KULTURË

Të mohuar nga regjimi/ Gratë e lirisë, një garuzhde lëng dhe xhipsi me operativin

16:45 - 30.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Kampi ishte një copë tokë rrethuar me tela me gjemba me skela mbi të cilat policët me mitralozë ruanin, të gatshëm për të vrarë qoftë edhe pranë rrethimit. Si strehë ishin baraka veshur anash me rrogozë e sipër mbuluar me letër katrama. Përgatiteshin për punë pa u shuar mirë yjet e duke dalë nga kampi, pasi numëroheshim si bagëtia nga oficeri i rojes, niseshin, të shoqëruar anash rreshtit nga policë të shumtë të armatosur për në vendin e punës, i cili mund të ishte disa kilometra larg. Atje të rrethuar nga një gardh policësh, si skllevër faraonësh, punonin me gjithë fuqinë e trupit gjatë orarit të punës nën diellin përvëlues ose në acarin e dimrit. Si përfundonte ky orar, ktheheshin në kamp duke shpejtuar e vrapuar nën kërcënimet e goditjeve të policëve. E në këtë turr e ngutje disa rrëzoheshin, të tjerë vinin nga pas, kalonin mbi të rrëzuarit, që duke u munduar të ngriheshin, kapeshin pas rrobave të leckosura të shokut.




Në hyrje të kampit, si në strungë, prapë numëroheshin që rojet të siguroheshin nëse ishin po aq sa kishin dalë. Pasi hanin të babëzitur garuzhden me lëng ku mund të notonte ndonjë fije makarone ose kokërr orizi, ashtu tërë baltë e pluhur, të lodhur për vdekje shtriheshin në dyshemenë shtrat për të rimarrë forcat, të cilat nga dita në ditë, sa vinin e shteroheshin. Në mëngjesin e ditës tjetër ndiheshin po aq të lodhur sa në natën e shkuar. Dikur kampet e rrethimit me tela me gjemba zëvendësohen me sektorët e fermave që nuk kishin të sosur. Aty vendoseshin qindra e mijëra të internuar nga të gjitha anët e Shqipërisë. Nuk janë të pakta rastet kur xhipsi me targën 01 shkonte në sektorë dhe për të arrestuar ndonjë, ndaj xhipsi me operativin me automatik në krah sillej nëpër sektor me orë të tëra për t’u kallur frikën të internuarve. Ata pyesnin njëri-tjetrin, se kush e kish radhën atë ditë. Valjeta Kaftalli i përshkruan kampet e internimit gjatë komunizmit në detaje, gjatë një studimi mbi jetën e p¸rditshme. Rrëfen se trajtimi ishte mizor. Të burgosurit, si pasojë e dënimit me punë të detyrueshme punonin në kampe pune për të tharë kënetat, për të hapur kanale, në miniera dhe kudo ku vendoste Ministria e Brendshme, dikasteri tipik i dhunës.

Ajo është vetëm një nga 36 studiues që merr pjesë në konferencën shkencore ndërkombëtare “T¸ mohuar nga regjimi”: burgjet, sistemi i internim-d¸bimeve dhe puna e detyruar në Shqipëri 1945-1990.

