OPINION

Reforma fasadë e shkollës digjitale shqiptare

07:50 - 27.09.18 Shezai Rrokaj
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në fund të shekullit XX Ken Robinson, një reformator i njohur në fushën e edukimit, hodhi disa ide që do të tronditnin filozofinë e edukimit tradicional në botën anglosaksone e më gjerë. Në mënyrë të përmbledhur idetë e tij në fushën e edukimit synonin që shkolla duhet të zbulojë aftësitë individuale të individit: të gjithë lindim me talente natyrale, por pak prej nesh i zbulojnë dhe janë në gjendje t’i zhvillojnë. Pra, qëllimi i shkollës duhet të jetë të zbuluarit e veçanësisë së çdo nxënësi, që është prirja, talentin i tij dhe të nxisë atë proces formimi kurrikular që i përshtatet zhvillimit të prirjes individuale të nxënësit.




Robinson pohon, gjithashtu, se qasjet e deritanishme në shkollë janë mbështetur mbi bindjen e të tjerëve dhe jo të individit, duke përcjellë te nxënësit kurrikula e vlerësime standarde, të cilat mbytin të krijuarit vetjak dhe sheshojnë prirjet e veçanta. Procesi i mësimdhënies duhet të jetë krijues dhe jo standard e rrafshues e aspak uniformë për tërësinë e klasës. Edukimi është një sistem organik dhe jo një sistem mekanik.

Dimensioni i këtij koncepti në fushën e edukimit është shumë i gjerë dhe ka shkaktuar tronditje metodologjike dhe strukturore në mënyrën sesi është ndërtuar sistemi i edukimit, sidomos në disa kahje si: mësimdhënie me fokus klasën apo individin; mësimdhënie e vlerësim standard për të gjithë klasën apo në funksion të prirjes së nxënësit; mësimdhënie proaktive që nxit qëndrimin kritik vetjak apo mësimdhënie informuese, mekanike, e rrafshuar, që nxit të mësuarit pasiv, përmendësh etj.

Siç mund të merret me mend, kjo përmbysje mendësie është një sfidë shumë e vështirë të realizohet menjëherë në arsimin e sotëm po të kemi parasysh traditën, grupet e interesit që përfshihen dhe mendësia e tyre e ngulitur dhe sidomos kostot që kërkohen. Bill Gates dhe Stives Jobs do t’i sugjeronin administratës amerikane të kohës se ndër shkaqet kryesore të krizës së përgjithshme ishte sidomos sistemi i edukimit, i cili duke qenë masiv, po rrafshonte vlerat dhe po bëhej pengesë për nxitjen e gjenive krijues dhe po frenonte zhvillimin.

Të vetëdijshëm për situatën në fushën e edukimit dhe për sfidat që kërkoheshin të adresoheshin, administrata amerikane kuptoi se duhej filluar sa më parë me ndryshime të thella në fushën e edukimit. Dhe hapi i parë për t’u hedhur ishte sesi teknologjia e informacionit dhe inovacioni do të futeshin me shpejtësi në shkolla, me qëllim që të zgjeroheshin dhe të përshtateshin njohuritë në kohë reale në procesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies. Në këtë mënyrë mësimdhënia do të përditësohej, pasurohej dhe diversifikohej, duke u dhënë hapësirë të mjaftueshme kreativitetit dhe fleksibilitetit. Nga viti 2011 e këtej shkolla digjitale u fut në sistemin arsimor. Tri-katër vite më vonë vende si Gjermania, Franca, Italia, Holanda, Kanadaja e Japonia kanë përfshirë burimet digjitale në kurrikulat e tyre kombëtare.

I gjithë ky proces ka kaluar me debate e diskutime të natyrshme, duke u vijuar në  dy rryma mendimi në fushën e edukimit lidhur me përdorimin në shkollë të tekstit digjital (libër digjital, e-libër, libër elektronik) apo atë të shtypur (të printuar). Me tekst digjital është kuptuar përgjithësisht ose libri fizik i digjitalizuar me burime shtesë, kryesisht imazhe, audio, filma, video të ndryshme, kuice, eksperimente, ose tërësia burimeve të mësipërme por, hera-herës, edhe thjesht një version i shtypur në format elektronik. Secila rrymë jep avantazhet dhe dizavantazhet e tyre në fushën e edukimit (shih Whaller 1987 për librin e printuar dhe Nelson 1987 për tekstin elektronik). Në fakt, ideja që njëri variant të zëvendësojë tjetrin, sot po gjen gjithmonë e më pak mbështetës dhe se ideja e zëvendësimit (ose njëri ose tjetri) po ia lë vendin idesë së përplotësimit (komplementaritetit) të tekstit fizik (të printuar) me burime digjitale që pasurojnë, përmirësojnë dhe diversifikojnë fushat përkatëse.

