Kryesore

“Atdheu është dhembje” e “Tirana ka tiranë”, Fatos Arapi përcillet me vargjet e tij

11:00 - 12.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – “Lamtumirë Fatos Arapi! Shpirti yt prej kohësh qe ndarë prej baltës sonë të përditshme. Vështroje poshtë si grindeshim e haheshim si merimanga në vorbën e kohës. Shihje me dhimbje dheun që rrudhej e mpakej prej urrejtjes sonë, prej lakmisë, zilisë, shpirtngushtësisë, babëzisë. Pse o Zot na braktisi perëndi e dashurisë?! Sot poeti zgjodhi përfundimisht qiellin. Prej qiellit të tij do reshin vazhdimisht shirat për ta ruajtur të pastër detin tonë”. Izet Duraku e shprehte dje me këto fjalë dhimbjen për ndarjen nga jeta të poetit Fatos Arapi. Ai u shua në moshën 89-vjeçare pas më shumë se 10 vjetësh në një heshtje të plotë dhe pothuaj i tërhequr nga bota përreth. I cilësuar si një prej poetëve më të mëdhenj shqiptarë, i larguar nga ngjarjet e letërsisë për një kohë të gjatë, ai pothuaj u shkëput duke i jetuar vitet e fundit “në vetmi”, pa iu përgjigjur telefonatave dhe trokitjeve mbi derën e tij. As kur pak vite më parë u botua një libër me përmbledhje të poezive, ai nuk doli prej portës. Vite më parë telefonatave për takime e intervista u përgjigjej me refuzim, derisa një ditë, “e hoqi” fishën e telefonit për t’u mënjanuar përgjithnjë.




Në fund të muajit gusht, “Gazeta Shqiptare”, duke marrë shkas nga një postim i studiuesit Izet Duraku, pat botuar një artikull nën titullin “Fatos Arapi, poeti që e lamë në harresë”. “Miq të mi të letrave, ju që nuk e harroni kurrë Fatosin! Do të bashkohem gjithmonë me ju për me ngrit zërin në mbështetje të Fatos Arapit. Duhet respektuar, heshtja e tij e shenjtë duke e bërë sa më të zëshme heshtjen për me ia shurdhue veshët shurdhnisë”, shënohej duke cituar Durakun. Dy muaj më pas, heshtja e tij bëhet e përjetshme.

HOMAZHET E MIQVE

Nuk u mbajtën për të homazhe, në kuptimin që jemi mësuar t’i nderojmë emrat që ikin. Për të dje, të gjithë vetëm shkruan si e kishin njohur, si do e mbanin mend duke cituar vargjet që e bënë të njohur e vargjet për të cilat e deshën ata që e lexuan dhe (s’)e kuptuan. Arapi, bashkë me Ismail Kadarenë dhe Dritëro Agollin, bënë pjesë në ata poetë që bënë një kthesë të rëndësishme në poezinë shqiptare të viteve ‘60. Ai solli në këtë poezi elemente të modernizmit, madje të hermetizmit. U orientua nga poezia filozofike. Veçanërisht origjinale janë dy përmbledhjet e tij të para poetike “Shtigje poetike” (1962), “Poema dhe vjersha” (1966), “Ritme të hekurta” (1968) është më konformiste derisa më 1971 i botohet në Prishtinë vëllimi “Kaltërsira” dhe vëllimin “Më jepni një emër” ia ndaloi diktatura.

Kur flisnin për trishtimet dhe humnerat ku vrapon marramendthi, në mënyrë ciklike fati i vendit tonë, Preç Zogaj kujton se Fatos Arapi shprehej që “Shqipërinë e shpëton dielli”. “M’u kujtua qëparë duke parë diellin në qiellin e Tiranës. Kjo shprehje e jashtëzakonshme nuk e përfshin sot dhimbjen dhe zinë për ndarjen nga jeta të atij që e thoshte, të Fatos Arapit. Një poet i lindur dhe i përkundur ne habitatin gjeopoetik midis Adriatikut dhe Jonit, një poeti i Adrionit, Fatos Arapi është nga brumi i poetëve të mëdhenj lirikë, që e kanë kohën përpara”, thoshte dje poeti Preç Zogaj.

