën një nevojë historike, siç përbën sot nevojë një Perëndim i bashkuar në formën dhe mënyrën më funksionuese dhe një rol aktiv e udhëheqës i tij në zhvillimet botërore. Nuk mund të mendohet, në interes të zhvillimit e stabilitetit të rendit botëror një kundërvënie brenda Perëndimit, siç nuk ka asnjë nevojë që Europa të kundërbalancojë unilaterizmin hegjemonik të SHBA. Brzezinski kishte të drejtë kur nënvizonte, se Amerika dhe Europa së bashku mund të jenë forca vendimtare që i kontribuojnë zhvillimit të njerëzimit, ndërsa të ndarë apo në një garë, apo më keq në kundërvënie mes tyre, do të shkaktonin pasoja të rënda të së sotmes dhe të së ardhmes së qytetërimit në botë. Perëndimi mund ta luajë këtë rol, sepse ka modelin më të avancuar të zhvillimit, sistemin e vlerave të sendërtuara, përvojën e pasur dhe potencialet komplekse të nevojshme.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.