Kryesore

Ka shumë Xhisiela ky vend…

07:30 - 06.10.18 Pano Hallko
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Prej dy javësh, vendi, e gjithë shoqëria është përfshirë në valën e një diskutimi, që në pamje të parë ka të bëjë me një person, me një emër konkret: Xhisiela.




Secili e secila, me mundësitë që kanë, me logjikën që kanë, e me prirjet partiake që kanë. Doemos ndodh kështu, pasi në kushtet e sotme, çdo njeri është shndërruar në një medie më vete, falë lirshmërisë së komenteve në të gjitha portalet dhe rrjetet sociale, të cilat janë të uritura sa për “lajme” të tilla, aq edhe për komentues pa kokë e pa botë, “të djathtë” e të “majtë”. Dhe… derdhen “lotët” me tonë, në të gjitha burimet e sipërcituara.

Thellësisht, shumica e urren atë vajzë, e cila për hir të së vërtetës, prej dhjetë vitesh – siç e ka pohuar vetë, ka edhe statusin e gruas. Shumica e njerëzve nuk e kuptojnë arsyen se pse duhet ta urrejnë atë. Por “pakica”, që nuk janë edhe aq të paktë, ia servirin në mënyrë të tillë asaj shumice, që vetëm simpati të mos ketë për Xhisielën.

Ajo e kish gjetur “princin sykaltër”…

Ishte në kushtet e jetës së vështirë në një fshat, që për të zezën e saj, por edhe të të tjerave, mban emrin kobndjellës-Zezë, ku kalon një përrua me emrin kobndjellës-Zezë, i cili kur tërbohet në dimër, mbyt deri edhe Fushë-Krujën. Me qendër fshatin Nikël, emër të cilin për herë të fundit njerëzit në këtë vend e kanë dëgjuar në lajme, në ditët kur u prish kooperativa bujqësore me të njëjtin emër. Në kushtet kur fati e dënoi duke i marrë babain e saj në vitin 1997, çfarë mund të ëndërronte më shumë?

Duke u rritur me shumë mungesa, e falë edhe ndihmës së dajave të saj, a nuk kishte nevojë ajo vajzë të “ankoronte në një mol”?

Dikur, vajzat kishin ëndërr të merrnin djalin e bajraktarit, apo të beut. Se tek ata mblidheshin detyrimet e bajrakut, por edhe gjobat. Si në “mall e gja”, ashtu edhe në lekë. Atëherë, le të ishte si të donte djali (edhe me një sy, kur i thonë fjalës), ia vlente ta merrte. Për dy arsye: Sepse “gjakun”, pra sojën, ai “e kishte” pasi ishte me gjak “blu”. Së dyti (e që kjo, vinte e para), sepse dreqi ta hajë, aq mall e gja, do ta shpinte bajraku, sa të jetonte mirë vajza.

Motivi i kësaj lidhjeje është i njëjti, me atë të së ndjerës Geraldinë, që vendosi të martohej me Ahmet  Zogun. Sado të na duket paradoksale sot, edhe asaj, afërsisht kështu i kanë thënë të afërmit e saj: – “Po ti shko se, edhe pse vend i varfër, Shqipëria do e prodhojë aq mall, sa për nevojat e familjes ‘mbretërore’”… E mos më thoni se ajo ra në dashuri me fotografinë që i treguan sejmenët zogollianë, aty pranë qeseve me flori, por as me diferencën e moshës, që ishte “vetëm” 27 vite… Për hir të së vërtetës, asaj nuk i doli edhe aq keq, ndjesë pastë! Geraldina e deshi këtë vend, i deshi edhe shqiptarët. E këtyre nuk u erdhi ndonjë e keqe prej saj. Të zezat e ullirit, shqiptarët, por edhe trojet e tyre, i hoqën nga… “biri i tyre”… Të gjitha krahasimet në këtë botë çalojnë. Por prapë, quhen krahasime, se edhe ngjajnë…

Por le të kthehemi në Nikël. Cila vajzë nuk do dëshironte të lidhej me djalin e kryekomunarit për 12 vjet rresht? Sepse komuna, dreqi e mori, aq fonde sa të kalonte mirë djali i kryetarit (doemos edhe e dashura e tij), do t’i kishte. Dhe… ka nja tridhjetë vite që në vendin tonë, dashuria kalon vetëm nga… stomaku!

