OPINION

Cilat ishin ato, gratë e shkrimtarëve dhe artistëve?

07:30 - 08.10.18 Sulejman Mato
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kam kohë që kam dashur të shkruaj diçka për gratë e shkrimtarëve dhe artistëve që kam njohur në vite, qysh nga rinia ime…Të shkruaj diçka për to, në përkujtim të tyre, më tepër për gratë e të ikurve që nuk jetojnë më, por dhe në shenjë respekti për gratë e heshtura të shkrimtareve që jetojnë…Për shkrimtarët dhe artistët është shkruar dhe është folur shumë, por askush nuk i ka përmendur ato “të heshturat gjer në dhimbje, të thjeshtat gjer në madhështi” të cilat kanë qëndruar në jetë përkrah tyre dhe kanë përjetuar së bashku me ta sukseset dhe shqetësimet e kohës.




Poetët u kanë kushtuar poezi të dashurave të tyre, por askush nuk ka shkruar për ato, gra të heshtura dhe fisnike. më bukur se çdo shprehje përcaktuese ATYRE do t’u shkonin vargjet e Kadaresë “Ato të urtat gjer ne dhimbje, të thjeshtat gjer në madhështi”. Të tilla ishin dhe të tilla kanë mbetur në kujtesën time, të gjitha gratë e shkrimtarëve dhe artistëve që kam patur fatin të njoh. Të tilla ishin, të gjitha ato bashkëshorte të jetës së shkrimtarëve dhe artistëve të cilat më kane pritur me buzëqeshje në familjet e tyre e më kanë përcjellë me dashuri vëllazërore. Të parat gra shkrimtarësh që kam njohur kanë qenë Helena e I.Kadaresë, dhe Sadija e D.Agollit, me të cilat më ra fati të kalojmë së bashku, katër vjet në një kurs, në bankat e Fakultetit Histori- Filologji. Të tillë e kam njohur Helena Kadarenë, fisnike e sjellshme dhe bujare, shkrimtare e afirmuar qysh në bankat të fakultetit, e tillë ishte dhe shoqja tjetër e kursit, Sadie Agolli. E tillë ishte bashkëshortja e poetit të shquar dhe profesorit tim, Fatos Arapi. E tillë ishte Dhurata, bashkëshortja e mikut tim të paharruar Jakov Xoxes, e tillë ishte Myneveri e shoqja e Dhimitër Shuteriqit, e tillë ishte fisnikja e Llazar Siliqit. Të gjitha këto gra dhe të tjera, që nuk më bien tani ndërmend, ishin të thjeshta, të qeta, të dashura, të heshtura dhe të vërteta. Fillimisht kur punoja në Berat si arsimtar, pas mbarimit të fakultetit, pata fatin të njoh bashkëshorten e Fatmir Gjatës, Besa Morina…një grua e qeshur, e heshtur, rrezatonte mirësi dhe dashuri…Pas dënimit që pësoi Fatmiri në ato vite, ishte ajo që do ta vuante dënimin e bashkëshortit duke punuar në bujqësi, së bashku me kooperativistet e Lapardhasë, pa e ngritur kokën, duke ia ngritur kokën Fatmir Gjatës e  duke nderuar veten e vet dhe të shoqin. Tani mendoj se shumë nga shkrimtarët që kam njohur kanë pasur fat që kanë pasur gra të tilla, pa të cilat nuk mund  të kuptohet as suksesi I tyre as krijimtaria e tyre, as kuraja e tyre prej shkrimtari. Gjatë viteve kur unë kam pasur fatin të punoj në Lidhjen e Shkrimtareve dhe të jem midis shkrimtarëve të njohur si: Dhimitër Shuteriqi, Llazar Siliqi, Sterjo Spase, Kolë Jakova, Petro Marko, Shefqet Musaraj etj., kam pasur fatin të njihem nga afër me gratë e tyre dhe me hallet e shqetësimet e tyre. Kujtoj me nderim Sterjovicën e Sterjos, e cila na priste me aq përkujdesje, mua dhe time shoqe, e na përcillte si qëmoti, gjer jashtë portës, së bashku me Sterjon, sikur të ishim persona të rëndësishëm. Unë atëherë isha një letrar i ri, i porsamartuar, por zakoni, dashuria dhe mikpritja e tyre ishte e tillë që emociononte dhe gurët. Kujtoj me nderim bashkëshortet e Kolë Jakovës dhe Dhimitër Xhuvanit, të thjeshta dhe të heshtura të komunikueshme me të gjithë. Tani që po shkruaj këto radhë ndjej krenari, por dhe një detyrim të vonuar për Sterjovicën, për Safon e Petro Markos, piktoren e njohur, grua e emancipuar, e cila na priste dhe na përcillte me kaq dashuri e me kaq fjalë të ëmbla. Kujtoj me respekt të thellë Myneveren, një intelektuale e klasit të parë, ish-partizane, e cila edhe pse punonte në detyra të rëndësishme shtetërore, ishte aq e thjeshtë dhe aq e sinqertë në bisedat tona. Të tilla ishin dhe gratë e artistëve që kam njohur gjatë viteve kur punoja me kolektivin e Operës dhe Baletit. Kujtoj me dashuri dhe nostalgji dy gratë ruse, Tatjanën, të shoqen e Pjetër Gacit dhe Ninën e Avni Mulës, të cilat lanë vendin e tyre dhe erdhën, “në vendin e shqipeve”, dhe të diktaturës më të egër, duke e paguar shtrenjtë dashurinë për bashkëshortët shqiptarë. Tani sjell në përfytyrim dhe shumë gra të tjera, të miqve të mi, Marien e M. Vyskës, Nervanën e F. Halitit, Dhorkën e Dh. Orgockës. Ka qenë një kohë e vështirë. Kohë talonesh. Si të gjithë qytetarët e tjerë dhe shkrimtarët dhe artistët i gjeje në radhë, për një pako gjalpë, për një kile mish, për një shishe qumësht, për një pako oriz e një pako makarona, një kile mish ne muaj, një kile djathë në javë. Nga koha kur kam punuar ne Teatrin Popullor, por dhe në atë të Operës dhe Baletit, kujtoj me respekt të thellë shumë gra artistësh, si gratë e Agim Krajkës, Anitën e Agim Prodanit, shoqen e Cesk Zadesë dhe Tish Daisë, por më me respekt do kujtoj bashkëshorten e Naim Frashërit dhe të Kadri Roshit. Të dy artistë të shquar, gratë e të cilëve ishin model i këngëtareve që punonin në korin e Operës. Nuk e mbanin veten si gratë e dy artistëve të mëdhenj.  Me kujtohet dhe shoqja e Fatos Arapit,  financiere me profesion. E qetë, e heshtur e pa bujë. Gjithë trazimet artistike të poetit të madh i bluante në heshtje. Kam shumë kujtime për këto gra të paharruara e tani që ato nuk jetojnë më kap një trishtim. Petro Marko nuk e hiqte cigaren nga buza. Hallet e Petros nuk kishin të sosur. Merr e hiq e drejta e botimit. Herë me punë herë pa punë. Po Petrua si Petrua. Nuk e uli kurrë kokën. Nuk e shteri kurrë frymëzimin, nuk e humbi kurrë kurajën. Stoik. Madhështor. Më madhështor dhe se krijimtaria e tij që na ka lënë dhe askush nuk kujtohet për të. Por më madhështore  e më kurajoze qëndronte Safoja, e cila në çdo hall e çdo fatkeqësi, dhe kur i ra Jamarbri në burg, dhe kur nuk kishin para gjithmonë buzagaze. Po pse, pak andralla kanë pasur dhe Ismaili e Dritëroi? Edhe pse shkrimtarë të nderuar e të respektuar, kanë kaluar dhe ata, së bashku me gratë e tyre, net pa gjumë, për shkak të krijimtarisë së tyre, e cila u vëzhgohej me lenten zmadhuese të vigjilencës partiake. Po pas tyre ishin Helena dhe Sadia, me të cilat ndanin shqetësimet e kohës. Fatos Arapi ishte prej natyre impulsiv, ishte bashkëshortja e tij që shuante në heshtje thëngjijtë e ndezur të zemërimit të tij poetik. I kujtoj sot me nostalgji dhe me respekt të veçante të gjitha ato gra të heshtura, bashkëshorte të denja të shkrimtarëve dhe artistëve të mëdhenj, ndaj, duke shkruar për to, s’ bëj gjë tjetër veç, shpreh një obligim, i cili me ka munduar në vite, për të treguar se ishin shkrimtarët poetët, kompozitorët, piktorët, aktorët, këngëtarët, që i dhanë aq shumë këtij populli por, ishin dhe bashkëshortet e tyre të cilat ndanë shtratin dhe jetën me ta.