Për studiuesin Ndue Ukaj, ikja e Fatos Arapit na tregon edhe njëherë sa shumë kemi nevojë për gjuhën fisnike të artit, të artit të bukur, që nuk dorëzohet përballë gjuhës së egër të atyre që helmatisin jetën me dokrra e marrëzi. “Poezia – kjo forcë magjike e magnetike, me gjuhën fisnike, na bën shtegtarë nëpër kohë e hapësirë dhe na tregon ç’është e mirë dhe ç’është e keqe. Po, poezia është ilaçi i domosdoshëm për shpirt, për një shoqëri më humane, për t’i kuptuar betejat e ashpra të jetës, pra, për ta bërë jetën më të bukur dhe më humane, ashtu siç na ka treguar poeti i madh, Fatos Arapi dhe siç na tregon vargu kumbues ‘si s’të desha pak më shumë’; varg të cilin e shqipton secila qenie njerëzore, në çaste humbjeje, gëzimi, dëshpërimi e mungese. Në fakt, ky varg buçet me forcën e madhështisë së fjalës, në zemrën e secilit lexues dhe e thërret të drejtohet ka portat e dashurisë, për të dashuruar pafund”. Për Ukajn, Arapi ishte poet i përkorë, që ka shkruar një poezi të ndierë, me një figuracion mbresëlënës, në të cilën ndihen telat e zemrës së njeriut që e do njeriun, jetën, natyrën, paqen, atdheun, gjuhën, detin dhe çdo gjë të bukur, por që nuk dorëzohet as përballë shëmtisë… “Fatos Arapi është poet i madh, që i dha forcë poezisë shqipe. Me vargje të bukura ka kënaqur dhe lumturuar mijëra lexues dhe po ashtu, i ka tronditë mijëra lexues. Sepse, vargjet e tij, janë si ato buqeta të zgjedhura lulesh, që i mbajmë në duar përditë të shënuara, por edhe si muzikë e përmortshme, për ditë të hidhura. Po, lexuesi e ndien artin e tij dhe drithërimat shpërthyese, në çaste gëzimi e dëshpërimi, kur dërdëllitjet e shpirtit, e shpijnë njeriun në qiejt e lumturisë apo ato të dëshpërimit – në skëterrë. Dhe poeti, di që mjeshtërisht realitetet e jetës t’i kthejë në realitete estetike, që buçasin dhe lëshojnë tinguj të bukur, dashurie e dhimbje. E këto mund t’i bëjë vetëm një shpirt i madh, një talent i zoti, që drithërimat e jetës di t’i shndërrojë në melodi, në këngë”, – shënonte Ukaj në ‘in memoriamin’ e tij. Poezia e Arapit të grish nga madhështia, dashuria e pakusht, nga natyra dhe gjuha fisnike. Po, ajo na thërret, siç thërrasin kambanat e një katedrale madhështore, të hyjmë në të, të banojmë në të dhe ta ndiejmë peshën e artit madhështor, të korit të jetës, të engjëjve që zbresin në figura dhe na tregojnë rrugët e jetës.

“Ai la një varg veprash, dëshmi të një arti të madh dhe poezi antologjike, me të cilat ka gdhendë emrin e tij me shkronja të arta në letërsinë shqipe. Fatos Arapi, si askush, ka treguar ç’është atdheu, dhe si duhet t’i blatohemi atij me dashuri pa kusht, ashtu siç i blatohet ai Tiranës që ka tiranë dhe që të vret: ‘Atdheu është dhimbje”.