E kështu ndodhi. Ajo e “uli spirancën” tek ai djalë, e dhjetë vite nuk pa ndonjë dëm. Përkundrazi, me paratë e tij, ajo mori patentë për drejtim mjeti, shijoi makina që thuajse të gjitha shoqet e saj, nga ai fshat, por edhe në Tiranë do t’i kenë ëndërr, të parealizueshme dot, kuptohet. Por ajo edhe u shkollua, me “pak” mijëra (euro, të lutem), e të gjitha këto, me mbështetjen e djalit.

Është kaq e ndërgjegjshme për këtë, saqë pyetjes: – “A mendoni se një femër në Nikël apo në Zezë jeton e paragjykuar?” ajo i përgjigjet: – “Unë jam paragjykuar, por kam jetuar për veten time”. Domethënë, kur kam stomakun plot, në djall përgojimet dhe paragjykimet!

E vetmja gjë “me mend” që paska bërë ajo është që ka zgjedhur degën e “Shkencave politike”, në një biznes privat të këtij vendi, ndër të shumtët, që ky vend ka, për pajisjen me diplomë të njerëzve.

Dhunim, apo përdhunim?

Dashuritë e para, e ato “të zjarrtat”, e kanë një fund, sido që të jetë. Ca më tepër sot, kur ka dalë formula e “bashkëjetesës”. Jetojnë bashkë djalë e vajzë për disa vite, e kur mbaron portofoli që zakonisht e ka vetëm njëri, për sytë e botës, thonë: – “Nuk e gjetëm me njëri-tjetrin”. Tani, se çfarë presin “të gjejnë” tek njëri-tjetri, pas shumë vitesh bashkëjetesë, këtë ec e merre vesh!

Djali në fjalë, apo bashkëjetuesi i vajzës, e cila u bë peshqir për buzët e pista të politikës, medieve e më pas edhe për buzët e “miletit”, një ditë të bukur për të, pas dhjetë vitesh, i futi krahun një tjetre, e iku për pushime, “aty” në Sarandë. Çfarë krimi ka këtu? Të martuar me Xhisielën nuk figuronin. “Betimin” nuk e patën bërë, as para hoxhës e as para priftit. Po se mos po e mbajnë betimin ata që u martuan kështu! Ndoshta kjo “tjetra” ishte edhe më “e njomë” sesa ajo që pati, e ndoshta edhe më e shkathët në veprime… Sepse këto vajzat e rritura me OMGJ shkojnë e futen me dhunë në shtratin e tjetrit.

Megjithëse kjo punë kështu paska qenë qysh në kohën e të madhit Viktor Hygo, i cili shkruante: “Simptoma e parë e dashurisë tek një djalë është druajtja, kurse tek një vajzë është guximi”…

Djali që sot është në burg e kishte dhe e ka çdo “të drejtë” të jetë njëherazi i hazdisur, por edhe i hardallosur. Si të gjithë fëmijët e atyre që “menaxhuan” në “tranzicion” vite, fondet publike siç ata i quajnë, apo lekët e popullit thënë në shqip. Kështu që ai nuk mund t’ia prishë zogëzës së radhës…

Pra Xhisielës në çast, me një fotografi të ish-it në “Facebook” me atë tjetrën iu shemb qielli mbi kokë! Ajo e humbi parajsën që… “me thonj dhe me dhëmbë” e pat mbajtur për kaq vite…

Për politikanët, besoj se jemi dakord, që me ndonjë përjashtim shumë të rrallë nuk e njohin gjuhën shqipe. Po kështu edhe shumica dërrmuese e gazetarëve. Por çuditet njeriu, kur dëgjon nga goja e disave që mendon se e njohin gjuhën, teksa përdorin fjalën përdhunim, vazhdimisht, gjithë ditën e gjithë natën.

