OPINION

Kuptimi i ndryshimit në arsim ndihmon edhe digjitalizimin e tij

07:30 - 29.09.18 Pëllumb Karameta
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Profesor Shezai Rrokaj, përmes një shkrimi të gjatë, botuar pak ditë më parë, publikoi konstatimet e tij për digjitalizimin si mjet në dobi të përmirësimit të cilësisë së shkollimit. E mirëkuptoj atë kur thekson se “mësimdhënia duhet të mbështetet tek karakteristikat vetjake psiko-fizike (prirjet, talentet etj.) të secilit nxënës”, se “mësimdhënia duhet të jetë krijuese dhe jo standarde e rrafshuese e aspak uniforme për tërësinë e klasës”; se “mësimdhënia, për të nxitur qëndrimin kritik të nxënësit, nuk duhet të jetë mekanike e rrafshuar që nxit të mësuarit pasiv, përmendësh”. Më tej, pajtohem me të, kur pohon se “përplotësimi i tekstit fizik (të printuar) me burime digjitale pasurojnë, përmirësojnë dhe zgjerojnë fushat përkatëse”; se “materialet digjitale duhet të plotësojnë, pasurojnë dhe përditësojnë lëndën në fjalë në orën e mësimit dhe jashtë saj etj.”. E mirëkuptoj edhe kur pohon se reforma për tekstin digjital “do të mbetej qysh në krye skematike… po të kihen parasysh mundësitë tona të pakta për ‘botën digjitale’. Për më tepër, kur edhe vende si Franca, konceptin e digjitalizimit e përkthyen si burime shtesë në plotësim të tekstit të printuar”. Në anën tjetër, unë mendoj se shumë nga çka konstaton e kërkon prof. Rokaj, nuk lidhen me politikën arsimore që mbështet reformën në arsim, por kushtëzohen objektivisht nga ndikimi i faktorëve të shumëllojtë.




Dobësitë dhe mungesat që konstatohen në sistemin tonë arsimor, i ndeshim sot në shumë sisteme arsimore, në rajon e më gjerë. Ato, në masë të madhe, janë pasojë e ndikimit të faktorëve njohës, kurrikular, pedagogjik, shtoni këtu edhe ata ekonomikë. Studiues dhe qendra kërkimore ndërkombëtare me prestigj argumentojnë se analiza, qoftë edhe për përdorimin efikas të mjeteve digjitale në mësim, në kontekstin e reformë arsimore, ofron rekomandime me vlerë, kur shkohet shumë më të thellë, prej nga ku, ndoshta, mund të kuptojmë dhe mënjanojmë faktorët sfidues.

Në terma të përgjithshme, konstatohet se sistemet aktuale arsimore nuk janë në frekuencë sa e si duhet me “botën reale”, ku teknologjitë (përfshirë këtu edhe ato digjitale) po e ndryshojnë dramatikisht mënyrën si jetojmë dhe punojmë. Kjo i ka bërë sistemet arsimore tradicionale, bazuar në kurrikulat e njësuara dhe mësimin në klasë, mbeturina të së kaluarës. Procesi mësimor dhe të nxënit nuk janë transformuar në përmbajtje dhe në formë. Ata kanë mbetur të njëjtë dhe formimi i nxënësve vijon të bazohet ende te notat, jo në atë që bën i diplomuari (në kompetencat që ai ka ndërtuar dhe ushtron). Mësimdhënia (term ky që përdor dhe prof. Rrokaj, por që u përshtatet modeleve mësimore të së djeshmes me mësuesin në qendër), për më shumë se 100 vjet, ka mbetur e njëjtë; shkollimi vijon të bazohet në mësimet në klasa dhe fjala e mësuesit. Qëllimi i këtij të fundit është të paraqesë dhe shtjellojë materialin e paracaktuar në kurrikulat e miratuara, të cilat përshkruajnë edhe standardet e mësimdhënies. Çka ka ndryshuar në organizimin e procesit mësimor dhe teknologjitë që përdoren janë mjetet që u shërbejnë praktikave të vjetruara mësimore. Në vend të tabelave të zeza dhe shkumësit, mësuesit po përdorin tabelat inteligjente (smart board-et); projeksionet statike përmes projektorëve të varur në tavan, mësuesit i zëvendësojnë me prezantime kompjuterike-interaktive (computer-interactive presentations); ndërsa nxënësit, në vend të lapsit dhe letrës, po përdorin tastierat dhe procesuesit e fjalës (word processors). Sakaq, korniza dhe strategjitë e organizimit të procesit të nxënies kanë mbetur të njëjta. Sintezën e gjendjes na e ofron mjaft bukur Bill Gates (2005) në fjalimin e tij në Samitin Kombëtar mbi Shkollat: “Shkollat tona u hartuan pesëdhjetë vjet më parë për të plotësuar nevojat e një epoke tjetër“. Të gjitha elementet e logjikës së sistemeve të sotme arsimore (çfarë, pse, si duhet zhvilluar mësimi?) i takojnë logjikës së erës industriale, e hartuar për t’u shërbyer nevojave të shoqërive të asaj kohe. Sa u takon teknologjive të reja digjitale që përdoren në arsim, ato vijojnë të shërbejnë strategjitë e vjetra të mësimdhënies. Mënyrat aktuale të organizimit të saj vijojnë të kufizojnë mundësinë e shfrytëzimit të potencialit të plotë të risive teknologjike. E thënë ndryshe, “edhe TIK-u, thjesht, trajtohet si ‘zgjatim’ i praktikave mësimore tradicionale dhe po përdoret për të plotësuar qëllimet e erës industriale. Ai po shërben, vetëm ose kryesisht, si mjet për të zbuluar dijet ekzistuese (p.sh., nga baza të ndryshme të dhënash ose nga interneti) dhe për t’i prezantuar ato përmes programeve Word dhe PowerPoint, videove, multi-mediave, web-faqeve etj. Por të gjitha këto janë shkathtësi që i zhvillon shkolla e vjetër’ dhe, si të tilla, ato bëjnë që nxënësit ta shohin veten kryesisht si spektatorë pasivë në lidhje me dijen. Ta shohin dijen si ‘diçka jashtë tyre’, që zhvillohet nga të tjerët dhe veten e tyre pa asnjë rol për të lozur në lidhje me këtë dije – veçse ‘ta konsumojnë’ atë” (J. Gilbert, 2009).