Sidoqoftë, procesi i digjitalizimit në këto vende u shoqërua me një diskutim të gjerë publik (Francë Gjermani, Holandë, Itali etj.), me një informacion shumë të gjerë, me fondet përkatëse, me ngritjen e organizmave dhe database-ve kombëtare që ndjekin procesin apo japin informacionet e konsultimet e nevojshme si dhe me ngritjen e strukturave për trajnimet e nevojshme si dhe afatet përkatëse. Në Francë, bie fjala, u përcaktuan edhe lëndët që do të jepeshin me burime digjitale, si: frëngjishtja, matematika, shkenca, gjeografia dhe gjuhët e huaja. Madje u qartësua edhe vetë koncepti “digjital” me të cilin kuptohej ‘që materialet digjitale të plotësojnë, pasurojnë dhe përditësojnë lëndën në fjalë në orën e mësimit dhe jashtë saj’. Nxënësit do t’i kishin falas burimet digjitale si në shkollë dhe në shtëpi dhe afati i zbatimit u përcaktua deri në vitin 2019.

Në Shqipëri, në vitin 2015 u reklamua si reforma më e madhe që do të ndodhte. Madje ministrja Nikolla e quajti “shkolla inteligjente e së ardhmes”. Por, ndryshe nga shumë vende evropiane, ku koncepti digjital u kuptua si një tërësi burimesh përditësuese, pasuruese, të larmishme dhe të diversifikuara me të cilat nxënësi punon në shkollë dhe në shtëpi, të cilat nuk zëvendësonin tekstin fizik, në Shqipëri koncepti ‘digjital’ u interpretua si zëvendësim i tekstit të zakonshëm fizik, duke shtuar disa materiale, gjë që gjeti fill pasqyrim në Katalogun e ministrisë, madje mësuesit mund të zgjidhnin ose tekstin klasik ose atë digjital. Qartësisht në konceptin e MAS teksti digjital zëvendësonte kryesisht tekstin fizik (librin). Pra, teksti i printuar kaloi në tekst elektronik dhe u kërkuan edhe burime të tjera elektronike shtesë.

Doemos kjo reformë do të mbetej qysh në krye skematike (sa për të thënë) për këtë sipërmarrje kaq të gjerë burimore po të kihen parasysh mundësitë tona të pakta për “botën digjitale”. Për më tepër edhe vende si Franca konceptin e digjitalizimit e përkthyen si burime shtesë në plotësim të tekstit të printuar. Nga ana tjetër, nuk u ngrit asnjë strukturë dhe database operativë për mësuesit, prindërit e nxënësit. Vetë ndjekjen e procesit e mori administrata dhe jo grupet e interesit. Nuk u hartua një plan afatgjatë për shtrirjen e shkollës digjitale edhe në 1-9 apo përtej 60 shkollave të pilotuara. Për më tepër nuk pati një plan financiar të veçuar në buxhetet vjetore, por u mjaftua vetëm te projekti i një vendi të huaj. Kësi reformash zgjatin sa mbarojnë dhe mbarojnë ende pa filluar apo, si i thonë, zgjasin aq sa shterojnë ‘q’ato paret e projektit’ mbi të cilat sulen ‘ushunjëzat’ e administratës.

Po çfarë ka ndodhur deri sot me “shkollën inteligjente të së ardhmes”, një reformë e trumbetuar me të madhe tre vjet më parë? Sot, pas tre vjetësh, është vështirë të gjesh informacione sistematike mbi problematikën e ecurisë konkrete të këtij procesi në secilën prej rreth 60 shkollave të mesme të pilotuara. Vetë pilotimi ngjalli asokohe shumë diskutime, sepse reforma nuk po merrte parasysh kushtet dhe kontekstin e vendit tonë dhe ku administrata që po e ndërmerrte nuk po përfshinte sa dhe si duhet grupet e interesit në procese këshillimi, njohjeje të situatës konkrete, si kishte ndodhur gjetkë, sepse, siç dihet, proceset kanë rezultat atëherë kur mësuesit e kuptojnë politikën e re të administratës, pra kur ata e kuptojnë ndryshimin dhe administrata ua jep kohën e nevojshme, i trajnon me metodat digjitale, ndërton database këshillues dhe struktura me ekspertë të fushave si dhe garantohen mjetet dhe burimet e nevojshme për tabletët.