Konferenca që organizohet nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Institutin e Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, Institutin për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit dhe Institutin për Integrimin e ish-të Përndjekurve Politikë u çel mbrëmë nga Genta Sula, kryetare e Autoritetit për Informimin mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit. “Studiuesit do e ndihmojnë shoqërinë tonë t’u përgjigjet pyetjeve pse dhe si ndodhi, që në një kohë aspak të largët, shqiptarët u vunë kundër njëri-tjetrit. Protagonistët ende jetojnë, faktet akoma nuk kanë dalë të gjitha në dritë; kujtimet dhe ditarët janë ende pa mbledhur e pa botuar; arkivat, përveçse janë masive, janë ende të pashfrytëzueshme plotësisht”, tha Sula, duke pyetur nëse është normale që ende sot të mbetemi kaq të përçarë, kaq të pandjeshëm për vuajtjet e bashkëqytetarëve tanë, kaq pak të interesuar për të vërtetat. Si kryetare e Autoritetit që ka mision zbardhjen e së shkuarës, Sula, tha se në AIDSSH, objektivi kryesor është qasja në dokumentet e ish-Sigurimit, të bëhet sa më e kollajshme, e papenguar dhe e dobishme. Bëri me dije se po identifikohen e po mblidhen përmes negociatave e bashkëpunimit me institucionet që kanë dokumente të ish-Sigurimit, MPB, SHISH, Arkivi Qendror i Shtetit, Prokurori, degë të rretheve, drejtori të burgjeve, gjykata…; të cilat, në masën më të madhe i kanë vënë në dispozicion dhe i kanë dorëzuar ato në arkivin e AIDSSH-së. “Po i përpunojmë dhe po i rendisim ato, në atë mënyrë që të bëhen sa më të dobishme. Po i deklasifikojmë dhe anonimizojmë për mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësisë, me qëllim që interesi kombëtar të mbetet i pacenuar nga hapja e arkivave sekrete, por edhe personat të mos riviktimizohen përmes publikimit të thashethemeve dashakeqe që ushqenin urrejtjen klasore. Po i shërbejmë dokumentet publikut në zyrat tona, në formë të digjitalizuar. Po i publikojmë rast pas rasti, në formë inventarësh, të zbardhura në libër, ose ‘online’ në uebfaqe, apo në media sociale. Shoqëruar me studime të studiuesve, e deri në ekspozita, apo kemi konceptuar edhe muzealizim”, nënvizoi Genta Sula. Ajo theksoi se AIDSSH ka marrë angazhim që të organizojë sa më mirë bashkëpunimin me viktimat dhe familjet e tyre. “Qëllimi është që të dëgjohet edhe zëri i viktimave. Fakti është që në dosjet e Sigurimit mungon zëri i viktimave. Për ju të gjithë kjo është e qartë se pse. Këto dosje organizoheshin për të shtypur e kontrolluar armiqtë e Partisë. Institucioni i mbrojtjes përmes avokatit mbrojtës nuk ekzistoi. Shpesh procedurat kanë qenë jashtëligjore. Mjafton të përmend rastin e të internuarve në kampet me tela me gjemba deri në 1954, ku me qëllim të qartë nuk hartoheshin as lista, por kishte vetëm numra”, shtoi Sula, duke bërë me dije se përmes bashkëpunimeve me kolegë dhe hulumtues, do të ngrihet një agjendë kombëtare për kërkimin shkencor dhe përkujtimin, përfshirë këtu edhe objektet e ndërgjegjes, për të cilat është bërë ende shumë pak.

Konferenca organizohet në kuadër të projektit “Përkujtojmë për të shëruar dhe parandaluar”, dhe mbështetet nga PNUD në Shqipëri dhe Qeveria e Italisë, Fondacioni Konrad-Adenauer (KAS) dhe Rrjeti Europian i Kujtesës dhe Solidaritetit (ENRS). Duket se opinioni publik tregon një lloj refuzimi për t’u p¸rfshirë n¸ debate mbi dhunën shumëplanëshe që ushtronte regjimi ndaj kundërshtarëve të tij politikë dhe familjeve të tyre, mbi sistemin e burgjeve dhe at¸ t¸ internim/dëbimeve, mbi vuajtjet e njerëzve në këto burgje dhe kampe dhe keqtrajtimet e shumta që ata vuajtën në to dhe duke parë që mungojnë studime serioze mbi punën e detyruar dhe sistemin e internim-dëbimeve, që nuk janë ndërtuar ende vende të kujtesës mbi regjimin komunist konferenca synon të hapë siparin për të tjera në vazhdim mbi trajtimin shkencor të periudhës së regjimit. Temat që trajtohen në të janë gjithëpërfshirëse e mes tyre, përmendim disa.

