OPINION

Kur Basha e pëlqen, pse nuk e bën shqiponjën tatuazh?

07:30 - 13.11.18 Julian Zyla
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Imagjinoni një skulpturë gjigante në hyrje të Parisit me flamurin kombëtar. Asnjë ide tjetër artistike përveç flamurit të kthyer në skulpturë. A do ta pëlqenin francezët këtë kujtesë se cili është flamuri i tyre kombëtar? Edhe nëse do të ishte ngritur në një përvjetor, me gjasa, një pjesë e madhe e njerëzve me sens estetik normal do të prisnin diçka më krijuese sesa thjesht flamurin e ngurtësuar. E njëjta gjë do të ndodhte edhe në Romë apo Berlin. Dhe, për më tepër, shqiponja pa sfondin e kuq nuk është as flamuri ynë kombëtar i ngurtësuar, por thjesht një tatuazh gjigant në vendin mbetur lakuriq nga një investim i munguar. Investim me anë të të cilit shqiptarët, nga të gjitha trojet, do të mund të shkonin më shpejt te skulptura kombëtare e vërtetë, ajo e Gjergj Kastriot Skënderbeut!




Në vend të investimit, shqiptarët u sollën vërdallë me një tatuazh, por jo në trupin e pushtetarëve. E ndërsa i vinin përqark tatuazhit, njerëzit e duruan dhe u mësuan me të. Ndërkohë, flamuri kuq e zi nuk respektohet më pak nga ata që nuk e pëlqenin tatuazhin me rruaza. Madje, mund të jesh edhe më shumë patriot nëse arrin të pranosh dhe ndash artin e mirë dhe të keq në vendin tënd. Problemi nuk ishte shqiponja, por mungesa e çfarëdo impenjimi artistik për realizimin e skulpturës. Nuk ishte skulpturë, por printim, në rastin më të mirë, me gjilpërë.

Por, a mbetet shqiponja simboli ynë kombëtar dhe a është e lehtë të bësh politikë me çfarëdo deklarate që mund të bëhet të duket si e dhënë kundër simbolit? Patjetër! Kjo ishte arsyeja pse deklaratat për heqjen e saj duhet të ishin matur shtatë herë e të ishin prerë një herë.

Kryeministri nuk duhej të kishte nisur debat për shqiponjën tatuazh. Por ai e dinte që nuk po komunikonte me dikë që e kishte bërë mbi trupin e vetë, njerëz të cilët shfaqin hapur ndjenjë shqiptarie, por me ata që e kishin qepur mbi trupin e dikujt tjetër: këtë herë mbi atë të Tiranës. A ka Basha tatuazh shqiponjën? (Nuk dua ta di përgjigjen).

Thelbi i diskutimit është ky: Rama nuk duhet ta kishte bërë atë deklaratë, edhe pse nuk e kishte për simbolin, por për skulpturën, e cila më shumë e çnderonte sesa e nderonte shqiponjën me anë të përtacisë krijuese. Në këto rrethana, Partia Demokratike bëri detyrën e vetë politike duke tërhequr vëmendjen nga lakuriqësia e vërtetë patriotike: rrethrrotullimi trafikndërtues.

Të luash me patriotizmin është loja më e vjetër në politikë, por politika të nxjerr në pah edhe hipokrizitë. Si do t’ia justifikojë zoti Basha dhe zoti Berisha një të riu me shqiponjën tatuazh që këta të dy nuk e kanë, me gjasa? (Nuk dua ta di të vërtetën për tatuazhet).

Shqiponja është simbol i dashur për të gjithë shqiptarët, por patriotizmi ka më shumë sesa simbolet që e përfaqësojnë. Patriotizëm janë investimet në të mira publike. Patriotizëm janë daljet dhe jo rrethrrotullimet në autostradë. Patriotizëm janë protestat paqësore, e jo shtypja e tyre me gjak. Patriotizëm është përfundimi i objekteve publike dhe jo vetëm inaugurimi.

Hipokrizia e PD në këtë rast nuk ka të bëjë vetëm me objektin e debatit: deklarata e kryeministrit. Por edhe me faktin që ndoshta vetë ata që e thonë nuk e besojnë vërtetë që shqiponja nderonte shqiptarët. A mendon Basha dhe intelektualët e tjerë pas tij se ajo skulpturë, (pra, jo shqiponja si simbol, por shqiponja e artit dembel) ishte diçka që na përfaqësonte? A jemi ne vetëm një interpretim pa interpretim i flamurit tonë?

Me siguri, të huajve mund t’u shpjegonim që ai ishte një element i flamurit tonë. Por a mund të shpjegohej pse kjo ishte një ide për skulpturë? A mund të shpjegohej pse kjo ishte një ide për skulpturë qoftë edhe e ndërtuar për një përvjetor? A mund të shpjegohej pse kishte një skulpturë kombëtare dhe aq shumë trafik? Cili ishte patriotizmit: Mungesa e interpretimit artistik të hollë, apo mungesa e investimit?

Për ata që mendojnë se shqiponja nuk duhet të ndryshohej nga forma e saj, mjafton të shohin shqiponjën e Skënderbeut në flamurin e Ismail Qemalit. A është ndryshimi mungesë patriotizmi?

Por, me çfarë do të dalin shqiptarët nga ky debat?

Shqiptarët do të tolerojnë deklaratën (tashmë të shtrembëruar lehtësisht nga trysnitë politike të rastit) të kryeministrit. Dhe do të vijnë vërdallë nëpër daljet e mbikalimit duke shkuar më shpejt në destinacionet e tyre. Pasi jeta e shqiptarëve ka më shumë sesa simbole. Jeta e shqiptarëve nuk mund dhe nuk duhet të manipulohet, qoftë edhe me tatuazhe politike.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.