MILOSAO

Torzo e kthyer kah dielli

15:45 - 14.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Shënim bibibliografik
Shaip Beqiri lindi më 25 mars 1954 në Gllamnik të Besianës (Kosovë). Ka mbaruar studimet në Degën e Letërsisë dhe Gjuhësisë Shqiptare në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës, ku ndoqi edhe studimet pasuniversitarë.
Beqiri ka nisur të botojë poezi në fillim të vjetëve ‘70.




Ka botuar librat themelorë të poezisë:
Fontana e etjeve, Rilindja, 1976, Prishtinë; Konica, 2006², Prishtinë,
Flatrat e gjymta, Rilindja, 1983, Prishtinë; Konica, 2016², Prishtinë
Eklipsi i gjakut, Pashku, 2000, Prishtinë; Konica, 2017², Prishtinë
Muranat e muzgut, Konica, 2015, Prishtinë;
Uragani i zhurit, Konica, 2018, Prishtinë;

Librat e zgjedhur të poezisë:
Rekuiem për veten, Buzuku, 1997, Prishtinë,
Prangat e praruara, Toena, 1998, Tiranë,
Hinoret e njëjta, Konica, 2016, Prishtinë,

Librat e përkthyer të poezisë:
Izmedju dva ponora / Ndërmjet dy humnerave, Jedinstvo, 1988, Prishtinë, përkthyer serbisht nga Ramadan Musliu,
Hydra des Zorns / Hidra e mllefit, Limmat, 2014, Zürich, zgjedhur e përkthyer gjermanisht nga Hans-Joachim Lanksch.
Shaip Beqiri nga mesi i vjetëve ‘70 merret me redaktim, publicistikë dhe përkthim. Në fillim qe mësimdhënës në Gjimnazin e Besianës, pastaj në vjetët 1976 – 1977 redaktor i rubrikës së kulturës i gazetës së studentëve të Kosovës Bota e re; në vjetët 1977 – 1993 poashtu redaktor i rubrikës së kulturës i revistës Zëri; në vjetët 1978 – 1990 bashkëpunëtor i ndërmarrjes botuese Rilindja; në vjetët 1990 – 1995 bashkëpunëtor i ndërmarrjes botuese Gjon Buzuku; në vjetët 1990 – 1992 anëtar i redaksisë i të përkohshmes për kulturë, art e letërsi Fjala; ndërkaq në vjetët 1993 – 1994 e themeloi dhe e udhëhoqi (bashkë me Adem Demaçin) të përjavshmen politike Forumi dhe më 1995 (me Teki Dërvishin) të përjavshmen tjetër Zeniti.
Një pjesë e veprës poetike të Shaip Beqirit është botuar edhe në gjuhë të tjera, si gjermanisht, anglisht, frëngjisht, serbisht, rumanisht, kroatisht etj. Ai është paraqitur në shumë antologji të ndryshme të poezisë si dhe në manifestime e lexime letrarë; poashtu ka fituar çmime të shumtë letrarë.
Shaip Beqiri nga vjeti 1995 jeton në Zvicër.
Edhe në mërgim ka vazhduar krijimtarinë në fushë të letërsisë dhe të publicistikës duke bashkëpunuar me revista e gazeta të ndryshme: Eurozëri, Bota sot, Java shqiptare, Zëri ditor etj.
Është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës nga vjeti 1976 dhe i Shoqatës së Shkrimtarëve të Zvicrës nga vjeti 1998.

Nga Shaip BEQIRI

Lasgushiana:
VDEKJA E NOSITIT
Ja së fundi ju flas me zjarr
Në zemrën time çela një varr

Thellë e mbolla për llahtari
Sa mos ta shuajë asnjë stuhi
Mu në veten time një dashuri

Nuk e vithis as deti zemërak
Me valat që s‘iu ndava aspak
Kur vetullat ua bëra me gjak

Përjetësisht përsëri ju flas
Gjirin godas ah zogjtë i qas

PËRTEJ URËS ME FLATRA
Babai për një çast
M‘u bë urë me flatra
Tejendanë lumit pa fund
Që s’e kaloja dot as në ëndrra

Nëna një lule e çelur së dyti
Në bregun tjetër të kohës

Njëra gjyshe sodiste me një sy
Grigjën e përgjysmuar të reve
Kur gjyshi trazonte terrinën
Me një skeptër të padukshëm