GRATË PËR LIRINË
Identitete dhe profile i grave të dënuara politike në periudhën komuniste (1946-1979), një studim nga Fiona Todhri e Eris Dhamo, sjell fakte, dëshmi dhe përvoja të të gjitha grave e burrave që vuajtën dhe u privuan pa të drejtë jo vetëm nga liria, por dhe nga ëndrra e tyre për një vend më të mirë dhe të lirë. Referuar analizës së proces-verbaleve gjyqësore që janë mbajtur për këto gra të dënuara politike, letërkëmbimeve, mbrojtjes, deponimeve, si dhe akuzave të bëra gjatë gjykimit ose/dhe mungesës së gjykimit, dorëshkrimeve, punimeve dhe mbrojtjes së disertacioneve, rezulton shprehja e forcës së mendimit, qëndresës, idealeve dhe temperamente të hekurta, pavarësisht vuajtjeve apo përdhosjes se dinjitetit që i bëhej nga pushteti i asaj periudhe. Analizimi dhe interpretimi na prezanton dhe disa karakteristika, përshkrimi i të cilave qoftë me fjalë me kuptim të drejtpërdrejt apo të figurshëm (me anë të epiteteve, metaforave etj.), nuk do të mjaftonte për të ndërtuar një kuadër të plotë të figurës së tyre, duke u ndalur sidomos në vlerësimin e vetëdijes intelektuale, integritetin, si dhe frymën idealiste që i karakterizonte. Rezulton se gratë e marra në studim hodhën themelet e para dhe tentuan krijimin e një shoqërie demokratike dhe të lirë.

KAMPET PA LIGJ
Çelo Hoxha, nëndrejtor i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, në studimin e tij vë në dukje izolimin e familjarëve të të dënuarve a të arratisurve në vende të caktuara, nën mbikëqyrjen e ushtrisë ose policisë. Por, ai vëren se në disa dokumenteve zyrtare, ndonëse vendet e izolimit quheshin kampe internimi, ndërsa personat e izoluar konsideroheshin të internuar, në vitet e para të regjimit nuk ekzistonte një ligj për internimet. “Shumë njerëz e nisën dhe e përfunduan atë që konsiderohej nga institucionet shtetërore si internim, shumë kohë para se të dilte ligji për internimet. Vendet e izolimit, të cilat quheshin kampe internimi, u hapën dhe u mbyllën përfundimisht, para daljes së të njëjtit ligj. Edhe dëbimet, në periudhën 1944-49, u kryen në mungesë të një ligji, megjithëse për një kohë më të shkurtër se të ashtuquajturat internime”. Ai pyet si mund të përkufizohet në aspektin ligjor, zhvendosja dhe izolimi i një mase të konsiderueshme qytetarësh, nga zyrtarët dhe institucionet e shtetit, ndërkohë që mungonin ligjet, të cilat parashikonin një veprimtari të tillë.

USHTARËT E POPULLIT
Dr.Etleva Smaçi, lektore në Akademinë e Forcave të Armatosura, vëren se gjatë regjimit komunist, ashtu si në çdo fushë tjetër të jetës, edhe në shërbimin e detyrueshëm ushtarak ka pasur ndarje të qarta klasore. Sipas saj, të rinjtë e deklasuar që i nënshtroheshin shërbimit të detyrueshëm ushtarak, ishin një kontingjent i paracaktuar për repartet e xhenios dhe pas viteve ‘70–të me krijimin e Ndërmarrjeve Bujqësore Ushtarake edhe në to. “Këta ushtarë caktoheshin në këto reparte jo vetëm se ato nuk konsideroheshin objekte të një rëndësie të veçantë siç ishte kufiri, garda, apo repartet e tjera, por mbi të gjitha sepse volumi i punës ndërtimore që kryhej në to ishte i barazvlefshëm me ato të veprave të mëdha të socializmit”, thotë Smaçi. Teksa shënon se mungesa e besimit tek fëmijët e “armiqve të klasës”, për t’i pajisur me armatimin ushtarak, ishte një ndër arsyet e “thëna” përse ato u përdorën si krah i lirë pune në ndërtimin e objekteve ushtarake të një vështirësie shumë të lartë, dokumentet hedhin dritë në shfrytëzimin çnjerëzor që i bëhej kësaj kategorie, në reparte të tilla si regjimenti Xhenios në Moravë të Beratit (i angazhuar për ndërtimin e tuneleve të aviacionit), apo në repartet e Xhenios në Pukë e Shkodër. Nga shfrytëzim mizor, i papaguar, diskriminues, dhe i bërë në mënyrë të qëllimshme, pati edhe viktima, të cilët nuk u njohën për të tillë nga regjimi, madje në të kundërt u manipuluan ngjarjet, dëshmitë për t’i konsideruar ato veprimtari armiqësore.