Qysh në krye u vunë re vështirësitë lidhur me infrastrukturën, llojet dhe cilësinë e burimeve, interneti i pafuqishëm, tabletët, projektorët e deri te ndërprerja e energjisë elektrike, të cilat po bëheshin rreziqe potenciale që paralajmëronin dështimin gradual të saj. Mungesa e internetit në shkollë, apo ndërprerja e herëpashershme e tij, pa folur për mungesën në shkallë të gjerë të internetit në shtëpi, numri i madh i nxënësve apo edhe mungesa e projektorëve nuk ishin ogur i mirë për suksesin e saj.

Nuk u hap as edhe ndonjë diskutim lidhur me dallimin midis tekstit digjital nga atij klasik (fizik) dhe si ndikon teksti digjital në përvetësimin e shpejtë, në shkurtimin e kohës së të mësuarit, mbi variueshmërinë e imazheve, videove, filmave eksperimenteve, dokumentarëve, në rritjen e kreativitetit dhe pjesëmarrjes aktive të nxënësit apo edhe thjesht prakticiteti për të shkarkuar burime të reja, mundësia e ruajtjes së tyre etj. Nga ana tjetër, duheshin trajtuar me seriozitet shkencor problemet që krijohen me teknikat digjitale si ato të shpërqendrimit të nxënësit, i cili priret vetiu shumë pas filmave, humbja e vëmendjes në aftësinë për të kuptuar apo dhe në probleme shëndetësore, që lidhen me shikimin e jo vetëm, të cilat janë bërë objekt studimesh e debatesh në vendet ku është zbatuar e deri te zhvendosja e vëmendjes prej mësuesit te tableti etj.

Po, a janë bërë analiza lidhur me rezultatet, me përparësitë dhe me problematikat që kanë dalë, duke i krahasuar, bie fjala, me shkollat ku nuk zbatohet ‘reforma inteligjente? Po përballimi i kostos në vijim të kësaj reforme, kur dihet se kostoja librave digjitalë është e lartë? Po për shtrirjen pa dallim e diskriminim në tërë sistemin shkollor dhe në tërë shtrirjen gjeografike qytet/fshat, a është menduar?

Po t’i këqyrësh nga afër këto shkolla shumë prej pyetjeve të ngritura mbeten pa përgjigje. Ndaj një audit kompleks në rreth 60 shkollat e pilotuara lidhur me gjendjen e sotme të “shkollës digjitale”, për ecurinë e procesit në këto tri vite dhe të cilësisë së rezultateve, të fondeve të shpenzuara dhe të rezultateve të arritura, është urgjente. Po kështu duhet të analizohet se sa i trajnuar është stafi dhe gjendja e internetit aktiv në shkolla dhe në familje, të tabletëve dhe të cilësisë së informacionit të përfshirë në to.

Pasi të bëhet transparenca e nevojshme, ndërmarrja e një reforme me asistencë ndërkombëtare të drejtpërdrejtë në shkollë është rruga për një reformë dobiprurëse digjitale në arsim e cila, sot për sot, nuk duhet parë si zëvendësuese e tekstit fizik, por si tërësi burimesh e mjetesh digjitale alternative që e plotësojnë, e pasurojnë, e përditësojnë dhe e diversifikojnë lëndën në fjalë gjatë orës së mësimit. Nga ana tjetër, është e nevojshme ngritja e një strukture operative joburokratike si dhe sigurimi në vazhdim i informacionit të nevojshëm bashkë me trajnimin e mësuesve dhe fondet e nevojshme. Të realizohet pra, një reformë jo sa për të thënë e për fasadë, e për të marrë ‘q’ato fonde’, por të jetë një reformë e plotë që t’i shërbejë shkollës dhe shoqërisë sonë.

Reforma façadë e shkollës digjitale është pasqyra tipike e asaj që po ndodh me reformat në Shqipëri, të cilat nisin sipas Perëndimit dhe, ose nuk përfundojnë fare, ose përfundojmë me sajime përçudnuese alla shqiptarçe. E sa për idetë reformatore të Ken Robinson në fushën e edukimit në shkollën shqiptare as që mund të flitet sot, sepse shkolla po shkon teposhtë me rritjen e klasave kolektive e braktisjet masive të rinisë prej dheut të vet, si tokë e ‘xanun’ prej grykësisë e babëzisë së sulltanateve.

‘Shkolla inteligjente e së ardhmes’ ka mbetur po aq façadë sa ishte megaideja e internetit të dedikuar që Qeveria mori përsipër për ta lidhur Shqipërinë në rrjetet e mëdha ndërkombëtare të tipit j-store etj., por që sot e gjithë ditën studentët, studiuesit apo vetë nxënësit mbeten të përhumbur në librat e pluhurosur e të ikur vaktit të bibliotekave tona, që u ka mbetur ora dhe vetëm emri. Por deri atëherë idetë e Ken Robinson do të mbeten vetëm një dritë në fund të tunelit.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.