Thinjoshja ime tjetër
Ujkun nxirrte nga vatha
Dhe fuste dashurinë në qivur

Ndërmjet dy psherëtimave
Shtrihej shkretëtira e jetës
Që duhej kaptuar symbyllur
Gjurmave të gjyshit të tretur

Lart zgavrat pa mbarim
Nëpër të cilat përshkohej
Vallja e madhe e shprishjes

Poshtë maja të thepisura
Përgjumur mes mjegullash
Përkundnin ëndërrueshëm
Çerdhe të prishura dejkash

Unë pritja rrënjë të shtija

 

MIDIS KATËR ERËRAVE
Në Veri e kisha edhe një Veri

Prej andej erdhi Gjergji
Drejt Vendenisit për në Krujë

Bogdani nisi bocat e para të Çetës

Unë kam mbetur këtu një torzo
Trung në hi i kthyer kah dielli
Midis katër erërave që më zhbinë

Tutje-tëhu gjithkahnajës
Toka gjëmëmadhe çarë në syngji
Re e mjegulla prerë ndër shkëmbinj
Dhe detët ah të tretë më futen në sy

Nëpër ta u bart koka e pashait të Zi

U këput vallja me shpatat zhveshur
U shprish gjaku i Boçarëve pa shterur

Në Jug më mbeti cung edhe një Jug

RRUNGAJA NË UDHËKRYQ
Sypërgjumur i shoh nga dritarja
Si më sulen me tërbim katallanësh
Pamjet që ndërrohen nën re të rrjepura
Të tokës me reliev të ashpër
Shkëmbinjsh e bregoresh mveshur
Dhe fushash që ngrysen lakuriq
Duke u futur në gji të njëra tjetrës
Në lojë të përjetshme epshndjellëse
Lesbike të përbuzura përkohësisht
Nga lumenjtë që derdhen tutje të dehur
Duke krijuar lumin e madh nëntokësor
Përfundi rrjetash të mpira stinash
Që mbajnë magmën e një vullkani
Pak para se të shpërthejë në mua
Heshtjen ogurzezë të shekujve
Që noton drejt zemrës së tokës
Duke u përplasur rrëkëllyeshëm
Me atë rrungajë të etur akullnajash
Mbërthyer në udhëkryqin e zhbërjes
Që Ilirinë futi në peshkve ta nxirrte Ballkan

LUTJA E
PARAFUNDIT
Ati im i përndritur
Bëje muzikë të hyjnueshme
Fjalën që më mbeti në grykë
Nxirrmë purgatorit të heshtjes
Mos më nguros kaq të rreckosur
Në trajtë idhujsh të çoroditur
Me koka të këputura nënsqetullave
Përjargur pas perëndish të pështyra
Ndër krifa të kreshpëruara katallanësh
Fërfëllomë duke më vërvitur
Galaktikave të flakës sime të etjes
Ngujomë në rrethin e dhjetë të ferrit
Para gjunjëve të tu më plandos
Në tjetër parajsë llahtarisur
Nën pëlhurën gjak-e-dhe

NË RRJETËZA FUNDËNDRRASH
Sa fort ju kam dashur
Gra që gërvishtët me thonj
Faqen e lëmuar të jetës sime

Ndonjëra
Ndoshta edhe mua më ka dashur
Me shumë zjarr e ankth
Dhe me fshehtësi përshkuar

Ndonjërës i kam zbërthyer
Zymbylët e paprekur kurrë
Në kraharorin e ënjtur
Dhe me të dyja duart
Kam hedhur në erë
Trëndafilë të egër puthjesh

Në sytë tuaj fërgëllues
Kam soditur tek vërtiten kuturu
Galaktika ëndjesh pa mbarim
Dhe ndonjë curril i hollë gjaku
Në hon psherëtimash të këputura

Ujëvara të panumërta rrëkëllyese
Që fashitin gjëmimin
Drejt zemrës së etur të tokës

Thellë ndër rrjeta rrënjash
Tash më pret gruaja gazmore
Me më ngujuar përgjithmonë
Në qelitë e veta të mërisë

DITA QË MË VRET
Vetëm do të rrëshqas kurrizit të kësaj dite
Duke ia shpupuritur përsëri lulen e ballit