PORTRETI I ARMIKUT
Sonila Boçi, nga Instituti i Historisë, ka një tjetër qasje në konferencë. Ajo ravijëzon atë që ishte vizatimi i “fytyrës së armikut të popullit” gjatë viteve 1944-1949. Në një film të Kinostudios “Shqipëria e Re”, që trajton situatën në Shqipëri menjëherë pas çlirimit të vendit, personazhi kryesor i drejtohet kolegut me një pyetje shumë intriguese “A është prifti, popull?”. Sipas Boçit, në mënyrë të nënkuptuar kjo pyetje nënkuptonte nëse aplikoheshin të drejtat e qytetarit për një kategori njerëzish, të cilët ishin konsideruar armiq të regjimit. Të gjithë ata që kanë jetuar gjatë viteve të “diktaturës së proletariatit” nuk mund të harrojnë propagandën shtetërore që shoqëronte çdo zbulim dhe dënim të të ashtuquajtura grupe armiqësore. Dhuna e ushtruar ndaj një kategorie të popullsisë nuk do të ishte e efektshme, nëse ajo nuk do të mbështetej, ose së paku nuk do të kundërshtohej nga shumica.

“KAMPI NË KUJTIMET E MIA”
Alma Liço Mirakaj vjen me dëshmi direkte mbi periudhën e saj të internim-dëbimit dhe refleksione mbi kohën, shkakun, mënyrën se si u kryen, pasojat që tjetërsuan jetët e familjarëve të saj. Dëbimi i familjes së saj nga qyteti i Tiranës u krye në vitin 1968. Së bashku me 15-20 familje të tjera u vendosën në zonën Dumresë, në fshatin më të largët të saj, të quajtur Dragot. U trajtuan si armiq të partisë dhe të popullit deri më 1991. Ishte 10 vjeçe, u internua për shkak të gjyshit Muamer Liço, i cili kishte studiuar për drejtësi në Universitetin e Harvardit dhe kish ushtruar profesionin e avokatit në qytetin e Korçës. Si nacionalist, ishte përfshirë në lëvizjen dhe aktivitetet e Ballit Kombëtar. Persekucioni komunist viktimizoi katër breza në familjen e saj: gjyshi, i dënuar në vitin 1945 me pushkatim, dy prindërit e saj me tre fëmijë për 23 vite në internim – dëbim; si dhe fëmijët e vetë Almës, që u lindën dhe kaluan vitet e para të fëmijërisë në fshatin e dënimit.

TË HUAJT QË VDIQËN
Prof. dr. Nevila Nika duke u marrë me trajtimin e shtetasve italianë mbas mbarimit të Luftës së II Botërore, nga prof. V. Lozzi tek fra G. Gardin, vë në dukje se mbarimi i Luftës së Dytë Botërore shënon për shtetasit italianë të mbetur në Shqipëri shënon nisjen e një periudhe disavjeçare përpjekjesh për t’u riatdhesuar e njëkohësisht përndjekjesh e keqtrajtimesh nga ana e pushtetit të ri të vendosur në Shqipëri. Nëpërmjet rasteve fatkeqe të mjekut kirurg Prof. Venanzzio Lozzi-t, gjeometrit Paolo Saggiotti, financierit Giuseppe Terruzzi e priftit Giacomo Gardin do të jepet një panoramë e përgjithshme e kalvarit të vuajtjeve të këtyre shtetasve në burgjet e kampet e punës së detyruar të Shqipërisë së atyre viteve. Bazuar në dokumente autentike, të cilat gjenden në fondet arkivore të Arkivit Qendror të Shtetit, Arkivit të Ministrisë së Jashtme, Arkivit të Ministrisë s Brendshme etj., kumtesa do të rrokë harkun kohor dhjetor 1944-1954. Gjatë këtij dhjetëvjeçari zhvillimet politike në Shqipëri, por edhe në Itali kanë qenë të lidhura padyshim me fatin e të mbeturve në vendin tonë. Nga ky këndvështrim do të jepen edhe disa përfundime për arsyet e shkaqet e gjithçka ndodhi me këta shtetas, ekzekutime, burgime, vdekje në kampe e burgje, punë të detyruar, si edhe zhdukje pa asnjë gjurmë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.