“POETI QË S’TË LË VETËM”

“Kur një poet është i tillë, pra poet? Sipas meje, kur thotë gjërat që ti i ndjen e nuk arrin t’i thuash, por sapo i lexon nga poeti, ndjehesh fill me shokë e jo vetëm. Se tekembrama misioni më njerëzor i artit është mos me të lënë vetëm!”. Gjuhëtarja Ledi Shamku gjen tek arti i Arapit, një mik të mirë. Citon vargje të tij për të gjetur në to misionin njerëzor të përmbushur. “Mbi rrogozin prej kashte,/Ku netëve fle,/ Shtrova/Dashurinë time…/ Po prap, brinjët t’i vret toka, plisi,/ E prap i fortë është te koka/ Trungu prej lisi./ Hej, vend!/ Plot diell e pa dritë!/

Pagan dhe fron për perënditë!”. “I shtrenjti Fatos poet e i shtrenjti Poet fatos, faleminderit nga shpirti që më lejove të bëhem shoqe me ty falë poezisë tënde. Faleminderit nga shpirti që shkrove në vetminë tënde dhe kështu theve vetminë time! Fushat e gjana të Elizit të pritshin sot siç pritet një poet: me grurë, me degë ulliri, me fllad e me pjalm lulesh. Të desha fort!”, shkruan Shamku.

Spahiu në lot

Pas lajmit për ikjen e pakthyeshme të Arapit, vëmendja e lexuesve dje u mor edhe nga trishtimi i miqve të tij. Poeti Xhevahir Spahiu nuk i ka mbajtur lotët, kur ka lexuar lajmërimin e vdekjes së mikut ngjitur në një shtyllë. Kjo shkëputje e beftë, kjo vënie para faktit të pakthyeshëm, qe bërë më e rëndë për Spahiun, edhe sepse në një takim me të, më pat rrëfyer se qe përpjekur disa herë ta takonte mikun e tij të hershëm. I binte portës së tij, por trokitjet mbeteshin shurdhe. I binte telefonit të tij, por nga ana tjetër nuk përgjigje njeri. Spahiun e kish marrë malli për shokun e rinisë e të poezisë, por në vite nuk ia doli ta takonte, ndërsa Arapi kish zgjedhur të ndahej prej botës shumë më herët se vdekja ta detyronte. Imazhi i Spahiut të përlotur para njoftimit në një shtyllë më kujtoi episodin që më rrëfente dhe takimin e pamundur. Ka qenë gazetari Zylyftar Hoxha, i cili ka fiksuar këtë moment të trishtë të poetit Spahiu, teksa shkruan: “Momenti kur Xhevahir Spahiu mëson vdekjen e mikut të tij, poetit Fatos Arapi”. Xhevahir Spahiu nuk qan vetëm për humbjen e mikut të tij, por edhe për fundin e një gjenerate shkrimtarësh e poetësh, që me penën e tyre tejçuan shpirtrat e gjithkujt dhe i dhanë ngjyra letërsisë shqipe.

FJALËT QË LA

“Dëgjoj shumë andej e këndej pesimistë që flasin rreth letërsisë në përgjithësi dhe rreth poezisë. Por unë nuk jam pesimist. Unë mendoj se letërsia ecën. Po krijohen emra, po vijnë gjenerata të tjera dhe poezia nuk do të mbetet në mes të rrugës”, qe shprehur Arapi në një prej intervistave të fundit që dha. “Përkundrazi, – mendonte ai, – me traditën që është krijuar tanimë dhe me tendencat e shumëllojshme të larmishme që janë krijuar me një teknologji krejt të re, poezia do të shkojë përpara. Pastaj, fakti është që në përgjithësi letërsia shqiptare tashmë e ka të qartë synimin e saj drejt lirisë së njeriut, drejt të drejtave njerëzore të njeriut, në përgjithësi, sigurisht të kombit shqiptar dhe të njeriut shqiptar, në veçanti, mendoj se kjo letërsi është në rrugë të drejtë. Nuk duhet të jemi pesimistë. Unë jam optimist. Natyrisht, në moshën time dhe me sëmundjen që kam, nuk mund t’i ndjek të gjithë, por jam optimist dhe ata ecin, ecin…”, – thoshte Arapi, i cili 10 vite më parë pas një ishemie cerebrale, shënoi ndarjen me botën.

Presidenti i vendit, Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet e tij nëpërmjet një postimi në “Facebook”: “Vepra e tij e pasur dhe kontributi i jashtëzakonshëm do të mbeten unikale në letërsinë shqipe, si dëshmi e një individualiteti me kontribute të vyera. I veçantë dhe i paharruar do të mbetet për mua takimi me të, kur student 20-vjeçar, e ftova për një bisedë me një grup studentësh të Fakultetit të Ekonomisë”.