Për të mos u turpëruar edhe ne, le të shfletojmë Fjalorin e Gjuhës Shqipe, atë të “vjetrin”.

Dhunim: – “Përdorimi i shtrëngimit fizik ose psikik, i mjeteve e i metodave të vrazhda ndaj dikujt për ta detyruar të bëjë diçka jashtë vullnetit të tij, për ta nënshtruar, për ta shtypur etj.; detyrim a shtypje me anë të forcës”. (“Fjalor i Shqipes së Sotme”, 1984, fq. 250.

Përdhunoj: – “E shtrëngoj dikë me forcë që të bëjë diçka kundër dëshirës së vet, çnderoj me dhunë një vajzë a një grua”. (“Fjalor i Shqipes së Sotme”, 1984,  fq. 892.

Domethënë, nëse i besojmë atij fjalori, në këtë rast nuk kemi të bëjmë, të paktën me përdhunim.

Yll i ndritshëm, heroinë e errët

Sa vajza, të cilat vijnë nga çdo skaj i Shqipërisë, e që prindërit e tyre fatkeqë e dinë se vazhdojnë shkollën për të cilën i kanë nisur, në kushtet e mospasjes, e në garën për të jetuar edhe ato, “si qytetare Tirone” e pse jo, “europiane”, bien në duart e delenxhinjve të Tiranës, të cilët në shumicën dërrmuese të tyre nuk janë tiranas?

Sa prej tyre, ky popull “bujar dhe mikpritës” i nxjerr natën me gjithë plaçka jashtë pallatit, meqenëse nuk kanë paguar qiranë?

Mjafton të ulesh në cilëndo kafe të Tiranës e të dëgjosh se ç’u thonë “të dashurve” apo ish-ërve në telefona me zë të lartë, vajzat shqiptare: – “Mos i bjer më këtij telefoni, qelbësirë”!

Po sa zonja, vijnë çdo mëngjes ora 08.00 me fugon nga qytetet e veriut dhe të jugut për të… “nisur ditën e punës” në Rrugën Bardhyl, në “Myslym Shyri”, “Unazën e Re” e deri në krahun e djathtë të rrugës së Rinasit, deri në Rinas?

Ato zakonisht rrinë afër hoteleve surrogate, e me një buzëqeshje të shtirur, e cila tregon se tëmthi u pikon direkt në zemër e jo në stomak, u thonë “klientëve” xhepgrisur që hera i përzë andej: – “Hec, se ke për të kaluar mirë, për zoten! Pesë mijë (të vjetra) i dua unë, e pesë mijë i don hoteli”.

Këtu nuk po flasim për mijëra vajza shqiptare, që kanë mbushur trotuaret e Europës, për të… ushtruar profesionin më të lashtë të njerëzimit, duke kënaqur me kërmën e tyre, epshet e perëndimorëve të kulturuar. Sepse fundja fare, shteti shqiptar i tridhjetë viteve nuk ka pse të mbajë përgjegjësi. Është… “zgjedhja e tyre”, dëgjon të të thonë në shoqërinë “demokratike”.

Po sa vajza, ditën me diell, nëpër lokalet e shtrenjta, por edhe në haure në këtë vend, u ofrojnë shërbesa “speciale” klientëve tekanjozë, për të mbushur xhepat e “bashkatdhetarëve” – tutorë të tyre?