Këto gra heroina kanë qenë edhe muzat e vërteta të krijimtarisë së tyre. Shkrimtarët dhe artistët kanë nevojë për dashuri dhe vlerësim. Ishin këto gra bujare  që ua kanë dhënë me bollëk këtë dashuri. Ato ishin lexueset e para të librave të tyre dhe kritiket e rrepta të krijimtarisë. Tani që disa prej tyre nuk jetojnë më, s’na mbetet çfarë të themi veç t’i kujtojmë me respekt dhe krenari emrat e tyre.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. HOMAZH ARTISTIK PËR ZONJAT E NDERUARA DHE JO VETËM. KY RRËFIM, ËSHTË HOMAZH DHE RESPEKT PËR NJË PERIUDHË-EPOKË, E CILA NA FALI SHKRIMTARE TË MËNDHENJ. DOEOMOS, PJESË E ATYRE SUKSESEVE, KANË QENË GRATË-BASHKËSHORTET E TYRE TË NDERUARA.
    PROBLEMI SHTROHET: -CILËT JANE SHKRIMTARËT E “MËDHENJ” SOT, E CILAT BASHKËSHORTET E TYRE, TË CILAT E KANË TË ZGJIDHUR PROBLEMIN E PAKOS SË GJALPIT ME VAJ PALME E BAMBUJE, SI EDHE PROBLEMIN E MISHIT-ME MISHIN E ZELANDËS SE RE-PRODHUAR PËR…NEVOJAT E LUFTËS SË DYTË BOTËRORE?!?

    Përgjigju ↓