Krijimtaria 50-vjeçare e Fatos Arapit në Fondet e Bibliotekës Kombëtare

 Në shenjë homazhi dhe nderimi kushtuar poetit Fatos Arapi, i cili u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, çeli më datë 11 tetor ekspozitën “Homazh Fatos Arapit” (1930-2018).

Krijimtaria e botuar e Fatos Arapit zë fill në vitin 1962 me botimin e vëllimit të parë poetik “Shtigje poetike”, për të vijuar më pas me një sërë vëllimesh poetike, tregime e novela dhe romane. E shtrirë në kohë, e larmishme për nga gjinitë dhe llojet letrare të lëvruara, e pasur dhe origjinale, krijimtaria e tij rreth 50-vjeçare përfshin: “Poema dhe vjersha” (1966); “Ritme të hekurta: vjersha dhe poema” (1968); “Patat e egra: novelë” (1970); “Dhjetori i shqetësuar: roman” (1970); “Kaltërsira” (1971); “Dikush më buzëqeshte: novelë” (1972); “Drejt qindra shekujsh shkojmë: poema e vjersha”(1977); “Poezi” (1974); “Shokët: roman” (1977); “Fatet” (1979); “Deti në mes: roman” (1986); “Këngë të moçme shqiptare: studime” (1986), ribotuar edhe në vitin 2007; “Fjalë për poezinë: studime dhe artikuj” (1987) apo “Duke dalë prej ëndrrës…: poezi” (1989). Për të vijuar më pas me “Dafina nën shi” (1991); “Ku shkoni ju statuja…: poezi” (1990)”;  “Ne, pikëllimi i dritave: poezi” (1993); “Unë vdiqa në brigjet e Jonit” (1993); “Çështja shqiptare dhe kriza ballkanike” (1996); “Ancient Albanian songs: studies”(1996); “In-tenebris…: poezi” (1996); “Më vjen keq për Jagon: poezi” (1994); “Gloria victis: poezi” (1997); “Kujtohem që jam” (1997); “Më duhet një gjysmë ëndrre: poezi” (1999); “Kush ishte Vllas Arapi” (2000); “Cipa e dëborës: novela” ( 2000);  “Gjeniu me kokë të prerë” (2000); “Vëllezër hamletë: poezi” (2001); “Antologji personale” (2001); “Çështja shqiptare dhe kriza ballkanike” (2001); “Nuk shitet shpirti në tetor: novela” (2002); “Eklipsi i ëndrrës” (2002); “Ah, sikur të isha një përrallë: poezi” (2003); “Në Tiranë kur s’ke ç’të bësh…: tregime” (2003); “Shëtitje pa veten: poezi” (2005); “Horrat e ndershëm: tregime” (2007).

Në vitin 2014 është botuar pothuajse e gjithë krijimtaria e tij ndër vite në një përmbledhje poetike në katër vëllime: “Më jepni një emër: poezi të zgjedhura 1962-1989”; “Në kaq pak Tiranë: poezi të zgjedhura 1990-1996”; “Urna e vogël: poezi të zgjedhura 1997-2003” dhe “Një buzëqeshje e pabesueshme: poezi të zgjedhura 2005-2010”.

Fatos Arapi është marrë edhe me përkthimin, duke sjellë në gjuhën shqipe “Vuajtjet e Verterit të ri” të J. W. Gëte botuar në Prishtinë, poezinë e Pablo Nerudës, Justo Jorges Padron, nga letërsia maqedonase Ante Popovskin, Mateja Matevski, si dhe “Antologji e poezisë turke e shekullit XX”.

Fatos Arapi lindi në Vlorë në vitin 1930. Kreu studimet e larta për ekonomi në Universitetin e Sofjes (1949–1954). Ka punuar si gazetar, pedagog, redaktor dhe shkrimtar në krijimtari të lirë. Ai nisi të shkruajë që në vitet e studimeve. Arapi i përket brezit të poetëve, që në vitet ‘60 sollën një mendim e figuracion të ri, duke e emancipuar poezinë shqipe nga rutina poetike dhe notat retorike.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.