Shkruesi i këtyre radhëve në rininë e hershme ishte sekretar i rinisë së një nga shkollat më të mëdha në këtë vend. Atë e thirri një ditë nëndrejtoresha e shkollës, e cila ishte një nga idhujt e pedagogjisë dhe mësuesisë së atij rrethi, zonja Aspasi Petushi në zyrë dhe e pyeti për një vajzë që ishte e Shtëpisë së Fëmijës së asaj kohe. – “Shiko kij kujdes – tha ajo, se P… më duket sikur ka ca muhabete me atë djalin, A…! Merr masa e fol me djalin, të hiqet prej saj, se do fluturojë nga konvikti dhe nga shkolla”! Personi që po shkruan, iu përgjigj asaj: – “Epo të rinj janë, e janë maturantë tanimë, ata mendoj se e dinë ç’bëjnë, apo jo”? – “Djalëëë! – i thirri ajo këtij që po shkruan – Vajza, pa mbushur tetëmbëdhjetë vjeçe, bën se s’di. Pas tetëmbëdhjetë, do, e pra bën. Prandaj kij kujdes e të më raportosh, se jap llogari unë para shtetit për atë vajzë, derisa të martohet. Përndryshe, do përjashtohesh ti nga shkolla, pa… le të jesh sekretar i rinisë”! Dhe më pa me ca sy të shkrepëtitur, që kurrë s’ia kisha parë, katër vite në shkollë. “Diktatore e keqe”! Atë ditë, shkruesi i këtyre radhëve, mësoi një fakt. Faktin që në të vërtetë, ajo vajza e Shtëpisë së Fëmijës paskej prindër. Por jo prindër si ata tanët, andej fshatrave apo qyteteve. Prind, që jo vetëm e kishte rritur, e vishte, e mbathte (si askush tjetër nga ata me prindër) dhe e shkollonte, por kujdesej për të, duke “ia ruajtur mizat”, deri në martesë…

E vetmja gjë që “fitoi” Xhisiela nga gjithë tallazi politiko-policoro-mediatik është se humbi nja dhjetë kile peshë.

Plagët fizike në trupin e Xhisielës (nëse ka), një ditë do të mbyllen e do humbasin në lëkurën e kolme të saj.

Por pushkatimin (se këtu nuk bëhet fjalë për plagosje) shpirtëror të saj, që u realizua më së shumti nga mediat-kone të politikës, kush do ta mjekojë? Ato e kryen përdhunimin e saj, sepse ato realizuan çnderimin publik të saj.

Dëgjoj këto ditë se shteti duhet të përgjigjet për cilëndo Xhisielë në këtë vend…!

Ju lutem, a mund të ndihmojmë të gjithë të gjendet adresa e banimit të ish-Presidentit të Republikës, i cili deri para ca muajsh, mbante stemën e këtij shteti? Sepse e kërkon atë adresë, vetë Gjykata e Republikës së Shqipërisë!

E vetmja gjë “me mend” që paska bërë Xhisiela është që ka zgjedhur degën e “Shkencave politike”, në një biznes privat të këtij vendi, ndër të shumtët, që ky vend ka, për pajisjen me diplomë të njerëzve…

 


Shfaq Komentet (6)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Plotësisht dakord me shkrimin dhe respekt për autorin. Dhe meqenë se nuk i heq dot presjen, ky, shpresoj të më mirëkuptojë për një vërejtje të vogël drejtshkrimore, që për fat të keq të tilla, i ndeshim shpesh në shkrime të ndryshme, por edhe në diskursin politko-mediatik.
    Autori me shumë të drejtë “revoltohet” për keqpërdorimin e fjalës dhunim me përdhunim. Dhe ka shumë të drejtë referuar edhe Fjalorit të Gjuhës Shqipe. Ajo që dua të them unë, mbase nuk ka ndonjë rëndësi esenciale, për shumë kënd, aq më pak me këtë shkrim, por ngaqë e dëgjoj shpesh, jo vetëm në rrugë e nga njerëz të thjeshtë, por nga gazetarë, politikanë e pushtetarë, të bën përshtypje. Është fjala për përdorimin e fjalës së huaj ‘furgon’ me atë të bastarduar nga plrdoruesit me ‘fugon’. Si kushdo që ka pak njohuri për gjuhën italiane e di se ‘fugon’ do të thotë të ecësh me nxitim, ndërsa fjala ‘furgon’, me prejardhje nga italishtja apo dhe frëngjishtja mesjetare është karrocë e mbyllur e tërhequr nga kuajt si mjet transporti për njerëzit. Kështu kjo e dyta pra ‘furgon’, ka zënë sot vend, jo gabim dhe jo vetëm tek ne për mjetet e ashtuquajtur ‘mikrobuzë’, që në fakt janë dhe ato ‘autovetura’ apo shkurt ‘vetura’. Siç shihet të gjitha këto fjalë janë me prejardhje jo nga shqipja (s’ka se si), dhe si të tilla, (jo vetëm), kanë zënë sot vend gjerësisht në gjuhën tonë të përditshme. Ndaj problemi këtu është përdorimi korrekt i tyre.
    Ps: Në këtë shkrim, përdorimi i fjalës ‘fugon’, mund të jetë një lapsus ose gabim në shtypshkrim. Qëllimi është mesazhi për skrupulizitetin e përdorimit drejt të fjalëve kur flitet për shkrime apo biseda serioze sidomos në TV, të cilat kanë ndikim të madh në publik. Flm!