Kjo qasje tradicionale e zbatuar në sistemet arsimore pesë dekadat e fundit – pohojnë studiuesit – do të sfidohet, kur të kuptohen thellë evoluimet thelbësore që po jetësohen në botën e arsimit. Njëri prej tyre është evoluimi paradigmatik nga bihovjerizmi drejt social-konstruktivizmit dhe kognitivizmit. Ai po zëvendëson kurrikulën që thekson gjithë sa u duhet mësuar nxënësve, me kurrikulën që shpreh qartë atë që pritet të arrijë subjekti që vetëvepron; po shndërron modelet transmetuese të dijeve në nxëniet interaktive bashkëpunuese; po thekson kërkimin e kuptimit të nxënies, më shumë se trajtimin e përmbajtjeve formale që kuptohen me vështirësi vetëm nga një pjesë e nxënësve; po realizon shndërrimin e dijeve lëndore në njohuri të reja që nxënësi i ndërton vetë nëpërmjet veprimit/kërkimit real, aspak nga projektet e nisura kryesisht prej mësuesit; po zhvillon mënyra të larmishme me të cilat krijohet dhe komunikohen kuptimet në botën e sotme (fjala e shkruar, grafika, tingujt, informacioni elektronik ose mediatik, teknologjia e bazuar në Cloud, gërshetimi i bioteknologjisë dhe teknologjisë së informacionit, hologrami etj.); po lehtëson lidhjet, ndërveprimet, marrëdhëniet mes sistemeve të ndryshme të dijes dhe mënyrave të ndryshme të paraqitjes së saj; po thekson dallimet dhe larminë, jo qasjet uniforme që ‘i përgatitin të gjithë me një kut’; po nxjerr në pah më shumë proceset se sa produktet. Reformat që jetësojnë këto evoluime janë të ndërlikuara dhe kërkojnë shndërrime madhore në nivele të ndryshme të sistemit arsimor si dhe burime. Le të kujtojmë këtu se, edhe vendeve që po zbatojnë variante të caktuara të qasjeve të reja, u janë dashur të paktën 10 vite, kohë gjatë të cilës është studiuar gjendja dhe nevojat e sistemit, janë konsideruar arritjet dhe alternativat e ndryshme, janë hartuar aktet përkatëse ligjore, nënligjore dhe profesionale, është zhvilluar kurrikula e re, është reformuar sistemi i formimit dhe i zhvillimit profesional të mësuesve etj.

Në këto kontekste, edhe digjitalizimi në arsim do të ndihmojë, nëse do të mundësojë marrëdhënie/lidhje/ bashkëpunime (globale dhe lokale) që nevojiten për të zhvilluar dijet e reja (shkollat e reformuara do të jenë edhe prodhuese, jo vetëm konsumatore të dijeve), do të ofrojë mundësinë dhe burimet e duhura për kërkimin real të nxënësve dhe mësuesve, do t’i ndihmojë nxënësit ta shohin veten si krijues aktivë të njohurive të tyre, zotërues të një roli për të lozur dhe kontributi për të dhënë.

Arsye të tilla na detyrojnë, që përpara se të kërkojmë gjithë sa dëshirojmë për përmirësimin e sistemit dhe të shkollave tona, t’u kthehemi bazave të sistemit arsimor dhe t’i shohim shkollat në dritën e asaj, që ato duhet të bëjnë për t’i përgatitur nxënësit për jetët që do të jetojnë; të pyesim veten dhe të gjejmë përgjigje se për çfarë janë shkollat, çfarë duam të nxënë nxënësit në to, përse dhe si do duhet ta nxënë këtë, çfarë duhet të bëjë shkolla kur nxënësit nuk nxënë etj. Kjo kërkon që t’i tejkalojmë mënyrat e të menduarit të “erës industriale” rreth sistemit arsimor dhe procesit mësimor-edukativ. Ndryshimi themelor në mendësi është mundësi e vyer për të kuptuar dhe ndihmuar ndryshimin që po bëjmë në shkollat tona dhe përse e bëjmë atë. Por edhe për të kuptuar më mirë se reforma jonë arsimore është projektuar sipas përvojave bashkëkohore. Jo për të mbushur kokat e nxënësve me lloje të veçanta të dijeve ekzistuese, por për të zhvilluar kompetencat e tyre për të nxënë në mënyrë të pavarur, për të ndërtuar dhe zbatuar njohuri të reja, gjatë dhe jashtë procesit mësimor-edukativ, të ndihmuar nga mësuesit dhe teknologjitë digjitale. Dhe unë besoj fort se ky proces, edhe pse tejet i vështirë, po ecën në shtigjet e përvojave të mira, jo vetëm në qëllime, por edhe në situata ku zhvillohet nxënia.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.