E ndiej largas që do të jetë veç imja
Dita që më vret fshehtas syve që i ndrijnë
Në çastin kur vërvitet rrëzomës së vet

Dhe unë më kot hepohem kaçurrelit të saj
Që duket fjollë e thërrmuar drejt gremisjes

Do të ngrysem ndanë humbellës sime
Duke ngritur gurin e saj të stërmadh
Te maja e malit të mesnatës së mehur

GOZHDA PA KOKË
Ja liria
Që me shekuj kërkuat
Na u çor shpirtmbajtësi me skeptër
Ne robëve të vet të lumturuar

Qafëkëputur ramë në gjunj
Skaj pyllit të hijeve tona

Merreni lirinë e sapofarkëtuar
Vënë në pjatë të praruar
Me blanka gjaku

Një gozhdë pa kokë
Tejshkuar shtrembër
Shpirtin na mban pezull
Ndërmjet dy regëtimave

Ç‘liri e paanshme
Me push ëndrrash
Llapashitet ndër bërraka

Ky shpend i stërmadh
Me krahë të thyer
Që hov të dalë
Nëpër dritaren e mbyllur

KËRMAT E
SHPËRMENDURA
Varrtarë duarpërlyer mëdyshjesh të pabesë
Trumbë e zvarritur pas ndonjë kërme të gjallë
Që vërvitet përbaltur duke shuar çdo shpresë

Qenë e bij qenësh
Lindur prej incesti me damkë
Blatuar në gjak të ngjizur me qelb-e-helm
Lapërdharë të rroposur urrejtjesh pa anë

Shpotitni yllin në majat e përflakura
Ulërini pasi s‘dini të rënkoni
Këlyshë të verbër ligësish
Që me djaj kutërboni

Atdheun e duani të skuqur si sytë tuaj
Të përdhosur me afsh përvëluar
Prapa grilësh të shumëfishuar

Eunukë epshmërdhezur
Nga fundi i fundit të ferrit
Nakatosur peshkves e territ

Bij vrastarësh pa dëshmitarë
Tinëzarë pa shenja gishtërinjsh
Nuk dini të heshtni as të qeshni
Zulmëzinj me vurrata gjarpinjsh

Fundbark-personazhë-zhveshur të zhbërjes
Dhjam-fjalash-bliruar komedish të pështira
Që rrjedhin duke derdhur jargë-e-spermë
Mespërmes palcës me dhembje të mpira

TEMPULLI
I HESHTJES
Mblodhe tërë heshtjen rrotull bedenëve
Dhe bëre murin tënd të fjalës
Gur mbi gur
Hap pas hapi
Deri te maja

Ngrite pasqyrën e përmbysur
Kundruall fytyrës së diellit

Shkëpute shkëmbin vargmalit të fjetur
Ku bora me borën bëjnë mur të gjallë
Me i mbuluar eshtrat e mbetur përdhe
Dhe të yesh një hap më afër ëndrrës
Një dhembje përtej gurit të varrit

Reja që ndërzehej rrallë barkun çau
Ndër gropa të zeza
Në udhën pa anë
Pas një ylli

Ti ushqeve harresën e mbrusur
Me shpresat e mia të unta
Ta bësh përsëri tempull
Heshtjen me myk e ar

HIJA E KIPCIT
Midis flakës që më mbështjell
Unë përsëri vdes
Për të dytën
Të tretën
Për të dhjetën herë

Kokën ma vënë në shënjestër
Gjahtarë të përhënur
Dhe qëllojnë sall hijen
Që bredh në mua
Duke ikur nga vetja

Lasgushiana:
YLLI I ZEMRËS
Mblidh mermerin e këtij muzgu
Derdhur sipër pluhur purpuror
Gdhend zurkaja fjale nga çurgu
Që thyhet thellë duke u tretur
Magmës në përplasje gjymtyrash
Kurrnjëherë brenda pa u prekur
Nëpër lahuri gjaku e ngjyrash
Shtjellave të dehura me dritën
Mbërthyer në putra të sfinksit
Që Yllit të Zemrës i zë pritën

Nga libri “Uragani i zhurit”
për suplementin “Milosao”
zgjodhi: Bajram Sefaj


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.