    Përgjigju ↓
    1. Jam plotesisht dakord me verejtjen por edhe me vleresimin e Buretos. Edhe pse, per hir te se vertetes, ne shqip, shqiptaret kur duan te thone vrapoj/vrapova/, thone fugoj/fugova. E kjo fjale, eshte fjale shqipe, ne Fjalorin e Shqipes se sotme-ate qe citon autori, ne faqen 318, FUGOJ folje jokalimtare,-OVA~UAR. Vrapoj, nxitoj. Lutem, hapni Fjalorin e Shqipes se Sotme.botim i vitit 1984.
      Sa per Analizen, eshte e vetmja qe kam lexuar ne te gjithe kete tollovi qe po tirret e po shtillet me histeri nga politika dhe nga mediet e politizuara. Po te kishim te tille gazetare, e te tilla analiza, ndryshe do te formesohej opinioni publik. Eshte doemos, edhe merite e Gazetes qe boton shkrime te tilla. Pergezime autorit, te cillin nuk e njoh nga afer!

      Përgjigju ↓
  2. E nje shprehje nga nje film per bajraktarin “Mjer kush e ka mik mjer kush e ka armik”.
    Nje fiton azil.
    Nje behet e famshme.
    Populli harron hallet nja dy jave.
    Nje do beje dhe Pak burg.
    Si tha Driteroi ” Une bos ti bos po lopen Kush do ta kullos?.

    Përgjigju ↓
  3. Ke te drjejt.Gazetari korrekte merret me fenomenin jo me personat.E kishte te dashur por mund ta kishte dhe grua.Ishte cun deputeti por mund te ishte te bisnesmen.Si kemi degjuar u vra bisnesmeni i dyshuar per vrasje.
    Gazetave u interesojn gazetare qe shkruajn shpejt e shpejt ose analist qe analizojn cdo gje ne pes minuta.
    Pergezime per shkrimin.

    Përgjigju ↓
  4. Pano i ke bere analizen me te sakte e te drejte te gjithe ketij “problemi ” qe politika dhe mediat u lodhen me dite te tera per ta zgjidhur, dhe ne fund deshtuan. Deshtuan se flalen perdhunim nuk e zberthyen dote…. .Respekte Pano.

    Përgjigju ↓
  5. Nje shkrim ndēr shume shkrime qe mbajne ne brendesi,mesazhe ,mellefe kritika dhe dashuri per kete vend è popull! Te kuptoj (ne dy kenveshtrime) si gjak dhe si admirues i nje pene aq sa popullorçe po dhe intelektuale. Te falenderoj per punen qe ben per hapjen è syve dhe shperndarjen è (mjegulles) politike pabukese qe ka mbytur kete kete popull!Ne perfundim ma do mendja dhe siç i thone, SHUME ZHURME PER ASGJE!!!

    Përgjigju ↓